Lajmet

​BE nuk mendon se Serbia i ka rinovuar targat KM

Stano ka thënë se të gjitha palët duhet të përmbahen nga veprimet e njëanshme.

Published

on

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga secili veprim që mund të destabilizojë situatën, edhe ashtu të brishtë, dhe që çfarëdo sqarimi rreth interpretimeve për marrëveshjen për targat ta adresojnë në kuadër të dialogut.

Duke iu përgjigjur pyetjeve rreth akuzave që kanë shkëmbyer Kosova dhe Serbia për mosrespektimin e marrëveshjes rreth targave, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se të gjitha palët duhet të përmbahen nga veprimet e njëanshme.

“BE-ja kërkon nga të gjitha palët që t’i respektojnë në tërësi dhe pa kushte marrëveshjet dhe aranzhimet e arritura më 23 nëntor të vitit të kaluar, me të cilat edhe Kosova edhe Serbia u pajtuan për masat specifike rreth targave për të ulur tensionet dhe për t’u fokusuar në tërësi te propozimi i BE-së për të normalizuar raportet e tyre”, ka thënë Stano.

Me marrëveshjen e nëntorit, Kosova u ka dhënë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrimin e makinave me targa serbe që qarkullojnë në Kosovë, derisa Serbia është pajtuar që të mos lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës.

Më 18 janar, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Kosova nuk do të lejojë hyrjen dhe qarkullimin e veturave që kanë targa ilegale serbe KM, e që janë riregjistruar pas dhjetorit të vitit 2022.

Siç ka mësuar REL-i, bëhet fjalë për makina që janë regjistruar pas datës 7 dhjetor 2022, kur ka hyrë në fuqi dekreti i ri i Qeverisë serbe për veturat që kanë targa me akronime serbe për qytetet e Kosovës, dhe të cilat janë të regjistruara në Serbi.

Duke komentuar vendimin e autoriteteve të Kosovës, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, e ka akuzuar Kosovën se po tenton të shkaktojë krizë dhe tensione të reja.

Stano e ka komentuar të enjten marrëveshjen e arritur në nëntor.

“Kjo do të thotë që Kosova të përmbahet nga çfarëdo veprimi ndaj atyre pronarëve që kanë targat KM dhe efektivisht të mbajë status quo-në derisa të mos arrihet një zgjidhje më e qëndrueshme në dialog. Kjo, po ashtu, do të thotë që Serbia të mos lëshojë targa të reja KM”.

“Ne, gjithashtu, kemi marrë parasysh vendimin e Serbisë, më 6 dhjetor 2022, që letrat ngjitëse të regjistrimit për targat KM nuk do të rinovohen. Ne kuptojmë se rinovimi i sigurimit dhe kontrolli teknik ka të bëjë me automjetin e jo me tabelat e regjistrimit, dhe si i tillë nuk mund të konsiderohet rinovim i tabelave të regjistrimit”, ka thënë Stano.

“Por, gjithsesi, ne i ftojmë të gjitha palët që ta respektojnë marrëveshjen dhe të fokusohen në normalizimin e raporteve, sipas propozimit të BE-së, dhe çfarëdo pyetje rreth interpretimeve të asaj se çfarë është rënë dakord më 23 nëntor, të diskutohet përmes dialogut, e jo përmes veprimeve të pakoordinuara në terren, që mund ta destabilizojnë situatën edhe ashtu fragjile”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.

Stano ka përmendur, po ashtu, se suksesi në dialogun mes dy palëve është thelbësor për rrugën e dy vendeve drejt integrimeve evropiane.

“Të dyja palët duhet t’i trajtojnë këto diskutime si prioritet”.

BE-ja, ndërkohë, ka konfirmuar se më 20 janar, përfaqësuesi i posaçëm evropian për dialogun Kosovë -Serbi, Mirosllav Lajçak, do të udhëheqë një vizitë të diplomatëve evropianë dhe amerikanë në Prishtinë dhe Beograd.

Delegacioni do të përfshijë të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, këshilltarë të kancelarit gjerman dhe presidentit francez, si dhe një këshilltar të kryeministres italiane.

Qëllimi i vizitës, sipas burimeve evropiane, është përgatitja për mbajtjen e një takimi të ri ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Tash për tash, nuk ka asnjë konfirmim se kur do të mund të zhvillohej një takim i tillë.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit në Bruksel më 21 nëntor.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”./REL

Vendi

LVV bojkoton seancën për çmimin e naftës, opozita kritikon mungesën e pushtetit në Kuvend

Published

on

By

Derisa në Kuvend po vazhdon seanca e jashtëzakonshme për çmimin e naftës, as kryeministri, asnjë ministër e asnjë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje nuk është paraqitur në sallë.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, kritikoi ashpër këtë bojkot, duke thënë se për një çështje kaq të rëndësishme për qytetarët, pushteti ka zgjedhur të mos marrë pjesë. Ajo ironizoi me situatën duke u shprehur: “Mos kanë harru me zbrit prej xhipave të zi”.

Përmes një rezolute, LDK-ja po kërkon uljen e përkohshme të akcizës për naftën nga 36 centë për litër në 20 centë deri në stabilizimin e çmimeve, uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 në 8 për qind, si dhe subvencionimin e naftës për sektorët më të ndjeshëm si bujqësia, transporti publik dhe prodhuesit vendorë.

Ermal Sadiku nga LDK-ja u shpreh i dëshpëruar me sallën e zbrazët, duke theksuar se deputetët e LVV-së dhe ata të Listës Serbe janë të vetmit që po mungojnë.

Ai sqaroi se kërkesa për uljen e TVSH-së është teknikisht e realizueshme dhe nuk e dëmton buxhetin, pasi rritja e çmimeve e ka rritur automatikisht edhe grumbullimin e taksave. Sadiku përfundoi duke ironizuar se, nëse pushteti zgjedh të flasë me popullin vetëm përmes Facebook-ut e televizionit, atëherë Parlamenti mund të mbyllet plotësisht.

Continue Reading

Kronikë e zezë

Arrestohet një 48-vjeçar në Gjakovë, Policia i sekuestron mbi 5 kilogramë marihuanë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për trafikim me narkotikë gjatë një aksioni të suksesshëm të realizuar këtë të premte në Gjakovë.

Operacioni është udhëhequr nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me njësitet kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, të cilët rreth orës 14:40 kanë ndaluar për kontroll një veturë me targa të huaja.

Sipas komunikatës zyrtare, automjeti drejtohej nga i dyshuari me inicialet A.B., i lindur në vitin 1978, tek i cili gjatë kontrollit në pjesën e ulëseve të pasme janë gjetur dhjetë paketime të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë.

Pesha e përgjithshme e drogës së sekuestruar është 5 kilogramë e 413 gramë, ndërsa në cilësinë e provave materiale Policia ka konfiskuar edhe veturën dhe dy telefonat mobil që i përkisnin të dyshuarit.

Pas arrestimit, personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në stacionin policor, ku me vendim të prokurorit të shtetit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Ky aksion vjen si pjesë e planeve taktike të Policisë së Kosovës për luftimin e trafikut të drogës dhe krimit të organizuar në vend, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë nga drejtoritë përkatëse.

 

Continue Reading

Vendi

Dënohet me 24 vjet burgim Valon Aliu për vrasjen e ish-bashkëshortes në QPS-në e Ferizajt

Published

on

By

Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me 24 vjet burgim të akuzuarin Valon Aliu, duke e shpallur fajtor për vrasjen e rëndë të ish-bashkëjetueses së tij, E.C., ngjarje kjo që ndodhi në prill të vitit 2024 brenda Qendrës për Punë Sociale.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtarja Fitore Krivanjeva-Daci, Aliu u dënua për tri vepra penale: vrasje e rëndë, armëmbajtje pa leje dhe kanosje, ku në dënimin final do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 prilli 2024.

Ngjarja tragjike erdhi pas një fjalosjeje të shkurtër brenda zyrave të QPS-së, ku i akuzuari nxori armën dhe qëlloi viktimën fillimisht në kraharor, ndërsa plagosi në krah edhe vëllanë e saj.

Megjithëse viktima tentoi të largohej, Aliu e qëlloi përsëri në gjoks dhe në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendin e ngjarjes.

Pas vrasjes, ai kishte kanosur edhe një zyrtare të institucionit duke ia vendosur pistoletën në ballë me kërcënimin se do ta qëllonte edhe atë.

Palët e përfshira në proces kanë afat prej 30 ditësh për ankesë në Gjykatën e Apelit, ndërsa Aliu do të qëndrojë në paraburgim deri në plotfuqishmërinë e këtij vendimi.

Continue Reading

Lajmet

Përplasje në Kuvend për naftën: LDK kërkon uljen e akcizës, LVV e cilëson propozim populist

Published

on

By

Seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës këtë të premte është shoqëruar me një debate të ashpra mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me çmimin e naftës. Përmes një rezolute, opozita ka kërkuar ndërhyrje emergjente në politika fiskale për të lehtësuar barrën e qytetarëve, ndërsa pushteti e ka refuzuar këtë nismë.

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka paralajmëruar se rritja e kostos së karburanteve po rrezikon të thellojë krizën sociale në vend. Ajo theksoi se nafta është çmim bazë që dikton zinxhirin e shtrenjtimeve në çdo sektor.

“Nafta është çmim bazë i ekonomisë dhe çdo rritje e saj përkthehet automatikisht në rritje të çmimeve të produkteve bazike, shërbimeve, transportit dhe ndërtimit. Qeveria nuk duhet të qëndrojë si spektatore në një kohë kur qytetarët përballen me rritje të kostos së jetesës,” deklaroi Lushaku-Sadriu.

Rezoluta e LDK-së propozon tri masa konkrete: Uljen e akcizës nga 36 në 20 centë për litër; Uljen e TVSH-së për karburante nga 18% në 8%; Subvencionimin e naftës për bujqit, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.

Në anën tjetër, deputetja e LVV-së, Rozeta Hajdari, e ka kundërshtuar ashpër këtë kërkesë, duke argumentuar se ulja e të hyrave publike do të dëmtonte buxhetin e shtetit dhe financimin e sektorëve kyç si arsimi dhe shëndetësia.

“Ne si Grup Parlamentar me qeverisjen tonë kemi ndërhyrë aty ku duhet, kemi formalizuar tregun e naftës, kemi evituar kostot e panevojshme dhe kemi rritur transparencën. Këto masa janë efekt real dhe afatgjatë,” tha Hajdari, duke e quajtur propozimin e opozitës si ekonomikisht të papërgjegjshëm.

Hajdari shtoi se rritja e çmimeve është pasojë e krizave gjeopolitike globale dhe se masat e propozuara nga LDK-ja nuk garantojnë një ulje reale të çmimit në pompë për konsumatorët fundorë. Debati po vazhdon me akuza të ndërsjella, ku opozita kërkon veprim të menjëhershëm, ndërsa pozita mbron stabilitetin buxhetor.

 

Continue Reading

Të kërkuara