Lajmet

​BE: Kosova e Serbia rrezikojnë të humbasin mundësitë për të përparuar në rrugët evropiane

BE-ja u kërkon palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim.

Published

on

Bashkimi Evropian nëpërmjet një deklarate ka shprehur mbështetjen e plotë për përpjekjet e përfaqësuesit të lartë, Josep Borrell në cilësinë e lehtësuesit të dialogut Beograd-Prishtinë, si dhe përfaqësuesit special të BE-së Miroslav Lajçak, dhe kujton se rruga evropiane e Kosovës dhe e Serbisë kalon nëpër dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve të tyre.

Pas takimit të nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë, më 14 shtator në Bruksel, Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin për mungesën e zbatimit nga palët të angazhimeve të tyre sipas Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit të saj, për të cilat të dyja palët ranë dakord më herët këtë vit, dhe të cilat janë të detyrueshme për to dhe luajnë një rol në rrugën evropiane të palëve.

Borrell në cilësinë e Lehtësuesit të Dialogut Beograd-Prishtinë, nëpërmjet një deklarate thekson se BE-ja u kërkon palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim.

“Kjo nënkupton fillimin e zbatimit bazuar në Propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejshme, i cili gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për të zbatuar plotësisht të gjitha Marrëveshjet e kaluara të Dialogut. Puna për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm. BE-ja u kujton palëve përgjegjësinë e tyre për të respektuar parimin e konfidencialitetit në Dialog, i cili është një komponent kyç i çdo procesi negociator të ndjeshëm politik. BE-ja mbetet po aq e shqetësuar për mungesën e progresit nga të dyja palët në de-përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës, disa muaj pas shpërthimit të fundit të dhunës që la të plagosur qytetarë, trupa të KFOR-it, forca të rendit dhe përfaqësues të mediave, disa me pasoja të rënda dhe të përhershme. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga BE-ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, hapat e ndërmarrë deri më tani mbeten të pamjaftueshëm dhe situata e sigurisë në veri mbetet e tensionuar. Në këtë kontekst, lëvizjet e Kosovës – duke përfshirë shpronësimet e tokës në veri të Kosovës, kërkesat për zhvendosje, telekomunikacionin, dhe përdorimin e forcave speciale të policisë për detyrat e policisë në komunitet – nuk janë në përputhje me sundimin e ligjit dhe rrezikojnë të kontribuojnë për rritjen e mëtejshme të tensioneve. Sulmet e vazhdueshme në shkallë të vogël nga grupet kriminale dhe frikësimi i kadetëve të policisë serbe të Kosovës të sapo rekrutuar/popullatës lokale janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë. Bllokimi nga Serbia i udhërrëfyesit të Energjisë, si dhe përpjekjet e tjera që nuk janë në përputhje me Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e saj, bien ndesh me frymën e procesit të Dialogut. Kërkesat e bëra në Deklaratën në emër të BE-së të datës 3 qershor mbeten plotësisht të vlefshme. Masat e kthyeshme që ka marrë BE-ja mbeten në fuqi, duke përfshirë pezullimin e takimeve të nivelit të lartë me Kosovën. BE-ja është e gatshme të heqë këto masa në rast të progresit në përmbushjen e kërkesave ekzistuese, ose të vlerësojë masat e mëtejshme ndaj të dyja palëve, nëse është e nevojshme”, thuhet në deklaratë.

BE-ja rikujton rëndësinë e mbajtjes së shpejtë të zgjedhjeve të parakohshme lokale në veri të Kosovës për të ndihmuar në uljen e tensioneve. Është e nevojshme zgjidhja më e shpejtë për të mundësuar shpalljen e zgjedhjeve. Ne inkurajojmë serbët e Kosovës që të angazhohen plotësisht në procesin zgjedhor dhe të deklarojnë publikisht pjesëmarrjen e tyre të pakushtëzuar.

BE nëpërmejt kësaj deklarate u bën thirrje të gjithë akterëve politikë, në të gjitha nivelet e qeverisjes, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, që të angazhohen në mënyrë konstruktive në procesin që çon në zgjedhjet e parakohshme lokale në veri të Kosovës, të shmangin hapat e mëtejshëm përshkallëzues dhe të mbështesin përparimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

“BE-ja shpreh mbështetjen e plotë për përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell në cilësinë e Lehtësuesit të Dialogut Beograd-Prishtinë, si dhe Përfaqësuesit Special të BE-së Miroslav Lajçak, dhe u kujton palëve se rruga evropiane e Kosovës dhe e Serbisë kalon nëpër Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Të dyja palët rrezikojnë të humbasin mundësitë për të përparuar në rrugët e tyre evropiane”, thuhet në deklaratë.

Lajmet

“The Odyssey” thyen rekordin e “Furious 7”, bëhet filmi më i suksesshëm i Universal jashtë SHBA-së

Published

on

Filmi “The Odyssey”, me regji të Christopher Nolan, është bërë filmi më i suksesshëm në historinë e studiove Universal Pictures në tregjet ndërkombëtare, duke thyer rekordin e mbajtur më parë nga “Furious 7”.

Sipas Universal Pictures, të ardhurat nga shfaqja e filmit jashtë Shteteve të Bashkuara kanë tejkaluar 1.17 miliardë dollarë.

Veronika Kwan Vandenberg, presidente e shpërndarjes ndërkombëtare në Universal Pictures International, e ka cilësuar këtë rezultat si dëshmi të popullaritetit global të Nolanit dhe të ambicies së regjisorit dhe producentëve për ta sjellë në ekran epikën e Homerit.

“The Odyssey” rrëfen udhëtimin dhjetëvjeçar të Odiseut drejt shtëpisë së tij, një histori që ka frymëzuar përshtatjen e re kinematografike të Nolanit. Filmi pati hapjen më të suksesshme ndërkombëtare të karrierës së regjisorit, duke kryesuar listat e arkëtimeve në 77 vende.

Produksioni ka shënuar rezultate të larta edhe në 78 tregje, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën, Francën, Gjermaninë, Italinë, Meksikën dhe Brazilin.

Në film luajnë emra të njohur të kinematografisë, përfshirë Matt Damon, Tom Holland, Anne Hathaway, Robert Pattinson, Charlize Theron dhe Zendaya. Filmi është prodhuar nga Christopher Nolan dhe Emma Thomas përmes kompanisë së tyre, Syncopy.

Ndërkohë, Universal Pictures ka regjistruar 3.37 miliardë dollarë të ardhura ndërkombëtare gjatë vitit 2026, më shumë se çdo studio tjetër e Hollivudit. Sipas raportimit, studioja ka kaluar gjithashtu pragun prej pesë miliardë dollarësh të të ardhurave globale për këtë vit.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Regjisori Michael Mann plagoset aksidentalisht me armë zjarri në poligonin e qitjes

Published

on

Regjisori i njohur amerikan Michael Mann është plagosur aksidentalisht me armë zjarri në një poligon qitjeje në Los Angeles dhe më pas është transportuar në spital. 83-vjeçari aktualisht është duke punuar në përgatitjet për vazhdimin e filmit të tij të njohur, “Heat”.

Sipas raportimit të portalit TMZ, incidenti ka ndodhur teksa Mann po përpiqej ta vendoste armën në këllëf.

Policia e Los Angelesit (LAPD) e ka konfirmuar rastin për TMZ, duke bërë të ditur se zyrtarët policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes, në poligonin e qitjes “The Range LA”.

Sipas raportit policor, plagosja nuk ka qenë e qëllimshme. Arma është shkrepur aksidentalisht dhe e ka goditur regjisorin në këmbë.

Michael Mann ka një karrierë disa dekadëshe në Hollywood dhe njihet për një sërë filmash të vlerësuar nga publiku dhe kritika.

Ndër veprat më të njohura të tij janë “Thief” (1981), “Manhunter” (1986), “The Last of the Mohicans” (1992), “Heat” (1995), “The Insider” (1999), “Ali” (2001), “Collateral” (2004), “Miami Vice” (2006), “Public Enemies” (2009) dhe “Ferrari” (2023).

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dalina Haxhiu fiton çmimin e parë në “Akordet për Fëmijë”

Published

on

Dalina Haxhiu është fituesja e çmimit të parë në edicionin e parë të “Akordeve për Fëmijë”. Ajo u shpërblye me Okarinën e Artë për Fëmijë, për këngën “Ëndrra ime s’fle”, duke u renditur në krye të garës muzikore.

Çmimin e parë, Dalinës ia ndau kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Okarinën e Argjendtë për Fëmijë, çmimin e dytë, e fitoi Rita Krasniqi me këngën “Soprano”, ndërsa Okarina e Bronztë për Fëmijë iu nda Marin Kerit për këngën “Ëndrrat s’kanë kufij”.

Çmimi për tekstin më të mirë shkoi për Aksa Sulejmanin, për këngën “Lëshoni pëllumbat”, me tekst të autorit Valon Gashi.

Në këtë edicion garuan 15 artistë të rinj, të cilët interpretuan drejtpërdrejt, të shoqëruar nga orkestra, duke sjellë në skenë këngë me mesazhe për ëndrrat, dashurinë, paqen dhe vetëbesimin.

“Akordet për Fëmijë” u organizuan për herë të parë në kuadër të Festivalit të Këngës në RTK “Akordet e Kosovës”, duke krijuar një hapësirë të veçantë për talentet e reja dhe për prezantimin e krijimtarisë së tyre muzikore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Mblidhet sot komisioni hetimor për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Në Kuvendin e Kosovës sot do të mbajn mbledhje pesë komisione parlamentare, ku në fokus do të jetë hetimi i përgjegjësisë institucionale për dhunën në familje.

Në orën 11:30 do të mblidhet Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekës dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve e grave në familje, me qëllim konstituimin dhe hartimin e planit të veprimit.

Përveç këtij komisioni, sot në Kuvend mbahen edhe katër mbledhje të tjera:

Në orën 09:00, Komisioni për Integrim Evropian takohet me kryenegociatorin me BE-në, Jeton Zulfaj, ndërsa Komisioni për Arsim organizon tryezë diskutimi për arsimin parauniversitar.

Më pas, në orën 13:00, Komisioni Ad Hoc shqyrton listën e kandidatëve për Bord të RTK-së, kurse në orën 14:30 Komisioni për Punë të Jashtme takohet me ambasadorin e Gjermanisë, Rainer Rudolph. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara