Lajmet

​Bashkëpunëtorët sot në familjen e Thaçit: Çlirimtarët do të kthehen nga Haga si të pafajshëm

Bashkëpunëtorët u pritë nga babai i ish-kreut të UÇK-së, Haxhi Thaçi.

Published

on

Sot janë bërë një vit prej kur ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, si dhe Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, u transferuan në qendrën e paraburgimit në Hagë, ku edhe po akuzohen nga Dhomat e Specializuara. Prandaj, bashkëpunëtorët e ngushtë të ish-presidentit, Hashim Thaçi shkuan në konakun e tij në Burojë të Skenderajt, ku edhe takuan familjarët e tij.

Krahas këshilltarëve politik në këtë vizitë ishte edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ku u priten nga babai i ish-kreut të UÇK-së, Haxhi Thaçi.

Pas takimit, këshilltari politik i ish-presidentit Thaçi, Ismail Syla sot vizitoi familjen Thaçi për të shprehur nderim për këtë familje që po detyrohen të ballafaqohen me një barrë të rëndë.

Syla u shpreh se kreu i UÇK-së, Hashim Thaçi do të kthehet i pafajshëm dhe më i fuqishëm se kurrë te familja dhe jeta politike.

“Sot erdhëm në mënyrë të organizuar këshilltar, kolegë, bashkëpunëtorë, anëtarë të PDK-së për të shprehur nderim për këtë familje e cila është e detyruar ta duroj këtë barrë të rëndë në këtë rast të ballafaqohet me mungesën e birit të tyre në familje, i cili që 1 vit apo 365 ditë në mënyrë të padrejtë mbahet në një burg atje….ai prapë do të kthehet më i fuqishëm dhe i pafajshëm ashtu siç është i pafajshëm dhe do i kthehet familjes dhe jetës politike si kurrë më parë por duhet të kaloj edhe kjo sfidë për të cilën ai është i gatshëm dhe beson në pafajësinë e tij dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.

Këshilltari politik i ish-presidentit, Thaçi tha se seancat e deritanishme dëgjimore në Hagë kundër krerëve të UÇK-së po tregojnë se ky gjykim është jo serioz dhe pa fakte.

“Seancat dëgjimore tregojnë se vërtetë është joserioze, ata nuk janë fare të përgatitur, nuk kanë fakte që mund t’i implikoj këta njerëz në krime kundër njerëzimit. Unë nuk mund ta di se si mund të bëhet barabartë një Mlladiq që ka vrarë 8 mijë burra në Srebrenicë dhe të kualifikohet si krim kundër njerëzimit edhe Jakup Krasniqi që tërë jetën e tij që vetëm një stilografë në dorë ka mbajtur ose Hashim Thaçi”, u shpreh këshilltari politik i ish-presidentit Thaçi.

Këshilltari Politik i presidentit, Ismet Syla për KosovaPress, tregoi se para 10 ditësh ka vizituar në Hagë ish-kreun e UÇK-së, Hashim Thaçin. Ai tha se gjendja shëndetësore e Thaçit është e mirë.

“Para 10 ditësh kam realizuar një vizitë dy ditore, natyrisht për të shkuar atje duhet të aprovohet nga të paraburgosurit dhe nga administrata e tyre dhe dy ditë kam pasur rastin që të bisedoj me presidentin, kam parë gjendjen shumë të mirë të tij shëndetësore, kam parë vitalitetin. Ata janë njerëz të cilët mbahen, njerëz të pathyeshëm të cilët kanë arsye dhe ndoshta pikërisht arsyeja kryesore që ata njerëz nuk kanë arsye as të mërziten dhe as të thyhen është pastërtia e veprës dhe jetës së tyre….Aty takuam familjen e zotërit Veseli dhe Krasniqi dhe në momentet e përshëndetjeve aty në korridor shkarazi i pamë edhe ata njerëz të cilët me të vërtetë ishin në gjendje të mirë shëndetësore me një harmoni të jashtëzakonshme”, tha ai.

Aktakuza ndaj Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit u konfirmua më 4 nëntor të vitit 2020, ndërsa një ditë pas aktakuza u konfimuar edhe për ish-krerët e UÇK-së, Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi, i cili po në atë ditë dha dorëheqje nga posti i presidentit. 

Vendi

Kurti: Gazin amerikan synojmë ta marrim përmes portit e termocentralit të Vlorës

Published

on

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti bëri me dije se qeveria e ka në plan përdorimin e gazit të lëngshëm amerikan.
Veçse tha se kjo synohet të bëhet përmes portit detar, e jo me gazsjellës.

“Dhe po shqyrtojmë mundësinë për të përdorur gazin e lëngëzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes bashkëpunimit me Shqipërinë në termocentralin e Vlorës”, tha ai, gjatë ceremonisë së fillimit të ndërtimit të Parkut Solar Fotovoltaik me kapacitet prej 105 MW, në Kramovik të Rahovecit.

Projekt ky I nisur në kuadër të ankandit të parë solar të mbështetur e dizajnuar nga SHBA.

”Falënderoj qeverinë e SHBA-ve për mbështetjen në përgatitjen dhe dizajnimin e ankandit të parë solar. Ekspertiza e tyre ka ndihmuar që procesi të zhvillohet mbi praktikat më të mira ndërkombëtare dhe të krijojë besim te investitorët”, tha Kurti.

Për këtë project, tha se synon të rrisë prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme dhe të kontribuojë në forcimin e sektorit energjetik të Kosovës.

“Përtej rritjes së prodhimit vendor, ky projekt ka domethënie të veçantë edhe për raportin tonë me mërgatën. Kompania udhëheqëse e konsorciumit, Orllati Group, është e zhvilluar në Zvicër, ku ka fituar përvojë, kapital dhe standarde pune, të cilat tani po i sjell në Kosovë me investim afatgjatë”, tha Kurti.

Ai e shfrytëzoi rastin për ta lavduar mërgatën për ndihmën e shumëanëshme dhënë Kosovës.

“Për dekada mërgata jonë ka qëndruar pranë Kosovës në momentet më të vështira. Sot po shohim gjithnjë e më shumë ndërmarrës nga mërgata që po kthehen me investime, me prodhim, teknologji dhe me vende pune. Kjo është një fazë e re dhe tej mase e rëndësishme e kontributit të saj”./kosovapress/A.K/

 

Continue Reading

Vendi

Qeveria mban mbledhjen e 28-të, miraton disa vendime

Published

on

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e saj të 28-të në mënyrë elektronike, ku ka miratuar këto vendime:

  • Është emëruar Ragmi Dalipi në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit.
  • Është miratuar vendimi përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave ish-shoqërore të administruara nga AKP-ja për realizimin e dy projekteve në Komunën e Gjakovës:
    • administrimi i objektit të ish-“Bankos”-it për nevojat e administratës komunale;
    • ndërtimi i një fushe futbolli dhe hapësirave rekreative në fshatin Trakaniq dhe zonat përreth.
  • Është miratuar ndryshimi i Vendimit të Qeverisë Nr. 11/08, me të cilin Besnike Mehmeti nga Zyra e Kryeministrit emërohet zëvendësuese e anëtarit të Komisionit për shqyrtimin dhe vendosjen e zyrtarizimit të gjendjes faktike dhe mospërputhjeve me Regjistrin e të Drejtave të Pronës së Paluajtshme, në vend të Ervina Gashit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Helmim nga ushqimi: 31 të hospitalizuar në QKUK

Published

on

By

Klinika Infektive e Qendrës Universitare Klinike të Kosovës ka njoftuar se po trajton një situatë të helmimeve të dyshuara nga ushqimi, ku deri më tani janë hospitalizuar 31 pacientë.

Fluksi i rasteve ka nisur gjatë datave 13, 14 dhe 15 korrik, periudhë gjatë së cilës ndihmë mjekësore urgjente në këtë klinikë kanë kërkuar rreth 30 persona, prej të cilëve 11 raste kanë rezultuar pozitivë me bakterin Salmonella Enteritidis pas analizave të hollësishme laboratorike.

Në kuadër të këtyre rasteve, janë pranuar edhe pesë pacientë nga komuna e Hanit të Elezit me simptoma të ngjashme, të cilët kanë deklaruar se kanë konsumuar ushqim në të njëjtin lokacion, gjë që ngre dyshime se numri i personave të helmuar mund të jetë edhe më i madh.

Ekipi shëndetësor po punon intensivisht për të identifikuar burimin e saktë të infeksionit dhe konfirmon se të gjithë pacientët e shtruar janë duke marrë trajtimin e duhur dhe gjendja e tyre po shkon drejt përmirësimit.

Për shkak të temperaturave të larta që favorizojnë shumimin e shpejtë të baktereve, stafi mjekësor u bën thirrje qytetarëve të shmangin konsumimin e ushqimeve të shpejta të tipit “fast food” dhe të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore në qendrën më të afërt nëse shfaqin simptoma si të vjella, diarre, temperaturë të lartë apo dhimbje të forta barku, ndërsa Klinika Infektive ka premtuar se do të mbajë të informuar opinionin publik në mënyrë transparente për çdo zhvillim të ri epidemiologjik. /E.A/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Dorëzohen nënshkrimet për Kuvend të jashtëzakonshëm të LDK-së

Published

on

By

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, dhe kryetari i degës së dytë të LDK-së në Prishtinë, Florian Dushi, kanë dorëzuar të mërkurën nënshkrimet e grumbulluara për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë.

Iniciativa u nis me kërkesën për shkarkimin e Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit të partisë, pasi LDK-ja doli sërish e treta në zgjedhjet e 7 qershorit.

Abdixhiku pati refuzuar kërkesën e disa degëve për dorëheqje.

Siç pati thënë vetë Zemaj ditë më parë, për thirrjen e këtij kuvendi janë mbledhur më shumë se 150 nënshkrime.

Sekretari i partisë, Ilir Ferati, një ditë më parë u shpreh se sapo të ketë zyrtarisht kërkesë të tillë, ajo do të trajtohet me seriozitet.

Kuvendi i LDK-së ka 355 delegatë, kurse mbledhjen e tij mund të thirren me 118 nënshkrime. Pas deponimit të këtyre nënshkrime, sipas statutit të LDK-së, kryesia e partisë është e obliguar që ta thërrasë Kuvendit brenda 60 dite.

Abdixhiku i pati mbijetuar votëbesimit më 31 janar, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Nga ato zgjedhje, në zgjedhjet e 7 qershorit LDK-ja u rrit për tre deputetë. Në zgjedhjet e qershorit ajo kandidoi me ish-presidenten Vjosa Osmani si prijëse të listës. /Koha/

Continue Reading

Të kërkuara