Për herë të parë është shpallur aktgjykimi i parë në mungesë për dhunim seksual gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq janë dënuar me nga 15 vjet burgim për dhunim seksual gjatë luftës. Gjykata Themelore në Prishtinë, të dy këta i ka shpallur fajtorë për veprën penale “krim i luftës kundër popullsisë civile”. Ata si pjesëtarë të forcave policore serbe gjatë luftës në Kosovë kanë kryer dhunim seksual ndaj një gruaje.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Rrahman Beqiri tha se të akuzuarit në bashkëkryerje dhe me pjesëtarë të tjerë të forcave policore kanë kryer dhunimin seksual.
“Të akuzuarit Dragan Deniq dhe Ivica Rajkoviq shpallen fajtorë sepse si pjesëtarë të forcave policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë gjatë luftës në Kosovë në kundërshtim me rregullat të së drejtës ndërkombëtare, të përcaktuara me Konventën e Gjenovës, të akuzuarit në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë të forcave policore, me përdorim të dhunës dhe veprimeve tjera ç’ njerëzore kanë kryer dhunimin seksual ndaj një gruaje të nacionalitetit shqiptar, ngjarje kjo e ndodhur në ose rreth datave 23-25 maj 1999 në orët e paradites, në lagjen e redaktuar, Komuna e Prishtinës. Duke vepruar në atë mënyrë që Ivica Rajkoviq dhe i pandehuri Dragan Deniq të uniformuar dhe të armatosur bashkë edhe me pjesëtarë të tjerë të paidentifikuar hyn në shtëpinë e viktimës D1 me ç’rast të dëmtuarin D2, Ivica Rajkoviq e godet me kondakt të armës, ndërsa i akuzuari Dragan Deniq e kap viktimës D1 me forcë për krahu e ngreh zvarrë e vendos në dhomë të fjetjes së saj duke e kryer dhunimin. Pas tij, dhunimin e kryen edhe Ivica Rajkoviq e pas tij edhe personi i tretë i paidentifikuar”, deklaroi ai.
Në shpalljen e aktgjykimit, gjyqtari tha se viktimës i është shkaktuar dhimbje e vuajtje e madhe.
“Andaj gjykata bazuar në dispozitat e atëhershme të LPJ-së dhe të Kodit të Procedurës Penale aktual i gjykon: secilin veç e veç me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 vitesh, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi. Urdhërohen të akuzuarit t’i paguajnë shpenzimet e procedurës gjyqësore, sipas llogarisë përfundimtare të gjykatës, në emër të paushallit gjyqësor, secili veç e veç do të paguajë shumën prej 200 eurove. Ndërsa, në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit secili veç e veç shumën prej 100 euro. Të gjitha këto në afat prej 15 dite prej plotfuqishmërisë së këtij vendimi ”, shtoi Beqiri.
Prokuroria Speciale më 14 shator të vitit 2023 ka ngritur aktakuzën ndaj Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq, duke i ngarkuar të njëjtit për veprën penale “krime të luftës”, me pretendimin se gjatë kohës së luftës në Kosovë, ata në bashkëkryerje kanë maltretuar dhe plaçkitur popullatën shqiptare.
Në arsyetimin e vendimit, kryetari i trupit gjykues tha se procesi gjyqësor është zhvilluar në mungesë të të akuzuarve, meqë të njëjtit nuk kanë arritur të arrestohen.
“Nga dëgjimi i dëshmitarëve është vërtetuar përtej çdo dyshimi se rreth datave 23-25 maj 1999, forcat serbe kishin ndërmarrë një ofensivë në këtë lagje, ku në mesin e shtëpive tjera kishin hyrë edhe në shtëpinë e të dëmtuarit D2. Gjykata që në fillim sqaron se nga provat, konkretisht dëshmia e dëshmitares D1, D2 dhe D3 është vërtetuar qartazi se e dëmtuara është dhunuar në atë kohë në mënyrën siç e ka përshkruar ajo. Gjithashtu, gjykata përtej çdo dyshimi e ka vërtetuar mënyrën se si ajo është dhunuar duke u tërhequr zvarrë, duke ju grisur rrobat e që pas policit të parë, ajo vazhdon të dhunohet edhe nga pjesëtarë të tjerë. Prandaj, gjykata është plotësisht e bindur që është vërtetuar ekzistimi i veprës, respektivisht është vërtetuar se e dëmtuara është dhunuar në shtëpinë e saj gjatë kohës së luftës nga forcat serbe”, përfundoi ai.
Përveç për dhunim seksual, në bazë të dëshmive të dëshmitarëve, të njëjtit kanë kryer edhe krime të tjera te luftës, si maltretime, plaçkitje, tortura, por që nuk janë përfshirë në këtë aktakuzë
E mbijetuara e këtij krimi u dhunua para syve të burrit të saj, i cili ka qenë dëshmitari kryesor i rastit, dhe dëshmia e tij ka qenë kryesore në gjykatë. Po ashtu, viktimën e kanë dhunuar gjashtë persona, por vetëm këta dy janë identifikuar nga viktima.
Deri më tani janë shpallur tri aktgjykime për dhunim seksual.
Zoran Vukotiq është i dënuar me 13 vjet burgim, në rastin tjetër Vukotiq është liruar, dhe rasti Zhivojin Nesiq “Zhika” u dënua me 15 vjet. Ndërkaq, ky është rasti i parë për gjykim në mungesë për këtë krim lufte.
Në shpalljen e aktgjykimit ka qenë i pranishëm burri i pari i cili publikisht foli për dhunim seksual, Ramadan Nishori.