Lajmet

​AAK kërkon të hiqet kushtëzimi diskriminues për pensionistët kontributpagues

Tahiti tha se kryeministri Kurti është dashur të ofrojë zgjidhje për grevistët që mësimi të fillojë nesër.

Published

on

Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kërkuar të martën plotësim ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale veçanërisht të ndryshimin e nenit 8.2, që sipas këtij subjekti politik, është diskriminues.

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj ka kërkuar të ndryshohet ligji për skemat pensionale që parasheh që çdo person të ketë të paktën 15 vjet të përvojë të punës para 1 janarit të vitit 1999.

Në konferencën për media, deputeti Dreshaj kërkoi të hiqet kushtëzimi diskriminues për pensionistët kontribudhënës.

“Në seancën e radhës njëra ndër temat është edhe kjo çështje. Me propozimin që ne kemi iniciuar parashihet që pensionet kontributdhënës t’i gëzojnë të gjithë pensionistët varësisht nga vitet që kanë punuar para 1 janarit 1999. Ka raste që për një ditë ose për një javë individët e kanë humbur të drejtën e gëzimit të pensionit kontribut – dhënës. Besojmë se kjo iniciativë do të mbështetet nga Grupet e tjera parlamentare e sidomos nga partia e cila ka shumicën në parlament. Kërkesë e jona është që të largohet ky kushtëzim jo logjik, i dëmshëm, diskriminues për punëtorët e viteve të ’90-ta, të cilët ishin larguar dhunshëm nga puna, pa pajtimin e tyre atëherë. Kërkesa jonë si grup parlamentar është që të ndalet ky diskriminim dhe kërkojmë mbështetjen e gjithë kolegëve deputetë pa marrë parasysh përkatësinë politike”, theksoi Dreshaj.

Kjo nismë legjislative e paraqitur nga GP i AAK-së më 13 maj 2022 sipas deputetit Dreshaj ka kaluar të gjitha procedurat e nevojshme që të procedohet në parlament për votim.

Implikimet buxhetore janë diku rreth 100 milionë euro, por AAK-ja mendon se janë të arsyeshme për qeverinë e vendit.

Ndërsa, shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri ka komentuar takimin e sotëm ndërmjet SBAShK-ut dhe kryeministrit Kurti.

Tahiti tha se kryeministri Kurti është dashur të ofrojë zgjidhje për grevistët që mësimi të fillojë nesër.

“Takimi i sotëm i kryeministrit me ministra është dashur të ofrojë zgjidhje dhe nesër të fillojë mësimi në të gjitha shkollat. Çka ndodhi sot? Sot kryeministri e keqpërdori gatishmërinë e sindikatave, duke mos ofruar zgjidhje dhe duke synuar që t’ua tregojë vendin dhe t’i përçajë këto sindikata. Nuk është sot e rëndësishme dhe askujt nuk i intereson se si ka folur kryeministri brenda takimit, as si vëlla me vëlla, e me nip, e me dajë. Sot secilit prej nesh i intereson që nesër të fillojë mësimi. Kryeministri sot nuk k ofruar zgjidhje, sot edhe një herë u ushtruar arroganca e pushtetit dhe egoja e cila e përshkruan këtë qeveri”, theksoi Tahiri.

Në takimin e sotëm ndërmjet Këshillit Grevist të BSPK-së dhe kryeministrit Albin Kurti nuk është arritur një marrëveshje për plotësimin e kërkesave të grevistëve për ndarjen nga 100 euro deri në miratimin e Ligjit të pagave. Greva në arsim ka nis nga 25 gushti e që po vazhdon edhe në javën e tretë.

Lajmet

Zulfaj: Kosova ka humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes

Published

on

Kosova ka humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, pasi nuk ka arritur t’i përmbushë gjashtë nga 13 hapat e reformave që kishin afat deri në qershor të këtij viti si shkak i bllokadës politike, ka bërë të ditur kryenegociatori i Kosovës me BE-në dhe koordinatori kombëtar për Planin e Rritjes, Jeton Zulfaj, raporton Ekonomia Online.

Duke raportuar në Komisionin për Integrim Evropian, Zulfaj ka thënë se nga 13 hapat e paraparë në periudhën shtesë deri në qershor 2026, Kosova ka arritur t’i zbatojë shtatë, ndërsa gjashtë të tjerë nuk janë përmbushur në afatin e përcaktuar.

Ai ka bërë të ditur se vlera e përgjithshme e Planit të Rritjes për Kosovën është 882.6 milionë euro, ku dy të tretat janë kredi të lidhura me 111 hapa reformash, të cilat duhet të përmbushen deri në fund të gushtit të vitit të ardhshëm.

“Siç e dini, Plani i Rritjes për Kosovën kap vlerën e 882.6 milionë euro, ku 2/3 janë kredi të lidhura me 111 hapa reformash, deri në fund të gushtit të vitit që vjen. Më 15 korrik të këtij viti, kemi dorëzuar kërkesën e parë për pagesë, me 20 hapa të zbatuar, në vlerë prej 153.4 milionë euro. Shuma përfundimtare do të mbahet prej vlerësimit të Bashkimit Evropian, me ç’rast po besojmë që në këto ditë të para të nëntorit do ta bëjnë të ditur se sa realisht do të jetë vlerësimi i saktë. Nga 13 hapa në periudhën shtesë, deri në qershor 2026, zbatuam shtatë dhe gjashtë jo. Llogaritet mbi 40 milionë euro, ose më saktë 43.8 milionë euro, të cilat kanë humbur në afatin e qershorit”, tha ai.

Zulfaj ka theksuar se shumica e reformave të papërmbushura kanë kërkuar miratimin e projektligjeve në Kuvend, në një periudhë kur ky institucion ishte i shpërndarë.

Megjithatë, ai ka thënë se këto reforma janë rikthyer në proces dhe synohet të miratohen gjatë këtij viti, përfshirë ligjet për energjinë dhe falimentimin, pakon ligjore për drejtësinë dhe strategjinë kundër krimit të organizuar.

“Shumica e tyre kanë kërkuar miratimin e projektligjeve në Kuvend, në një kohë kur Kuvendi, siç e dini, ishte i shpërndarë. Megjithatë, të gjitha këto reforma janë në rrugë të zbatohen këtë vit, ligji për energjinë, për falimentimin, pakoja ligjore për drejtësinë dhe strategjia kundër krimit të organizuar, pra të gjitha reformat, sepse procesi në tërësimi në BE është proces reformator, dhe të gjitha reformat të cilat nuk kanë arritur afatin e qershorit janë kthyer sërish në Kuvend, në qeveri fillimisht, pastaj në Kuvend, ashtu që të mos humbet asnjë reformë. Edhe nëse mjetet nuk arrijnë të përmbushen me kohë”, tha ai.

Kryenegociatori ka paralajmëruar se deri më 31 dhjetor Kosova duhet t’i përmbushë edhe 22 hapa të tjerë, në vlerë prej 131.5 milionë eurosh.

Sipas tij, dhjetë akte duhet të miratohen në Kuvend, ndërsa një pjesë e projektligjeve pritet të procedohen nga Qeveria.

“Tani kemi përpara vetes 22 hapa në vlerë prej 131.5 milionë euro, që skadojnë më 31 dhjetor. Pra, kanë mbetur edhe 59 ditë, 10 akte duhet të kalojnë në këtë Kuvend, projektligji për inovacion dhe ndërmarrësi tashmë është në Kuvend, kurse të tjerat Qeveria do t’i sjellë për miratim. Varësisht nga vonesat që shkaktojnë edhe Komisioni Evropian, në dërgimin e komenteve, sepse pjesë e procesit të hapave është edhe konsultimi me Bashkimin Evropian, me Komisionin Evropian, ku secili hap, sidomos në hapat e ligjeve, kërkohet që përveç konsultimeve publike që i kemi ne si pjesë e procesit, duhet të konsultohen edhe me Bashkimin Evropian, dhe Bashkimi Evropian i kërkon diku rreth 90 ditë kohë për t’i kthyer këto komente dhe kjo pastaj shkakton edhe vonesa të tjera që vonojnë ligjet. Ligjet që besoj që duhet të vijnë deri në fund të nëntorit, projektligji për inovacion, siç thashë, është këtu; projektligji për prokurimin publik, për partneritetin publiko-privat”, tha Zulfaj.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Protestat për drejtësi për Arlinda Zekajn vazhdojnë edhe sot në Prishtinë

Published

on

Protestat kundër femicidit dhe për drejtësi për Arlinda Zekajn do të vazhdojnë edhe sot në Prishtinë, ku është paralajmëruar një protestë kombëtare me kërkesa për llogaridhënie institucionale dhe mbrojtje më të madhe për gratë.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se protesta do të mbahet nga ora 17:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke ftuar qytetarët që t’i bashkohen thirrjes kundër dhunës ndaj grave.

Protesta e sotme vjen pas pesë ditësh radhazi të mobilizimit qytetar, gjatë të cilave protestuesit kanë kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn dhe përgjegjësi institucionale për vrasjen e saj.

Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Rasti ka nxitur reagime të shumta, veçanërisht pas raportimeve se ajo kishte kërkuar më herët mbrojtje nga institucionet për shkak të dhunës dhe kërcënimeve.

Vrasja e saj ka rikthyer në vëmendje shqetësimet për sigurinë e grave, trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe përgjegjësinë institucionale në parandalimin e femicidit.

Përmes protestës së sotme, organizatorët synojnë të vazhdojnë mobilizimin kundër dhunës ndaj grave dhe të kërkojnë drejtësi për viktimat.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vdekje e dyshimtë në Prizren, gjendet pa shenja jete një shtetas i Shqipërisë

Published

on

By

Në Prizren është raportuar një rast i vdekjes së dyshimtë, ku një burrë shtetas i Shqipërisë është gjetur pa shenja jete.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur në orët e parë të mëngjesit të datës 1 nëntor, rreth orës 01:20.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të policisë dhe ekipi mjekësor, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e viktimës.

Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa rasti vazhdon të hetohet nga organet e rendit. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Raportohet një person i zhdukur në Ferizaj

Published

on

By

Në Ferizaj është raportuar zhdukja e një personi, i cili është larguar nga strehimorja ku po qëndronte.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 1 nëntor rreth orës 08:00.

Lidhur me rastin, në konsultim me prokurorin është iniciuar shënimi zyrtar dhe hetimet po vazhdojnë. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara