Aktualitet

​98 vjet nga vrasja e Bajram Currit

Ai ishte udhëheqës popullor, ushtarak, senator i Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë.

Published

on

Sot mbushen 98 vjet vrasja e heroit të popullit, Bajram Curri, nga ushtria e Ahmet Zogut. Bajram Curri ishte udhëheqës popullor, ushtarak, senator i Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë nga 27 mars 1920 deri më 20 dhjetor 1920.

Më 29 mars 1925, në një shpellë në Grykën e Dragobisë u vra Bajram Curri, një ndër veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Megjithëse kanë kaluar 96 vjet, akoma edhe sot e kësaj dite ka diskutime dhe kundërshti për rrethanat në të cilat mori fund jeta e tij. Ndërkohë, shkaqet që e çuan Bajram Currin në këtë përfundim tragjik janë të evidentuara në dokumentet arkivore të shtetit shqiptar, një pjesë e të cilave, për arsye të ndryshme, akoma nuk janë bërë publike.

U kalit me idetë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që e përjetoi mjaft të afërt si periudhë, me vrasjen e t’atit, Shaqir agës. Shtëpia e Currve të Gjakovës, kanë qenë zotní, të cilësuar me këtë titull, të Krasniqes. Titullin deri te Bajrami, familja e pati Agë. Prej qëndresës së të atit ndaj trupave turke më 1860 në malësitë e Krasniqes, Mahmud Pasha shtrëngohet të tërhiqet në Gjakovë, ku rreshtoi disa anëtarë të familjes së tij dhe parinë e vendit për t’i burgosur në Krushën e Madhe, fshat në komunën e Rahovecit.

Këtu i burgosur, lindi më 1862 Bajram Curri. Pas gjashtë muajsh Sulltan Abdyl Hazizi vendos t’i lirojë kosovarët. Duke qenë se Bajramit me kohën iu dëgjua zëri në krahinën e tij, si për kundërshtitë ndaj bejlerëve të Kryeziut, një komandant xhandarmërie e zgjodhi kapiten në Prizren, më vonë major në Prishtinë, e së fundi kolonel (allajbeg) në Shkup, ku kishte në dorë xhandarmërinë e gjithë Vilajetit të Kosovës. Ishte një nga organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Pejës të viteve 1899-1900. Udhëheqës i lëvizjes antiimperialiste në Kosovë dhe një nga prijësit kryesor të Mbledhjes së Ferizajt, të korrikut 1908, ku përkrahu kërkesën për vendosjen e kushtetutës.

Ndihmoi në themelimin e klubeve e të shkollave shqipe në Kosovë, mbrojti alfabetin e gjuhës shqipe të vendosur në Kongresin e Manastirit. Nënkryetar i klubit “Bashkimi” të Shkupit nga viti 1908. Ndihmoi kryengritjen e armatosur të Malësisë së Mbishkodrës të vitit 1911, u bëri një qëndresë të fortë ushtrive osmane në Qafën e Morinës.

Në maj të vitit 1912 u bashkua me vendimet e mbledhjes së Junikut, mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të armatosur, u shqua si një nga komandantët e talentuar popullorë që theu ushtritë osmane në Qafën e Prushit në korrikun e 1912, dhe në fushën e Kosovës. Së bashku me Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Idriz Seferin dhe Riza bej Gjakova në krye të forcave kryengritëse hyri në Shkup. Mbresëlënëse në futjen në dorë të Shkupit është besa e përgjithshme që u vendos për të mos cenuar rendin e rehatinë e qytetarëve.

Pas 1912 punoi në Kosovë për mbrojtjen e shtetit të pavarur shqiptar. Bajram Curri nuk u pajtua me vendimet e padrejta të Konferencës së Londrës të 1913 që lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar Kosovën dhe vise të tjera shqiptare dhe luftoi për bashkimin e tyre me atdheun. Në vitin 1913 ishte një nga drejtuesit e kryengritjes së armatosur popullore në Kosovë kundër zgjedhës serbo-malazeze. Në vitin 1914 mori pjesë në luftën kundër veprimeve antikombëtare e separatiste të Revoltës së Shqipërisë së Mesme në Durrës. Me të hyrë ushtritë austriake në Gjakovë më 1916, shkon në terren ku interesohet për rendin dhe qetësinë, dhe për zhvillimin arsimor.

Në vitin 1918 u zgjodh anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe u bë një nga udhëheqësit e tij kryesorë. I ngarkuar nga ky Komitet, i dërgoi një protestë Konferencës së Paqes në Paris (1919) në të cilën kërkonte që të njiheshin të drejtat e Shqipërisë dhe që popullsisë shqiptare në Kosovë t’i jepej e drejta të shprehte lirisht aspiratat kombëtare. Në Kongresin e Lushnjës u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar, i cili e caktoi ministër pa portofol të qeverisë dhe komandant të përgjithshëm te forcave të armatosura.

Ai udhëhoqi veprimet ushtarake për shtypjen e lëvizjes e sadiste. Me anë të ndikimit të tij bën të mundur që të dërgojë jashtë shteti me bursë shtetërore të rinj premtues, si Rexhep Krasniqi, Xhevat Kortsha e Krist Maloki. Ishte kundër forcimit të pozitave të Ahmet Zogut në shtetin shqiptar, iu kundërvu atij qysh në fillim. Në ndihmë të qeverisë së Tiranës bashkëpunon për paqësimin e situatës në Revoltën e Mirditës. Në dhjetor 1921 u caktua Komandant i Përgjithshëm i forcave të armatosura në qeverinë disa ditore të Hasan Prishtinës. Pas marrjes së pushtetit nga Ahmet Zogu u vendos në Krasniqe nga ku vazhdoi luftën në gjirin e malësorëve të Veriut ndaj masave të çpopullimit që kishin ndërmarrë serbo-malazezët. Mori pjesë në Lëvizjen e Marsit të vitit 1922 kundër Ahmet Zogut, bashkë me ElezIsuf Ndreun dhe M. Krujën me emrin “Lidhja e Shenjtë”. Krijoi një zonë të lirë në Malësinë e Gjakovës (Tropojë) nga ku kërcënonte qeverinë e Tiranës dhe bashkëpunoi me çetën e Azem Galicës që luftonte në Kosovë për çlirim kombëtar.

Ishte ndër udhëheqësit kryesorë të forcave demokratike revolucionare që shpartalluan repartet zogiste dhe i hap rrugën fitores së Lëvizjes së Qershorit 1924. Në vjeshtë të vitit 1924 shkoi në Gjenevë për të paraqitur para Lidhjes së Kombeve çështjen e të drejtave të popullsisë shqiptare të Kosovës të shtypur egërsisht nga serbomëdhenjtë. E vazhdoi luftën kundër reaksionit të brendshëm dhe shovinistëve serbë edhe pas shtypjes së Lëvizjes së Qershorit.

Sot po iu sjellim një foto i shtrirë vetëm pak çaste pasi kishte vdekur. Akoma nuk është studiuar ( për sa jemi në dijeni ), se kush është autori i fotografisë, e kush kishte aparat me vete në shpellën e Dragobisë në momentet kur Bajram Curri ia shkrepi vetes, por kjo foto vlen sa njëmijë fjalë dhe duhet vlerësuar si material historik dhe me vlera.

Në një intervistë para disa vitesh, Nehat Zherka nga Gjakova, flet për gjyshin e tij fotograf dhe negativat e filmave të ruajtur, e ku Ahmet Zherka ka fiksuar në celuloid këto pamje të Bajram Currit vetëm pak çaste pas vrasjes. Por ky fakt mbetet i pazbuluar.

Gjyshi i Nehatit, Ahmet Zherka, konsiderohet si një nga fotografët e parë të Kosovës që me aparatin e tij ka bërë të përjetshëm shumë personalitete, por edhe ngjarje të rëndësishme.

Në një nga negativet e pazhvilluar ndonjëherë tregon për një njeri të shtrirë që sipas Nehatit, është Bajram Curri i vrarë.

Sidoqoftë u mbetet historianëve të eksplorojnë më shumë në gjenezën e Bajram Currit, “Heroit të Vegjëlisë” siç e ka cilësuar populli./KosovaPress/

Continue Reading

Lajmet

Rutte: KFOR-i është aty, pavarësisht ç’mund të ndodhë këtë javë në Kosovë

Published

on

By

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se përkushtimi i Aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë do të mbetet i pandryshuar, pavarësisht zhvillimeve të mundshme lidhur me aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të shpallin më 16 shtator aktgjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, në rastin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katërt janë deklaruar të pafajshëm për dhjetë pikat e aktakuzës.

Sipas Ruttes, KFOR-i është në aty, në Kosovë, për të siguruar që NATO-ja të kontribuojë në stabilitet dhe paqe, ndërsa misioni paqeruajtës i Aleancës, sipas tij, ka kontribuar për më shumë se dy dekada në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë.

“Kjo vlen edhe sot, pavarësisht se çfarë lajmesh mund të vijnë këtë javë ose në periudhën e ardhshme, por edhe sa i përket zotimit afatgjatë për paqe dhe siguri në Kosovë”, tha Rutte në një konferencë për media në selinë e NATO-s në Bruksel më 14 shtator, kur u pyet nëse është i shqetësuar për trazira të dhunshme të mundshme në Kosovë dhe rajon si rezultat i vendimit, pavarësisht se si do të jetë ai.

Shefi i NATO-s tha se aleanca ushtarake perëndimore do të vazhdojë të vlerësojë përbërjen dhe vendosjen e trupave të KFOR-it, për të siguruar që misioni të përshtatet në mënyrë adekuate me situatën e sigurisë në Kosovë. Ai theksoi po ashtu se zhvillimet në Kosovë ndikojnë edhe në rajonin më të gjerë.

Deklaratat e shefit të NATO-s vijnë disa orë pasi Ambasada amerikane në Prishtinë u bëri thirrje shtetasve amerikanë që të shmangin lëvizjet në afërsi të vendeve, ku siç tha, janë paralajmëruar protesta më 16 shtator.

Ambasada tha se disa organizata po planifikojnë demonstrata të mëdha më 16 shtator në qendër të Prishtinës dhe qytete të tjera të mëdha të Kosovës.

“Këto demonstrata mund të shkaktojnë grumbullime të mëdha njerëzish, mbyllje të rrugëve dhe ndërprerje në trafik”, tha Ambasada duke udhëzuar shtetasit amerikanë që të kufizojnë lëvizjet në këto zona.

Ndërkaq, Policia e Kosovës, si reaguese e parë e sigurisë, tha se se ka zhvilluar takim edhe me partnerët ndërkombëtarë, si KFOR-in, EULEX-in, Ambasadën amerikane, Zyrën e Bashkimit Evropian dhe OSBE-në, ku është prezantuar një plan dhe angazhimet e Policisë lidhur me zhvillimet që ndërlidhen me 16 shtatorin.

“Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe legjislacionit në fuqi, do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe do të angazhohet me njësi policore, në mënyrë që mbarëvajtja e të gjitha aktiviteteve dhe zhvillimeve të mundshme të kalojnë të qeta dhe pa incidente”, tha Policia.

Sipas këtij institucioni, varësisht nga aktivitet dhe zhvillimet e mundshme, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët e prekura nga aktivitetet, “andaj Policia e Kosovës ka paraparë edhe angazhime të njësive policore patrulluese të trafikut, në rast të nevojës për riorientim të trafikut në rrugët alternative”, duke u bërë thirrje qytetarëve që të kontribuojnë që gjithçka të zhvillohet në mënyrë të qetë.

Shpallja e aktgjykimit në Hagë do të bëhet vetëm katër ditë pasi në Prishtinë mijëra persona morën pjesë në “Marshin për Liri”, ku pjesëmarrësit kërkuan që vendimi të jetë i drejtë dhe paanshëm.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë pretendon se katër ish-eprorët e UÇK-së mbajnë përgjegjësi penale për krime të kryera në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë gjatë periudhës së luftës.

Aktakuza ndaj tyre përfshin gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte dhe Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin të akuzuar.

Të katër ish-krerët e UÇK-së u arrestuan në nëntor 2020 dhe u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë. Gjykimi nisi më 3 prill 2023.

Aktgjykimi i 16 shtatorit pritet të jetë një prej vendimeve më të rëndësishme të Dhomave të Specializuara, të krijuara në vitin 2015 për gjykimin e rasteve që lidhen me pretendime për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Pezullohet nga detyra zyrtari policor në Aeroportin e Prishtinës: Paratë e gjetura i hodhi në kutinë e bamirësisë

Published

on

By

Më 14 shtator, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka pranuar informacionin për një rast të ndodhur në Stacionin Policor Kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Rasti lidhet me humbjen e një shume prej 105 eurosh, e raportuar nga një punonjës i aeroportit më 9 shtator.

Gjatë këqyrjes së pamjeve nga kamerat e sigurisë, hetuesit konstatuan se paratë i kishte gjetur një udhëtare (shtetase e Kosovës me banim në Gjermani), e cila ia kishte dorëzuar menjëherë zyrtarit policor në detyrë.

Pas veprimeve hetimore të IPK-së, zyrtari policor pranoi marrjen e parave, por pranoi se nuk i kishte trajtuar ato sipas procedurave ligjore e institucionale. Në vend të dorëzimit zyrtar, paratë ishin vendosur nga zyrtari në kutinë e donacioneve të një organizate bamirëse brenda hapësirave të aeroportit.

Për të garancuar zhvillimin e papenguar të hetimeve, IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin me pagesë të zyrtarit policor. Ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimin për veprat penale “Përvetësimi në detyrë” dhe “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”. /E.A/

 

Continue Reading

Aktualitet

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, zbeh rreziqet nga inteligjenca artificiale pas paralajmërimeve drastike të ekspertëve

Published

on

By

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka zbehur rreziqet që kanosen nga inteligjenca artificiale (AI), pas disa ditësh paralajmërimesh drastike nga ekspertët e fushës.

“Keni shumë forcave tepër negative që po e ngrenë këtë çështje pa pasur nevojë dhe po përmendin gjëra që nuk do të ndodhin kurrë,” deklaroi Trump gjatë një vizite në Irlandë.

Një nga paralajmërimet erdhi nga një ish-kërkues i kompanisë Anthropic, i cili tha se “ka një mundësi të madhe që të gjithë të vdesim në një të ardhme të afërt” nëse ritmi i tanishëm i zhvillimit vazhdon.

Të shtunën, krerët kryesorë të industrisë u dëgjuan duke bërë thirrje për një ngadalësim të zhvillimit. Trump nuk iu përgjigj drejtpërdrejt kësaj ideje, por u shpreh: “Ne jemi përpara Kinës në inteligjencën artificiale… dhe, sinqerisht, dua ta mbaj kështu, sepse kushdo që fiton garën e AI, fiton gjithçka”.

Trump foli në të njëjtën ditë kur kërkuesi i AI, Jacob Coxon  i cili u largua nga Anthropic disa ditë më parë tha për BBC-në se stafi që po zhvillon këto sisteme është “vërtet i frikësuar” për të ardhmen e njerëzimit.

Coxon  i cili ka punuar gjithashtu në OpenAI, mirëpriti idenë e një ngadalësimi, por theksoi se ai duhet të koordinohet edhe me Kinën.

Të shtunën, Elon Musk, pronar i xAI, dhe Sam Altman nga OpenAI, mbështetën paralajmërimin e kreut të Anthropic, Dario Amodei, se ritmi i zhvillimit duhet të ngadalësohet “për të reduktuar rrezikun që diçka të shkojë seriozisht keq”.

Udhëheqësi i Anthropic tha se çdo ngadalësim do të duhej të jetë i kufizuar për të parandaluar Kinën që të marrë epërsinë.

 

Shtohen pikëpyetjet se si do të dukej një “ngadalësim” i AI-së

Çështjet që rrethojnë inteligjencën artificiale kanë nxitur debata të ashpra — dhe përfaqësojnë një dilemë për shumë udhëheqës botërorë.

Nga njëra anë, ky sektor shihet si një mundësi e jashtëzakonshme për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të përmirësuar sistemet dixhitale e metodat e vjetruara të punës.

Nga ana tjetër, kanë ndodhur edhe disa incidente ku inteligjenca artificiale duket se ka shkuar seriozisht keq.

Në gusht, OpenAI njoftoi se kishte ngadalësuar trajnimin e disave prej modeleve të saj më të avancuara të AI-së për të përmirësuar sigurinë.

Krijuesi i ChatGPT tha se po shton masa të reja pasi agjentët e saj të AI-së anashkaluan mbrojtjet e sigurisë dhe sulmuan kibernetikisht kompaninë teknologjike Hugging Face.

Po në të njëjtin muaj, u bë e ditur se dy nga mjetet më të fuqishme të AI-së në botë krijuan profile të rreme njerëzore për të mashtruar njerëzit gjatë disa tentativave për sulme kibernetike.

Instituti i Sigurisë së AI-së në Britaninë e Madhe (AISI) tha se në rastin më serioz, modeli Mythos AI i kompanisë Anthropic u përpoq të merrte qasje në një shërbim duke dërguar mesazhe private përmes llogarive të rreme që imitonin njerëz të vërtetë  dhe më pas fshiu provat.

/BBC/

Continue Reading

Lajmet

Në përmbyllje të Javës së Gruas, bëhet thirrje për më shumë gra në pozita udhëheqëse

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në përmbylljen e “Javës së Gruas”, një program që përgjatë muajve të fundit bëri bashkë përfaqësues nga institucionet, komunat, partitë politike, shoqëria civile dhe mediat.

Gjatë fjalës së saj Haxhiu,  vlerësoi lart kontributin e grave në të gjitha sferat e jetës, nga biznesi, kultura e sporti, e deri te shkenca dhe politika duke theksuar se puna dhe rezultatet e tyre tashmë flasin vetë.

Megjithatë, ajo ngriti shqetësimin për pabarazinë që ende ekziston në shoqëri, ku shumë grave u duhet të punojnë dyfish për të marrë të njëjtin vlerësim si burrat.

“Këtë pabarazi nuk duhet ta pranojmë si normale. Gratë duhet të vlerësohen për punën dhe aftësinë e tyre dhe të kenë të njëjtat mundësi për të marrë përgjegjësi e për të udhëhequr. Dua të shoh më shumë gra në krye të listave, në udhëheqjen e komunave, institucioneve e kompanive dhe kudo ku merren vendime”, u shpreh ajo.

Në përmbyllje, u përmend se përparimi i grave është drejtpërdrejt i lidhur me përparimin e të gjithë shoqërisë, pasi suksesi i një gruaje hap rrugën për ecjen përpara të të tjerave. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara