Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se do ta respektojnë zotimin e autoriteteve të vendit, të bërë në vitin 2023, për të mos e dislokuar FSK-në në veri pa koordinim paraprak me KFOR-in, por theksoi se nuk pajtohen me këto kufizime.
Maqedonci tha të mërkurën se kanë marrë konfirmimin që trupat amerikane do të jetë prezentë në Kosovë përmes KFOR-it, madje sipas tij, po diskutojnë me SHBA-në për prezencë ushtarake edhe jashtë këtij mandati.
Autoritetet e Kosovës në krye me kryeministrin e atëhershëm, Hashim Thaçi, u patën zotuar se nuk i dërgojnë ushtarët në veri – pjesë e banuar me shumicë serbe – pa pëlqimin paraprak të KFOR-it.
Maqedonci tha të mërkurën në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë, se asnjëherë nuk ka bërë rizotim të këtij dakordimi.
“Shpesh është keqinterpretuar një letër që kam shkruar për komandantin e KFOR-it. Asnjëherë nuk kam bërë rizotim. Ministri i Mbrojtjes nuk bën rizotim të një letre e cila është bërë si zotim nga një kryeministër për sekretarin e përgjithshëm të NATO-s. Ne kemi thënë se do të respektojmë atë zotim, pavarësisht se nuk pajtohemi nga kufizimet që ka për veprim FSK-ja në veri, pa koordinim paraprak me KFOR-it. Do të vazhdojmë të respektojmë këtë zotim duke koordinuar paraprakisht me KFOR-in para se të dërgojmë trupa në veri”, theksoi ai.
Në konferencën e mbajtur të martën në Prishtinë, shefi i NATO-s u pyet nëse kanë ndryshuar qasjen sa i përket transformimit të FSK-së në ushtri.
“Mandati është që FSK-ja të ketë çfarë i duhet që të jetë efektive për rolin e saj humanitar këtu në Kosovë. Ky është mandati që NATO e ka për të ndihmuar FSK-në që të bëhet më e mirë, që të jetë një forcë e fuqishme humanitare”, tha Rutte.
Sa i përket deklarimeve të djeshme të shefit të NATO-s, Maqedonci tha se Kosova është bërë me ushtri përmes ndryshimeve ligjore në vitin 2018 dhe si të tillë e njohin shtetet në mënyrë bilaterale.
Maqedonci tha se po vazhdojnë të diskutojnë që edhe NATO si institucion në të ardhmen e afër të njoh mandatin e ri të FSK-së.
“Ne do të vazhdojmë që të diskutojmë me partnerët tanë në NATO që edhe NATO si institucion në të ardhmen e afërt të njoh mandatin e ri të FSK-së. Për t’u theksuar është fakti që në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, NATO ka një mision të veçantë që e kryen përmes një ekipi që quhet ndërlidhës dhe këshillues të NATO-s”, theksoi ai.
Qeveria e Kosovës miratoi të mërkurën nismën për lidhjen e marrëveshjes kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke folur për mbështetjen ushtarake amerikane ndaj Kosovës, ai tha se ka marrë konfirmimin se e njëjta do të vazhdojë të jetë prezentë në Kosovë.
“Ne po vazhdojmë të kemi konfirmim se ushtria amerikane do të jetë prezentë në kuadër të KFOR-ti. Përveç kësaj ne jemi të interesuar dhe po diskutojmë për prezencë ushtarake amerikane edhe jashtë mandatit të KFOR-it, pra në aspektin bilateral, duke qenë pjesë e aktiviteteve të përbashkëta në FSK. Ne po diskutojmë në dy drejtime prezencën ushtarake amerikane. Një që lidhet me vendimmarrjen e vet tyre për të vazhduar që të jetë pjesë e KFOR-it dhe e dyta përmes bashkëpunimit bilateral që ShBA të ketë prezencë në Kosovë si në aspektin e trajnimeve por edhe shfrytëzimit të hapësirave tona për qëllime të përbashkëta strategjike”, theksoi ai.
Maqedonci foli edhe për ndërtimin e fabrikës së municionit në Kosovë, ku tha se plani është që e njëjta të ndërtohet në pjesën perëndimore të vendit, jashtë rrezes së veprimit të rrezikut që mund të vjen nga Serbia.