Lajmet

​100 nxënës të arsimit fillor braktisën shkollën vitin e kaluar

Nga ministria po kërkohet që të punojnë në parandalimin e rasteve të tilla.

Published

on

Bankave shkollore vitin e kaluar iu munguan rreth 100 nxënës të arsimit fillor. Ani pse arsim i obligueshëm, shumë vajza e djemë nuk arritën të përfundojnë as nëntëvjeçaren. Numër më i madh i braktisjes u regjistrua në arsimin e mesëm të lartë. 900 nxënës të tjerë të Kosovës nuk vijuan shkollimin gjatë vitit 2020-2021. Madje në këtë periudhë Kosova regjistroi 12 mijë nxënës më pak. Kjo më së shpeshti po ndodhë për shkak të kushteve jo të mira ekonomike, ku fëmijët po detyrohen të punojnë, ani pse është shkelje e të drejtave të fëmijëve. Në raste të tjera, vajzat detyrohen të lënë shkollimin, numër i madh evidentohet te komunitet. Nga ministria po kërkohet që të punojnë në parandalimin e rasteve të tilla, ndërkaq nga vet ky institucion thonë se kanë hartuar politika në parandalim e rikthim të nxënësve.

Koordinatorja për të drejtat e njeriut në Ministrinë e Arsimit, Merita Jonuzi tregon se shifrat e rasteve të braktisjes së shkollave kanë rënë, por vjetëve të fundit ka edhe rënie të natalitetit.


“Rreth 100 apo në përqindje është 1.05 braktisja në arsimin e obliguar, klasa 1 deri në 9. Ndërkaq, braktisjen e kemi të lartë në arsimin e mesëm të lartë. I kemi 1,19, ndërkohë që viteve më parë kemi pasur 3 për qind, ka qenë një numër i lartë ose shifra të larta të braktisjes në niveleve arsimore. Tani kemi një rënie, por që neve na shqetëson secila shifër, për faktin se legjislacioni në fuqi dhe sidomos në arsimin e obligueshëm kërkon që të gjithë fëmijët të jenë në banka shkollore dhe të jenë përfitues të sistemit arsimor…(10:36) I kemi rreth 900 nxënës braktisës në arsimin e mesëm të lartë. Nuk është arsim i obligueshëm, por vëmendja jonë është që terreni të punojë shumë në parandalim”
, tregon ajo.

Faktorët social e ekonomik janë kryesorët që po ndikojnë në braktisjen e shkollimit. Por kjo po ndryshon varësisht nga komunat në Kosovë.


“Faktorët kryesorë që e motivojnë braktisjen e shkollimit janë faktorët social e ekonomik. Ka edhe faktorë individual, familjarë që e gjenerojnë problemin e braktisjes. Por, kryesisht faktori ekonomik e social herë-herë kulturor është ai që e shkakton problemin kryesor të braktisjes…(04:36) Komunat që kanë braktisjen më të madhe të shkollave janë komunat e mëdha, por edhe komuna të vogla. E kemi Gjakovën, Pejën, Prizrenin, Malishevën, Vushtrrinë, Prishtinën që kanë shifra pak më të larta të braktisjes”, shton ajo.

Përveç braktisjes së tërësishme të shkollave, problem për shumë nxënës mbesin edhe mungesat e shumta.

Kryesuesi i kolegjiumit parauniversitar në Asociacionin e Komunave të Kosovës, Samir Shahini thotë se që nga pandemia ka pasur vështirësi të nxënësve për t’iu rikthyer normalitetit.

“Kemi ende raste të shumta që nxënësit vazhdojnë të mos gjejnë përshtatshmëri të nevojshme për t’iu rikthyer sistemit arsimor dhe ka mungesa të shumta. Mendoj se si fenomen ende kemi problemi të shumta me mungesat e shumta më tepër se sa me mungesë totale. Mirëpo, në arsimin e obligueshëm këta që kanë mungesa të shumta duhet të iu mundësojë shkolla, jemi të obliguar me ligj, t’iu mundësohet që arsimin e obligueshëm ta përfundojmë edhe me provime klasore”, deklaron Shahini.

Në vend gjithmonë e më pak ka numër të nxënësve në shkolla, por shkak është edhe migrimi.


“Arsimi i obligueshëm shpesh herë, arsyeja kryesore e braktisjes është largimi nga Kosova, migrimi. Prej vitit të kaluar në këtë vit shkollor kemi statistikisht 12 mijë nxënës më pak në sistem të arsimit parauniversitar në Kosovë. Që është shumë alarmante. Faktor kryesor mbetet nataliteti në ulje e sipër në vendin tonë. Një tjetër faktor është migrimi”
, shton Shahini.

Koalicioni i organizatave joqeveritare për mbrojtjen e fëmijëve (KOMF) e konsideron shkelje të drejtave të fëmijëve, pamundësinë për vijimin e shkollimit.

“Ne si koalicion konsiderojmë se kjo është shkelje e të drejtave të fëmijëve, sepse e drejta për arsim është e drejtë e garantuar me të gjitha instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Madje, edhe me legjislacionin në Kosovë edhe përmes kushtetutës dhe të gjiytha ligjeve të tjera, nuk është vetëm e drejtë por edhe obligim i të gjithë personave dhe shoqërisë që fëmijëve t’iu mundësojmë dhe t’iu garantojmë shkollim falas. Sipas të dhënave të ASK-së në bashkëpunim me UNICEF, raporti i fundit tregon se braktisja e shkollave vazhdon të mbes një problem sidomos te komunitetet romë, ashkalinj, egjiptianë. Ku 84 për qind e fëmijëve të komuniteteve ndjekin shkollat fillore… 64 për qind e ndjekin shkollën e mesme të lartë, ndërkaq 31 për qind e ndjekin shkollën e mesme të ulët”, shprehet Bukureza Surdulli.

Një nga grupet e cenueshme në arsim janë edhe fëmijët me aftësi të kufizuara.

“Sidomos gjatë pandemisë ka pasur braktisje, por edhe janë lënë anash për shkak të pamundësive që të ndjeket shkollimi. Për shkak edhe të mungesës së infrastrukturës, për shkak të mungesës së pajisjeve elektronike. Ka qenë një fenomen që është vënë në dukje në vitin 2020 në pandemi, mirëpo edhe përgjatë viteve të mëparshme fëmijët me aftësi të kufizuara kanë pasur vështirësi për ndjekjen e mësimit”, thekson Surdulli nga KOMF.

Në bazë të dhënave të ministrisë, 63 meshkuj dhe 46 femra në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët kanë ndërprerë shkollimin. Por, nga Këshilli Rinor Kosovar (KYC) thonë se femrat mbesin më të ‘përjashtuarat’ në arsim.

Hekuran Meta nga kjo organizatë deklaron se nga raportimet në organizatën e tyre kanë evidentuar disa faktorë që po ndikojnë në braktisjen e shkollave.

“Shumicën e rasteve që i kemi pasur që detyrohen ta lënë mësimin janë në zona rurale apo ku ka shumicë të komuniteteve. Ku për shkak të kushteve të këqijave ekonomike detyrohen ta lënë mësimin dhe të bëjnë punë të tjera të cilat mund ta ndihmojnë familjen e tyre. Por, kemi edhe shumë raste të tjera ku nxënëset detyrohen ta lënë mësimin në rastin kur vajzat detyrohen që të ndjekin normat dhe rolet gjinore. Pra, në vend se të shkojnë në edukim detyrohen të bëjnë punët e shtëpisë apo të familjes. Kemi shumë raportime që na kanë ardhur në formën e raportimit të Këshillit të Nxënësve të Kosovës ku përveç arsyejeve që i përmende, kemi pasur shumë raste kur nxënësit janë detyruar të lënë mësimin për shkak të kushteve të këqija në sistemin arsimor të Kosovës”, deklaroi ai.

Merita Jonuzi nga Ministria e Arsimit shprehet se kanë krijuar sistem të identifikimit të hershëm të problemit të braktisjes. Sipas saj, ekipet në terren po punojnë në parandalimin dhe kthimin e nxënësve në banka shkollore.

“Ekipet po punojnë, dikush më mirë, dikush më dobët. Ne jemi duke punuar ngushtë si ministri për të ngritur kapacitetet e të gjithëve në terren për t’i zbatuar mirë këto politika në mënyrë që të gjithë fëmijët në Kosovë, pa dallim gjinie, etnie apo rrethane tjetër të jenë përfitues të sistemit arsimor. Dhe të zhvillohen brenda potencialit të plot, për aq sa ata kanë potencial”, përfundoi ajo.

Institucionet arsimore bazuar në Konventën për të Drejtat e Fëmijëve duhet të kujdesen për pjesëmarrje dhe gjithëpërfshirje në arsim cilësor, duke siguruar zhvillimin e fëmijëve brenda potencialit të plotë. 

Continue Reading

Lajmet

Kosova dhe Japonia synojnë bashkëpunimin në mbrojtje dhe trajnime të përbashkëta

Published

on

By

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur në një takim zyrtar të Ngarkuarin me Punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Hiroyasu Tanigaki, me të cilin ka diskutuar për avancimin e raporteve dypalëshe në fushën e mbrojtjes.

Gjatë takimit u vu theksi te mbështetja e projekteve konkrete dhe zhvillimi i trajnimeve të përbashkëta në fusha me interes të ndërsjellë. Ministri Maqedonci dhe diplomati japonez nënvizuan se intensifikimi i vizitave të nivelit të lartë do të jetë një instrument kyç për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

Maqedonci shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë për Kosovën ndër vite, duke konfirmuar përkushtimin për një partneritet të qëndrueshëm të bazuar në besim dhe vlera të përbashkëta.

Continue Reading

Lajmet

Billie Eilish dhe regjisori i njohur James Cameron bashkohen për një film të ri

Published

on

Superylli i muzikës Billie Eilish dhe regjisori i njohur James Cameron kanë bashkuar forcat për një film të ri koncertal në 3D, i cili dokumenton performancat e saj në Manchester gjatë vitit të kaluar. Filmi është xhiruar gjatë katër netëve në arenën Co-op Live, në kuadër të turneut të saj më të madh deri më tani, “Hit Me Hard And Soft”.

Projekti sjell një përvojë intensive vizuale dhe emocionale, duke u kthyer në një “letër dashurie” për fansat e saj të përkushtuar. Në premierën në Londër, Eilish u shpreh se publiku në Manchester është ndër më të preferuarit e saj, ndërsa fansat e shumtë krijuan atmosferë të zjarrtë edhe në Leicester Square.

Ideja për filmin erdhi nga bashkëshortja e Cameron, përmes lidhjeve familjare dhe aktivizmit mjedisor. Filmi përdor teknologji të re me kamera të vogla 3D, duke sjellë pamje nga afër të artistes gjatë performancave dinamike.

Përveç Eilish, një rol të rëndësishëm në film kanë edhe fansat, të cilët tregojnë se si muzika e saj i ka bërë të ndihen të pranuar dhe të kuptuar. Vetë artistja thekson se dëshiron të jetë “artistja që do ta adhuronte si fanse”, duke ruajtur lidhjen e fortë me publikun e saj.

Continue Reading

Lajmet

REL: Kur do të mbahen zgjedhjet e reja të parakohshme në Kosovë?

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë tani ka pak më shumë se një muaj kohë për t’i përgatitur dhe zhvilluar zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare, të tretat radhazi brenda rreth një vitit e gjysmë.

Zgjedhjet e reja vijnë pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë një president të ri brenda afatit, duke e zhytur vendin në një krizë të re politike.

Kuvendi kishte afat deri në mesnatën e së martës për ta zgjedhur kreun e shtetit, pasi mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundoi në fillim të prillit. Por, kryeministri Albin Kurti dhe partitë opozitare nuk arritën marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri.

Cilat janë data e mundshme për ditën e zgjedhjeve?

Janë vetëm dy data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme sipas procedurave ligjore: 31 maj dhe 7 qershor, sipas Melos Kolshit, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).

Për shkak se presidenti nuk u zgjodh brenda afatit prej 34 ditësh që Gjykata Kushtetuese e kishte vendosur në një aktgjykim në mars, Kuvendi u shpërnda automatikisht më 28 prill, shpjegon Kolshi për Radion Evropa e Lirë (REL).

Përndarja e Kuvendit, sipas tij, nënkupton nisjen e menjëhershme të procesit drejt zgjedhjeve të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve të ardhshme.

“Në këtë mënyrë, pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur presidentin, krijohet një rend i detyrueshëm veprimesh: së pari, shpërndarja automatike e Kuvendit si pasojë kushtetuese; së dyti, aktivizimi i kompetencës së ushtrueses së detyrës së presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve; dhe së treti, organizimi i zgjedhjeve të parakohshme brenda afateve të përcaktuara ligjore”, thotë Kolshi për REL-in.

Si caktohet data e zgjedhjeve?

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, duhet tani t’i ftojë partitë politike në takim për të biseduar për datën e parapëlqyer për mbajtën e zgjedhjeve.

Këtë herë, ato do ta kenë më të lehtë të zgjedhin, sepse kanë vetëm dy opsione: 31 majin, ose 7 qershorin.

Pas një takimi të tillë dhe pajtueshmërisë për datën e zgjedhjeve, Haxhiu duhet ta shpallë zyrtarisht datën e zgjedhjeve të parakohshme dhe ajo ka kohë deri në fund të javës së ardhshme për ta bërë këtë.

“Ky vendim duhet të merret brenda një afati prej 10 ditësh nga dita e shpërndarjes së Kuvendit, ndërsa data e zgjedhjeve duhet të jetë në përputhje me kufijtë kohorë të përcaktuar me ligj, përkatësisht zgjedhjet nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe jo më vonë se dyzet e pesë (45) ditë nga dita e shpërndarjes”, tregon Kolshi.

Pse vetëm dy data të mundshme?

Gjithë këto zhvillime kanë bërë që të mos ketë shumë opsione.

Përveç afatit kohor prej 30 deri në 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit, ekziston edhe një praktikë zgjedhore në vend që lë kaq pak hapësirë: mbajtja e zgjedhjeve në një ditë fundjave.

“Gjithashtu, ligji kërkon që zgjedhjet të mbahen në një ditë të diel, duke respektuar praktikën dhe standardet zgjedhore; në këtë rast konkret, duke pasur parasysh se data e shpërndarjes së Kuvendit është 28 prill, datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve janë 31 maj dhe 7 qershor”, shpjegon Kolshi.

Sipas Kolshit, ky zhvillim përfaqëson një shembull tipik të mënyrës se si Gjykata Kushtetuese, përmes interpretimit të saj, ka saktësuar dhe operacionalizuar normat kushtetuese, duke krijuar një mekanizëm të qartë dhe automatik për zgjidhjen e krizave institucionale.

“Njëkohësisht e ka kufizuar hapësirën për ndërhyrje diskrecionale nga ana e ushtrueses së presidentit në këtë rast, e po ashtu ka kufizuar mundësitë për ndonjë abuzim eventual me të drejtat e afatet nga ndonjë subjekt”, përfundon ai.

 

Continue Reading

Lajmet

Dënohet me dy vjet burgim serbi që sulmoi KFOR-in dhe Policinë në Zveçan

Published

on

By

Gjykata ka dënuar me dy vjet burgim Sllobodan Radenkoviqin, pasi ky i fundit pranoi fajësinë për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës gjatë tensioneve në Zveçan, në maj të vitit 2023.

Radenkoviq arriti marrëveshje me Prokurorinë Speciale, duke pranuar akuzat për “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”. Përveç dënimit me dy vjet burgim (ku do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim), atij i është shqiptuar edhe një dënim prej 6 muajsh, i cili mund të zëvendësohet me gjobë prej 15 mijë eurosh.

Sipas aktakuzës, Radenkoviq kishte marrë pjesë aktive në grupin që ushtroi dhunë ndaj forcave të rendit dhe paqeruajtësve ndërkombëtarë para objektit të komunës. Gjyqtarja e rastit e ka aprovuar marrëveshjen, ndërsa mbrojtja ka kërkuar që pagesa e gjobës të bëhet me këste për një periudhë dyvjeçare.

Continue Reading

Të kërkuara