Lajmet

​100 nxënës të arsimit fillor braktisën shkollën vitin e kaluar

Nga ministria po kërkohet që të punojnë në parandalimin e rasteve të tilla.

Published

on

Bankave shkollore vitin e kaluar iu munguan rreth 100 nxënës të arsimit fillor. Ani pse arsim i obligueshëm, shumë vajza e djemë nuk arritën të përfundojnë as nëntëvjeçaren. Numër më i madh i braktisjes u regjistrua në arsimin e mesëm të lartë. 900 nxënës të tjerë të Kosovës nuk vijuan shkollimin gjatë vitit 2020-2021. Madje në këtë periudhë Kosova regjistroi 12 mijë nxënës më pak. Kjo më së shpeshti po ndodhë për shkak të kushteve jo të mira ekonomike, ku fëmijët po detyrohen të punojnë, ani pse është shkelje e të drejtave të fëmijëve. Në raste të tjera, vajzat detyrohen të lënë shkollimin, numër i madh evidentohet te komunitet. Nga ministria po kërkohet që të punojnë në parandalimin e rasteve të tilla, ndërkaq nga vet ky institucion thonë se kanë hartuar politika në parandalim e rikthim të nxënësve.

Koordinatorja për të drejtat e njeriut në Ministrinë e Arsimit, Merita Jonuzi tregon se shifrat e rasteve të braktisjes së shkollave kanë rënë, por vjetëve të fundit ka edhe rënie të natalitetit.


“Rreth 100 apo në përqindje është 1.05 braktisja në arsimin e obliguar, klasa 1 deri në 9. Ndërkaq, braktisjen e kemi të lartë në arsimin e mesëm të lartë. I kemi 1,19, ndërkohë që viteve më parë kemi pasur 3 për qind, ka qenë një numër i lartë ose shifra të larta të braktisjes në niveleve arsimore. Tani kemi një rënie, por që neve na shqetëson secila shifër, për faktin se legjislacioni në fuqi dhe sidomos në arsimin e obligueshëm kërkon që të gjithë fëmijët të jenë në banka shkollore dhe të jenë përfitues të sistemit arsimor…(10:36) I kemi rreth 900 nxënës braktisës në arsimin e mesëm të lartë. Nuk është arsim i obligueshëm, por vëmendja jonë është që terreni të punojë shumë në parandalim”
, tregon ajo.

Faktorët social e ekonomik janë kryesorët që po ndikojnë në braktisjen e shkollimit. Por kjo po ndryshon varësisht nga komunat në Kosovë.


“Faktorët kryesorë që e motivojnë braktisjen e shkollimit janë faktorët social e ekonomik. Ka edhe faktorë individual, familjarë që e gjenerojnë problemin e braktisjes. Por, kryesisht faktori ekonomik e social herë-herë kulturor është ai që e shkakton problemin kryesor të braktisjes…(04:36) Komunat që kanë braktisjen më të madhe të shkollave janë komunat e mëdha, por edhe komuna të vogla. E kemi Gjakovën, Pejën, Prizrenin, Malishevën, Vushtrrinë, Prishtinën që kanë shifra pak më të larta të braktisjes”, shton ajo.

Përveç braktisjes së tërësishme të shkollave, problem për shumë nxënës mbesin edhe mungesat e shumta.

Kryesuesi i kolegjiumit parauniversitar në Asociacionin e Komunave të Kosovës, Samir Shahini thotë se që nga pandemia ka pasur vështirësi të nxënësve për t’iu rikthyer normalitetit.

“Kemi ende raste të shumta që nxënësit vazhdojnë të mos gjejnë përshtatshmëri të nevojshme për t’iu rikthyer sistemit arsimor dhe ka mungesa të shumta. Mendoj se si fenomen ende kemi problemi të shumta me mungesat e shumta më tepër se sa me mungesë totale. Mirëpo, në arsimin e obligueshëm këta që kanë mungesa të shumta duhet të iu mundësojë shkolla, jemi të obliguar me ligj, t’iu mundësohet që arsimin e obligueshëm ta përfundojmë edhe me provime klasore”, deklaron Shahini.

Në vend gjithmonë e më pak ka numër të nxënësve në shkolla, por shkak është edhe migrimi.


“Arsimi i obligueshëm shpesh herë, arsyeja kryesore e braktisjes është largimi nga Kosova, migrimi. Prej vitit të kaluar në këtë vit shkollor kemi statistikisht 12 mijë nxënës më pak në sistem të arsimit parauniversitar në Kosovë. Që është shumë alarmante. Faktor kryesor mbetet nataliteti në ulje e sipër në vendin tonë. Një tjetër faktor është migrimi”
, shton Shahini.

Koalicioni i organizatave joqeveritare për mbrojtjen e fëmijëve (KOMF) e konsideron shkelje të drejtave të fëmijëve, pamundësinë për vijimin e shkollimit.

“Ne si koalicion konsiderojmë se kjo është shkelje e të drejtave të fëmijëve, sepse e drejta për arsim është e drejtë e garantuar me të gjitha instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Madje, edhe me legjislacionin në Kosovë edhe përmes kushtetutës dhe të gjiytha ligjeve të tjera, nuk është vetëm e drejtë por edhe obligim i të gjithë personave dhe shoqërisë që fëmijëve t’iu mundësojmë dhe t’iu garantojmë shkollim falas. Sipas të dhënave të ASK-së në bashkëpunim me UNICEF, raporti i fundit tregon se braktisja e shkollave vazhdon të mbes një problem sidomos te komunitetet romë, ashkalinj, egjiptianë. Ku 84 për qind e fëmijëve të komuniteteve ndjekin shkollat fillore… 64 për qind e ndjekin shkollën e mesme të lartë, ndërkaq 31 për qind e ndjekin shkollën e mesme të ulët”, shprehet Bukureza Surdulli.

Një nga grupet e cenueshme në arsim janë edhe fëmijët me aftësi të kufizuara.

“Sidomos gjatë pandemisë ka pasur braktisje, por edhe janë lënë anash për shkak të pamundësive që të ndjeket shkollimi. Për shkak edhe të mungesës së infrastrukturës, për shkak të mungesës së pajisjeve elektronike. Ka qenë një fenomen që është vënë në dukje në vitin 2020 në pandemi, mirëpo edhe përgjatë viteve të mëparshme fëmijët me aftësi të kufizuara kanë pasur vështirësi për ndjekjen e mësimit”, thekson Surdulli nga KOMF.

Në bazë të dhënave të ministrisë, 63 meshkuj dhe 46 femra në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët kanë ndërprerë shkollimin. Por, nga Këshilli Rinor Kosovar (KYC) thonë se femrat mbesin më të ‘përjashtuarat’ në arsim.

Hekuran Meta nga kjo organizatë deklaron se nga raportimet në organizatën e tyre kanë evidentuar disa faktorë që po ndikojnë në braktisjen e shkollave.

“Shumicën e rasteve që i kemi pasur që detyrohen ta lënë mësimin janë në zona rurale apo ku ka shumicë të komuniteteve. Ku për shkak të kushteve të këqijave ekonomike detyrohen ta lënë mësimin dhe të bëjnë punë të tjera të cilat mund ta ndihmojnë familjen e tyre. Por, kemi edhe shumë raste të tjera ku nxënëset detyrohen ta lënë mësimin në rastin kur vajzat detyrohen që të ndjekin normat dhe rolet gjinore. Pra, në vend se të shkojnë në edukim detyrohen të bëjnë punët e shtëpisë apo të familjes. Kemi shumë raportime që na kanë ardhur në formën e raportimit të Këshillit të Nxënësve të Kosovës ku përveç arsyejeve që i përmende, kemi pasur shumë raste kur nxënësit janë detyruar të lënë mësimin për shkak të kushteve të këqija në sistemin arsimor të Kosovës”, deklaroi ai.

Merita Jonuzi nga Ministria e Arsimit shprehet se kanë krijuar sistem të identifikimit të hershëm të problemit të braktisjes. Sipas saj, ekipet në terren po punojnë në parandalimin dhe kthimin e nxënësve në banka shkollore.

“Ekipet po punojnë, dikush më mirë, dikush më dobët. Ne jemi duke punuar ngushtë si ministri për të ngritur kapacitetet e të gjithëve në terren për t’i zbatuar mirë këto politika në mënyrë që të gjithë fëmijët në Kosovë, pa dallim gjinie, etnie apo rrethane tjetër të jenë përfitues të sistemit arsimor. Dhe të zhvillohen brenda potencialit të plot, për aq sa ata kanë potencial”, përfundoi ajo.

Institucionet arsimore bazuar në Konventën për të Drejtat e Fëmijëve duhet të kujdesen për pjesëmarrje dhe gjithëpërfshirje në arsim cilësor, duke siguruar zhvillimin e fëmijëve brenda potencialit të plotë. 

Continue Reading

Lajmet

​Shqiptarët në jug të Serbisë: Fshirje nga adresat e banimit, mosnjohje e diplomave dhe gjuhë urrejtjeje

Published

on

By

Shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë vazhdojnë të përballen me pasivizimin e adresave dhe shkeljen e të drejtave themelore të njeriut. Cili është qëndrimi i tyre? Dhe cili është qëndrimi i tyre ndaj shtetit të Serbisë?

Pasivizimi i adresave, mosrespektimi i dispozitave ligjore për gjuhën dhe arsimin, përfaqësimi i pabarabartë në institucionet publike dhe gjuha e urrejtjes janë vetëm disa nga problemet me të cilat përballet komuniteti shqiptar në Serbi.

Pasivizimi i adresave është një procedurë me të cilën Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) fshin vendbanimin e një qytetari nga një adresë kur përcakton se ai nuk jeton atje. Pasojat janë humbja e të drejtës për kartë identiteti, kartë shëndetësore dhe votë. Shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë përballen me këtë.

Redaktori i portalit online Folj, Jeton Ismailji, i tha “Vreme” se njeh njerëz që jetojnë dhe punojnë në Bujanoc, kanë shtetësi serbe, por prapëseprapë ata fshihen nga regjistri civil.

“Problemi është se policia kontrollon tri herë nëse dikush është në adresë, kështu që nëse nuk e gjen, e fshijnë nga regjistri. Dhe një person, për shembull, mund të jetë jashtë shtetit për një muaj. Komuniteti serb nuk e ka këtë problem. Unë njoh serbë që punojnë në Beograd ose Nish, kështu që ata nuk fshihen nga regjistri. Pra, është një praktikë selektive në lidhje me anëtarët e komunitetit shqiptar”, shpjegon Ismailji.

Ai shton se ka pasur një iniciativë të Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave në këtë çështje për të zhvilluar një dialog me përfaqësuesit e shqiptarëve.

Është bardh e zi dhe mund të zgjidhet shumë lehtë – njerëzit punojnë këtu, fëmijët e tyre shkojnë në shkollë këtu, është shumë e lehtë të kontrollosh nëse jetojnë atje”, thekson Ismailji.

Rezultatet e regjistrimit të popullsisë të kryer në vitin 2022 regjistrojnë se në Serbi ka gjithsej 61,687 burra dhe gra shqiptare, sipas të dhënave të Zyrës së Statistikave të Republikës (RZS).

Kjo është dukshëm më shumë se regjistrimi i kryer në vitin 2011, kur rezultati ishte 5,809 banorë për shkak të bojkotit të shumicës së anëtarëve të komunitetit kombëtar shqiptar.

Sipas regjistrimit të fundit, komuniteti shqiptar është më i përfaqësuar në Preshevë, 31,340 prej tyre nga 33,449 banorë në atë komunë dhe Bujanoc, prej tyre 25,465 nga 41,068 banorë.

Gjithsej, në rajonin e Serbisë Jugore dhe Lindore, komuniteti shqiptar, sipas të dhënave zyrtare, ka 58,145 banorë, të dhëna nga RZS.

Mosnjohja e diplomave

Një problem tjetër me të cilin përballet komuniteti shqiptar është mosnjohja e diplomave të marra në Kosovë. Ismailji thotë se më shumë se 90 përqind e të rinjve shqiptarë diplomohen në universitet në Kosovë.

Për shkak të mosnjohjes së diplomave në Serbi, shumica migrojnë në vendet e Evropës Perëndimore – Gjermani, Austri ose Zvicër. Një pjesë e të rinjve qëndrojnë në Prishtinë ku kanë përfunduar studimet. Kështu, njerëz nga Vranja dhe disa qytete të tjera marrin punë që mund t’i bënin me një diplomë universitare.

Rezolutë dhe propozime për pozicionin e shqiptarëve

Deputeti i Parlamentit nga Bujanoci, Shaip Kamberi, i paraqiti Parlamentit të Serbisë një propozim mbi “Rezolutën mbi pozicionin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, megjithatë kjo nuk u përfshi kurrë në rend të ditës.

Rezoluta kërkon zbatimin e marrëveshjeve nga viti 2001, 2009 dhe 2013, pezullimin e menjëhershëm të masave administrative për pasivizimin e adresave, respektimin e plotë të dispozitave ligjore mbi gjuhën dhe arsimin, përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet publike, përpunimin të gjuhës së urrejtjes kundër shqiptarëve, krijimin e fondeve zhvillimore me mbështetje shtetërore dhe ndërkombëtare, shkroi “Bujanovačke”.

Për më tepër, kryetari i komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, i paraqiti një propozim prej 10 pikash Ministrit të të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, Demo Berishës, si dhe përfaqësuesve të Trupit Koordinues të Qeverisë së Serbisë për komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, për të përmirësuar pozicionin e shqiptarëve. Ky takim shkaktoi edhe konflikte në skenën politike shqiptare.

Për më tepër, misioni i OSBE-së zhvilloi një plan me shtatë pika, i cili u miratua nga Qeveria e Serbisë në vitin 2013 për të përmirësuar pozicionin e shqiptarëve.

Ai parashikon integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore, zhvillimin ekonomik të komunave të Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës, sigurinë e kësaj zone, të drejtën e përdorimit zyrtar të gjuhës, shkrimit dhe simboleve kombëtare, decentralizimin e gjyqësorit, përmirësimin e të drejtave të shqiptarëve në fushat e arsimit, kulturës dhe informacionit, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale. mbrojtje.

Deri më tani, pak është zbatuar.

Ismailji e sheh zgjidhjen në faktin që shteti i Serbisë të respektojë ligjet dhe Kushtetutën e tij sepse “atëherë nuk do të kishte nevojë për rezoluta, propozime prej shtatë ose dhjetë pikash”, transmeton Vreme.

“Kushtetuta e Serbisë është e qartë – përfaqësimi i komunitetit në institucionet shtetërore duhet të pasqyrojë numrin e anëtarëve të komunitetit që jetojnë në atë komunë. Kjo nuk zbatohet, kështu që jemi në situatën në të cilën ndodhemi”, përfundoi ai.

Continue Reading

Lajmet

Juventusit i rritet vlera, pas ofertës mbi 1 miliardëshe të “Tetherit”

Published

on

Juventus pa vlerën e tij në bursë të rritej ndjeshëm të hënën në mëngjes, si pasojë e ofertës prej 1.1 miliardë eurosh nga “Tether” për të marrë kontrollin e klubit nga familja Agnelli.

Të premten në mbrëmje, “Tether” njoftoi se kishte dorëzuar zyrtarisht një ofertë me vlerë rreth 1.1 miliardë euro për të blerë 65.4% të aksioneve të klubit, të cilat aktualisht zotërohen nga “Exor”, kompania holding në pronësi dhe nën menaxhimin e familjes Agnelli.

“Tether”, që tashmë zotëron pak më shumë se 10% të aksioneve të Juventusit, njoftoi gjithashtu se synon të bëjë një ofertë publike për të blerë edhe aksionet e mbetura të klubit me të njëjtin çmim, çka do t’i jepte kontroll të plotë dhe ekskluziv mbi klubin.

Familja Agnelli, megjithatë, ka këmbëngulur që prej mbrëmjes të së premtes se Juventusi nuk është në shitje.

“Juventusi ynë, historia jonë, vlerat tona, nuk janë në shitje,” deklaroi John Elkann në një video të publikuar publikisht të shtunën.

Si pasojë e ofertës për marrje kontrolli, vlera e Juventusit në bursë u rrit ndjeshëm të hënën në mëngjes.

Kur tregu u mbyll të premten në mbrëmje, përpara njoftimit të “Tether”, një aksion i vetëm i klubit vlente 2.34 euro, krahasuar me 2.47 euro të hënën në mëngjes. Kjo përfaqëson një rritje prej 12.7%.

Oferta e “Tether” ishte për të blerë aksionet e mbetura të Juventusit me një çmim prej 2.66 euro për aksion, që barazohej me një kosto totale rreth 1.1 miliardë euro.

Ky çmim përfaqësonte një premium prej 20.47% krahasuar me vlerën zyrtare të aksioneve përpara fundjavës./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Dogana sekuestron mallra të kontrabanduara nga Serbia

Published

on

By

Autoritetet doganore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë realizuar një operacion kundër kontrabandës me mallra nga Serbia në fshatin Dumnicë të Podujevës, ku janë sekuestruar 575 mijë copë filtra duhani të futur në mënyrë të paligjshme në territorin e Kosovës.

Gjatë kontrollit shtesë, në një garazh dhe në një automjet tjetër janë gjetur mallra të fshehura, të cilat janë konfiskuar nga njësia doganore.

“Lidhur me rastin, më 15.12.2025 është arritur të ndalohet automjeti i ngarkuar me mallra, ndërsa në një garazhdën dhe automjet tjetër janë gjetur mallra të fshehura. Njësia doganore ka sekuestruar 575.000 copë filtër të duhanit”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Me vendim të prokurorit kompetent, dy të dyshuar meshkuj, shtetas të Kosovës, pas intervistimit janë liruar dhe rasti është proceduar në procedurë të rregullt.

Continue Reading

Lajmet

Sot mblidhen ministrat e BE-së në Bruksel: Serbisë i përcillet mesazh i qartë për sundimin e ligjit dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën

Published

on

By

Ministrat për çështje evropiane të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian sot në Bruksel do të diskutojnë, në kuadër të takimit të Këshillit për Çështje të Përgjithshme (GAC), përfundimet mbi politikën e zgjerimit të BE-së.

Fokus i veçantë i diskutimeve do të jetë Serbia, së cilës i përcillet mesazhi i qartë se ritmi i afrimit me Bashkimin Evropian varet drejtpërdrejt nga përparimi në sundimin e ligjit dhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.

Në këtë takim pritet të miratohen përfundimet e përgatitura mbi bazën e raportit vjetor të Komisionit Evropian, i cili vlerëson progresin e secilit vend kandidat. Këto përfundime më pas do të konfirmohen zyrtarisht në Samitin e BE-së më 18 dhe 19 dhjetor.

Në draft-dokumentin, të cilin Radio Evropa e Lirë (RSE) e ka siguruar, vendet kandidate ftohen të shfrytëzojnë mundësinë dhe të ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm për ta përshpejtuar rrugën drejt BE-së. Theksohet se procesi i zgjerimit duhet të udhëhiqet nga kriteret e Kopenhagës, parimet e vendosura dhe metodologjia ekzistuese, ndërsa përparimi i vendeve do të vlerësohet sipas meritave individuale.

Këshilli pret që të gjitha vendet kandidate ta harmonizojnë plotësisht politikën e tyre me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, përfshirë edhe masat kufizuese.

Nga Serbia kërkohet që të përshpejtojë reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe të zbatojë në mënyrë konsekuente ligjet për mediat dhe Listën e Unifikuar të Zgjedhësve. Komisioni Evropian ka vlerësuar se Serbia është teknikisht e gatshme për hapjen e klasterit negociues 3 për konkurrencën dhe rritjen gjithëpërfshirëse, por Këshilli i BE-së do t’i rikthehet kësaj çështjeje varësisht nga progresi i mëtejshëm i Serbisë, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën.

Në draft-dokument, BE-ja bën thirrje për uljen e tensioneve dhe tejkalimin e polarizimit të thellë në shoqërinë serbe. Shprehet keqardhje për prapakthimin në lirinë e shprehjes dhe të mediave dhe kërkohen reforma konkrete dhe të prekshme në sundimin e ligjit. Nga Beogradi dhe Prishtina pritet zbatim i plotë i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit të zbatimit nga Ohri i vitit 2023.

Këshilli shpreh shqetësim për përshpejtimin e lëshimit të pasaportave serbe për shtetas rusë, duke e vlerësuar këtë si një kërcënim potencial për sigurinë e BE-së. Megjithatë, BE-ja mirëpret faktin që integrimi evropian mbetet interes strategjik i Serbisë, por pret që kjo të dëshmohet përmes veprimeve konkrete dhe reformave reale.

Theksohet se liria e tubimit duhet të mbrohet, siguria e gazetarëve të garantohet dhe çdo dhunë apo përdorim i tepruar i forcës gjatë protestave të hetohet në mënyrë të plotë dhe të paanshme. Serbia ftohet të deeskalojë tensionet dhe të kapërcejë polarizimin përmes dialogut gjithëpërfshirës me të gjitha palët e interesuara, përfshirë shoqërinë civile.

Në dokument shprehet keqardhje për regresin në lirinë e mediave dhe nënvizohet rëndësia e mbrojtjes së të drejtave themelore, përfshirë të drejtat e pakicave. Edhe pse përshëndetet miratimi i ligjeve për media, theksohet nevoja për zbatim të plotë të tyre, përfshirë përfundimin e shpejtë të emërimit të anëtarëve të Këshillit të REM-it.

Këshilli vlerëson se në gjyqësor nuk është shënuar përparim i dukshëm, ndërsa në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është arritur progres i kufizuar. Serbia ftohet të përshpejtojë reformat dhe të arrijë rezultate konkrete, veçanërisht në kapitujt 23 dhe 24.

Sa i përket dialogut Beograd–Prishtinë, Këshilli i BE-së thekson se përparimi në integrimet evropiane varet nga zbatimi i plotë dhe pa vonesa i të gjitha obligimeve të marra. Serbia ftohet të njohë dokumentet dhe simbolet e Kosovës sipas marrëveshjes së vitit 2023 dhe të përmbahet nga kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Gjithashtu, theksohet nevoja për reintegrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, përfshirë gjyqësorin dhe policinë.

Në përfundim, Këshilli i BE-së shpreh shqetësim të thellë që Serbia nuk i ka përmbushur pritshmëritë lidhur me përgjegjësinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë në shtator 2023, duke kërkuar reagim të plotë, hetim serioz dhe respektim të procedurave në kuadër të dialogut për drejtësinë.

Continue Reading

Të kërkuara