Lajmet

​Zogaj: Qeveria po tenton të cenojë pavarësinë e gjyqësorit

Sipas kreut të KGjK-së, parashkrimi i rasteve vjen si pasojë e mungesës së kapaciteteve me gjyqtarë.

Published

on

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj ka thënë se rasti i 11- vjeçares, e cila dyshohet se është dhunuar, nuk ka qenë asnjëherë në gjykatë.

Zogaj, i cili në një konferencë për media kritikoi qeverinë e cila sipas tij e ka targetuar në mënyrë tendencioze sistemin gjyqësor duke tentuar të cenojë pavarësinë e tij, derisa po fliste edhe për çështjen e të miturës u përballë me protestë nga aktivistë të shoqërisë civile.

Këta të fundit kanë thënë se Zogaj duhet të kërkojë falje sipas tyre për dështimin e gjykatësve në mbrojtjen e grave.

Zogaj ka thënë se në Kosovë çështja e cenimit të integritetit seksual është zinxhir dhe përgjegjësia bartet edhe te qendrat rehabilituese.

Ai i ka bërë thirrje qeverisë që të ketë në vëmendje nevojën e investimeve në këtë drejtim meqë sipas tij gjyqtarët për përballen me mungesë të ekspertizave profesionale, të cilat janë përgjegjësi e institucioneve të vendit.

Ka diçka që duhet thënë në mënyrë publike dhe të kuptohen qytetarët, ky rast nuk ka qenë asnjëherë në gjykatë, njëri nga 11 të pandehurit që ndodhet sot në gjykatë, pesë për rastin e parë dhe gjashtë në rastin e dytë, është e vërtetë që ka precedent penal dhe ka pasur disa vepra në gjykatë, ka edhe vendime që janë bërë publike sipas komunikatës së Gjykatës Themelore në Prishtinë. Në njërin prej vendimeve ka një dënim burgu, dhe kush mban përgjegjësinë për mungesën e rehabilitimit të këtij personi, a është Këshilli Gjyqësor ose sistemi gjyqësor për qendrën korrektuese”, ka thënë ai.

Aktivistja e shoqërisë civile, Liridona Sijarina, ka thënë se duhet të ketë përgjegjësi për rastet e dhunës seksuale të cilat po parashkruhen.

Nuk kemi kohë t’ju dëgjojmë për shkak se keni dështuar në shumicën e rasteve të dhunës seksuale dhe nuk keni të drejtë të flisni për këtë. SI akt moral ju duhet të kërkoni falje për të gjitha rastet e parashkruara. Ju nuk keni të drejtë të flisni për rastet e dhunës seksuale pa kërkuar falje dhe pa kërkuar përgjegjësi dhe pa i shkarkuar krejt gjyqtarët që ju kanë parashkruar rastet…Kjo është e pa tolerueshme dhe ofendim për krejt neve, për rrogat që ju i merrni, ju dilni dhe na tallni këtu. Ju duhet t’i shkarkoni gjyqtarët që kanë dështuar t’i mbrojnë gratë dhe asgjë më shumë”, ka thënë ajo.

Ndërsa sipas kreut të KGjK-së, parashkrimi i rasteve vjen si pasojë e mungesës së kapaciteteve me gjyqtarë.

A mjaftojnë 11 gjyqtarë në vendin tonë t’i gjykojnë 40% të këtyre çështjeve. Dhe kjo është përgjegjësi ekskluzive dhe ndërhyrje e drejtpërdrejt e qeverisë në sistemin gjyqësor. Në buxhetin e vitit 2022 vetëm nëntë pozita janë liruar për gjyqtarë dhe ato për gjykatën komerciale. Deri në momentin kur nuk kemi kapacitete të mjaftueshme me gjyqtarë, bashkëpunëtorë dhe staf tjetër profesional nënkuptoni që do të kemi parashkrime në sistemin gjyqësor”, ka thënë ai.

Konferenca e thirrur nga Zogaj u ndërpre për disa minuta si pasojë e protestës së aktivistëve, të cilët vazhduan në sheshet e Prishtinës me thirrjen për drejtësi.

Megjithatë, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës u kthye para mediave për të drejtuar disa kritika në drejtim të qeverisë, që sipas tij po tenton të cenojë pavarësinë e gjyqësorit.

Kjo konferencë e Këshillit Gjyqësor është organizuar duke pasur parasysh edhe diskutimet e fundit që po ndodhin nga ekzekutivi, i cili e ka targetuar sistemin gjyqësor në veçanti, e ka targetuar në mënyrë shumë tendencioze, të papranueshme duke tentuar të cenohet pavarësia e gjyqësorit”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka thënë se Ministria e Drejtësisë nuk ka zhvilluar aktivitete koordinuese pas opinionit të Venecias, lidhur me procesin e vettingut.

Konferenca e djeshme e ministres së Drejtësisë është konfirmim i dështimit të Ministrisë së Drejtësisë në procesin e vettingut. Ne jemi të bindur që askush nuk mund të dalë jashtë opinionit të Venecias. Asnjë koordinim dhe asnjë vlerësim nuk është bërë për asnjë prej alternativave lidhur me procesin e vettingut. Sot kemi një pako që në këndvështrimin e Këshillit nuk ka asnjë vlerë, që është dorëzuar në Kuvend”, ka thënë ai.

Ai gjithashtu ka thënë se ligjit për paga dhe ai për zyrtarë publikë tregojnë tendencën e qeverisë ndaj sistemit të drejtësisë.

Ligji për paga dhe ligji për zyrtarë publikë, tregon në mënyrën besoj më të mirë të mundshëm tendencën e qeverisë ndaj këtij sistemit gjyqësor. Merreni draft- ligjin për pagat dhe projektligjin për zyrtar publik dhe do të shihni në çfarë mase do të ndërhyhet në sistemin gjyqësor, ndërkohë që kemi të gjitha garancitë kushtetuese dhe të këshillit të gjyqtarëve evropianë që nuk mund të cenohet në asnjë mënyrë. Është në tërësi në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese pasi ne jemi sistem i pavarur për çdo pozitë, pa marrë parasysh duhet të marrë konfirmimin nga Ministria e Administratës Publike”, ka thënë Zogaj.

Zogaj ka thënë se Këshillit Gjyqësor i Kosovës është i vendosur për të mbrojtur pavarësinë e gjyqësorit.

Ndryshe, Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli Prokurorial janë përplasur rreth qasjes në statistikat e gjyqësorit. Ministria ka thënë se deri tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim i sistemit gjyqësor mbi mundësimin e qasjes së kësaj ministrie në statistikat e gjyqësorit.

Ministria e Drejtësisë ka thënë se asnjëherë nuk do të heshtë ndaj performancës së dobët të gjyqësorit.

Reagimi i MD-së vjen pasi Këshilli Prokurorial dhe Prokurori i Shtetit thanë se prononcimet publike të kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu për parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale në Prokurori, demantohen tërësisht nga raportet zyrtare të sistemit prokurorial.

Nga raportet e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, sipas të dhënave për veprat penale për rastet e dhunës seksuale nga viti 2017 deri në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, janë parashkruar katër raste, që ka pasur të bëjnë me dhunën seksuale.

Ndërsa, kryeministri Kurti dje në një konferencë tha se sipas të dhënave për rastet e dhunës seksuale, mbi 200 gjykatës kanë shqiptuar vetëm dënime me kusht, me gjobë ose kanë lejuar parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale.

Ai tha se mbi 85% e këtyre rasteve, viktimat ishin vajza të mitura dhe rreth 140 prokurorë kanë lejuar parashkrimin e lëndëve për këto raste. Më tej, ai tha se 70% të prokurorëve kanë lejuar parashkrimin e lëndëve për këto raste.

Kurti tha se nëse kryerësi ka qenë i dënuar për vepra penale dhe ndërkohë gjendet i lirë, atëherë kjo dëshmon dështimin e zinxhirit institucional. Për këtë arsye, sipas tij, vettingu është alternativa e vetme për sistemin gjyqësor e prokurorial.

Lajmet

REL: Kosova përballë një prove politike: kompromis apo krizë e re?

Published

on

By

Kosova duket se po rrëshqet sërish drejt zgjedhjeve të parakohshme – jo si rezultat i një domosdoshmërie demokratike, por si pasojë e një dështimi të vazhdueshëm politik për të ndërtuar konsensus dhe për të funksionalizuar institucionet.

Edhe pse procesi mbetet teknikisht i pezulluar nga Gjykata Kushtetuese, sinjalet politike janë të qarta: vendi po hyn në një tjetër cikël zgjedhor që rrezikon të prodhojë të njëjtin rezultat – bllokadë.

Analistët paralajmërojnë se, pavarësisht vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, zgjedhjet e reja janë pothuajse të pashmangshme.

“Të gjitha indikacionet tregojnë që, pas përfundimit të afateve kushtetuese – cilatdo qofshin ato – Kosovën e pret një proces i ri zgjedhor”, thotë analisti Artan Muhaxhiri.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme deri më 31 mars, duke pezulluar efektet e dekretit të presidentes.

Kjo nënkupton që, deri atëherë, nuk mund të shpallet data e zgjedhjeve të reja, por as të vazhdohet seanca për zgjedhjen e presidentit, e nisur më 5 mars.

Kërkesa për vlerësim të kushtetutshmërisë së dekretit të Osmanit u dorëzua nga Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, me argumentin se procesi për zgjedhjen e presidentit ka një afat 60-ditor për t’u përmbyllur.

Një rrugë e trasuar drejt zgjedhjeve

Sipas Donika Eminit, nga Grupi Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë – BiEPAG, edhe nëse Gjykata vendos në favor të interpretimit të afatit 60-ditor, realiteti politik mbetet i pandryshuar: mungesa e konsensusit e ka bërë zgjedhjen e presidentit pothuajse të pamundur.

“Aktualisht, nuk ka asnjë sinjal për konsensus ndërmjet partive politike për zgjedhjen e presidentit”, thekson ajo për Radion Evropa e Lirë.

Mandati i Osmanit skadon në më pak se dy javë.

Zgjedhja e presidentit në Kosovë bëhet nga Kuvendi dhe kërkon shumicë të kualifikuar votash – gjë që e bën procesin të varur nga kompromisi ndërpartiak. Në rast të dështimit, vendi shkon në zgjedhje.

Disa parti politike po e trajtojnë tashmë skenarin e zgjedhjeve si të kryer.

Kryeministri Albin Kurti shprehet skeptik se zgjedhjet do të sjellin ndryshim real, duke paralajmëruar një “vazhdim të agonisë legjislative dhe institucionale”.

Në anën tjetër, opozita e sheh përgjegjësinë pikërisht te pushteti.

Sipas kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, mungesa e vullnetit nga shumica parlamentare, po e shtyn vendin drejt zgjedhjeve, në një kohë kur, sipas tij, “Kosova ka nevojë për stabilitet, përgjegjësi dhe zhvillim”.

Gjatë një paraqitje në televizionin Klan Kosova, ditë më parë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se partitë politike kanë nisur “ngërçin e ri institucional”.

“Në rrethanat e tanishme, të sigurta janë zgjedhjet e reja. Të sigurta”, tha ai.

E, më pesimist u shpreh Ardian Gjini i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili paralajmëroi mundësinë e dy palë zgjedhjeve brenda vitit, nëse edhe pas zgjedhjeve të reja nuk arrihet marrëveshje për presidentin.

“Ushtruesi i detyrës mund të qëndrojë vetëm gjashtë muaj, që nënkupton afatin deri më 5 tetor. Nëse deri atëherë nuk kemi as president dhe as qeveri, vendi nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveçse të shkojë në zgjedhje”, theksoi Gjini për mediat në Kosovë.

Në këto rrethana, pyetja thelbësore që mbetet, është: çfarë kuptimi kanë zgjedhjet?

Zgjedhje pa ndryshim?

Sipas Eminit, përvoja e viteve të fundit tregon se ciklet e përsëritura zgjedhore nuk kanë sjellë ndryshim substancial në funksionimin e skenës politike.

Edhe zgjedhjet e fundit – të mbajtura më 28 dhjetor, rreth 10 muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 – konfirmuan dominimin e Lëvizjes Vetëvendosje, pa garantuar një kapacitet real për konsensus institucional.

“Zgjedhjet e reja ka shumë gjasa të japin rezultate të ngjashme me ato të mëparshmet. Mund të ketë vetëm lëvizje të vogla në përqindjen që mund të fitojnë partitë politike”, thotë ajo.

Një faktor potencialisht i ri mund të jetë rikthimi eventual i Vjosa Osmanit në skenën partiake, por edhe kjo, sipas Eminit, do të sillte një rikonfigurim të pjesshëm, e jo transformim thelbësor të skenës politike.

Sipas saj, problemi nuk qëndron te vota, por te mungesa e kulturës së kompromisit.

“Nëse situata vazhdon në këtë drejtim, hapësira ku qytetarët përfitojnë nga sistemi politik, mbetet shumë e kufizuar. Kjo mbetet ndoshta pasoja më shqetësuese e gjithë krizës aktuale”, thotë Emini.

Rreziku i një cikli të pafund krizash

Të dy analistët paralajmërojnë se Kosova po hyn në një rreth vicioz, ku zgjedhjet nuk zgjidhin krizën, por e riciklojnë atë.

Muhaxhiri vlerëson se, në teori, do të ishte logjike një rënie e mbështetjes për Lëvizjen Vetëvendosje, për shkak të mungesës së bashkëpunimit politik, por përvoja e fundit tregon të kundërtën.

“Nuk pres ndryshim të madh. Kështu u mendua edhe vitin e kaluar – dhe ja ku jemi sot”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, ndryshimi i vetëm real do të vinte nga një reagim ndëshkues i elektoratit – një “votim transformues” që do t’i jepte fund “çoroditjes politike”.

“Përndryshe, rrethi vicioz do të vazhdojë patrazueshëm”, thotë ai.

Pasojat nuk janë vetëm të brendshme.

Një krizë e vazhdueshme institucionale, paralajmëron Muhaxhiri, rrezikon ta largojë Kosovën edhe nga agjendat integruese të Bashkimit Evropian dhe t’i demotivojë aleatët ndërkombëtarë.

“Zmbrapsja nga projektet evropiane e zvogëlon rëndësinë gjeopolitike të Kosovës dhe e nxjerr atë nga radari i bashkëpunimit”, thekson ai.

Çfarë do të duhej të bënin partitë politike?

“Në një skenar ideal, zgjedhjet e reja do të duhej të shmangeshin”, thotë Emini, duke theksuar se ende ekziston një dritare për kompromis, por vetëm nëse ka angazhim serioz për tejkalimin e ngërçit.

E, nëse vendi shkon në zgjedhje, ato do të kenë kuptim vetëm nëse shoqërohen me një ndryshim të qasjes politike, sipas saj.

“Partitë duhet të hyjnë në procesin zgjedhor me një qëllim të qartë: të punojnë për interesin afatgjatë të vendit, jo për dominim politik apo përfitime të ngushta. Kjo nënkupton gatishmëri për dialog, negociata mbi baza programore dhe fokus në nevojat reale të qytetarëve”, thotë Emini.

Në të njëjtën linjë skeptike është edhe analisti Artan Muhaxhiri, i cili nuk pret ndryshim të qasjes nga Lëvizja Vetëvendosje, por as një alternativë të qartë nga opozita.

Sipas tij, as PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja nuk kanë dëshmuar deri më tani se posedojnë një strategji bindëse për ta sfiduar dominimin politik të Vetëvendosjes.

“Nëse partitë opozitare arrijnë të rrisin mbështetjen dhe të sigurojnë shumicën prej 61 deputetësh, atëherë përgjegjësia minimale politike do të ishte harmonizimi i qëndrimeve dhe bashkëqeverisja në përputhje me fuqinë elektorale”, thekson Muhaxhiri, ndonëse nuk beson se një skenar i tillë është i arritshëm.

Sipas tij, ndalja e ciklit të krizave të njëpasnjëshme institucionale mbetet alternativa e vetme racionale – dhe një detyrim i drejtpërdrejtë për klasën politike.

“Në të kundërtën, çdo opsion tjetër përbën investim në gërryerjen e shtetit dhe përshpejtim të rrugës drejt pashtetësisë”, përfundon ai. /REL/

Continue Reading

Lajmet

Shiten të gjitha biletat për ndeshjen e 31 marsit

Published

on

By

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar përmes faqes zyrtare se janë shitur tashmë të gjitha biletat për ndeshjen e radhës që do të luhet më 31 mars.

Megjithëse kundërshtari dhe rëndësia e vërtetë e këtij takimi do të përcaktohen vetëm pas sfidës së kësaj të enjteje kundër Sllovakisë, tifozët kanë treguar një interesim të jashtëzakonshëm duke zbrazur sportelet virtuale.

Biletat u shitën me çmime që varionin nga 10 deri në 30 euro, ndërsa për zonën VIP çmimi i një bilete arriti në 100 euro.

Ky entuziazëm i madh lidhet drejtpërdrejt me rrugëtimin e Kosovës drejt ëndrrës botërore.

Nëse ekipi ynë arrin të shënojë fitore në Bratislavë ndaj Sllovakisë, atëherë data 31 mars do të shënojë finalen e madhe të plejofit për kualifikim në Botëror, ku kundërshtar i mundshëm do të jetë Turqia ose Rumania.

Në rast të një rezultati negativ të enjten, kjo ndeshje do të marrë karakter miqësor, por kjo nuk i ka ndaluar aspak mbështetësit besnikë që të sigurojnë praninë e tyre në shkallët e stadiumit për të përkrahur përfaqësuesen në çdo skenar.

 

Continue Reading

Lajmet

Kosova U19 nis kualifikimet për Euro 2027 me barazim ndaj Armenisë

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës U19 ka ndarë pikët me Armeninë në ndeshjen hapëse të Grupit 2 (Liga B), të vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2027.

Ndeshja e zhvilluar në Turqi përfundoi me rezultatin 1-1.

Të përzgjedhurit e Albert Bunjakut kaluan të parët në avantazh në minutën e 19-të përmes Lorik Mehmetit, por pavarësisht dominimit në pjesën e parë, nuk arritën ta gjenin golin e dytë për të siguruar fitoren.

 

 

Continue Reading

Lajmet

REL: Presidentja i kërkon sqarim Kushtetueses për emërimin e anëtarëve të KQZ-së

Published

on

By

Presidentja Vjosa Osmani i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës sqarime lidhur me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke thënë se partitë parlamentare kanë propozuar më shumë kandidatë seç parashikohet me Kushtetutën e vendit.

Osmani, të cilës i mbaron mandati më 4 prill, nuk i ka emëruar ende anëtarët e rinj të KQZ-së, pavarësisht se afati ligjor po kalon, paralajmërojnë ekspertët.

Kabineti i Osmanit i tha Radios Evropa e Lirë të martën se ajo do t’i emërojë ata “sapo të marrë përgjigje” nga Kushtetuesja.

“Në rrethanat aktuale janë bërë më shumë propozime nga grupet parlamentare sesa që parashikohet me Kushtetutë, prandaj duhet ta sqarojë këtë çështje Gjykata para se të vijohet tutje”, thuhet në përgjigje.

Kabineti nuk deshi të tregojë se cilat parti kanë bërë më shumë propozime seç lejohet.

Si emërohen anëtarët e KQZ-së?

KQZ-ja është një organ i përhershëm i pavarur dhe është përgjegjës për organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve në Kosovë. Komisioni përbëhet nga 11 anëtarë, pra kryetari dhe 10 anëtarë të tjerë.

Sipas Kushtetutës, gjashtë anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare shqiptare, ndërsa një anëtar emërohet nga deputetët të cilët mbajnë vende e garantuara për komunitetin Serb, dhe tre anëtarë nga deputetët të cilët mbajnë vende të garantuara për komunitetet e tjera joshumicë.

Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë, sipas Kushtetutës.

Derisa kabineti i presidentes nuk tregoi se kush sa kandidatë ia ka propozuar asaj, raportohet se partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, i ka propozuar tre.

Partia kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha për REL-in se i ka propozuar dy kandidatë, ndërsa partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), tha se e ka propozuar një kandidat.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se partia e Kurtit nuk mund t’i propozojë më shumë se dy kandidatë.

“Tash, sa i përket përbërjes së KQZ-së, modeli që aplikon Kosova është strikt, e jo proporcional, që nënkupton se grupet parlamentare me të drejtë përfaqësimi propozojnë nga një anëtar, pavarësisht fuqisë politike apo numrit të deputetëve. Edhe në situata kur numri i grupeve parlamentare është më i vogël, nuk kalohet në ndarje proporcionale, sepse formula mbetet e njëjtë dhe duhet të zbatohet në mënyrë konsistente”, shkroi Cakolli në Facebook ditë më parë.

Sipas tij, bazuar në përbërjen e tanishme të Kuvendit të Kosovës, “ndarja është e qartë: LVV duhet t’i ketë dy anëtarë, PDK-ja gjithashtu dy, ndërsa LDK dhe AAK nga një anëtar”.

Ai përmendi edhe rastet e mëparshme kur Gjykata Kushtetuese ka sqaruar këtë çështje, duke thënë se në secilën prej dy rasteve për situata shumë të ngjashme, ajo ka konfirmuar zbatimin e modelit të rreptë të përfaqësimit në përbërjen e KQZ-së.

“Madje, rasti i vitit 2021 është veçanërisht ilustrues, kur LVV kishte mbi 50% të votave, por kishte të drejtë propozimi vetëm për dy anëtarë”, shtoi ai.

Osmani u kishte kërkuar partive parlamentare më 9 mars t’i propozonin kandidatët për anëtarë të KQZ-së.

Ato kishin kohë deri më 16 mars që t’i përgjigjen kërkesës së saj, duke i dhënë presidentes pesë ditë kohë për t’i emëruar apo jo të propozuarit.

Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, emërimi i anëtarëve të KQZ-së duhet të bëhet jo më vonë se 60 ditë pas certifikimit të rezultateve.

Rezultatet e zgjedhjeve të dhjetorit u certifikuan më 9 shkurt.

Në fillim të muajit, koalicioni i organizatave që monitoron procesin zgjedhor në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV), i kishte bërë thirrje presidentes të përshpejtojë me emërimin e anëtarëve të rinj brenda afatit ligjor. /REL/

 

Continue Reading

Të kërkuara