Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) i është kundërpërgjigjur kërkesës së mbrojtjes së Rexhep Selimit lidhur me vendosjen e disa masave gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve të mbrojtjes. ZPS-ja ka kërkuar që kërkesa të refuzohet.
Selimi kishte kërkuar që Prokuroria të kufizohet në marrjen në pyetje kundërshtuese vetëm në çështje që janë trajtuar në mënyrë të konsiderueshme gjatë paraqitjes së çështjes së saj, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndërsa, Prokuroria në parashtresën e saj të dorëzuar më 28 korrik 2025, kishte thënë se kjo do anashkalonte pa nevojë procedurat që e rregullojnë këtë gjykim dhe si e tillë duhet të refuzohet në tërësi. Tha se kërkesa e Selimit injoron qartë rregulloren që ka të bëjë me marrjen në pyetje kundërshtuese.
Veç kësaj, ata thonë se Rregulla 143 (3) ua lejon palëve që të bëjnë pyetje që shqyrtojnë çështje që kanë dalë gjatë pyetjeve kryesore, por edhe pyetje mbi çështje që janë të rëndësishme mbi rastin e secilës nga palët.
Sipas Prokurorisë, kjo ishte konstatuar edhe në gjykimin ndaj Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit, që lejohet marrja në pyetje kundërshtuese mbi çështje që janë të rëndësishme për rastin e palës që merr në pyetje kundërshtuese, duke përfshirë edhe ZPS-në.
Prokuroria thotë se palëve ashtu edhe atyre u jepet diskrecion i gjerë për t’i “treguar dëshmitarit çdo dokument apo provë tjetër në përputhje me Rregullat” duke përfshirë këtu edhe dokumente që nuk janë përdorur më herët gjatë marrjes në pyetje. Pra, Prokuroria pretendon se mund të përdoren dokumente që kanë rendësi për rastin e saj dhe jo vetëm për çështje që bien në fushëveprimin e pyetjeve kryesore.
Një urdhër siç ka kërkuar Selimi për provat e reja, Prokuroria pretendon se do të ndikonte negativisht mbi drejtësinë, shpejtësinë dhe efikasitetin e procedurave. Sipas tyre, kufizimi i fushëveprimit në marrjen në pyetje kundërshtuese, trupi gjykues do të përballej me kërkesa për të rikthyer dëshmitarë të mëparshëm në sallën e gjyqit për t’i kundërshtuar çështjet që janë përjashtuar.
Prokuroria thotë që mbrojtja e Selimit po kërkon të ndalohet që ata të nxjerrin prova gjatë marrjes në pyetje kundërshtuese që mund të lidhen me aktet dhe sjelljen e tij, pavarësisht nëse ato prova janë të rëndësishme ose jo.
“Ky ndalim i përgjithshëm nuk është i justifikuar dhe duhet të refuzohet tërësisht, pasi (i) ka të bëjë me çështje hipotetike që kërkojnë kontekst për t’u gjykuar, (ii) nuk është i nevojshëm në dritën e masave të gjera mbrojtëse brenda kuadrit aktual procedural, dhe (iii) bie ndesh me natyrën e marrjes në pyetje të dëshmitarëve dhe me qëllimin e gjetjes së të vërtetës”, thuhet në parashtrimin e Prokurorisë.
Po ashtu, ZPS-ja thotë se çdo kërkesë për ndryshimin e paragrafit 112 të urdhrit mbi zhvillimin e procedurës është i panevojshëm, pasi tashmë ky paragraf ofron mundësi të mjaftueshme për një palë që të kërkojë leje për të rifilluar marrjen në pyetje kundërshtuese.