Lajmet

​Vetëm 4 shtretër të lirë në Mjekimin Intensiv, gjendja e pacientëve shumë e rëndë

Published

on

Vetëm edhe 4 shtretër kanë mbetur të zbrazët në Mjekimin Intensiv Qendror në Qendrën Kliniken Universitare të Kosovës (QKUK), pasi që në 21 shtretërit tjerë janë të vendosur pacientë me gjendje shëndetësore shumë të rënduar si pasojë e infektimit me COVID-19. Prej këtyre pacientëve 8 persona janë të intubuar, 10 janë me maskë CPAP e 3 me maskë të thjeshtë të oksigjenit.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress anesteziologu në Mjekimin Intensiv Qendror, Mentor Alimusa i cili thotë se në valën e fundit të COVID-19 e deri tani janë trajtuar 45 pacientë.

Alimusa thekson se krahas 17 shtretërve tek njësia MIQ për trajtim të pacientëve me COVID janë shtuar edhe 9 shtretër të Klinikës ORL.

“Derisa ne po flasim në Mjekimin Intensiv Qendror COVID janë të pranishëm 21 pacientë, prej tyre 8 janë të intubuar, 10 janë me maskë CPAP, ndërsa 3 janë me maskë të thjeshtë të oksigjenit. Gjendja e pacientëve në Mjekimin Intensiv vetë fjala intensiv nënkupton se janë pacientë më të rëndë në raport me të tjerët dhe janë pacientët më të rëndë që sillen nga e gjithë Kosova e kanë si qendër referent Mjekimin Intensiv Qendror. Gjendja e pacientëve me të vërtetë është e rënduar[…]Me rritjen e numrit të rasteve me COVID strukturat e ShSKUK-së dhe MIQ janë mobilizuar dhe shumë shpejtë kanë arritur t’i përgatisin 26 shtretër. 17 shtretër janë në Mjekimin Intensiv të vjetër që ka qenë me herët kur i kemi përgatitur ku mund të kyçen të gjithë respiratorët dhe 9 raste të tjera janë të njësisë ORL e cila është e bashkangjitur me Mjekimin Intensiv COVID, që në total janë 26 shtretër me mundësi të kyçjes dhe respiratorëve”, theksoi Alimusa.

Alimusa në një intervistë për KosovaPress thotë se për dallim nga variantet tjerë në këtë klinik tashmë po kërkojnë trajtim spitalor pacientë të moshave të mesme duke filluar nga 40 vjeç e tutje.

Sipas anesteziologut, Alimusa është shqetësuese se aktualisht pacientët e shtrirë në Mjekimin Intensiv Qendror kanë më pak sëmundje shoqëruese, krahasuar me pacientët e varianteve të tjera të koronavirusit.

“Tek varianti Delta kemi një dallim prej varianteve të mëhershme ku në këtë rast si moshë më e shpesh në Mjekimin Intensiv është mosha prej 40 deri në 60 vjeçare, përjashto rastet ku nga Klinika e Gjinekologjisë ku kemi transferuar disa raste që kanë qenë shtatzëna që kanë qenë në mosha më të reja se sa ato 40-vjeçare. Tek ky variant meqenëse edhe mosha është më e re sëmundjet shoqëruese janë më të pakta në raport me herën e kaluar disa prej tyre shoqërohen me hipertension, diabet janë dy sëmundjet më të shpeshta që i shoqërojnë këto raste”, theksoi Alimusa.

Në Mjekimin Intensiv Qendror nga gjithë pacientë e shtrirë vetëm dy pacientë kanë qenë të vaksinuar, njëri ishte e vaksinuar vetëm me dozën e parë, ndërsa aktualisht në këtë klinik është i shtrirë një pacientë që është imunizuar me dy dozat e vaksinës.

Sipas doktorë Mentor Alimusa, gjendja e këtyre pacientëve të vaksinuar ka qenë më stabile.

“Në Mjekimin Intensiv deri më tani të gjithë pacientët që kanë qenë të shtrirë në Mjekimin Intensiv prej hapjes e deri më tani 1 paciente ka qenë me një dozë vaksine, dhe tani për momentin kemi 1 pacientë i cili është me dy doza AstraZeneca, por gjendja e këtij pacienti është më e qetë në raport me pacientët tjerë, të gjithë pacientët tjerë të cilët kanë qenë të shtrirë në Mjekimin Intensiv Qendror kanë qenë të pavaksinuar”, theksoi anesteziologu i Mjekimit Intensiv Qendror.

Oksigjeni është terapi kryesore kryesisht për pacientët e shtrirë tek Mjekimi Intensiv, prandaj nga kjo Klinik thonë se gjendja me furnizim është stabile.

“24 orë monitorohet presioni i oksigjenit dhe deri më tani në këtë moment që po flasim nuk kemi pasur ndonjë problem të tillë. Në Mjekimin Intensiv Qendror jemi të furnizuar me të gjitha medikamentet të cilat ne i ordinojmë gjatë trajtimit të pacientëve duke filluar prej oksigjenimit është i rregullt, respiratorët po ashtu monitorimi”, theksoi Alimusa.

Situata pandemike me COVID-19 në vend vazhdon të jetë e rënduar, vetëm në 24 orët e fundit si pasojë e infektimit me këtë virus kanë vdekur 22 qytetar. Ndërsa, 1894 persona kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.

Rajoni

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, nderohet me titullin e lartë “Doctor Honoris Causa” në Tiranë

Published

on

Në një ceremoni solemne të mbajtur në Tiranë, Rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, iu akordua titulli i lartë “Doctor Honoris Causa”, një vlerësim i rëndësishëm që nderon kontributin e tij shkencor, profesional dhe shoqëror brenda dhe jashtë vendit.

Titulli u miratua dhe u akordua nga Universiteti Kombëtar Kapodistrian, një nga institucionet më të vjetra të arsimit të lartë në Evropën Juglindore, në bashkëpunim me Misionin Diplomatik për Siguri, Paqe dhe Filantropi (U.D.M.P) me seli në Bruksel.

Gjatë fjalës së tij, Rektori Hajrizi shprehu mirënjohje të veçantë për këtë vlerësim, duke e cilësuar atë si një motiv shtesë për të vazhduar misionin akademik dhe human.

“Është një nder i veçantë për mua që ky titull i lartë më jepet, dhe e marr këtë vlerësim si një përgjegjësi të madhe për të vazhduar me përkushtim punën për arsimin, inovacionin dhe shërbimin ndaj shoqërisë. Ky çmim merr edhe më shumë kuptim duke ardhur në muajin e festave të nëntorit, muaj që lidhet me krenarinë dhe identitetin tonë kombëtar. Me këtë motivim, do të vazhdoj të promovoj prosperitet, zhvillim të qëndrueshëm dhe vlera ndërkombëtare që na lidhin me botën demokratike”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Në motivacionin zyrtar të çmimit theksohet se titulli i jepet: “Për kontributin juridik, ekonomik dhe në të drejtat e njeriut në shërbim të njerëzve në nevojë dhe të gjithë njerëzimit në mbarë botën”.

Ky vlerësim prestigjioz vjen si njohje për angazhimin e vazhdueshëm të Prof. Dr. Hajrizi në fushat e arsimit, inovacionit, sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe fuqizimit të komuniteteve.

Continue Reading

Aktualitet

Sonte në UBT TV: Podcast me Profesorin Ibush Luzha

Published

on

Sonte në UBT TV, nga ora 20:00, vjen një episod i veçantë i podcastit me profesorin dhe ekspertin e teknologjisë inorganike, Prof. Ibush Luzha, një nga njohësit më të thellë të fushës së mjedisit, ndotjes dhe menaxhimit të cilësisë në Kosovë.

Në këtë podcast, Profesori Luzha sjell një qasje shkencore dhe profesionale mbi zhvillimin industrial dhe sfidat mjedisore të vendit tonë. Ai flet për rëndësinë e teknologjisë inorganike, ndikimin e saj në industri dhe në mbrojtjen e mjedisit, si dhe për arsyet që e shtynë t’i përkushtohet kërkimit shkencor në ndotjen e ujit dhe ajrit.

Diskutimi hapet me çështje thelbësore si:

  • Gjendja e ujërave sipërfaqësore në Kosovë, duke u bazuar në hulumtime dhe matje të detajuara.
  • Ndikimi i ujërave industriale në lumenjtë tanë, dhe çfarë tregojnë analizat viteve të fundit.
  • Masat që duhet të ndërmarrin komunat dhe industria për të ulur ndotjen e ujit dhe përmirësuar menaxhimin mjedisor.
  • Rëndësia e arsimit universitar për ndërgjegjësimin e studentëve mbi teknologjitë e pastra dhe ruajtjen e mjedisit.
  • Kontributi i UBT-së në formimin e kuadrove profesionale për mjedis, cilësi dhe teknologji të qëndrueshme.

Continue Reading

Lajmet

​UEFA cakton gjyqtarët e ndeshjes Slloveni – Kosovë

Published

on

UEFA ka deleguar një ekip elitar gjyqtarësh nga Franca për ndeshjen kualifikuese të Kupës së Botës mes Sllovenisë dhe Kosovës, që zhvillohet të shtunën në stadiumin “Stozice”.

Clement Turpin, një nga arbitrat më me përvojë në arenën evropiane, do të drejtojë këtë përballje tejet të rëndësishme për të dyja ekipet. Atij do t’i asistojnë Nicolas Danos dhe Benjamin Pages, ndërsa gjyqtare e katërt do të jetë Stéphanie Frappart.

Sistemi VAR do të menaxhohet nga Jerome Brisard dhe Jeremie Pignard.

Kosova udhëton në Lubjanë me objektivin për të siguruar të paktën një pikë, rezultat i cili do t’i mjaftonte për t’u kualifikuar në fazën “play-off” të Botërorit 2026.

Në anën tjetër, Sllovenia ka nevojë patjetër për fitore për të mbajtur gjallë shanset për pozitën e dytë në grup.

Ndeshja nis të shtunën në orën 20:45./S.K/KP/

Continue Reading

Vendi

OSHP konfirmon shkeljet për kontratën “Shërbime me ushqim për nevojat e Policisë së Kosovës”

Published

on

Organizata INPO ka monitoruar procedurën e tenderimit për kontratën “Shërbime me ushqim (furnizim, përgatitje dhe servim) për nevojat e Policisë së Kosovës”, me vlerë të parashikuar 2.7 milionë euro, dhe ka identifikuar një varg shkeljesh ligjore serioze dhe manovrimesh teknike që dëmtojnë konkurrencën, barazinë dhe integritetin e prokurimit publik.

Gjatë gjithë procesit, INPO ka zhvilluar komunikim të drejtpërdrejtë me Policinë e Kosovës, duke e informuar me prova dhe argumente konkrete për shkeljet në dosjen e tenderit.

“Në kopje të këtij komunikimi ka qenë edhe Ministria e Punëve të Brendshme dhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit. Pavarësisht këtij komunikimi profesional dhe institucional, Policia e Kosovës i ka mohuar të gjitha gjetjet, nuk ka pranuar asnjë problematikë dhe nuk ka shprehur asnjë gatishmëri për korrigjim apo rishikim të procedurës. Kjo qasje përbën refuzim të hapur për të adresuar gabimet dhe për të garantuar një proces të drejtë, transparent dhe ligjor. Ndërkohë, gjatë monitorimit, një operator ekonomik ka deponuar ankesë në OSHP për dy çështje, afatin e tenderimit dhe kriteret e kapaciteteve teknike e financiare. INPO, në respekt të pavarësisë së OShP-së, ka vendosur të mos publikojë gjetjet e saj derisa lënda të shqyrtohej, për të mos ndikuar në vendimmarrje apo për të mos krijuar pritshmëri publike. Megjithatë, vendimi Nr.2025-0984 i OShP-së ka konfirmuar se Policia e Kosovës ka vepruar në kundërshtim me ligjin, duke anuluar njoftimin për kontratë dhe duke i kërkuar Policisë së Kosovës korrigjimin e procedurës dhe zgjatjen e afatit të tenderimit. Ky vendim e vërteton se së paku një pjesë e gjetjeve të INPO-s kanë qenë plotësisht të bazuara dhe të drejta, të cilat Policia e Kosovës i kishte mohuar në tërësi”, thuhet në komunikatë.

Përkundër kësaj, pas vendimit të OShP-së, Policia e Kosovës ka bërë vetëm disa korrigjime minimale dhe formale, me ç’rast ka ulur kërkesat për kapacitet teknik e financiar dhe ka zgjatur afatin e tenderimit por asnjë nga gjetjet e tjera të ngritura nga INPO nuk janë adresuar.

“Dosja e tenderit mbetet e pandryshuar në pjesët më problematike dhe thelbësore, duke përfshirë: keqklasifikimin e kontratës si “shërbime”, edhe pse mbi 70% e objektit janë furnizime ushqimore; peshimin e pikëve që krijon mundësi reale për manipulim me çmime dhe favorizim teknik; zhvendosjen artificiale të artikujve midis grupeve, që ndryshon peshët dhe vlerat financiare; intervalet e gjera në specifikimet teknike që lejojnë produkte me cilësi të ulët; uljen dramatike të vlerës së kontratës pa arsyetim të qartë dhe profesional. Këto elemente e bëjnë tenderin të pambrojtur, të pasigurt dhe të paorientuar drejt cilësisë, duke e ekspozuar Policinë e Kosovës ndaj rrezikut të furnizimeve të dobëta dhe buxhetin e shtetit ndaj kostove të fryera. Duke qenë se OShP-ja tashmë ka vërtetuar shkelje ligjore, refuzimi i Policisë së Kosovës për të pranuar ose adresuar gjetjet e INPO-s është i pajustifikueshëm dhe bie ndesh me standardet e përgjegjësisë institucionale. Kësisoj, INPO vlerëson se tenderi aktual nuk është në përputhje me Ligjin për Prokurim Publik dhe kërkon rishikimin e plotë të dosjes, jo vetëm korrigjime sipërfaqësore të disa kritereve. Vetëm një rishikim i thellë, profesional dhe i paanshëm mund të garantojë konkurrencë të ndershme, parandalim të manipulimeve dhe përdorim korrekt të parasë publike. Në këtë drejtim, INPO i bën thirrje institucioneve mbikëqyrëse, si Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) dhe Prokurorit të Shtetit, që të ushtrojnë mandatin e tyre ligjor dhe të mbikëqyrin me kujdes këtë proces, duke ndërmarrë masat e nevojshme në bazë të autorizimeve të tyre”, thuhet në njoftim.

Shkeljet e evidentuara nuk janë vetëm çështje administrative por ato prekin thelbin e integritetit të prokurimit publik, garantimin e konkurrencës, përdorimin e parasë publike dhe sigurinë ushqimore për një nga institucionet më të rëndësishme të vendit.

INPO pret që organet mbikëqyrëse dhe ato të zbatimit të ligjit të mos qëndrojnë indiferente dhe të veprojnë në përputhje me përgjegjësitë e tyre./S.K/KP/

Continue Reading

Të kërkuara