Lajmet

​Vërshimet, sot situata më e qetë në Pejë

“Kemi dëme edhe në ura dhe infrastrukturë, te kanalet e hapura që nuk kanë qenë të trajtuara”, tha Krasniqi.

Published

on

Për dallim nga dje në Pejë situata është më e qetë dhe ka rënie të nivelit të ujit në lumin Lumbardh.

Në këtë komunë kryesisht janë evidentuar dëme materiale për të cilët tashmë komuna e Pejës ka themeluar një Komision për vlerësim të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e djeshme.

Udhëheqësi i sektorit për siguri dhe emergjenca në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Pejë, Gani Krasniqi tha se falë investimeve që janë bërë në infrastrukturë qyteti i Pejës ka shpëtuar nga përmbytje më të mëdha. Ai tha se janë bërë dhjetëra intervenime në disa shtëpi pasi ka pasur vërshime të bodrumeve dhe oborreve, por për evakuime fatmirësisht nuk ka pasur nevojë.

“Investimet e duhura në vitet paraprake, sikur të mos kishin qenë ato, ne do të kishim një situatë tepër të keqe për dëmet që do të kishin ndodhur në komunën e Pejës. Prandaj falë investimeve që ka bërë komuna për parandalim sidomos në Lumin e Bardhë… Përkeqësimi i motit dhe reshjet e bëjnë të veten kemi pasur intervenime në dhjetëra familje, shërbimi i zjarrfikësve ka qenë i vazhdueshëm dhe dëmet kanë qenë të konsiderueshme për arsye se shumica e qytetarëve kanë pësuar duke iu futur uji brenda në bodrumet, pronat e tyre dhe shtëpitë e banimit… Kemi dëme edhe në ura dhe infrastrukturë, te kanalet e hapura që nuk kanë qenë të trajtuara ka pasur dëme sipërfaqësore dhe dëme që janë pritur për një situatë të tillë”, tha ai.

Krasniqi tha se tani situata është më e qetë, por kërkon me shumë kujdes nga banorët që të mos hedhin mbeturina në hapësira të rrjedhës së lumit.

“Situata është e qetë. Për shkak të pakujdesisë së qytetarëve për shkak të hedhjes së mbeturinave në vende jo të duhura, vijmë te situata të tilla emergjente… Aktualisht të rrezikuar janë shumë pjesë të qytetit, por ato që frekuentojnë zonat e lumit Drini i Bardh dhe zona e “Asllan Çeshmes”, “Xhemajl Kadës” kemi edhe vendbanime rurale që kemi pasur dëme… Nuk ka qenë e nevojshme. Disa evakuime janë bërë kur qytetarët vetvetiu e kanë parë rrezikun me gjithë dëmtimin në pronat e tyre, por evakuime serioze nuk ka pasur”, theksoi ai.

Se, situata sot është me e qetë në komunën e Pejës sa i takon ujërave e tha edhe zëdhënësi i Komunës, Faik Zekaj i cili u shpreh se ka rënie të nivelit të ujit në Lumëbardh. Zekaj tha se ka dëme materiale për të cilat tashmë është krijuar edhe një komision për vlerësimin e dëmeve.

“Rrjedha e lumit është qetësuar. Ka rënie të ujit në lumë… Për momentin sot është e qetë për shkak se janë ndalur edhe reshjet atmosferike. Gjatë ditës së djeshme kemi dalë në terren me tri ekipe… Gjendja ka qenë e rrezikuar për vërshime me disa përjashtime të dy-tri shtëpive dhe pjesa tjetër që ka marrë livadhe ose oborre të shtëpive, por nuk ka pasur dëme të shtëpive apo në njerëz që është kryesorja… Kryetari ka formuar një komision për vlerësimin e dëmeve dhe pastaj situatën do ta kemi më të saktë të vlerësimit të dëmeve”, tha ai.

Vendi

Dështon zgjedhja e presidentit, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme

Published

on

By

Qytetarët e Kosovës pritet t’u drejtohen sërish kutive të votimit, për herë të pestë brenda 16 muajve të fundit, nëse përfshihen edhe dy rundet e zgjedhjeve lokale.

Të martën, në ditën e fundit të afatit kushtetues, partitë e përfaqësuara në Kuvend nuk arritën të zgjedhin presidentin. Si pasojë, bazuar në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve.

Gjatë së martës u bënë katër tentativa për zgjedhjen e presidentit. Përpjekja e parë nisi në orën 10:00 si vazhdim i seancës së një dite më parë, ndërsa seancat vijuan në orët 14:30, 19:30 dhe në fund në 23:00. Megjithatë, në asnjërën prej tyre nuk u sigurua kuorumi i nevojshëm për të proceduar me votim.

Deputetët e koalicionit qeverisës, të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, ishin të pranishëm në sallë, ndryshe nga ata të opozitës. Këta të fundit kishin paralajmëruar paraprakisht se nuk do të merrnin pjesë në votim pa një marrëveshje politike.

Kandidate për presidente ishin Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje pas tërheqjes, të hënën në mbrëmje, të Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçakut. Ndryshe nga seanca e së hënës, kur pati votim për zgjedhjen e pasardhësit të Vjosa Osmanit, gjatë katër tentativave të së martës nuk u zhvillua fare proces votimi.

Në seancën e fundit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u bëri thirrje deputetëve të opozitës të rikthehen në sallë dhe të marrin pjesë në votim.

“Po presim nëse deputetët e opozitës do të vijnë dhe do të heqin dorë nga barrikadimet. Kjo është arsyeja pse vazhdimisht kam bërë thirrje që ata të jenë këtu. Këto janë minutat e fundit të kësaj legjislature dhe kjo rrugë e nisur mbarë nuk meritonte të ndërpritej”, tha Haxhiu.

Gjatë kohës së pritjes nga deputetët e shumicës, fjalën e mori ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati. Ai u bëri thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e ardhshme të mos votojnë partitë opozitare, duke i akuzuar ato për bojkotim të Kuvendit dhe sabotim të shtetit.

“Kur këta përfaqësues të opozitës të kërkojnë vota, qytetarët duhet të pyesin veten pse t’i votojnë. Ata janë zgjedhur nga populli, por në këtë rast nuk po e përfaqësojnë atë”, deklaroi Murati.

Ai gjithashtu paralajmëroi për humbjet financiare që mund të sjellin zgjedhjet e reja.

“Përveç rreth 10 milionë eurove që kushton organizimi i zgjedhjeve, vendi rrezikon të humbasë edhe dhjetëra milionë të tjera. Kosova pritet të përfitojë 882 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së, por kjo kërkon miratimin e reformave. Pa Kuvend funksional, kjo nuk është e mundur”, shtoi ai.

Pas tij, para deputetëve foli edhe kryeministri Albin Kurti, i cili u shpreh se në zgjedhjet e ardhshme partia e tij do të rrisë mbështetjen.

“Ata e dinë që zgjedhjet nuk janë zgjidhje. Nuk duan përgjegjësi e as pushtet, por synojnë që këtë të mos e kemi as ne. Megjithatë, vendimin e merr populli i Kosovës, i cili vazhdimisht na ka mbështetur për realizimin e zotimeve dhe përmirësimin e gjendjes socio-ekonomike dhe të sigurisë. Pas një qeverisjeje pesëvjeçare, mbështetja për ne është rritur dhe kështu do të vazhdojë”, tha Kurti.

Pas përfundimit të seancës, Kurti mbajti një konferencë për media së bashku me kandidaten për presidente, Feride Rushiti.

“E ndërmora këtë hap vetëm që vendi të dalë nga ngërçi politik. Udhëtimi im do të vazhdojë me organizatën joqeveritare që përfaqësoj”, deklaroi Rushiti.

Continue Reading

Lajmet

PDK: Përpjekjet për zgjedhjen e presidentit në mënyrë jokushtetuese janë shqetësuese

Published

on

By

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka deklaruar se përpjekjet për vazhdimin e procesit të zgjedhjes së presidentit në mënyrë jokushtetuese janë shqetësuese për opozitën, përfshirë edhe PDK-në, si dhe për përfaqësues të shoqërisë civile.

Sipas tij, zgjedhja e presidentit është çështje me interes të përgjithshëm dhe nuk është dashur të trajtohet në mënyrë të njëanshme.

“Tendenca që kemi parë për të vazhduar zgjedhjen e presidentit në mënyrë jokushtetuese ka qenë shqetësuese jo vetëm për ne si PDK, por edhe për të gjitha subjektet opozitare, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe qytetarët”, deklaroi Tahiri.

Ai theksoi se opozita ka pasur një qasje konstruktive gjatë gjithë procesit, duke filluar nga konstituimi i institucioneve deri te votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Nuk kemi dashur të jemi sonte në konferencë për këtë temë, por kjo ka qenë një situatë e imponuar, për të cilën kemi alarmuar vazhdimisht”, shtoi ai.

Continue Reading

Vendi

Berisha: Bashkimi i opozitës do të zgjidhte krizën politike

Published

on

By

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka deklaruar në një konferencë për media se partia e tij nuk do të bëhet pjesë e, siç e quajti ai, një procesi që po dëmton rendin kushtetues dhe po shndërrohet në një spektakël politik që ka zgjatur tash e katër muaj.

Sipas Tahirit, ky proces nuk përfaqëson një procedurë të mirëfilltë demokratike për zgjedhjen e presidentit, por një përpjekje për manipulim të opinionit publik. Ai theksoi se AAK-ja nuk do të marrë pjesë në atë që e cilësoi si “komplot ndaj shtetit”, në asnjë rrethanë.

Ndërkohë, deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, u shpreh se nëse partia e tij do të kishte një rol më të madh në këtë proces, çështja do të mund të zgjidhej brenda një kohe shumë të shkurtër.

Berisha gjithashtu theksoi se bashkimi i opozitës do të ishte çelësi për tejkalimin e situatës aktuale. Sipas tij, kryeministri Albin Kurti po kontribuon në përçarje, ndërsa shtoi se ndalimi i kësaj përçarjeje do t’i hapte rrugë zhvillimit dhe përparimit të vendit.

Continue Reading

Lajmet

Kurti fton LDK-në të propozojë kandidat, ofron mbështetje me nënshkrime; Hoxha gati të tërhiqet

Published

on

By

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se janë të gatshëm t’i japin LDK-së edhe 15 nënshkrime për cilindo kandidat që kjo parti propozon. Ai bëri të ditur se ka zhvilluar bisedë edhe me Hatixhe Hoxhën, e cila ka shprehur gatishmëri të tërhiqet nga kandidatura nëse LDK-ja del me një emër të saj.

Sipas Kurtit, kjo do të mundësonte një garë mes një kandidateje nga shoqëria civile, Feride Rushiti, dhe një kandidati apo kandidateje të LDK-së.

“Kam biseduar me Hatixhe Hoxhën. Ajo është pajtuar të tërhiqet nëse LDK-ja i siguron 15 nënshkrime për kandidaten e saj. LVV-ja do t’i shtojë edhe 15 nënshkrime, duke krijuar kështu mundësinë për një përballje mes një kandidati të shoqërisë civile dhe një kandidati të LDK-së. Sonte mund ta zgjedhim presidentin/en e Kosovës. Unë jam në zyrën e LVV-së pranë Kuvendit, ku LDK-ja mund t’i dorëzojë nënshkrimet. Edhe nëse kanë vetëm 13 apo 14, ne i plotësojmë. Nuk kemi asnjë pengesë për cilindo kandidat që propozon LDK-ja”, ka thënë Kurti.

Continue Reading

Të kërkuara