Lajmet

​Vala e të nxehtit në Itali: Numri i qyteteve në alarm të kuq do të shkojë në 23

Kjo do të thotë se vetëm katër nga 27 qytetet më të mëdha të vendit nuk do të jenë në alarm të kuq.

Published

on

Numri i qyteteve të mëdha italiane të vendosura në alarm të kuq nga Ministria e Shëndetësisë për shkak të valës së nxehtësisë që po vuan vendi, do të rritet nga 17 të hënën në 20 të martën dhe 23 të mërkurën.

Kjo do të thotë se vetëm katër nga 27 qytetet më të mëdha të vendit nuk do të jenë në alarm të kuq.

Një qytet është në alarm të kuq atëherë kur nxehtësia është aq e fortë sa që përbën një kërcënim për të gjithë popullsinë, jo vetëm për grupet e cenueshme si të sëmurët, të moshuarit, dhe fëmijët e vegjël.

Të martën Ankona, Bolonja, Bolzano, Brescia, Cagliari, Campobasso, Firence, Frosinone, Latina, Messina, Napoli, Palermo, Perugia, Pescara, Rieti, Roma, Trieste, Venecia, Verona dhe Viterbo do të jenë në alarm të kuq.

Të mërkurën do t’i bashkohen Bari, Catania, Civitavecchia dhe Torino, ndërsa Bolzano do bie në alarm të verdhë.

Milani dhe Reggio Calabria do të jenë në një nivel më të ulët në alarmin portokalli të mërkurën, ndërsa Bolzano dhe Genoa në të verdhë.

Temperaturat parashikohen të rriten deri në 47 gradë Celsius në zonat e Sardenjës jugore këtë javë, 45°C ose 46°C në Siçili dhe 45°C në provincën e Foggia, në Pulia.

Në Romë, të cilën “The Times” e ka quajtur “Qyteti Infernal” për shkak të nxehtësisë që po vuan, temperaturat pritet të ngriten në 42°C ose 43°C gradë të martën.

Një studim i koordinuar nga Instituti i Barcelonës për Shëndetin Global dhe i botuar në revistën “Nature Medicine” javën e kaluar vlerësoi se mbi 18,000 njerëz vdiqën në Itali për shkak të nxehtësisë intensive që kombi pati verën e kaluar.

Shkencëtarët thonë se kriza klimatike e shkaktuar nga emetimet e gazrave serrë të njeriut po i bën më të shpeshta dhe më intensive ngjarjet ekstreme të motit si valët e të nxehtit, thatësira, stuhitë e forta, dhe përmbytjet. 

Lajmet

​Real-Barcelona, ndeshja më të shtrenjtë në historinë e futbollit

Published

on

Real Madridi mposhti Barcelonën ku Mbappe dhe Bellingham shënuan në El Clasico. Edhe pse çdo ndeshje midis Real Madridit dhe Barcelonës shkruan një kapitull të ri, ndeshja e mbrëmshme u konsiderua si ndeshja më e shtrenjtë e të gjitha kohërave.

Fuqia ekonomike në El Clasicon e parë të sezonit vendos rekorde të reja. Vlera e kombinuar e 11-shes titullare është 1.771 miliardë euro, por kjo është vetëm maja e ajsbergut.

Kur merren në konsideratë ekipet e plota, vlera totale rritet në 2.510 miliardë.

El Clasico e sotme tejkalon të gjitha ndeshjet e mëparshme duke u bërë ndeshja më e shtrenjtë në histori.

Deri më tani, shtatë nga dhjetë ndeshjet më të shtrenjta kanë përfshirë të paktën një klub anglez, me Real Madridin që është paraqitur tetë herë.

Barcelona, nga ana tjetër, është në listë dy herë. Pas ndeshjes së mbrëmshme, dy gjigantët spanjollë u ulen së bashku në krye.

Ndeshjet më të shtrenjta deri më tani:

Real Madrid – Barcelona, Superkupa e Spanjës 2025: 1.670 miliardë euro

Manchester City – Real Madrid, Liga e Kampionëve 24/25: 1.670 miliardë euro

Real Madrid – Arsenal, Liga e Kampionëve 24/25: 1.640 miliardë euro

Real Madrid – Manchester City, Liga e Kampionëve 23/24: 1.620 miliardë euro

Arsenal – Real Madrid, Liga e Kampionëve 24/25: 1.630 miliardë euro

PSG – Real Madrid, Kupa e Botës për Klube 2025: 1.610 miliardë euro

Manchester City – Real Madrid, Liga e Kampionëve 23/24: 1.580 miliardë euro

Manchester City – Arsenal, Premier Ligë 23/24: 1.580 miliardë euro

Real Madrid – Barcelona, La Liga 24/25: 1.540 miliardë euro

Liverpool – Manchester City, Premier Ligë 19/20: 1.530 miliardë euro

11 lojtarët e Realit vlejnë 953, ai i Barcës 736 milionë euro./S.K/KP/Al Jazeera/

Continue Reading

Lajmet

​Ministri Malaj: Shqipëria, 10 miliardë euro të ardhura në buxhet deri më 2030

Published

on

Ministri i Financave i Shqipërisë Petrit Malaj deklaroi se reformat kryesore fiskale të ndërmarra nga qeveria do të garantojnë një sistem më të drejtë, më konkurrues dhe plotësisht të harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030.

Sipas tij, rritja e qëndrueshme ekonomike dhe menaxhimi i përgjegjshëm i financave publike do të çojnë të ardhurat buxhetore në 10 miliardë euro në fund të dekadës.

“Të ardhurat buxhetore parashikohen të arrijnë 10 miliardë euro në 2030, me një rritje prej 311 milionë eurosh në vit si rezultat kryesisht i zgjerimit të bazës tatimore”, tha Malaj.

Malaj theksoi se “Paqja Fiskale” do të sjellë lehtësime të ndjeshme për qytetarët dhe bizneset brenda harkut kohor 2026-2030, përmes faljes së detyrimeve tatimore e doganore të prapambetura, duke i hapur rrugën një marrëdhënieje të re midis administratës dhe tatimpaguesve.

Po ashtu, informoi ai, do të vijojë politika e taksës 0% për bizneset e vogla deri në vitin 2029, me synimin për të nxitur sipërmarrjen e vogël dhe formale. Një vëmendje të veçantë qeveria i ka kushtuar sektorit të bujqësisë, ku pritet rishikimi i skemës së TVSH-së për fermerët në përputhje me praktikat e BE-së.

Në këtë kuadër, ministri vuri në dukje se fermerëve do t’u mundësohet kompensim deri në 10% të TVSH-së për çdo blerje malli apo shërbimi që mbështet zinxhirin e prodhimit.

Në fushën e tatimit të pasurisë, reforma e re do të bazohet në vlerën reale të pronës, duke zbatuar një metodologji të përditësuar të çmimeve të referencës, me qëllim rritjen e drejtësisë fiskale dhe uljen e informalitetit.

Ministri theksoi gjithashtu se do të hapet një proces i ri rivlerësimi i pasurive të paluajtshme me një normë të reduktuar tatimore prej vetëm 5% për individët dhe personat juridikë, për të inkurajuar deklarimin e saktë të pronës./S.K/KP/ATSH/

Continue Reading

Lajmet

​Shkodra drejt normalizimit pas reshjeve të dendura

Published

on

Në Shkodër strukturat e mbrojtjes civile, në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe institucionet përgjegjëse, po ndjekin nga afër situatën në të gjithë vendin si pasojë e reshjeve të shiut gjatë 24 orëve të fundit.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, tha se qarku Shkodër është më i prekur nga reshjet me intensitet të lartë.

Ekipet e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) dhe Forcave të Armatosura kanë qenë në terren në bashkinë Vau Dejës, ku situata aktualisht është drejt normalizimit. Niveli i ujit është ulur ndjeshëm dhe në disa banesa është tërhequr plotësisht.

Në zonat ku banesat rrezikoheshin nga prurjet e përroit, po ndërhyhet me eskavatorë për devijimin e rrjedhës dhe ngritjen e argjinaturave mbrojtëse.

Gjithashtu, në bashkinë Fushë Arrëz dhe në njësinë administrative Gur i Zi, po punohet për pastrimin e inerteve në akset rrugore ku ka pasur rënie gurësh, për të garantuar qarkullimin normal.

Nga qarqet e tjera të vendit nuk raportohen problematika në infrastrukturë apo banesa si pasojë e kushteve të motit.

Vengu theksoi se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Forcat e Armatosura, si dhe strukturat e emergjencave civile të bashkive dhe institucioneve përkatëse, janë në gatishmëri të plotë dhe vijojnë monitorimin e situatës në mënyrë të vazhdueshme, /S.K/KP/ATSH/

Continue Reading

Lajmet

Rexhepi: Çmimet e naftës do të bien edhe në Kosovë

Published

on

Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë treguar një tendencë stabilizimi dhe rënie gjatë këtij viti, pas periudhës së rritjes së shpejtë si pasojë e agresionit rus dhe sanksioneve ndërkombëtare, dhe një trend i tillë pritet të jetë edhe në Kosovë.

Ekonomisti Sejdi Rexhepi deklaroi se çmimet janë reflektim i kërkesës së tregjeve ndërkombëtare dhe produkteve të saj.

“Çmimet janë reflektim i kërkesës së tregjeve ndërkombëtare dhe produkteve të saj. Në çmimin e naftës kemi të bëjmë me specifika më të veçanta që lidhen me aspektin gjeopolitik ndërkombëtar, të cilat në realitet kanë ndikuar tek ndryshimet e çmimeve gjatë tre katër viteve të fundit. Kishim një periudhë kur, si rezultat i agresionit rus dhe vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, çmimet patën një tendencë rritjeje, të cilat u reflektuan në ato çmime që ishin, por fatmirësisht përballë sanksioneve dhe reduktimit të sasisë së prodhimit të naftës nga Rusia, prodhuesit e tjerë të vendeve të tjera arritën të rrisin prodhimin për nivelin e kërkesës. Në këtë mënyrë u mbyll hendeku i kufizimeve që u vendosën,” ka deklaruar Rexhepi.

Ai shton se vitet 2024 dhe 2025 po i karakterizon stabilizimi i çmimeve dhe një tendencë e lehtë rënie.

“Në këto vitet e fundit, në veçanti viti 2024, vërehet një tendencë stabilizimi të çmimeve me tendencë rënie, që është rezultat i shumë faktorëve. Mund të jetë si rezultat i rritjes së ofertës, por edhe si rezultat i trendeve zhvillimore në nivel botëror, si pasojë e krizave politike dhe konflikteve tregtare, të cilat ndikojnë në tendencën për investime dhe zhvillim, ose ngadalësojnë ritmin e kërkesës për produktet e naftës që shkojnë në industrinë përpunuese. Në veçanti, ka ndikuar gjetja e burimeve alternative në industrinë e automobilave. E shohim tek tregu kinez, evropian dhe amerikan, ku kërkohet më pak energji nga nafta, duke e zëvendësuar atë me produktet e automjeteve që përdorin energji alternative, në këtë rast energji elektrike, që zvogëlon në masë të konsiderueshme kërkesën e ardhshme”, tha Rexhepi.

Sipas Rexhepit, edhe Kosova do të ndjejë ndikimin e këtyre zhvillimeve, por paralajmëron se institucionet duhet të monitorojnë tregun për të siguruar që çmimet të pasqyrojnë rënien globale dhe të parandalohet mbajtja e çmimeve të larta nga ndërmjetësit.

“Kjo ka bërë që çmimi i naftës të ketë tendencë për rënie, me një lloj stabilizimi gjatë këtij viti. Sigurisht, Kosova është pjesë e tregut ndërkombëtar, furnizimin e bën nga furnitorët ndërkombëtarë dhe çmimi hyrës do të jetë në kuotat ndërkombëtare, gjë që do të reflektohet edhe në çmimin që del në tregun tonë. Këto ndryshime që lidhen me çmimet nuk reflektohen menjëherë në tregun lokal, për arsye se ndërmjetësuesit dhe tregtarët mund të kenë rezerva të furnizuara me çmime më të larta, dhe në momentin kur të furnizohet me çmime të reja, efektet nuk do të reflektohen menjëherë. Pres që ato të reflektohen, dhe nëse kjo nuk ndodh, institucionet përgjegjëse do të reagojnë, sepse në natyrë të bizneseve tentojnë të përfitojnë edhe nga kjo mënyrë, duke mbajtur çmimin më të lartë”, theksoi ai./S.K/EO/

Continue Reading

Të kërkuara