Lajmet

​Themelohet shoqata e miqësisë Kosovë-Austri

Presidentja Vjosa Osmani tha se kjo shoqatë do të thellojë dhe forcojë raportet Kosovë-Austri.

Published

on

Është themeluar shoqata e re e miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Austrisë. Pjesë e ceremonisë inauguruese të kësaj shoqate ishin edhe krerët e shtetit, të cilët vlerësuan miqësinë me Austrinë.

Presidentja Vjosa Osmani tha se kjo shoqatë do të thellojë dhe forcojë raportet Kosovë-Austri.

“Themelimi i kësaj shoqate do të forcojë edhe më shumë miqësinë tashmë speciale mes dy shteteve tona, e cila është edhe e hershme. Në një kohë kur kontinenti ynë po përballet me rreziqe të shumta nga sistemet autokratike dhe hegjemoniste është tejet me rëndësi që shtetet tona të forcojnë lidhjet që popujt tanë po ashtu të forcojnë këto lidhje. Fuqia e miqësisë ndërmjet këtyre dy vendeve është e pamatshme, ndërsa dobia e popujve është jashtëzakonisht e madhe. Ato ndërtohen mbi bazën e besimit të vlerave dhe dëshirës për të punuar së bashku për të mirën e përgjithshme”, tha ajo.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti tha se Austria është një partner i palëkundur i Kosovës.

“Austria është një partner i palëkundur i Kosovës, si para ashtu edhe pas pavarësisë së vendit tonë, duke ofruar mbështetje dhe ndihmë në një sërë fushash. Nga zhvillimi ekonomik deri te bashkëpunimi në fushën e sigurisë. Këtë vit shënuam edhe 15-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike të dy vendeve tona. Kompanitë austriake kanë investuar në Kosovë, duke krijuar vende pune dhe ndihmuar në ndërtimin e sektorit privat”, tha Kurti.

Në këtë ceremoni ishte edhe deputeti austriak në Parlamentin Evropian, Lukas Mandl, i cili tha se përmes shoqatës së re të miqësisë, do të thellohet edhe më tej bashkëpunimi ekonomik dhe diplomatik.

“Kur krijojmë rrjete të bashkëpunimit, skenar të përfitimit të dyfishtë krijohet edhe perspektiva për të gjithë njerëzit. Kjo është shumë e rëndësishme, jo vetëm për një sektor, apo për një pjesë të caktuar të shoqërisë, por për të gjithë. Ky ka qenë qëllimi i shoqatës së miqësisë Austri-Kosovë. E mirëpres që një qëllim i tillë të përbashkohet edhe në kuadër të shoqatës së miqësisë Kosovë-Austri, në fusha të ndryshme, ekonomi, diplomaci dhe të gjitha sferat e jetës”, deklaroi ai.

Pjesë e kësaj ngjarje ishin edhe përfaqësues të tjerë politik dhe institucional, të cilët e mirëpritën themelimin e shoqatës së re të miqësisë Kosovë-Austri.

Vendi

Kurti pret në takim shkrimtarët dhe kuratorët Dan Hicks e Françoise Vergès

Published

on

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim shkrimtarët dhe kuratorët Dan Hicks dhe Françoise Vergès, të shoqëruar nga studiuesja letrare Diona Budima.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti i përgëzoi mysafirët për diskutimin e mbajtur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në kuadër të programit “Në bisedë”, të moderuar nga Budima.

Dan Hicks është profesor i arkeologjisë bashkëkohore në Universitetin e Oksfordit dhe kurator në Pitt Rivers Museum, ndërsa Françoise Vergès njihet si aktiviste feministe, shkrimtare, kuratore e pavarur dhe autore e shumë botimeve mbi kulturën, historinë dhe drejtësinë shoqërore.

Sipas njoftimit, të dy kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në debatet ndërkombëtare mbi trashëgiminë kulturore, kujtesën historike dhe rolin e institucioneve kulturore në shoqëri./A.K/

Continue Reading

Vendi

Ndërron jetë Sahit Jashari, një nga themeluesit e UÇK-së dhe bashkëluftëtar i Adem Jasharit

Published

on

By

Ka ndërruar jetë Sahit Jashari, njëri ndër themeluesit dhe luftëtarët e parë të Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nga Prekazi i Skenderajt, figurë e njohur e rezistencës shqiptare dhe bashkëluftëtar i afërt i Komandantit Legjendar Adem Jashari.

Lajmi për vdekjen e tij ka ngjallur pikëllim të madh në Drenicë dhe mbarë Kosovën, ku ai njihej si një nga njerëzit që qëndroi në vijën e parë të përpjekjeve për liri, shumë kohë para fillimit të luftës së hapur çlirimtare.

Në njoftimin e familjes thuhet se Sahit Jashari do të kujtohet me krenari për jetën dhe veprën e tij në shërbim të atdheut.

“Babin do ta kujtojmë gjithmonë me krenari për veprimtarinë e tij në shërbim të atdheut, për guximin, përkushtimin dhe kontributin e tij të çmuar. Kujtimi për jetën dhe veprën e tij do të mbetet përgjithmonë në zemrat tona”, thuhet në njoftimin e familjes Jashari.

Për vdekjen e tij ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, si dhe shumë personalitete e bashkëluftëtarë, ndërsa ish-komandanti dhe politikani Sami Lushtaku e ka cilësuar Sahit Jasharin si një prej burrave më të mëdhenj të kësaj toke.

“Sonte, para pak çastësh, u nda nga jeta një prej burrave më të mëdhenj të kësaj toke, një prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftëtari i orëve të para dhe bashkëluftëtari besnik i Komandantit Legjendar Adem Jashari, Sahit Jashari”, ka shkruar Lushtaku.

Ai ka kujtuar se Sahit Jashari ishte ndër veprimtarët që nuk u përkulën asnjëherë përballë represionit serb, pavarësisht përndjekjeve dhe dënimeve nga regjimi i Slobodan Milošević.

“Një burrë që nuk njohu frikë, nuk njohu dorëzim dhe nuk kërkoi asgjë për vete. Ai jetoi për Kosovën dhe për lirinë e saj. I përndjekur e i dënuar nga regjimi i Millosheviçit, ai qëndroi i palëkundur në rrugën e lirisë”, ka shkruar Lushtaku.

Sahit Jashari ishte pjesë e familjes emblematike Jashari, e cila dha një sakrificë të jashtëzakonshme në luftën për çlirimin e Kosovës. Gjatë Epopeja e UÇK-së, ai humbi 13 anëtarë të ngushtë të familjes, të cilët ranë dëshmorë në përballjen historike me forcat serbe në Prekaz.

Sipas Lushtakut, me gjakun e familjes Jashari u vulos rruga e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.

“Drenica humbi një bir të madh, Kosova një luftëtar të shquar, ndërsa ne humbëm një shok e një bashkëluftëtar që me jetën dhe veprën e tij na mësoi çfarë do të thotë sakrifica dhe dashuria për atdheun. Lamtumirë, trimi ynë! Prehu i qetë pranë dëshmorëve të familjes Jashari dhe të gjithë atyre që ranë për lirinë e Kosovës. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së Sahit Jasharit”, ka përfunduar ai.

Familja Jashari ka bërë të ditur se homazhet pranë arkivolit do të mbahen nga ora 11:30 në Palestra Ilaz Kodra, ndërsa në orën 14:00 do të organizohet mbledhja komemorative kushtuar jetës dhe veprës së tij. Varrimi do të bëhet në orën 16:00 në lagjen Jashari në Prekaz.

Me ndarjen nga jeta të Sahit Jasharit, Kosova humb një nga figurat më të rëndësishme të brezit të luftëtarëve që hodhën themelet e UÇK-së dhe që sakrifikuan gjithçka për lirinë e vendit.

/E.A/

Continue Reading

Vendi

Numërohen 27.66% e votave nga përfaqësitë diplomatike, LVV kryeson me 83.82%

Published

on

By

Ka vazhduar publikimi i rezultateve nga votat e përfaqësive diplomatike për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit për Kuvendin e Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar deri më tani rezultatet nga numërimi i 13 prej 47 kutive të votimit në përfaqësitë diplomatike, që përbëjnë 27.66 për qind të totalit.

Sipas rezultateve të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 6 mijë e 482 vota apo 83.82 për qind të votave të numëruara.

Partia Demokratike e Kosovës deri më tani ka siguruar 579 vota apo 7.49 për qind.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 462 vota apo 5.97 për qind.

Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 124 vota apo 1.60 për qind.

Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ-ja, subjektet e tjera politike kanë marrë një numër më të vogël votash. Kosova Demokratik Türk Partisi ka siguruar 37 vota apo 0.48 për qind, ndërsa PSD-ja 12 vota apo 0.16 për qind.

Bazuar në rezultatet aktuale nga votat e përfaqësive diplomatike, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të ruajë epërsinë bindëse në diasporë dhe mandatin e 49-të në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkohë, 92.87 për qind e votave të vendvotimeve të rregullta në Kosovë janë numëruar deri më tani.

Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ-ja, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 42.53 për qind, PDK-ja 21.23 për qind, LDK-ja 17.12 për qind, ndërsa AAK-ja 7.42 për qind.

Zgjedhjet e parakohshme u mbajtën pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë presidentin e vendit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Në seancën e fundit, e cila kishte nisur më 27 prill dhe kishte përfunduar më 28 prill, nuk pati kuorum për votim. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Studentët dhe stafi i UBT-së prezantojnë krijimtarinë e tyre në “Medienfrische 2026” në Tirol të Austrisë

Published

on

By

Në kuadër të shënimit të 25-vjetorit të UBT-së dhe aktiviteteve të organizuara gjatë Ditëve të Artit dhe Dizajnit, studentët e programit Art dhe Media Digjitale (AMD), së bashku me stafin akademik të Fakultetit të Artit dhe Dizajnit, kanë mbërritur në Tirol të Austrisë për të marrë pjesë në festivalin ndërkombëtar “Medienfrische 2026”.

Në këtë festival, studentët do të prezantojnë punimet dhe projektet e tyre artistike përmes ekspozitave dhe prezantimeve kreative, duke përfaqësuar UBT-në në një platformë që bashkon artin bashkëkohor, mediat digjitale dhe shkëmbimin kulturor ndërkombëtar.

Pjesë e delegacionit të UBT-së janë edhe profesorët Uran Krasniqi dhe Besfort Salihu, të cilët po i mbështesin dhe mentorojnë studentët gjatë pjesëmarrjes së tyre në këtë ngjarje të rëndësishme artistike dhe kulturore.

“Medienfrische” konsiderohet një nga festivalet e njohura ndërkombëtare që promovon dialogun ndërmjet artit, medias, performancës dhe praktikave kreative bashkëkohore, duke krijuar mundësi për bashkëpunim dhe prezantim të artistëve të rinj nga vende të ndryshme të Evropës.

Pjesëmarrja e studentëve dhe stafit të UBT-së në këtë festival paraqet një mundësi të rëndësishme për promovimin e krijimtarisë artistike, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe prezantimin e talenteve të reja në një mjedis ndërkombëtar.

Përmes aktiviteteve të tilla, UBT vazhdon të forcojë angazhimin e saj për ndërkombëtarizimin e arsimit, zhvillimin e praktikës profesionale dhe krijimin e mundësive të reja për studentët në skenën evropiane të artit dhe dizajnit.

Continue Reading

Të kërkuara