Kronikë e zezë

​Të shtëna me armë në ahengje familjare, Policia arrestoi tre persona

Për armëmbajtje pa leje, Policia e Kosovës ka shoqëruar në stacion edhe një person në Ferizaj.

Published

on

Policia e Kosovës ka njoftuar për katër raste me të shtëna me armë në ahengje familjare, vetëm brenda ditës së djeshme. Tre persona janë shoqëruar në polici dhe të njëjti janë liruar pastaj me vendim të prokurorit.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, të dielën në komunën e Obiliqit është arrestuar një person i dyshuar dhe të njëjtit i janë konfiskuar një armë zjarri, një pistoletë me gaz dhe 91 copë fishekë.

Personi i cili dyshohet të ketë shtënë gjatë një ahengu familjar është liruar derisa rasti sipas Policisë vazhdon në procedurë të rregullt.

Policia ka njoftuar për një tjetër rast në fshatin Shtedim të Podujevës.

“Në një aheng familjar, nga i dyshuari mashkull kosovar pronari i shtëpisë, është konfiskuar një armë me gas me një karikator pasi që dyshohet se kishte shtënë në ajër. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar tri gëzhoja. Me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti procedohet në procedurë të rregullt”, është bërë e ditur në raportin e Policisë.

Ndërsa në Viti, në rrugën “Rexhep Bislimi”, Policia ka arrestuar një person dhe të njëjtit i është konfiskuar një pistoletë me gaz e cila dyshohet të jetë përdorur në një aheng familjar. Personi i dyshuar është liruar dhe rasti ka vazhduar në procedurë të rregullt.

Për armëmbajtje pa leje, Policia e Kosovës ka shoqëruar në stacion edhe një person në Ferizaj.

Rasti ka ndodhur të dielën në rrugën “Tirana”.

“Është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari mashkull kosovar, pasi që në një aheng familjar kishte shtënë me armë zjarri. Nga i dyshuari është konfiskuar një pistoletë. Në vendin e ngjarjes në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar 2 gëzhoja. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Lajmet

Dogana: 250 kg kanabis u zunë bazuar në informacionet e AKI-së

Published

on

Një operacion i bazuar mbi inteligjencën e siguruar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, i ndërmarrë nga Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosoves ka rezultuar me zbulimin dhe konfiskimin e rreth 250 kilogramëve të substancës narkotike të llojit kanabis, të fshehur me kujdes në një automjet transportues.

“Operacioni është realizuar gjatë orëve të pasdites, kur njësia e Antikontrabandës e Doganës ka ndalur për kontroll një kamion që po lëvizte në drejtim të Prishtinës në autostradën ‘Ibrahim Rugova’”, ka njoftuar Dogana e Kosovës.

Dogana njofton se gjatë inspektimit janë përdorur pajisjet e dhuruara nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).

“Pas një inspektimi të detajuar, dhe duke përdorur pajisjet profesionale të dhuruara nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zyrtarët doganorë kanë arritur të demontojnë panelet e fshehura të automjetit, ku ishin vendosur substancat narkotike. Në vendngjarje kanë dalur edhe njësia antidrogë e Policisë së Kosovës dhe Prokurorja kompetente. Personi përgjegjës është arrestuar nga Policia e Kosovës, ndërsa procedurat ligjore janë në zhvillim”, thuhet mes të tjerash në komunikatën për medie.

Dogana e Kosovës ka vënë theksin tek kontributi që AKI ka dhënë.

“Dogana e Kosovës vlerëson lartë kontributin dhe bashkëpunimin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë në këtë rast, dhe thekson përkushtimin e saj për të vazhduar koordinimin e ngushtë me të gjitha institucionet në vend. Ky operacion paraqet një tjetër dëshmi të vendosmërisë së institucioneve tona për të luftuar kontrabandën dhe trafikimin e substancave të ndaluara, duke mbrojtur sigurinë e qytetarëve dhe integritetin ekonomik të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

​Ngasin deri në 168 km në orë, gjobiten dy shoferë në Ferizaj

Published

on

Njësia e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj, në dy raste të ndara ka ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj dy shoferëve për shkelje të rënda të rregullave të trafikut.

Më datë 26 tetor 2025, rreth orës 21:10, në rrugën magjistrale Ferizaj–Kaçanik, në Fshatin Vjetër Ferizaj, në zonën me kufizim 50 km/h, është ndaluar shoferi L.B. (27), i cili po lëvizte me veturën MBW, me shpejtësi 112 km/h. Ndaj tij policia i ka shqiptuar gjobë 300 euro, 3 pikë negative dhe ndalim i drejtimit për 3 muaj.

Sot, rreth orës 14:10 në rrugën Ferizaj–Varosh–Gërlicë, ku kufizimi i shpejtësisë është 60 km/h, shoferi B.F. (18) me veturën VW Golf, është ndaluar duke lëvizur me shpejtësi 168 km/h. Ndaj tij policia ka shqiptuar një gjobë 500 euro, 5 pikë negative dhe ndalim të drejtimit për 6 muaj.

Matjet e shpejtësisë janë bërë me radar laserik, ndërsa në të dy rastet shoferët janë përjashtuar nga trafiku.

Policia Rajonale e Ferizajt apelon te të gjithë shoferët që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe shenjat e komunikacionit, duke paralajmëruar se kontrollet me radarë do të vazhdojnë me intensitet për të identifikuar shkeljet dhe për të parandaluar aksidentet rrugore./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Humb jetën një punëtor në vendin e tij të punës, ndalohet pronari i kompanisë ndërtimore

Published

on

Një 34-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve të marra gjatë punimeve në një ndërtesë në lagjen “Bajram Curri” në Prizren.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Ai ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 13:30 kur F.A. (34) nga fshati Caravik i Malishevës, ka rënë nga skelet e një ndërtese.

Viktima është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit në gjendje të rëndë, prej nga është transportuar në QKUK Prishtinë, ku edhe ka ndërruar jetë rreth orës 16:30.

Në lidhje me rastin, i dyshuari N.B., pronar i kompanisë ndërtimore, pas intervistimit me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë, si i dyshuar për veprën penale asgjësimi, dëmtimi apo heqja e pajisjeve dhe rrezikimi në vendin e punës.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, Inspektoratin e Punës dhe njësitë kompetente hetimore, po ndërmarrin veprimet e nevojshme për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit. /S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Arrestime në Fushë Kosovë dhe Ferizaj për posedim dhe shitje të narkotikëve

Published

on

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar katër shtetas të Turiqsë në Fushë Kosovë.

Të njëjtit dyshohen për posedim dhe shitje të narkotikëve teksa gjatë bastisjes siç bën të ditur Policia ka sekuestuar 1,482 gramë substancë narkotike të llojit marihuanë.

“Janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj shtetas të Turqisë, pasi që gjatë kontrollit të vendbanimeve të tyre janë gjetur dhe sekuestruar 1482 gram substancë narkotike e llojit marihuanë, 590€, 8 telefona mobil, një automjet (fugon), një laptop, si dhe disa gjësende të tjera që lidhen me rastin. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

Ferizaj

Edhe në Ferizaj, dy persona janë arrestuar pasi që gjatë kontrollit të disa objekteve janë gjetur dhe sekuestruar 734.4 gram substancë narkotike e llojit kokainë.

Policia gjeti edhe 15.005 €, 3950 franga zvicerane, dy telefona mobil, dy vetura dhe disa gjësende tjera që lidhen me rastin. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje./S.K/PK/

Continue Reading

Të kërkuara