Lajmet

​Sindikata e Administratës nuk e di kush është në grevë

Ali Gashi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Administratës të Kosovës, ka deklaruar se greva është duke vazhduar.

Published

on

Greva e përgjithshme në vend ka hyrë në javën e katërt, e në këtë grevë përveç SBAShK-ut, janë edhe punëtorët e administratës publike. Megjithatë në Sindikatën së Pavarur të Administratës të Kosovës thonë se nuk e dinë numrin e punëtorëve të administratës publike në nivel qendror dhe lokal që janë në grevë.

Ali Gashi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Administratës të Kosovës, ka deklaruar se greva është duke vazhduar.

Gashi është shprehur se greva ka ardhur nga mosdëgjimi i kërkesave nga Qeveria për hartim dhe hyrje në fuqi sa më shpejt të Ligjit të pagave, plotësim-ndryshimin e ligjit mbi skemat pensionale dhe pagesë 100 euro deri në miratimin e Ligjit të pagave. Sipas tij, nuk dihet numri i institucioneve lokale dhe atyre qendrore që kanë hyrë në grevë.

“Numrin nuk e dimë për arsye se ju e dini që greva është vullnet i palëve, në këtë rast anëtarësisë së dy palëve dhe të tjerëve që konsiderojnë se iu kanë shkel të drejtat dhe pajtohen me kërkesat që i ka ngritur BSPK-ja, në raport me të drejtën e punës, kushtet e punës dhe aspektin material në këtë kontest kur kërkojnë paga më të mira”, tha ai.

Ndërkaq ka thënë se në grevë nuk janë edhe institucionet që janë të privuara nga organizimi i grevës.

“Ka disa institucione, sipas ligjit të grevave janë të privuar nga organizimi i grevës, për arsye sepse ashtu e ka paraparë ligji dhe ne në këtë rast nuk kemi insistuar, siç janë policia, zjarrfikësit, shëndetësia, gardianët dhe të tjerët”, tha Gashi.

Ai shtoi se greva ka ardhur si pasojë e mosdëgjimit të kërkesave ndaj të punësuarave në sektorin publik.

“Kjo grevë ka ardhur si rezultat i mosdëgjimit të kërkesave të drejta të të punësuarave në sektorin publik, pse jo edhe nga ai privat, pasi kemi edhe paralajmërime të sektorit privat, si rezultat i mosrealizimit të kërkesave dhe halleve, të cilat i kanë në këtë periudhë të keqe ekonomike”, ka shtuar Gashi.

Ai po ashtu tha se BSPK-ja e ka bërë të ditur se është e gatshme në çdo kohë për dialog me qeverinë.

“BSPK-ja me kohë ka bërë të qartë se është çdo kohë, çdo ditë e gatshme që të dialogojë dhe sa më shpejtë të gjejmë një zgjidhje e cila do të na nxirrte nga një situatë, të cilën as ne vet nuk e parapëlqejmë, por sido të jetë është masë, e cila e ka dhënë ligji”, tha ai.

Më tej, Gashi është shprehur i shokuar në lidhje me rastin e ish-kryetarit të shoqatës sindikale në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Ai kërkon nga ministria ta kthejë atë në vendin e punës, pasi sipas tij, një veprim i tillë nga ana e kësaj ministrie bie ndesh kryekëput me ligjin e organizimit sindikal.

“Isha i shokuar, duke marrë parasysh që punëtori Agron Maloku, i cili ka qenë kryetar i shoqatës sindikale në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, pas fillimit të grevës është bërë një transferim pa vullnetin e tij nga kjo ministri dhe është dërguar në Ministrinë e Shëndetësisë, dhe them se ky veprim është në kundërshtim komplet me ligjin mbi organizimin sindikal…Një veprim i tillë nga ana e kësaj ministrie bie ndesh kryekëput me ligjin e organizimit sindikal”, ka përfunduar Gashi.

Continue Reading

Lajmet

DioGuardi, Cloyes DioGuardi dhe Steven Powles vizitojnë Bibliotekën Kombëtare të Kosovës

Published

on

Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Dr. Blerina Rogova Gaxha, ka pritur në takim ish-kongresmenin amerikan dhe themeluesin e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane (AACL), Joseph J. DioGuardi, këshilltaren për çështjet e Ballkanit në këtë organizatë, Shirley Cloyes DioGuardi, si dhe juristin britanik Steven Powles KC, specialist i së drejtës penale ndërkombëtare, krimeve të luftës dhe të drejtave të njeriut.

Sipas Bibliotekës Kombëtare, takimi ishte një mundësi për të shprehur mirënjohje për kontributin shumëvjeçar të tyre në mbështetje të Kosovës dhe të drejtës së popullit të saj për liri, demokraci dhe pavarësi.

Joseph dhe Shirley DioGuardi, që nga themelimi i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane në vitin 1989, kanë luajtur rol në sensibilizimin e institucioneve amerikane dhe opinionit publik për çështjen e shqiptarëve të Kosovës.

Ndërkaq, Steven Powles KC kishte punuar në Kosovë në vitin 1999 me International Crisis Group, në kuadër të angazhimeve për hetimin e krimeve të luftës të kryera gjatë konfliktit.

Përmes angazhimit të tyre me Kongresin e Shteteve të Bashkuara, institucione të ndryshme dhe figura politike, ata kanë kontribuar në forcimin e vëmendjes ndërkombëtare ndaj çështjes së Kosovës.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës e ka vlerësuar takimin si një moment kujtese, nderimi dhe mirënjohjeje për personalitetet që, sipas saj, i kanë qëndruar pranë Kosovës në rrugëtimin drejt lirisë dhe pavarësisë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Rriten rastet me fruth në Kosovë: IKShPK bën thirrje urgjente për vaksinimin e fëmijëve

Published

on

By

Në Kosovë është shënuar një rritje e ndjeshme e rasteve me fruth, ku nga data 16 prill deri më 24 gusht 2026 janë regjistruar gjithsej 147 persona të prekur. Sipas të dhënave të fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKShPK), vetëm gjatë javës së fundit janë konfirmuar 10 raste të reja, ndërsa numri i përgjithshëm i të prekurve është dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Sipas shpërndarjes gjeografike, vatra më e madhe e infeksionit mbetet komuna e Prishtinës me 49 raste, e pasuar nga Fushë-Kosova me 35 raste dhe Ferizaj me 13 raste. Të prekura janë edhe komunat e Obiliqit (9 raste), Lipjanit (8), Kaçanikut (7), si dhe Vushtrria e Shtimja nga katër raste. Raste të izoluara janë raportuar gjithashtu në Skenderaj, Drenas, Gjilan, Gjakovë, Shtërpce, Deçan, Graçanicë, Mitrovicë, Podujevë, Suharekë dhe Viti.

Për përballimin e kësaj situate, ekipet e vaksinimit kanë intensifikuar punën në terren gjatë tri javëve të fundit, me fokus në komunat më të prekura. Si rezultat i këtij aksioni, janë vaksinuar me doza MMR gjithsej 504 fëmijë që kishin vonesa në marrjen e vaksinës sipas kalendarit të rregullt.

IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes ndaj simptomave të para si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë apo konjuktivit, dhe të paraqiten menjëherë në institucionet shëndetësore.

Për shkak të shkallës së lartë të infektueshmërisë dhe rrezikut nga komplikimet e rënda, autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje prindërve dhe kujdestarëve të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre. IKShPK rikujton se vaksinimi pranë Qendrave të Mjekësisë Familjare mbetet mënyra më e sigurt dhe më efektive për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Sindikata e KEK-ut vendos fotografitë e katër punëtorëve që humbën jetën, paralajmëron protestë

Published

on

Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës ka zhvilluar një aksion simbolik para zyrave të KEK-ut, ku ka vendosur fotografitë e katër punëtorëve që kanë humbur jetën në vendin e punës, duke kërkuar kushte më të sigurta dhe mbrojtje më të madhe për punëtorët.

Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, ka thënë se punëtorët në Kosovë nuk kanë mbrojtjen e duhur dhe ka kërkuar respektimin e Ligjit të Punës.

Jashari ka theksuar se humbja e fundit e një punëtori të KEK-ut duhet të jetë e fundit, duke kërkuar menaxhim më të mirë dhe masa më të forta të sigurisë në vendin e punës.

Ai ka bërë të ditur se nesër, nga ora 08:00, do të mbahet protestë solidarizuese në tri divizione të KEK-ut, në mbështetje të familjeve të punëtorëve që kanë humbur jetën.

Ndërkaq, nënkryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka kritikuar Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) për, siç ka thënë, mungesë reagimi ndaj rasteve të vdekjeve të punëtorëve.

Llumnica ka njoftuar se aksioni simbolik do të vazhdojë edhe para zyrave të BSPK-së, ku sindikata planifikon të vendosë fotografitë e katër punëtorëve si shenjë proteste.

Protesta e paralajmëruar për nesër do të mbahet në tri divizionet e KEK-ut, duke filluar nga ora 08:00./A.K/

Foto: Driton Paçarada

Continue Reading

Lajmet

Tragjedi në Montana: disa të rritur dhe fëmijë vriten në një banesë, autori vetëvritet

Published

on

Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin Billings në Montana, ku disa persona, përfshirë edhe fëmijë, kanë humbur jetën pasi një person i armatosur ka hapur zjarr në një banesë.

Sipas Telegrafit, policia e ka cilësuar ngjarjen e së dielës mbrëma si një “konflikt familjar”. Pas të shtënave, i dyshuari dyshohet se i ka vënë zjarrin banesës dhe më pas ka kryer vetëvrasje me armë zjarri.

Sherifi i përkohshëm i Yellowstone County, Kent O’Donnell, ka konfirmuar se në banesë kanë vdekur “disa të rritur dhe disa të mitur”. Megjithatë, autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur numrin e saktë, identitetet apo moshat e viktimave.

Policia ka arritur në rrugën White Star Circle rreth 10 minuta pasi një person kishte telefonuar 911 dhe kishte raportuar të shtëna. Zyrtarët kanë dëgjuar të shtëna nga pjesa e pasme e banesës, ndërsa pak minuta më vonë ndërtesa është përfshirë nga zjarri.

Zjarrfikësit janë përballur me vështirësi të mëdha gjatë ndërhyrjes, për shkak të qasjes së kufizuar në ujë dhe numrit të pamjaftueshëm të hidrantëve në zonë.

Shefi i zjarrfikësve të Billings, Matt Hoppel, ka thënë se zjarri është përhapur me shpejtësi dhe, për shkak të kushteve të rënda, banorët e shtëpisë nuk kanë mundur të shpëtojnë.

Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të sqarojnë rrethanat e plota të tragjedisë.

Ndërkohë, një fushatë në GoFundMe pretendon se të paktën tetë persona, përfshirë dy fëmijë, kanë humbur jetën. Kjo shifër ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara