Lajmet

​Rrugët e shkatërruara në qendër të Mitrovicës, ankohen banorët

Këto rrugë shqetësojnë banorët e këtushëm.

Published

on

Prej më shumë se dhjetë vitesh, rrugët “Lah Nimani” dhe “Ali Zeneli” në Mitrovicë janë në gjendje të rëndë.

Të shkatërruara krejtësisht në të gjithë gjatësinë e tyre, këto rrugë që ndodhen në qendër të qytetit dhe në të cilat jetojnë rreth 900 ekonomi familjare me mbi 5 mijë banorë, janë kthyer në shqetësim për banorët e këtushëm.

Të mbushura me gropa, gjatë gjithë stinës së dimrit janë me ujë dhe baltë, por edhe gjatë stinëve tjera, përveç pluhurit, sa herë që ka reshje shiu, ujërat vërshojnë nëpër këto rrugë, duke u bërë pengesë për këmbësorët, veçanërisht për drejtuesit e automjeteve.

Rrustem Beqiri, banor i këtushëm, rrugën ‘Ali Zeneli’ ku jeton ai, e quan katastrofë. Ai për të dalë në dyqan ose për ta hedhur bërllokun, detyrohet të mbathë çizme për shkak të gropave në rrugë të cilat janë përplot me ujë, ndërsa sa herë që del me automjet, thotë se shkon rreth e rrotull dhe shumë më larg, vetëm për t’iu ikur këtyre gropave.

“Katastrofë, unë nuk po mundem me pa midis qytetit këtë rrugë kështu. Në Bajgorë, prej dyerve të shtëpisë dhe deri te rruga janë 100 metra dhe e kam asfalt, ndërsa këtu nuk po mundem me dalë me veturë e as këmbë në dyqan. Nuk e di çka po ndodhë kështu…Faji është te komuna… U bëmë gaz, nuk po mundem bërllokun me gjuajt pa i mbath çizmet… Dhjetë vjet i ka sigurisht… Veturat po shkatërrohen, unë rreth e rreth po duhet me shku për shkak të gropave”, thotë Beqiri.

Edhe Elvane Ferri, banore e kësaj lagjeje, ankohet për gjendjen e rrugës në të cilën jeton, duke thënë se është e tmerrshme që në qendër të Mitrovicës të mbeten rrugët në këtë gjendje. Ajo fajëson komunën për mosangazhim në rregullimin e këtyre rrugëve ndër vite.

‘Nuk kam fjalë dhe s’do koment, kjo është tmerr. Në qendër të Mitrovicës me mbet kjo rrugë kështu është e tmerrshme. Unë jam banore e kësaj lagjeje më shumë se dy vite, kjo është kështu edhe më herët, nuk kam fjalë, mundeni me pa edhe vetë… Faji është i Komunës, vite e vite më parë është kjo gjendje, nuk është kjo tash’, thotë Ferri.

Se gjendja e mjerueshme e këtyre rrugëve është prej shumë vitesh thotë edhe Ideal Mehmeti, i cili thekson se organet kompetente nuk ndërmarrin asgjë.

“Kjo rrugë është e tmerrshme, që sa vite është kështu dhe askush nuk ndërmerr asgjë, tmerr”, thotë ai.

Në anën tjetër, Edison Tërnava, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Mitrovicë, ka pranuar se rrugët “Lah Nimani” dhe “Ali Zeneli” në qytetin e Mitrovicës kanë paraqitur sfidë të madhe për komunën ndër vite, për shkak të kontesteve gjyqësore të disa objekteve në atë lagje.

Sipas tij, tashmë veç pjesa e madhe e objekteve të cilat kanë qenë pengesë janë shpronësuar dhe Komuna ka arritur marrëveshje me pronarët e këtyre pronave për kompensim. Ai shton se në muajin qershor do të fillojnë punimet në rregullimin e rrugëve të kësaj lagjeje, ndërsa premtoi projekt modern me kosto mbi 1 milion euro i cili do të përfundojë brenda 16 muajve.

“Janë mbi dhjetë vite proces që ka ngecur në disa prona ku ka pasur probleme gjyqësore dhe të ndryshme. Gjatë periudhës njëvjeçare të qeverisjes ne kemi arritur që t’i eliminojmë një pjesë të madhe të kontesteve gjyqësore, kemi arritur t’i shpronësojmë. Telashet kanë qenë tek objektet në fillim të rrugës… Kemi arritur marrëveshje me ata banorë që të këmbehen ato prona me një parcelë komunale… Shpresoj se muaji qershor ka me qenë muaj në të cilin kemi për të bërë hapjen e asaj rruge… Është një projekt i cili ka me qenë shumë modern, flasim për një rrugë me katër korsi, hapësira të gjelbëruara, shteg për biçikleta, trotuare të zgjeruara dhe një sistem të ri të kanalizimit që do të përfshijë të dy anët e rrugës… Sa i përket çmimit, sa kam njohuri ka qenë mbi 1 milion euro investimi, ndërsa koha e paraparë për përfundimin e punimeve është 15-16 muaj, po flasim për ditë pune”, sqaroi Tërnava. 

Lajmet

BE-ja mbështet Specialen, nuk komenton nismën e PDK-së për ndryshimin e ligjit

Published

on

Bashkimi Evropian nuk ka komentuar nismën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, e cila është dorëzuar në Kuvend.

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Christian Wigand, ka thënë se BE-ja nuk komenton njoftime apo plane të tilla, por ka theksuar se mbështetja e Bashkimit Evropian për Dhomat e Specializuara mbetet e qëndrueshme.

“Gjykata Speciale është institucion i pavarur juridik, që operon brenda sistemit ligjor të Kosovës dhe puna e saj është përkrahur nga BE-ja”, ka deklaruar Wigand në konferencën për media të martën.

Ai ka theksuar se personat e dënuar në shkallën e parë kanë të drejtë të apelojnë aktgjykimet para një paneli të pavarur të Apelit në kuadër të Dhomave të Specializuara.

“Personat e dënuar në shkallën e parë kanë të drejtë ta apelojnë aktgjykimin para gjyqtarëve të pavarur të Apelit. Mbështetja jonë për Dhomat është e qëndrueshme dhe do të vazhdojë”, ka thënë Wigand.

Sipas tij, Dhomat e Specializuara po zhvillojnë procedura gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, bazuar në parimin e përgjegjësisë individuale.

Më 16 shtator, Gjykata Speciale dënoi me gjithsej 81 vjet burgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet.

Ndërkohë, PDK-ja synon përmes ndryshimeve ligjore kufizimin e mandatit të Speciales dhe përfshirjen e një mekanizmi ndërkombëtar monitorimi.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se synimi është që rastet që lidhen me krimet e luftës të trajtohen në Kosovë, ndërsa në Hagë të mbeten çështjet e ngritura në raportin e Dick Martyt./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Protesta kundër aktgjykimit të Speciales vazhdon për të shtatën ditë

Published

on

By

22:00

Edhe sonte, protesta në Prishtinë kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ka mbledhur mijëra qytetarë.

Në mesin e të pranishmëve pati qytetarë nga vende të ndryshme, të cilët u mblodhën në sheshin “Skënderbeu” për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Gjatë protestës ka performuar këngëtari i njohur Ramë Lahaj, ndërsa para protestuesve ka folur edhe Gentiani, nipi i Rexhep Selimit. Tubimi është shoqëruar me pankarta dhe thirrje për drejtësi.

Protesta e sontme është zhvilluar në vazhdën e tubimeve të organizuara prej disa ditësh në Prishtinë, pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

 

Protestat në Prishtinë kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së vazhdojnë edhe sonte, për të shtatën ditë me radhë.

Qytetarët pritet të mblidhen sërish në sheshin “Skënderbeu”, pas gjashtë netëve radhazi të tubimeve në kryeqytet. Protesta e së hënës ishte e gjashta dhe u zhvillua me pjesëmarrje të madhe qytetarësh.

Tubimet kanë nisur pas aktgjykimit të shpallur më 16 shtator ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa gjatë netëve të kaluara tubimet në Prishtinë janë zhvilluar pa incidente të raportuara.

Protestat janë shoqëruar me pankarta dhe thirrje për drejtësi, ndërsa në mesin e pjesëmarrësve kanë qenë qytetarë nga Kosova dhe diaspora.

D.L

Continue Reading

Lajmet

39 inspektorë dhe mbledhës borxhesh i bashkohen ATK-së

Published

on

By

Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) i janë bashkuar sot 39 punonjës të rinj, 32 inspektorë fillestarë dhe 7 mbledhës të borxheve me qëllim fuqizimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të institucionit.

Gjatë mikpritjes së punonjësve të rinj, Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, nënvizoi përgjegjësinë e madhe që ata marrin për të dëshmuar integritet dhe profesionalizëm në shërbim të shtetit dhe tatimpaguesve.

Përzgjedhja e tyre u bë përmes një procesi konkurrues publik ku morën pjesë mbi 1,800 kandidatë në fazat vlerësuese, ndërsa vlerësimi u realizua nga një komision i jashtëm mbi bazën e meritokracisë dhe transparencës. Me këtë rekrutim, ATK synon rritjen e efikasitetit në mbledhjen e detyrimeve tatimore dhe menaxhimin e borxheve. / E.A/

 

 

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

MINTI intensifikon kontrollet në Prishtinë e Gjilan për mbrojtjen e të drejtës së autorit

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ka zhvilluar sot një aksion inspektimi në rajonin e Prishtinës dhe Gjilanit për të mbikëqyrur zbatimin e ligjit për të drejtën e autorit.

Fokusi i këtyre kontrolleve ishte te bizneset që ushtrojnë veprimtari të fotokopjimit, riprodhimit dhe shpërndarjes së materialeve të mbrojtura me e drejtë autori. Qëllimi kryesor i aksionit është parandalimi i piraterisë, verifikimi i respektimit të kërkesave ligjore dhe mbrojtja e veprave të autorëve.

Inspektimet janë mbështetur në Ligjin për të Drejtën e Autorit dhe ato do të vazhdojnë edhe në rajone të tjera të Kosovës, duke u bazuar në informacionet dhe ankesat e pranuara nga konsumatorët.

Continue Reading

Të kërkuara