Lajmet

​Rashiq rrahjen e djalit të tij e quan sulm të organizuar

Published

on

Politikani serb nga Kosova, Nenad Rashiq rrahjen e djeshme të djalit të tij e ka quajtur sulm të organizuar dhe me motive të mundshme politike.

Ani pse nuk adresoi gishtin ndaj asnjë partie politike, Rashiq përmes një konference për medie kërkoi sot të ndalen etiketimet dhe shpifjet, pasi pasojat po prekin edhe familjet.

Derisa theksoi se ky rast duhet të zgjidhet, Rashiq tha se nuk e prejudikon rastin, por sulmi ka ndodhur nga persona që nuk kanë qenë nxënës të shkollës së djalit të tij.

Ndërkohë, Rashiq komentet e liderit të Listës Serbe, Goran Rakiq se ky rast është inskenim ndërmjet tij dhe Albin Kurtit, i konsideron të turpshme dhe pa dinjitet.

“Në asnjë mënyrë nuk dëshiroj të prejudikoj pasi është në zhvillim dhe prokuroria ka qenë në vendngjarje dhe disa prej personave janë ndaluar dhe gjithë organet janë të përfshira në proces. Dje kam kontaktuar me drejtorin e Policisë dhe ka treguar gatishmëri për zgjidhjen e kësaj çështje. Nuk dëshiroj të prejudikoj asgjë, por shpresoj që të zgjidhet. Deri te kjo ka ardhur, nuk dihet a ka qenë spontane apo me urdhërdhënës. Por nuk dua ta prejudikoj, por para incidenti ka qenë një grup në Facebok i organizuar, në të cilin është thënë se të hënën do të bisedojnë. Pastaj publikimi tjetër në Facebook që është fyese që jep parashenja që kjo duhet të jetë e ndërlidhur me ngjarjen. E treta, kur i është drejtuar djalit tim, i është drejtuar me fjalët që i ka sharë nënën shqiptare dhe bazuar ne këtë si prind dhe njeri mund të them se këtu ka diçka të planifikuar dhe ai të jetë i sulmuar. Krahas kësaj nuk do të prejudikoj, por do të paraqes gjendjen faktike. Në këtë grupin që kanë sulmuar kishte shumë që kishin përfunduar shkollimin dhe kanë qenë të armatosur me thika. Kjo s’ka qenë kacafytje të rinjsh, por e organizuar”, tha ai.

Krahas kësaj, Rashiq bëri të ditur se Prokurorisë sot i ka deklaruar se si motiv të incidentit mund të jenë deklarata të ashpra politike ndaj tij të politikanëve të Listës Serbe.

“Ekziston dyshimi që politikanët me deklarata të papërgjegjshme kanë fryrë edhe më tej këtë gjendje. Por përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë qenë në nivel. Sot kam kontaktuar edhe prokurorinë, të cilëve si shkaktarë të incidenteve iu kam theksuar dhe deklaratat që kanë dhënë Dalibor Jevtiq që të aludojë se ne nuk jemi persona të mirë. Kam kërkuar nga prokuroria që motivi dhe shkaku të shikohet edhe në nivelet e tjera, jo vetëm te fëmijët, por edhe te shkaku dhe motivi që ka ndodhur.Të ndalen etiketimet, kjo duhet të ndërpritet, politikisht mund të mos pajtohemi, por familja është e shenjtë”, tha ai.

Lidhur me deklaratat e kreut të Listës Serbe, Goran Rakiq se ky rast mund të jetë i inskenuar, Rashiq tha se këto deklarata janë të turpshme.

“Për mua është koment i pandershëm dhe duhet ta kenë për nderë ata që bëjnë këso komente. Për të rriturit nuk ke si i komenton këto. Nëse unë kam qenë organizator i asaj që djalit tim të rrahet dhe t’i thyhen dhëmbët, a do të ishte ai i përgjegjshëm që ai t’i shkaktonte djalit të tij lëndime të tilla. Unë them vetëm që t’i vijë turp të gjithëve që mendojnë kështu”, tha ai.

Ish-ministri Rashiq tregoi edhe për gjendjen shëndetësore të djalit të tij.

“Djali në shkollë ka qenë më shokë të tij dhe ka qenë i sulmuar nga një grup me një shufër metali dhe boks të hekurit ku i janë shkaktuar prerje të buzëve, janë thyer tre dhëmbë dhe kishte një gjakderdhje mjaft të madhe. Një grup prej 30 personave e kanë sulmuar ku e kanë rrezikuar jetën jo vetëm të djalit, por të gjithëve prezentë”, tha ai.

Përmes kësaj konference, Rashiq falënderoi edhe krerët e institucioneve dhe politike në Kosovë, por edhe korit diplomatik për përkrahje gjatë ditës së djeshme për sulmin fizik ndaj djalit të tij.

Lajmet

Policia e Kosovës shpall masat e shtuara të sigurisë dhe bllokimet e rrugëve për finalen Kosovë-Turqi

Published

on

By

Sot, më 31 mars 2026, Prishtina është qendra e vëmendjes sportive botërore, pasi Stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë nikoqir i ndeshjes finale të play-off-it për Kampionatin Botëror “FIFA World Cup 2026” ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Dueli, i cili fillon në orën 20:45, konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e futbollit kosovar, çka ka shtyrë Policinë e Kosovës të ndërmarrë një plan gjithëpërfshirës për rendin dhe sigurinë publike.

Për të garantuar mbarëvajtjen e kësaj feste sportive, Policia ka njoftuar se do të ketë prani të shtuar të zyrtarëve në stadium, në të gjithë qytetin dhe në tri “Fan Zona” të krijuara enkas për tifozët.

Si pasojë e fluksit të madh dhe lëvizjes së delegacioneve zyrtare, do të ketë bllokime të përkohshme dhe kufizime të qarkullimit në rrugët kryesore të kryeqytetit.

Segmentet më të prekura përfshijnë rrugët “Tring Ismajli”, “Agim Ramadani”, “Eqrem Çabej”, zonën te semaforët kryesorë, Bulevardin “Bill Clinton”, rrethin te Stacioni i Autobusëve, si dhe rrugët “Hekurudhat” e “Tirana” që çojnë drejt stadiumit.

Gjithashtu, kufizime do të ketë në perimetrin rreth stadiumit, përfshirë rrugën “Luan Haradinaj” deri te Ministria e Drejtësisë dhe rrugën “Fehmi Agani”.

Pas përfundimit të ndeshjes, vëmendja do të përqendrohet në rrugët që dërgojnë drejt aeroportit, duke përfshirë lagjen “Arbëria” dhe rrugën “Ahmet Krasniqi”. Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve në terren, të shfrytëzojnë rrugë alternative sa më shumë që të jetë e mundur dhe të kontribuojnë në ruajtjen e qetësisë, duke e cilësuar sigurinë si një përgjegjësi të përbashkët për këtë ngjarje madhore.

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu priti në takim Shefin e EULEX-it

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Shefin e EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano.

Në këtë takimit u diskutuan zhvillimet aktuale në Kosovë, me theks të veçantë në sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve dhe rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it.

Në këtë takim u rikonfirmua përkushtimi i përbashkët për forcimin e shtetit të së drejtës dhe për avancimin e proceseve që kontribuojnë në stabilitetin institucional dhe në rritjen e besimit të qytetarëve, sipas njoftimit të Kuvendit të Kosovës

Continue Reading

Lajmet

Ambasada e SHBA-së mbështet “Dardanët” para finales me Turqinë në “Fadil Vokrri”

Published

on

By

Atmosfera para përballjes vendimtare mes Kosovës dhe Turqisë është ndezur, madje kësaj ngjarje vëmendje i ka kushtuar edhe Ambasada e Amerikës në Kosovë

Përmes një postimi në rrjetet sociale, përfaqësia diplomatike amerikane ka rreshtuar veten përkrah tifozëve dardanë në këtë natë historike, duke dhënë një mesazh të qartë mbështetjeje: “Nga të gjithë ne në Ambasadën e SHBA-së, ne po ju mbështesim – luani fort dhe bëjeni Kosovën krenare”.

Kjo ndeshje, e cila konsiderohet si një finale e vërtetë për fatet e kualifikimit në Kampionatin Botëror, pritet të fillojë në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Interesimi për këtë takim është i jashtëzakonshëm dhe shkallët e stadiumit pritet të jenë të stërmbushura me tifozë që kërkojnë fitoren historike.

Përfaqësuesja e Kosovës zbret në fushë me moral të lartë dhe me përkrahjen e plotë të partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa vëmendja e gjithë opinionit publik është përqendruar në Prishtinë për këtë sfidë vendimtare që përcakton rrugëtimin drejt botërorit.

Continue Reading

Lajmet

Bëhu lider i komunikimit me Programin e Gjuhës Angleze

Published

on

By

Programi i Gjuhës AnglezeUBT po pozicionohet si një ndër platformat më të rëndësishme për përgatitjen e profesionistëve të ardhshëm në fushën e arsimit, përkthimit dhe komunikimit ndërkombëtar.

Ky program është ndërtuar mbi një kurrikulë moderne që përkon me standardet më të larta evropiane, duke u ofruar studentëve jo vetëm njohuri teorike mbi gjuhësinë dhe letërsinë, por edhe aftësi praktike që kërkohen sot në sektorin publik dhe privat.

Përmes një mjedisi stimulues që nxit mendimin kritik dhe krijimtarinë, studentët pajisen me kompetenca për të komunikuar me saktësi akademike dhe për të operuar me përgjegjësi etike në projekte komplekse.

Një element kyç që e bën këtë program unik është dimensionimi ndërkombëtar, ku përmes bashkëpunimeve me universitete prestigjioze në SHBA, Britani të Madhe, Gjermani, Itali dhe vende të tjera të BE-së, studentëve u mundësohet shkëmbimi semestral dhe përfitimi i bursave të plota përmes rrjeteve si Erasmus+ dhe CEEPUS.

Përveç përvojës ndërkombëtare, UBT ka krijuar lehtësi për të gjithë ata që synojnë të nisin rrugëtimin e tyre akademik në këtë drejtim, duke ofruar një bursë studimi prej 20% për të tri vitet e studimit për studentët e rinj që regjistrohen.

Ky investim në talentet e reja plotësohet nga resurset e pasura që UBT vë në dispozicion, si biblioteka e specializuar e gjuhës angleze, platformat e avancuara digjitale për mësimdhënie dhe mbështetja e vazhdueshme nga Qendra e Karrierës për punësim dhe praktika profesionale.

Duke pasur një staf akademik të kualifikuar në universitetet më të mira botërore dhe diploma që njihen gjerësisht në Kosovë dhe në Bashkimin Evropian, programi siguron që çdo i diplomuar të jetë një profesionist dhe i gatshëm për të kontribuar në zhvillimin arsimor dhe ekonomik të vendit.

Continue Reading

Të kërkuara