Lajmet

​Prokuroria Speciale i reagon ministrit Sveçla për rastin në Leposaviq

Sveçla tha se policia i ka kërkuar Prokurorisë të marrë në hetim rastin, por nuk u përgjigj pozitivisht.

Published

on

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në lidhje me deklarimet e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për rastin e sulmit të policëve në Leposaviq, njoftoi se deklarimi i Sveçlës që “zyrtarët policorë i kanë kërkuar Prokurorisë Speciale të marrë në hetim ngjarjen. Edhe pas këmbënguljes së tyre, Prokuroria nuk u përgjigj pozitivisht”, nuk paraqet pasqyrën e saktë të ngjarjes në kontekstin ligjor, për faktin se kompetenca lëndore e prokurorisë, në rastin konkret, kompetenca e veçantë dhe plotësuese e PSRK-së për hetimin e rasteve, është e përcaktuar qartë me ligj dhe nuk është në diskrecion të policisë apo zyrtarëve të Qeverisë që të përcaktojnë se cilat raste duhet të hetohen nga PSRK-ja dhe cilat nga prokuroritë themelore.

Prokuroria njofton se për këtë rast, Policia e Kosovës nuk ka ndjekur vijën e rregullt të komunikimit zyrtar të përcaktuar për rastet e hetimeve – komunikimin me prokurorin kujdestar, por ka komunikuar me prokurorin përgjegjës për terrorizëm në PSRK, i cili pasi ka marrë informatat nga policia, ka vlerësuar se rasti nuk ka elemente terrorizmi dhe të njëjtit i udhëzon që nëse nga veprimet e mëtejmë të policisë mund të rezultojë se ka elemente të terrorizmit, të njoftohet prokurori kujdestar në PSRK.

“Për më tepër, PSRK-ja nuk ka pranuar asnjë raport zyrtar nga policia lidhur me këtë rast, përmes të të cilit do të mund të përcaktohej nëse është kompetente ose jo për të trajtuar këtë rast. Nga informatat e para, të lëshuara nga autoritetet e policisë dhe prokurorisë lidhur me këtë rast, lehtë konstatohet se bëhet fjalë për vepra që nuk janë në kompetencë të PSRK-së dhe për rastin tashmë Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore siç përcaktohet me legjislacionin në fuqi. Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga njoftimi zyrtar i Policisë për PSRK-në, ku përshkruhen veprat për të cilat janë filluar hetimet nga prokuroria kompetente. Përmes këtij njoftimi, PSRK-ja siguron qytetarët se mbetet maksimalisht e përkushtuar për të përmbushur mandatin ligjor në luftimin e të gjitha formave të krimit, brenda kompetencës së përcaktuar me ligj, prandaj kërkon nga të gjithë zyrtarët shtetëror që të përmbahen në deklarime të ngutshme dhe të pasakta, veçanërisht nga ato që kanë të bëjnë me hetime të rasteve, sepse deklarime të tilla, nuk i kontribuojnë hetimit të pavarur dhe profesional të rasteve dhe mund të krijojnë huti në opinion, gjë që dëmtojnë imazhin e institucioneve të drejtësisë dhe zbehin besimin e publikut në punën e tyre”, thuhet në njoftim.   

Lajmet

Sulm me armë zjarri në një lokal në Prishtinë: Plagoset një person, autorët në arrati

Published

on

By

Mbrëmë në Prishtinë, saktësisht në rrugën “Ali Sokoli”, disa persona të maskuar kanë shtënë me armë zjarri brenda një lokali, duke lënë të plagosur një person.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, viktima është dërguar menjëherë në QKUK për trajtim mjekësor.

“Raportohet se nga persona të panjohur, të maskuar në një lokal është shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull kosovar, i cili ka pësuar lëndime në kokë dhe është dërguar për tretman mjekësor në QKUK-Prishtinë”, thuhet në raport.

Personat e dyshuar për kryerjen e kësaj vepre ndodhen ende në arrati, ndërsa policia po vazhdon hetimet për zbardhjen e rastit.

Continue Reading

Lajmet

Sukses historik në Cannes: Filmi “Dua” i Blerta Bashollit pritet me duartrokitje në premierën botërore

Published

on

By

Kinematografia e Kosovës ka shënuar një tjetër arritje të madhe në arenën ndërkombëtare. Filmi më i ri i regjisores së njohur Blerta Basholli, “Dua”, ka pasur mbrëmë premierën e tij botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Cannes, në kuadër të seksionit prestigjioz “Java e Kritikës”.

Filmi sjell para publikut botëror një rrëfim prekës dhe të fuqishëm për Kosovën e viteve të 90-ta. Përmes një gërshetimi të artit, kujtesës dhe ndjeshmërisë njerëzore, “Dua” pasqyron jetën e një gjenerate që u rrit dhe u përball me represionin e egër, frikën e përditshme dhe mungesën e lirisë, duke e shndërruar kështu historinë tonë kolektive në një dëshmi të fuqishme artistike.

Premiera e mbrëmshme u përcoll me një interesim të jashtëzakonshëm nga publiku dhe mori vlerësime mjaft pozitive nga kritika ndërkombëtare e filmit. Kjo pritje e ngrohtë konfirmon edhe një herë hovin dhe potencialin e jashtëzakonshëm që ka marrë filmi kosovar vitet e fundit.

Ky përfaqësim dinjitoz në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë është një triumf i madh për regjisoren Blerta Basholli, ekipin e aktorëve dhe mbarë industrinë tonë të filmit.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Komisionarja e BE-së Marta Kos sot për vizitë në Kosovë

Published

on

By

Komisionarja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, do të zhvillojë sot vizitën e saj të parë zyrtare në Kosovë që nga marrja e kësaj detyre në dhjetor të vitit 2024. Sipas agjendës, ajo do të pritet fillimisht në orën 10:00 nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe më pas, në orën 10:45, do të takojë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Pas këtij takimi, Kurti dhe Kos do të dalin në një konferencë të përbashkët për media.

Kjo është vizita e parë e komisionares në Prishtinë, pasi ajo tashmë ka vizituar të gjitha shtetet e tjera që synojnë integrimin në BE. Një vizitë e ngjashme e paraparë për mesin e muajit mars u anulua, si rrjedhojë e vendimit të ish-presidentes Vjosa Osmani për të shpërndarë Kuvendin e Kosovës.

Kjo vizitë vjen me një moment kritik për vendin. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, paralajmëroi një ditë më parë se Kosova rrezikon të mbetet pa miliona euro nga Plani i BE-së për Rritje. Shkak për këtë është bllokada institucionale; për shkak të mungesës së një Kuvendi funksional nga procesi zgjedhor, vendi nuk mund të miratojë reformat e domosdoshme deri më 30 qershor 2026.

Gjatë takimit të Këshillit Ministror për Integrim Evropian, ku u shqyrtua ecuria e Agjendës së Reformave, Kurti saktësoi se dhjetë reforma kyçe skadojnë në fund të muajit të ardhshëm, duke shtuar se nëntë prej tyre tashmë llogariten të rrezikuara.

Ai vuri në dukje se projektligje jetike – si pakoja e reformës në drejtësi, ligji për ndihmën shtetërore, ai për kamatat e banesave, si dhe rregullat për menaxhimin e pasurisë së sekuestruar – janë gati dhe do të mund të votoheshin që këtë muaj nëse institucioni legjislativ do të ishte aktiv. Pavarësisht kësaj sfide, kreu i qeverisë në detyrë kujtoi se Kosova ka qenë ndër vendet e para në rajon që ka përmbushur paraprakisht detyrimet e saj për këtë plan rritjeje.

 

Continue Reading

Lajmet

Moti sot në Kosovë

Published

on

By

Moti edhe sot do të mbajë i vranët dhe me intervale me diell në vendin tonë, sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.

Vranësirat vende-vende mund të shoqërohen me riga të lehta shiu, ndaj bëni mirë të merrni një ombrellë me vete.

Sa i përket temperaturave, ato minimale do të lëvizin mes 5 dhe 7°C, ndërsa maksimalet e ditës do të arrijnë mes 17 dhe 20°C.

Do të fryjë një erë e lehtë kryesisht nga veriperëndimi, me shpejtësi prej 1 deri në 6 m/s.

Continue Reading

Të kërkuara