Lajmet

​Prishtina do të blejë autobus elektronik, paralajmërohet rritja e çmimit të biletave

Në komunën e Prishtinës thonë se rritja e çmimit është kërkesë e BERZh-it.

Published

on

Kryeqytetit do t’i shtohen edhe 31 autobusë të rinj, disa prej tyre elektronik, me të cilët pritet edhe shtimi i linjave të reja. E derisa paralajmërohet ngritja e çmimeve të biletave për 10 cent më shumë, në komunën e Prishtinës thonë se rritja e çmimit është kërkesë e BERZh-it, që vije si pasojë e rritjes së çmimeve të derivateve.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, në një intervistë për KosovaPress, ka bërë të ditur se në muajin shtator do të fillojë procedura për flotën e re që parasheh ardhjen e 31 autobusëve. Ai gjithashtu shtoi se do të këtë 6-8 autobusë elektrik, që do të mundësojnë linja të reja.

“Prej këtyre 31 autobusëve së fundmi ne kemi bërë një ndryshim prej kërkesës me qëllim se brenda flotës të kemi edhe minibus. Qëllimi është që këta minibusit të funksionojnë në zonat rurale, periferike, ku kemi më shumë kërkesa prej qytetarëve, por në të njëjtën kohë ka shumë mundësi dhe potencial të shtohen linja të reja. Me autobusët e flotës aktuale është e pamundur thuaje me operu, kjo është arsyeja që kemi bërë kërkesë që të këtë edhe minibus. Gjithashtu, brenda flotës se re do të këtë 6-8, autobusë elektrik të cilën do të shfrytëzohen në këtë zonë, në zonën e unazës qendrore, e cila parashihet të implementohet, andaj para se të fillojë në shtator procedurat, ne prej BERZH-it, kemi pasur takime, diskutime, ku kemi dy kërkesa. Kërkesa e parë ka të bëjë me themelimin e një kontrate të re me një operator privat, pra prej një operatore privat, në formatin e njëjtë qysh e kemi trafikun urban , pagesë për kilometër”, ka deklaruar ai.

Musliu tregoi se kanë bëre kalkulime në lidhje me çmimet e biletave dhe kanë dalë me rezultate që është e pamundur të operojnë me çmimin aktual të derivateve, pasi brenda kërkesës së BERZH-it, është argumentuar që ata kërkojnë stabilitet financiar. Prandaj në shtator pritet të këtë rritje të çmimit të biletës për udhëtarët për 10 cent, ku çmimi do të jetë nga 40 cent në 50 cent.

“Kërkesa e dytë është shtrenjtimi i biletës prej 40 cent në 50 cent, e që realisht kjo kërkesa e dytë është më e ndjeshme, për faktin që jemi duke u ballafaquar me një ngritje të lartë çmimeve dhe më një krizë, mirëpo këto janë edhe arsyet pse BERZH-i ka kërkuar të këtë edhe një ngritje të çmimit të biletës. Mos të harrojmë, ne ende e kemi një biznes plan të cilin BERZH-i, në koordinim me trafikun urban dhe komunën kanë punuar me ardhjen e flotës të parë që aty është paraparë, siç ka qenë atëherë gjendja diku më pak se 1 euro shpenzimi për litër, pra të derivateve dhe ky zë i shpenzimeve është dyfishuar. Kjo është arsyeja që çmimi i naftës më u rrit”, vijoi Musliu.

Ai theksoi se qytetarët po ballafaqohen me një ngritje të çmimeve kudo, andaj shpreson të këtë mirëkuptimin e tyre. Ndërsa, tregoi që procedurat për autobusët e rinj do të fillojnë në shtator të këtij viti.

“Ne procedurat do t’i fillojmë në shtator, pastaj procedura ka disa afate kohore të cilat janë të parapamë me ligj, andaj jo shumë shpejtë mundemi të pranojmë flotën e re, mirëpo do të këtë koordinim në mes të unazës qendrore dhe autobusëve elektrik, të cilët është paraparë me operu brenda kësaj unaze. Kjo taskforca është e njëjta e cila punon edhe për trafikun dhe mobilitetin dhe të gjitha ndryshimet e unazës në trafik, andaj do të këtë harmonizim të vendimeve me qëllim të kemi autobusë me operu edhe unaza dhe në të njëjtën kohë këto dy shërbime të jenë në shërbim të qytetarëve”, ka thënë ai.

Sipas tij, me ardhjen e autobusëve të rinj, do të këtë biletë të integruar, biletë javore, mujore si dhe vjetore, ku do të jetë një kompani përgjegjëse vetëm për transportin publik.

Ndërkohë, për unazën qarkore Musliu theksoi së në shtator do të bëhët testimi i tretë, që do të jetë në ditë punë, ku parashihet të jetë testimi final para implementimit.

“Ne mendojmë në shtator ta kemi gjithsesi testin e radhës, nuk po dëshirojmë në muajt korrik dhe gusht për shkak të sezonës, për shkak të manifestit, Sunny Hilli-it. Gjithashtu kemi edhe shumë ngjarje të tjera të cilat janë të paraparë në kryeqytet në këto dy muaj, korrik dhe gusht, andaj kemi vendosur që në shtator të kemi testin e radhës, testi i radhës do të jetë në ditë të punës, ndoshta do të jetë i gjatë më shumë se dy ditë dhe do të jetë testi i fundit para së të lëshojmë implementimin e unazës”, tha Musliu.

lajme

Sot mbahet seanca e mbyllur ndaj Jeton Sylajt për rastin e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Gjykata Themelore në Pejë mban sot shqyrtimin fillestar në çështjen penale ndaj Jeton Sylajt, i akuzuar për kanosjen e bashkëshortes së tij të ndjerë, Arlinda Zekaj.

Seanca gjyqësore, e cila nis në orën 11:00, do të zhvillohet pa praninë e publikut dhe mediave, në bazë të vendimit të marrë nga gjykata më 10 nëntor, me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Pejë.

Përjashtimi i publikut ka për qëllim mbrojtjen e jetës private dhe familjare të palëve të përfshira në procedurë, me fokus të veçantë te mbrojtja e privatësisë dhe interesit të fëmijës së mitur. Gjatë kësaj seance pritet të shqyrtohen deklarimet e palëve, raportet psikologjike, bashkëbisedimet me fëmijën si dhe video-incizimet që janë pjesë e shkresave të lëndës. /E.A/

Continue Reading

Aktualitet

Kurti takon në Paris emisarin Sorensen: Diskutohet për normalizimin dhe dialogun me Serbinë

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Paris, është takuar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, në margjinat e Forumit të Paqes.

Gjatë takimit u diskutua për perspektivat e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve me fokus njohjen reciproke, stabilitetin institucional të paszgjedhjeve në Kosovë, si dhe rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE.

“Diskutuam për stabilitetin e plotë institucional që gëzon tashmë Kosova pas zgjedhjes së presidentit, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, si dhe perspektivat për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me fokus njohjen reciproke”, u shpreh kryeministri Kurti.

Edhe emisari evropian Sorensen konfirmoi takimin përmes një njoftimi, duke vlerësuar bisedën si të frytshme për përcaktimin e hapave të mëtejshëm në dialog dhe procesin e normalizimit në dobi të qytetarëve dhe rajonit. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin francez, Kurti gjithashtu zhvilloi një bashkëbisedim me studentë, ku theksoi pritjet e tij që udhëheqja e re e Serbisë të njohë Republikën e Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Kosova U19 mposhtet nga Belgjika në raundin e dytë kualifikues

Published

on

By

Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll e ka nisur me humbje raundin e dytë kualifikues për Kampionatin Evropian Euro 2027, pasi u mposht nga Belgjika me rezultat 2:0.

Në ndeshjen e zhvilluar në Skoci, pjesa e parë përfundoi pa gola, mirëpo belgët zgjidhën sfidën me dy goditje të shpejta me të filluar pjesa e dytë. Naim Amengai realizoi për 1:0 në minutën e 47-të, ndërsa Jessie Da Silva dyfishoi epërsinë dy minuta më vonë.

Sfida e radhës për futbollistët e rinj të Kosovës në kuadër të Grupit A2 do të jetë të shtunën kundër nikoqires së turneut, Skocisë.

Në anën tjetër, edhe Përfaqësuesja U17 e Kosovës ka pësuar humbje në sfidën ndaj Bjellorusisë, ndërsa ndeshjen e ardhshme do ta zhvillojë më 17 nëntor përballë Kazakistanit. Tri ekipet e para të secilit grup do të sigurojnë kalimin në raundin e tretë, me shortin që pritet të tërhiqet më 10 dhjetor. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Murati prezanton buxhetin për 2027-ën, opozita kritikon investimet kapitale

Published

on

By

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar në shqyrtimin e parë para Komisionit për Buxhet Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh, të mbështetura nga të hyra prej 4 miliardë e 2 milionë eurosh dhe një deficit fiskal prej 2 për qind.

Gjatë raportimit, ministri Murati theksoi se buxheti reflekton rritjen ekonomike dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike, ndërsa arsyetoi rritjen e kostos së jetesës me faktorë dhe tronditje të jashtme gjeopolitike.

“Sa i përket inflacionit, patjetër që është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë, sikurse në të gjitha vendet tjera të botës. Kjo ka dy shkaktarë, fillimisht ishte lufta në Ukrainë, e cila ndikoi në tronditjen globale të çmimeve të energjisë, por edhe të ushqimeve, dhe tash së fundi kemi edhe valën e re që vjen si rezultat i konfliktit në Gjirin Persik”, deklaroi Murati.

Prezantimi u pasua me kritika të ashpra nga anëtarët e opozitës. Deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, ngriti shqetësimin për ngecjen e investimeve kapitale dhe ndikimin e inflacionit në mirëqenien e qytetarëve, duke iu referuar edhe raporteve që tregojnë se mbi një miliard euro investime të planifikuara kanë mbetur të pashpenzuara gjatë viteve të kaluara.

Seanca u karakterizua edhe nga debati i tensionuar mes ministrit Murati dhe deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili kritikoi mungesën e një orientimi të qartë strategjik në infrastrukturë, shëndetësi dhe energji, duke vënë në dyshim pasqyrimin e premtimeve qeverisëse në kornizën trevjeçare buxhetore.

“S’je i interesuar sepse je mashtruesi më i madh që ka pasur ky vend… Buxheti nuk është një plan kontabël, është një dokument strategjik”, u shpreh Hoti gjatë përplasjes direkte me ministrin e Financave.

Sipas planifikimit të ndarjeve buxhetore sipas kategorive ekonomike, për paga janë paraparë 1 miliard e 84.9 milionë euro, për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro, ndërsa për investime kapitale është alokuar shuma prej 1 miliard e 70 milionë eurosh. Projektligji pritet të vazhdojë procedimin në komisionet e linjës për shqyrtim të mëtejshëm. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara