Kulturë

​Përvjetori i lindjes së Ismail Kadare

Ai shquhet për novela, romane, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe sprova.

Published

on

Më 28 janar të vitit 1936, 86 vjet më parë, u lind poeti dhe shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare. Ai lindi në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm. Kadare është një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi. Ai shquhet për novela, romane, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe sprova.

Në vitin 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës, për të vazhduar më pas në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960). Kadare është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe gjithashtu një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë botërore bashkëkohore.

Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore. Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit Frymëzimet djaloshare, 1954, “Ëndërrimet”, (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin Shekulli im (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976). Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal; rol me rëndësi për pasurimin e poezisë shqiptare.

Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Ideja e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1975). Në romanin Kronikë në gur (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike.

Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela Emblema e dikurshme (1977), Ura me tri harqe (1978) dhe Gjakftohtësia (1980). E veçanta e talentit të Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t’i japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani Pallati i ëndrrave (1981). Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë.

Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”. Autoritetet e kohës e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua. Në vitin 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar.

Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Që nga v. 1994 I.K. është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës dhe anëtar i jashtëm i ASHAK.

Ka qenë delegat në Kongresin e Drejtshkrimit (1972).Në vitin 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”.Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.Ismail Kadare më 23.06.2012 u nderua me Çmimin e madh spanjoll, “Princi i Asturias për Letërsi”, një nga çmimet me prestigjioze letrare në botë. Ai doli fitues mes 31 kandidateve nga 25 vende të ndryshme të botës ku dallohet emri i Milan Kunderas apo italiani Antonio Cabucchi. Ismail Kadare shkroi edhe veprën e njohur “Gënjeshtër nga dashuria e Galdimi ndaj Arife-s” 2013.

Lajmet

Mbrëmje përkujtimore në Bernë për 95-vjetorin e Dritëro Agollit

Published

on

Ambasada e Shqipërisë në Bernë organizoi në bibliotekën Kornhausbibliothek një mbrëmje të veçantë kushtuar 95-vjetorit të lindjes së poetit dhe shkrimtarit shqiptar Dritëro Agolli.

Në aktivitet morën pjesë nxënës shqiptarë, mësues dhe dashamirës të kulturës shqiptare në Zvicër, të cilët u njohën me jetën dhe veprën e një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqipe.

Ambasadori Ermal Dredha e vlerësoi Agollin si një krijues që e shndërroi përvojën e njeriut të zakonshëm në art, duke theksuar se veprat e tij mbeten aktuale për shkak të trajtimit të vlerave universale si dinjiteti njerëzor, dashuria dhe raporti i njeriut me kohën.

Mbrëmja u pasurua me recitime nga nxënësit e shkollave shqipe në Zvicër, interpretime muzikore nga Mimoza Nazarko dhe nxënësit, si dhe me materiale filmike dhe incizime nga zëri i vetë Agollit.

Ambasada falënderoi Brikela Andera, bibliotekën Kornhausbibliothek dhe Muzeu Kadare–Agolli për kontributin në realizimin e aktivitetit, i cili mundësoi ekspozimin e dorëshkrimeve dhe materialeve krijuese të autorit.

Pas Bernës, aktivitetet e Vitit të Agollit dhe Kadaresë do të vazhdojnë në Gjenevë, ku gjatë vjeshtës pritet të organizohet një veprimtari kushtuar shkrimtarit Ismail Kadare.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Përfundojnë xhirimet e filmit të shkurtër “Ni latte pa qumësht”

Published

on

Kanë përfunduar xhirimet e filmit të shkurtër “Ni latte pa qumësht”, me skenar dhe regji nga Mjellma Istrefi, ndërsa producent është Shkumbin Istrefi.

Në këtë film luajnë aktorët Tristan Halilaj, Ilire Vinca, Gentrit Shala, Selman Jusufi, Blerta Ismaili, Orgeta Brahimi dhe Liza Curri.

Drejtor i fotografisë është Naum Doksevski.

Filmi është prodhim i Mayfly Productions.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu merr pjesë në hapjen e ekspozitës “Sy më Sy”

Published

on

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në hapjen e ekspozitës “Sy më Sy”, e cila trajton rrëfimet dhe përvojat e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Në fjalën e saj, Haxhiu tha se irisi, i vendosur në qendër të ekspozitës, paraqet një shenjë unike të identitetit njerëzor dhe simbolizon praninë, dinjitetin dhe historinë personale të secilit individ.

Ajo vlerësoi punën e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe organizatës “Pro Peace”, duke theksuar rëndësinë e rrëfimeve të të mbijetuarve dhe nevojën për t’u përballur me stigmën që ka përcjellë shumë prej tyre pas luftës.

Sipas Haxhiut, personat e dhunuar seksualisht gjatë luftës janë pjesë e historisë së Kosovës dhe meritojnë njohje, kujdes, drejtësi dhe jetë me dinjitet.

Ekspozita “Sy më Sy” synon të nxisë reflektimin dhe ndërgjegjësimin mbi përvojat e të mbijetuarve, duke sjellë para publikut histori që për vite të tëra kanë mbetur në heshtje.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Biblioteka Kombëtare organizon aktivitet për 90-vjetorin e Rexhep Qosjes

Published

on

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” do të organizojë më 25 qershor një takim nderues me rastin e 90-vjetorit të lindjes së akademikut dhe shkrimtarit Rexhep Qosja.

Në kuadër të këtij aktiviteti do të mbahet ligjërata me titull “Fjalim për njeriun e fjalës”, e cila do të prezantohet nga Ag Apolloni.

Takimi do të zhvillohet më 25 qershor, duke filluar nga ora 11:00, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në Prishtinë.

Aktiviteti synon të nderojë jetën, veprën dhe kontributin e Rexhep Qosjes në letërsinë, kulturën dhe mendimin shqiptar, me rastin e jubileut të 90-vjetorit të lindjes së tij.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara