Lajmet

​Përmes protestës kërkohet nga MSh sigurimi i terapisë për fibrozë cistike

Kosova nuk ka repart për trajtimin e pacientëve me fibrozë cistike.

Published

on

Shoqata e Personave me Fibrozë Cistike, së bashku me prindërit e pacientëve të prekur nga kjo sëmundje, përmes një proteste të organizuar para Ministrisë së Shëndetësisë kanë kërkuar të përmbushet lista e barnave esenciale për këtë sëmundje e nënshkruar në vitin 2019. E nga sekretari i MSh-së, Naim Bardiqi morën zotimin se janë në proces të sigurimit të barnave për pacientët me fibrozë cistike, madje ai tha se shumë shpejt do të nis shpërndarja e terapisë kreon.

Gani Kryeziu, i cili ka djalin e prekur nga fibroza cistike, pret nga Ministria e Shëndetësisë që t’iu sigurojnë terapinë fillestare për trajtimin e kësaj sëmundje. Ai thotë se deri në 2 mijë euro është kostoja për të siguruar terapinë për këta pacientë.

“Kemi shumë nevojë, sidomos për terapinë primare apo fillestare që pa ato faktikisht po na kushtojnë jashtëzakonisht shumë dhe ju normal që i dini çmimet se sa kushtojnë ato, shpresojmë që MSh do të na ndihmojnë në atë drejtim… nëse fëmija është në kushte normale minimum do të jetë 1 mijë deri në 1mijë e 500 euro, nëse fëmija është në kushte ekstreme krizën kur e ka kalon mbi 2 mijë euro”, tha ai.

Më pas, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi u zotua se janë në proces të sigurimit të barnave për pacientët me fibrozë cistike.

Sipas tij, për terapinë e njohur si kreon pritet vetëm nënshkrimi i kontratës dhe shpërndarja, kurse për të dy terapitë e tjera janë në proces e sipër.

“Jemi në proces të sigurimit të barnave për pacientët me fibrozë cistike, mund të them se është në aspektin teknik sigurimi i kreonit që ndodh nga buxheti i shtetit është hera e parë derisa jeni në dijeni se iu është siguruar prej donacioneve të ndryshme. Kontrata ka kaluar të gjitha fazat e parapara me legjislacionin në fuqi dhe pritet brenda ditësh të nënshkruhet dhe furnizimi të fillojë po ashtu brenda disa ditëve. Sa i përket dy produkteve të tjera që janë patjetër të varur pacientët me fibrozë cistike janë edhe ato në proces e sipër dhe se ndoshta do të marr pak kohë, javë dhe ndoshta disa muaj, por duke respektuar të gjitha procedurat ligjore, por ne iu sigurojmë që edhe këto barna në të ardhmen shumë të afërt për pacientët me fibrozë cistike”, u shpreh Bardiqi.

Sherif Uka nga Shoqata e Personave me Fibrozë Cistike u shpreh se përmes kësaj proteste po kërkojnë sigurimin e terapive të cilat janë vështirë për t’i siguruar si familjar.

Lidhur me kërkesën e Shoqatës së Personave me Fibrozë Cistike për të siguruar një repart për trajtimin e këtyre pacientëve pasi nuk ka në Kosovë, nga Ministria e Shëndetësisë iu tha të bëhet kërkesë në këtë institucion për krijimin e kësaj njësie. 

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 11 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

11 shtator 1993

 

 

Në Prishtinë pritet në radhë për bukë

 

Furnizimi i Prishtinës dhe i qyteteve të tjera të Kosovës është vështirësuar dukshëm kohët e fundit, si pasojë e masave më të reja të qeverisë serbe.

Shumë dyqane private të pronarëve shqiptarë tashmë janë mbyllur, qoftë për shkak të kërcënimeve e shantazheve të policisë serbe, qoftë për shkak të vështirësive të tjera rreth furnizimit dhe të çmimeve jostabile.

Gjendje tejet e rëndë është veçmas sa i përket furnizimit me bukë. Kështu në Prishtinë qytetarët detyrohen që të presin në radhë edhe për bukë, e cila në sasi të kufizuara shitet që në orët e hershme të mëngjesit.

Furnizimi është tejet i vështirë edhe me artikuj të tjerë ushqimorë, në radhë të parë me sheqer, krip, vaj, deterxhent etj.

 

 

 

11 shtator 1995

 

Në Universitetin e Tetovës studiojnë 1.200 studentë

 

Shkup, 11 shtator (QIK)

Në vitin e parë dhe të dytë të studimeve në Universitetin e Tetovës do të studiojnë 1.200 studentë. Për ligjërimin e mësimeve momentalisht janë të inkuadruar 150 profesorë dhe ky numër mjafton për rrjedhën normale të punës.

Preokupim momental është sigurimi i kuadrit për mësimin e gjuhës maqedonishte, e cila me planprogramin e punës së Universitetit të Tetovës është paraparë të mësohet si lëndë në degët e fakultetit filologjik.

Në momentin e pikërisht, UT ka 17 mësonjtore dhe pesë zyra administrate, të cilat janë të mjaftueshme për punë normale. Ditëve të fundit, në Universitet rrjedh aksioni “libri për Universitetin”, të cilin e kanë përkrahur shumë qytetarë të republikës dhe më gjerë. Po ashtu, një grup punonjësish të këtij institucioni të lartë edukativo arsimor, vizitojnë komunat dhe bashkësitë lokale, dhe me këtë rast njoftojnë popullin për punën e universitetit dhe kushtet materiale të tij pasi që ky universitet tani për tani financohet nga vetë populli, derisa të hyjë në sistemin e financimit të republikës.

Lidhur me yçjen e Universitetit të Tetovës në sistemin edukativo-arsimor dhe financiar të Republikës së Maqedonisë, rektori i UT prof.dr.Fadil Sulejmani, thotë: “Ne të gjithë në Universitet vazhdojmë punën tonë si pedagog për çka edhe jemi të obliguar, kurse inkuadrimin e Universitetit të Tetovës në sistem ia kemi lënë subjektit politik shqiptar. Universiteti ynë nuk është hapur për qëllime politike, por për nevoja reale arsimore të popullit shqiptar”.

 

 

11 shtator 1997

 

 

Dhuna e përditshme në Kosovë

 

Skenderaj: – Driton Imeri (20) dhe Asllan Seferi (25), nga Prekazi i Epërm, u ndaluan në Shipol nga policia më 31 gusht dhe u keqtrajtuan fizikisht pa kurrfarë preteksti. Gjatë kontrollit të veturës së tyre, policia gjeti një shqiponjë dhe e dogji atë, duke fyer në baza kombëtare këta dy të rinj dhe duke i keqtrajtuar ata publikisht.

Më 5 shtator, dy autoblinda, të përcjellura nga një helikopter “shetitën” nëpër Prekaz të Poshtëm, respektivisht nëpër lagjet Jasharaj, Kodraj dhe Lushtakët, duke mos u ndalur dhe vazhduan në drejtim të Polacit.

Hamdi Osmani, Mujë e Habib Salihu, Aziz Sejdiu, Sadik e Nezir Neziri dhe Rexhep Musliu, nga fshati Krasmiroc, me pretekst të kërkimit të armëve u morën ose u detyruan të paraqiten në polici disa herë me radhë. Ata, më 29 gusht, u morën dhe u mbajtën në polici disa orë, pastaj u urdhëruan që të paraqiten në polici më 2 shtator dhe disa ditë me radhë.

Gjatë muajit gusht, në komunën e Skenderajt ndodhi një vrasje, dy plagosje, 25 veta u morën në arrest në polici, 39 u morën në bisedë informative, 1 u keqtrajtua fizikisht, 36 psiqikisht, 18 veta u dënuan për kundërvajtje, 5 veta u kërcënuan, ndërsa policia “vizitoi” 38 familje shqiptare.

Mitrovicë: – Dje, në orët e paradites, gjashtë policë të stacionuar në afërsi të ujësjellësit, që gjendet në Shipol, ndaluan dhe legjitimuan të gjithë kalimtarët, si dhe autobusët që vinin nga drejtimi i Pejës dhe Skenderajt. Disa nga udhëtarët madje u bastisën dhe u fyen.

Kamenicë: – Më 3 shtator, dy policë shkuan në shtëpinë e Jakup Hashanit në Muqivërc dhe i lanë thirrjen që të paraqitet më 6 shtator në stacionin e policisë në Kamenicë. Ditën e caktuar ai u paraqit në polici, ku prej tij u kërkua një revole dhe u lirua me porosinë se do ta vërtetojnë rastin dhe do ta thërrasin prap.

Me të njejtin pretekst z. Hashani është marrë edhe disa herë më parë në polici.

Dje, për të tretën herë, me pretekst të kërkimit të armëve, u mor në pyetje në polici Hajrush Vokshi nga Poliçka. Vlen të theksohet se ai u mor në pyetje në lokalet e kooperativës bujqësore “Bujku” në Rrogoçicë, objekt ky të cilin policia e shfrytëzon vazhdimisht për marrje në pyetje të qytetarëve shqiptarë.

Sot, po me pretekst të armës, në policinë e Kamenicës u mor në pyetje rreth një orë Hasan Rapuca, kryetar i Nëndegës së LDK-së në Korretin. Ai që nga e diela është i detyruar të paraqitet çdo ditë në polici.

 

 

11 shtator 1998

 

Dy të vrarë e 6 të plagosur në Rezallë

 

Gjatë sulmit serb në Rrezallë të Skënderajt janë vrarë Xufë Ahmeti (1990) dhe Leutrim Ahmeti (1969), ndërsa janë plagosur Brahim Ahmeti (1969), Bajram Ahmeti (1987), Makfire Ahmeti (1987), Fatmir Ahmeti (30), Fatmire Malush Ahmeti (17) dhe Tahir Lladrofci (1976) nga Gllanasella e Gllogocit, që ishte mysafir.

Sipas dëshmisë së z. Lladrofci dyshohet të ketë mbetur i vrarë edhe Ramë Ahmeti (35).

Granatimet kanë qenë të fuqishme. Njoftohet për një rezistencë heroike të UÇK-së kundër sulmeve serbe.

Sulmi i filluar në mëngjes kundër fshatrave Rezallë, Ticë e Pluzhinë u zgjerua në orët e pasdites edhe në fshatrat Makërmal e Obri.

Nga këto fshatra, pas sulmit të sotëm u zhvendosën mbi 15 mijë banorë.

 

 

Në Kosovë janë shkatërruar e djegur 41.447 objekte

 

Sindikata e Pavarur e Veprimtarive Komunale e Banesore e Kosovës publoki raportin për pasojat e operacioneve të forcave serbe në Kosovë, në periudhën ndëmjet 28 shkurtit e 10 shtatorit, dhe propozoi disa masa për zbutjen e këtyre pasojave.

Në fillim të raportit thuhet se në Kosovë, në këtë periudhë, janë vrarë së paku 881, janë zhdukur pa gjurmë (e konsiderohen të vdekur) mbi 900, kurse janë keqtrajtuar rreth 10.000 shqiptarë, shumica e të cilëve ishin gra, pleq e fëmijë.

Sipas evidencës së deritashme të kësaj sindikate, në këto aksione, në të cilat janë përfshirë 320 vendbanime të 15 komunave të Kosovës (Skënderajt, Gllogocit, Deçanit, Gjakovës, Klinës, Rahovecit, Malishevës, Pejës, Vushtrrisë, Mitrovicës, Suharekës, Ferizajt, Shtimes, Lipjanit, Prishtinës, Prizrenit dhe Istogut), janë plaçkitur, djegur ose dëmtuar 41.447 objekte të ndryshme (39.622 shtëpi banimi, 1.755 lokale tregtare dhe mbi 60 objekte shkollore). Kështu, më shumë se 445.033 banorë kanë qenë të detyruar të braktisin shtëpitë e veta, ndërsa rreth 274.311 vetë kanë mbetur pa kulm mbi krye.

Sindikata e Pavarur e Veprimtarive Komunale e Banesore, duke tërheq vërejtjen për gjendjen tepër të rëndë të popullsisë që ka braktisur shtëpitë për të shpëtuar jetën, thekson se kjo situatë nuk mund të tejkalohet pa tërheqjen e forcave policore e ushtarake serbe nga Kosova, duke përfshirë edhe heqjen e rreth 100 postblloqeve policore, të cilat e bëjnë të pamundur lëvizjen e njerëzve dhe dërgimin e ndihmave humanitare.

Kjo sindikatë vlerëson se popullsia e zhvendosur nuk mund të kthehet në trojet e veta, në qoftë se nuk jepet ndihmë për ndërtimin e shtëpive të reja ose për sanimin e shtëpive të dëmtuara. Për këtë arsye, ajo vlerëson se Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të hartojë një program për krijimin e kushteve minimale për kthimin e të larguarve nga shtëpitë e tyre dhe të sigurojë mjete për kthim sa më të shpejt të tyre. Gjithashtu, ajo e vlerëson të nevojshëm edhe formimin e një agjencie profesionale për vlerësimin e dëmeve matriale dhe për hartimin e realizimin e programeve për sanimin e gjendjes në të gjitha vendbanimet e dëmtuara.

 

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

UBT përkujton viktimat e 11 Shtatorit

Published

on

By

Sot, UBT përkujton me respekt viktimat e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një tragjedi që tronditi jo vetëm popullin amerikan, por mbarë botën.

Në këtë ditë përkujtimi, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka shprehur solidaritetin e UBT-së me familjet e viktimave dhe popullin amerikan, duke theksuar rëndësinë e kujtesës, paqes dhe miqësisë së qëndrueshme ndërmjet popujve.

“11 Shtatori mbetet një kujtesë e dhimbshme e pasojave që sjell urrejtja dhe dhuna, por njëkohësisht edhe një thirrje e përhershme për paqe, solidaritet dhe bashkëpunim ndërmjet njerëzve dhe kombeve. Sot i nderojmë të gjitha viktimat e kësaj tragjedie dhe bashkëndjejmë me familjet e tyre dhe me popullin amerikan.

Për Kosovën dhe popullin shqiptar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një vend të veçantë në historinë tonë. Miqësia dhe mbështetja amerikane kanë qenë dhe mbeten një simbol i fuqishëm i partneritetit, lirisë dhe shpresës.

Në këtë ditë, kujtojmë viktimat, nderojmë sakrificën e tyre dhe riafirmojmë besimin tonë në një botë ku paqja, liria, toleranca dhe bashkëpunimi ndërtojnë të ardhmen”.

Prof. Dr. Edmond Hajrizi

Rektor i UBT-së

Continue Reading

Lajmet

Ramës i tregohen prangat kur merr fjalën për dhënien në shfrytëzim për 50 vjet të “Tulltores”

Published

on

Asamblistët e Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës e kanë penguar fjalimin e kryetarit Përparim Rama, lidhur me dhënien në shfrytëzim afatgjatë të “Tulltores”, në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet të premten. 

Ata me njërën dorë kanë goditur tavolinat dhe me tjetër i kanë treguar Ramës prangat. 

Rama ka qenë duke folur për pikën e parë të rendit të ditës që është “Propozim-vendimi për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës së paluajtshme të Komunës së Prishtinës, lokacioni “Tulltorja”. 

Rama ka thënë se toka nuk falët po jepet në shfrytëzim dhe sipas tij për këtë shfrytëzim kryeqyteti përfiton 1 milion euro në vit. 

Continue Reading

Lajmet

Abdixhiku përkujton 25-vjetorin e 11 Shtatorit: Kosova e njeh çmimin e lirisë

Published

on

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku tha se sulmet e 11 Shtatorit 2001, ku humbën jetën rreth 3 mijë persona, tronditën mbarë botën dhe mbetën në kujtesën kolektive si një prej akteve më të rënda të terrorizmit.

“Ky sulm nuk ishte vetëm një goditje ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por një sfidë brutale ndaj vetë vlerave themelore mbi të cilat ngrihet shoqëria demokratike, lirisë, paqes dhe bashkëjetesës”, ka thënë Abdixhiku.

Ai shprehu solidaritet me familjet e viktimave dhe popullin amerikan, duke theksuar se dhimbja e tyre është pjesë e kujtesës së përbashkët.

Abdixhiku tha se Kosova e njeh nga afër “çmimin e lirisë” dhe rëndësinë e miqësisë me Shtetet e Bashkuara.

“Lidhja e Kosovës me Shtetet e Bashkuara nuk është vetëm marrëdhënie mes dy vendeve; është një lidhje e ndërtuar mbi besim, vlera dhe një histori të përbashkët solidariteti”, u shpreh ai.

Në fund, Abdixhiku riafirmoi përkushtimin e tij ndaj aleancës me SHBA-në dhe vlerave demokratike, duke përmbyllur mesazhin me fjalët: “I përjetshëm qoftë kujtimi për viktimat e 11 Shtatorit”./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara