Lajmet

​PDK fajëson Qeverinë Kurti për dështim në menaxhimin e krizës me energji elektrike

Sipas Nikajt, paaftësia e Qeverisë për menaxhim të krizës energjetike ka ndikuar në gjendjen aktuale.

Published

on

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka adresuar kritika të ashpra ndaj Qeverisë Kurti pas fillimit të aplikimit të reduktimeve me energji elektrike, duke thënë se e gjithë kjo vjen si pasojë e mungesës së ideve dhe planeve për zgjidhjen e problemit me krizën energjetike.

Sekretari për marrëdhënie ndërkombëtare i Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj, në një konferencë për media tha se paaftësia e Qeverisë për menaxhim të krizës energjetike ka ndikuar që nga sot qytetarët të përballen me reduktime të energjisë.

Ai tha se reduktimet 6 orë me rrymë dhe 2 pa rrymë në mes të gushtit është dështim i plotë i kryeministrit Albin Kurti.

“Në një vend me qeverisje të paaftë, depresive e të papërgjegjshme, sikurse Qeveria e Albin Kurtit, kjo është asgjë më pak sesa manifestim i keqmenaxhimit, i cili po ndodh tash kur nuk është dashur as të paramendohej. Ne mund të presim përkeqësim të situatës me furnizim të energjisë elektrike gjatë dimrit”, tha ai.

Sipas Nikajt, terri me të cilin po shërbehen qytetarët e Kosovës sot, është produkt i një dështimi sistematik e kardinal disa mujor të menaxhimit të KEK-ut nga ana e Qeverisë, përkundër që secili qytetar i Kosovës po cenohet nga përditshmëria e tij për shkak të reduktimeve.

“KEK është po e njëjta korporatë, e cila veçmas në muajt e verës, me kapacitetet e veta prodhuese arrin të mbulojë nevojën e konsumit të energjisë, pa pasur nevojë për reduktime. Megjithatë, ja që më 15 gusht 2022, në mes të verës, qytetarët e Kosovës janë në terr. Përgjegjës për situatën është Qeveria e Kosovës, e cila me qasjen pa plan dhe pa ide për menaxhimin e sektorit energjetik, e ka prurë punën që ta ringjallë nga harresa kolektive ‘doktrinën’ e reduktimit të energjisë elektrike”, theksoi Nikaj.

Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të pafalshme që qytetarët e Kosovës të mësojnë në mbrëmje se të nesërmen nuk do të ketë energji elektrike dhe që në kushtet optimale të prodhimit të energjisë elektrike të ketë reduktime.

“Edhe vjeshtën e vitit të kaluar, në vazhdimësi kemi paralajmëruar për sfidat e furnizimit me energji gjatë dimrit. Këto paralajmërime ranë në veshë të shurdhër të qeverisë aktuale e cila nuk ndërmori asgjë, por thjesht e injoroi situatën. Edhe këtë vit, ka më shumë se dy muaj që kemi paralajmëruar thellimin e krizës energjetike, por përsëri Qeveria s’ka bërë asgjë, përveç se ka filluar ta konfirmoj atë që e kemi thënë më herët – se ky dimër do të jetë edhe më i rëndë se dimri i kaluar. Edhe sot na duhet ta theksojmë se dimri po vjen dhe nëse vera po përmbyllet me terr, atëherë dimri do të na gjejë me terr, por edhe pa ngrohje dhe me çmime të larta. Dhe fajin për këtë krizë e ka vetëm Qeveria”, tha Nikaj.

Rajoni

Shkrimtarë dhe gazetarë shqiptaro-amerikanë vizitojnë Shtëpinë e Bardhë në Washington

Published

on

Një grup shkrimtarësh, gazetarësh dhe përfaqësuesish të komunitetit shqiptaro-amerikan kanë vizituar Shtëpinë e Bardhë në Washington, në kuadër të një turi kulturor dhe historik për t’u njohur nga afër me një prej institucioneve më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vizita u organizua nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, e drejtuar nga presidenti Adi Memeti.

Për këtë përvojë ka shkruar shkrimtarja dhe gazetarja Keze Kozeta Zylo, në një artikull të publikuar më 1 nëntor në gazetën Illyria, ku ka ndarë përshtypjet nga vizita dhe rëndësinë historike të ambienteve të rezidencës presidenciale.

Gjatë turit, pjesëmarrësit vizituan disa prej ambienteve më të njohura të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë Dhomën e Gjelbër, Dhomën e Kuqe dhe Dhomën e Kaltër. Ata panë gjithashtu Sallën e Ngrënies Shtetërore, e cila përdoret për darka zyrtare dhe pritjen e personaliteteve të huaja.

Në mesin e pjesëmarrësve ishin Mhill Vela, ish-president i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, profesori Bexhet Asani, sekretar i shoqatës, si dhe gazetarët Ibadete dhe Shkumbin Tetaj.

Pjesë e grupit ishin edhe gazetarët e Zërit të Amerikës, Laura Kondi dhe Shaqir Salihu, gazetarja Eva Dori, shkrimtaret Merita Bajraktari dhe Luz Thaqi, si dhe Vilma Tafaj.

Në aktivitet mori pjesë edhe Qemal Zylo, themelues dhe drejtor i televizionit Alba Life dhe i shkollave shqipe në New York, së bashku me përfaqësues të tjerë të komunitetit shqiptaro-amerikan.

Organizatorët e kanë konceptuar këtë aktivitet si vizitë kulturore dhe historike. Nuk është raportuar për ndonjë takim me presidentin amerikan Donald Trump apo me përfaqësues të administratës së tij.

Vizita përbën një mundësi për pjesëmarrësit që të njihen më nga afër me historinë presidenciale amerikane, ndërsa aktivitetet e tilla dëshmojnë angazhimin e organizatave shqiptaro-amerikane në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar në diasporë.

/A.K/

Continue Reading

Vendi

Arratiset nga duart e policisë një shtetas i Shqipërisë në Fushë-Kosovë

Published

on

Një burrë me shtetësi të Shqipërisë është shpallur në kërkim policor pasi është arratisur derisa ishte i privuar nga liria në Fushë-Kosovë.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur të hënën rreth orës 15:00. Me vendim të prokurorit kujdestar, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprën penale “Arratisja e personit të privuar nga liria”, ndërsa hetimet për lokacionin e tij dhe rrethanat e ngjarjes po vazhdojnë./E.A/

Continue Reading

Lajmet

Shtatë persona të arrestuar për dhunë në familje në disa qytete të Kosovës

Published

on

By

Disa raste të dhunës në familje dhe kanosjes janë regjistruar në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, duke çuar në arrestimin e shtatë personave në rajone të ndryshme të vendit.

Në Prishtinë janë regjistruar dy raste. Në njërin rast, një burrë është arrestuar pasi ka kanosur me thikë një grua, ndërsa gjatë kontrollit policia i ka gjetur një thikë dhe 0.36 gramë marihuanë, duke e dërguar në mbajtje. Po ashtu në kryeqytet është arrestuar dhe dërguar në mbajtje një burrë tjetër për një rast të mëparshëm të dhunës në familje.

Në Pejë, policia ka arrestuar një burrë të dyshuar për ushtrim të dhunës dhe kanosje ndaj një gruaje. I dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit. Rast i ngjashëm është regjistruar edhe në Klinë, ku një burrë është arrestuar dhe dërguar në mbajtje pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje.

Në Lipjan janë arrestuar dy burra pas një përleshjeje fizike mes vete pas një mosmarrëveshjeje, të cilët pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në Fushë-Kosovë është iniciuar rast ndaj një burri me shtetësi të Shqipërisë, i cili ndodhet në kërkim policor nën dyshimet për dhunë në familje. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohen dy persona për ngacmim seksual në Fushë-Kosovë

Published

on

By

Dy burra janë arrestuar në Fushë-Kosovë me dyshimin se kanë ngacmuar seksualisht dy gra.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, pas intervistimit nga hetuesit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit të shtetit. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara