Lajmet
Parlamenti Evropian: Bisedimet e Serbisë me BE-në të kushtëzohen me sanksionet ndaj Rusisë
Kjo kërkesë është pjesë e një draft-raporti për strategjinë e zgjerimit të BE-së të përgatitur nga Tonino Piculla.
Published
3 years agoon
By
Betim GashiParlamenti Evropian (PE) pritet të kërkojë që vazhdimi i bisedimeve të anëtarësimit mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian (BE) të kushtëzohet me vendosjen e sanksioneve nga Beogradi ndaj Rusisë.
Kjo kërkesë është pjesë e një draft-raporti për strategjinë e zgjerimit të BE-së të përgatitur nga Tonino Piculla, deputet socialdemokrat nga Kroacia, i cili është raportues i PE-së për këtë strategji.
Në propozime po ashtu thuhet se duhet “të bëhet prioritet përshtatja e vendeve nga procesi i zgjerimit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe të vazhdohen negociatat e anëtarësimit me Serbinë, vetëm nëse ky vend i bashkohet sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë”.
Serbia ka votuar disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara që dënojnë pushtimin rus të Ukrainës, por deri më tani nuk u është bashkuar sanksioneve të bllokut evropian ndaj Moskës.
Edhe më herët, PE-ja ka kërkuar nga Serbia që t’i vendosë sanksione Moskës. Por, në këtë draft-raport për herë të parë përmendet kushtëzimi i bisedimeve për anëtarësim me vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Rusisë.
Serbia, së bashku me Turqinë, janë shtetet e vetme që bëjnë pjesë në procesin e zgjerimit, që deri më tani nuk kanë mbështetur sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Ditëve të fundit, në disa qarqe të BE-së është shprehur zhgënjim me sjelljen e Serbisë, pasi Beogradi javën e kaluar nënshkroi një marrëveshje për konsultime në fushën e politikës së jashtme me Federatën Ruse.
Edhe Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësim për këtë marrëveshje, teksa ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se në kohën kur pushtimi i Ukrainës po vazhdon, askush nuk do të duhej “të nënshkruante diçka me Rusinë”.
Por, Serbia ka thënë se një marrëveshje të tillë, Ministria e Jashtme serbe ka nënshkruar me Rusinë që nga viti 1996, çdo dy vjet.
Në draft-raportin e PE-së, për të cilin do të debatohet në tetor në Komisionin e Politikës së Jashtme, kërkohet që sa më shpejt të përmbyllet liberalizimi i vizave për Kosovën. Po në tetor, Këshilli Evropian ka vendosur në agjendë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Sipas dokumentit, kërkohet që BE-ja të angazhohet më shumë me autoritetet e Kosovës dhe Serbisë që përmes dialogut të ndërmjetësuar nga blloku, shtetet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme për normalizimin e raporteve.
Aty po ashtu theksohet mbështetja për aspiratat evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor, por edhe për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë.
Përmes dokumentit të përgatitur nga PE-ja po ashtu bëhet thirrje që “të përshpejtohet procesi i integrimit i atyre vendeve që dëshmojnë orientim strategjik dhe përkushtim të palëkundur ndaj reformave evropiane, konsolidimit të demokracisë dhe harmonizimin me politikën e jashtme të BE-së”.
PE-ja kërkon që të shpërblehet përparimi i shteteve kandidate që kanë harmonizuar politikat e tyre me ato të BE-së dhe të sanksionohet çdo regres.
“Duhet siguruar që hapat e përkohshëm të integrimit të mos e zëvendësojnë, por ta ndihmojnë qëllimin përfundimtar që duhet të jetë anëtarësimi i plotë në BE”, thuhet në draft-raport.
Dokumenti i hartuar nga raportuesi Piculla kërkon që të pezullohet procesi i negociatave të anëtarësimit mes BE-së dhe Turqisë në përputhje me kornizën negociuese, derisa Ankaraja të mos angazhohet përsëri me Brukselin dhe të dëshmojë përparim të qartë në reforma. Por, Parlamenti Evropian kërkon që me Turqinë të ketë “partneritet thelbësor në fushat e interesit të përbashkët”.
Strategjia e zgjerimit, sipas PE-së, duhet të propozojë edhe një “partneritet të posaçëm” me ato shtetet që nuk e kanë qëllim të anëtarësohen në bllokun evropian apo nuk përmbushin kriteret për anëtarësim.
Liderët e vendeve të BE-së dhe ata të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, 23 qershor 2022. PE-ja po ashtu përsërit se procesi i zgjerimit duhet të jetë një proces ku secili shtet vlerësohet në bazë të meritave individuale në të cilin mbetet në fuqi politika e kushtëzimit. Ky kushtëzim duhet të përqendrohet sidomos në respektimin e parimeve të demokracisë, pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe lirinë e mediave.
Nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia dhe Mali i Zi janë më të avancuar në procesin e anëtarësimit. Këto dy shtete kanë hapur disa kapituj në procesin e negociatave të anëtarësimit. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria këtë vit kanë hapur procesin e bisedimeve, ndërkaq Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina mbeten të fundit në rajon në rrugën e tyre drejt BE-së, pasi asnjëra prej tyre nuk kanë marrë ende statusin e vendit kandidat./REL/
Lajmet
Rënie e ndjeshme e temperaturave dhe reshje bore në Kosovë, autoritetet bëjnë thirrje për kujdes
Published
7 hours agoon
January 8, 2026By
UBTnews
Që nga mbrëmja e së mërkurës, Kosova është përfshirë nga rënie e ndjeshme e temperaturave dhe reshje bore, pasi ditëve të fundit vendi u përball me vërshime të konsiderueshme që shkaktuan dëme në disa zona.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) paralajmëroi për krijimin e ngricave dhe kushte të rrezikshme në rrugë, duke u bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit. Apelit të IHMK-së iu bashkuan edhe institucione të tjera, përfshirë Policinë e Kosovës, e cila kërkoi respektimin e rregullave të trafikut dhe përdorimin e pajisjeve dimërore.
Ndërkohë, Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) bëri të ditur se situata me vërshime ka shënuar përmirësim të dukshëm pas ndërprerjes së reshjeve të shiut. Megjithatë, sipas AME-së, reshjet e borës dhe ngricat kanë krijuar vështirësi në qarkullimin rrugor në disa rajone të vendit.
“Disa rrugë mbeten ende të bllokuara për shkak të shembjeve të dheut. Apelojmë te qytetarët për kujdes të shtuar në këtë situatë”, thuhet në njoftimin e AME-së të publikuar më 8 janar.
Sa i përket rrezikut nga vërshimet, AME-ja njoftoi se niveli i ujit në lumenjtë kryesorë ka nisur të bjerë dhe se aktualisht nuk ka rrezik të menjëhershëm për vërshime të reja. Sipas agjencisë, janë kryer disa intervenime në komuna të ndryshme, ndërsa situata vlerësohet si e menaxhueshme.
Si masë parandaluese, në Mitrovicë të Jugut dhe në Istog janë evakuuar përkohësisht disa familje. Ndërkohë, për shkak të vërshimeve, në disa zona të Kosovës janë shënuar probleme në furnizimin me ujë dhe energji elektrike.
Autoritetet, po ashtu, kanë vendosur të shtyjnë rinisjen e mësimit pas pushimit dimëror deri më 12 janar, me qëllim garantimin e sigurisë së nxënësve dhe stafit arsimor./REL
Lajmet
Deri në një orë e gjysmë pritje për dalje nga Kosova
Published
7 hours agoon
January 8, 2026By
UBTnews
Ministria e Punëve të Brendshme ka përditësuar të dhënat për gjendjen në pikat kufitare.
Aty bëhet e ditur se pritjet për të dalë nga Kosova po zgjasin deri në 90 minuta. Kjo situatë është në pikën kufitare në Jarinjë.
Pritje deri në 1 orë ka edhe në Merdarë, ndërsa 40 minuta janë pritjet tek Dheu i Bardhë.
Lajmet
Sot nis numërimi i fletëvotimeve të fundit nga diaspora
Published
7 hours agoon
January 8, 2026By
UBTnews
Sot në Kosovë pritet të arrijnë edhe 3,185 pako të fundit me fletëvotime të ardhura nga diaspora, të tërhequra nga kutitë postare në Paris, Berlin, Hagë, Podgoricë dhe Otavë.
Lajmi është konfirmuar për Ekonomia Online nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili bëri të ditur se numërimi i tyre pritet të nisë sonte rreth orës 19:00, pas procesit të verifikimit.
“Fillimisht, këto pako do të përfshihen në procesin e vlerësimit dhe verifikimit, me qëllim të vërtetimit nëse të njëjtat janë dërguar nga votuesit e regjistruar jashtë Kosovës dhe pastaj, fletëvotimet e aprovuara do të numërohen. Planifikojmë që numërimi të fillojë sonte rreth orës 19:00”, tha Elezi.
Sipas tij, “numërimi i këtyre fletëvotiimeve shënon përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025”.
Elezi ka treguar se me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme të shpall rezultatin përfundimtar, por ky institucion duhet të presë të kalojë afati për ankesa të mundshme në administrimit e numërimit.
“Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Por, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, tregoi Elezi./EO
Lajmet
Arrestime nëpër Kosovë, BKS thotë se denoncoi shkeljet e dyshuara
Published
9 hours agoon
January 8, 2026By
UBTnews
Krimet ekonomike të Policisë së Kosovës, të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Prizren, janë duke realizuar një aksion në disa rajone të Kosovës.
Byroja Kosovare e Sigurimeve tha se sa i përket këtij aksioni ai është iniciuar nga vetë byroja në cilësinë e palës së dëmtuar “rezultat i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm”.
Ish-zyrtar të kësaj byroje është raportuar se janë arrestuar gjatë aksionit të sotëm.
“Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Byrosë për transparencë, integritet institucional dhe mbrojtje të interesit publik, pas evidentimit të shkeljeve serioze dhe dyshimeve për keqpërdorime, BKS ka ndërmarrë veprime të menjëhershme ligjore, duke i adresuar gjetjet përkatëse tek organet kompetente të rendit dhe drejtësisë”, tha BKS-ja.
BKS-ja shtoi se ka vënë në dispozicion autoriteteve të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm për zhvillimin e hetimeve.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, tha më herët për Radion Evropa e Lirë se cak i këtij aksioni janë “mbi 40 të dyshuar, në pothuajse të gjitha rajonet e Kosovës”.
Betimi për Drejtësi – ueb-faqe e specializuar për fushën e sundimit të ligjit – duke u thirrur në burime raportoi se gjatë aksionit janë arrestuar disa persona në rajonet e Prizrenit, Prishtinës, Pejës, Gjilanit, Ferizajt, Mitrovicës dhe Gjakovës.
Në mesin e të arrestuarve, sipas Betimit për Drejtësi, janë Sami Mazreku, ish-drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe ish-drejtori i Financave i kësaj byroje, Valon Berisha. Ata dyshohen se u kanë lëshuar para qytetarëve të ndryshëm në emër të sigurimeve, në vlerë prej mijëra eurosh. Ky medium mëson se nga këto para, qytetarët një pjesë të tyre dyshohet t’ua kenë dhënë vetë atyre në para të gatshme.
Raportohet se aksioni po zhvillohet lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale: “keqpërdorim i besimit”, “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomike”, “ndihmë në keqpërdorim të besimit” dhe “falsifikim të dokumentit”.
Në këtë aksion thuhet se janë përfshirë një numër i madh i prokurorëve dhe policëve./REL
Rënie e ndjeshme e temperaturave dhe reshje bore në Kosovë, autoritetet bëjnë thirrje për kujdes
Deri në një orë e gjysmë pritje për dalje nga Kosova
Sot nis numërimi i fletëvotimeve të fundit nga diaspora
Arrestime nëpër Kosovë, BKS thotë se denoncoi shkeljet e dyshuara
Disa zona në Prishtinë me reduktime uji
SHBA-ja tërhiqet nga 66 organizata ndërkombëtare
Evakuohen 15 familje në Mitrovicë
100 qytetet me ushqimin më të mirë në botë
25 divorcet të shtrenjta në histori
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoProfesoresha e UBT-së, Marigona Bekteshi-Ferati, fituese e bursës prestigjioze Fullbright Visiting Scholar, Profesor Vizitor dhe Post Doktoraturë
-
Aktualitet2 months agoU mbajt Mbledhje Komemorative në nder të Prof. Dr. Faton Kabashit në UBT Prizren
-
Rajoni2 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor mbi cilësinë e ujërave nëntokësore në Komunën e Suharekës
-
Lajmet3 months agoProfesoresha e UBT-së, Dr. Fatbardha Qehaja Osmani boton studim ndërkombëtar në revisten prestigjioze të Quartile-it 1- Reading Psychology, Taylor & Francis- Routledge
