Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara tha se arsyeja pse Uashingtoni ka pezulluar Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovës ka të bëjë me mbylljen e strukturave serbe në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
I pyetur i të sqaronte arsyen e vendimit të kumtuar nga SHBA-ja, Kurti tha se ai nuk mund të bëjë kompromise me sundimin e ligjit.
“Arsyeja e pezullimit të Dialogut të planifikuar Strategjik është për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, i cili rezultoi të ishte kundër strukturave ilegale serbe dhe këtu nuk mund të bëj kompromise. Nuk mund t’ia lë këtë problem brezit tuaj. Mendoj që brezi im është ai që duhet ta përfundojë këtë”, tha Kurti.
Kurti tha se raporti Kosovë-SHBA është tridimensional: mbrojtje, zhvillim dhe diplomaci.
Përderisa në dy shtyllat e para tha se nuk ka probleme, sa i përket diplomacisë, sipas tij ka pengesa.
“Aty ku kemi disa pengesa është në diplomaci, sepse sipas meje, SHBA-ja e konsideron shumë të rëndësishme që ta tërheqë Serbinë nga hemisfera lindore sepse Serbia është e lidhur ngushtë me Moskën dhe ne, duke qenë të palëkundur në sundimin e ligjit, demokracinë, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial, disa politikanë dhe diplomatë në SHBA vlerësojnë se ne nuk po e ndihmojmë SHBA-në që ta shkëpusë Serbinë nga Federata Ruse. Por, sinqerisht, ky nuk duhet të jetë problemi im”, tha Kurti, duke shtuar se ai përfaqëson interesat e Kosovës.
Më 12 shtator, Ambasada amerikane e arsyetoi vendimin për pezullimin e Dialogut me veprimet e Qeverisë në detyrë dhe me rritjen e tensioneve dhe paqëndrueshmërisë në vend.
Përmes një njoftimi, Ambasada amerikane në Kosovës tha se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta.
Kurti në SHBA tha se ai nuk është kryeministër që i thotë Policisë së Kosovës të mos e arrestojë një kriminel serb të kapur në flagrancë, sepse ky veprim mund të dënohet nga Brukseli dhe Uashingtoni./S.K/KP/