Lajmet
Osmani: Zgjedhjet në veri mund të mbahen
Published
3 years agoon
By
Betim GashiPresidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dhënë detaje për takimin që kishte me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe ka bërë të ditur kërkesën e presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarit të Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz, të cilëve ia ka konfirmuar se mund të mbahen zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit, gjithnjë duke respektuar legjislacionin në fuqi.
Osmani në një konferencë për media, në kuadër të samitit të dytë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian në Kishinau, ka thënë se nuk kishte plane ta takonte presidentin e Serbisë, Vuçiq por se është takuar pasi kishte këmbëngulje nga shumica e liderëve evropianë.
“Ne ia kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit Serbisë prej vitesh, kështu që nuk është hera e parë që gjendemi bashkë me Vuçiqin në një tubim të tillë. Por më duhet të them se ky takim, i cili ishte me insistimin e Presidentit Macron dhe kancelarit Schultz, që unë i respektova duke qenë se ata janë disa nga aleatët tanë më të afërt, nuk ishte një takim negociues, ishte një takim joformal siç ata e quajtën, ku shkëmbyem mendime. Mund të them se z. Vuçiq ka shkëmbyer mendime, ai ankohej dhe natyrisht duke mos thënë të vërtetën, që është një virtyt i tij, pasi ka qenë ministër i propagandës së Millosheviqit, por pata rastin edhe ta pyes para së gjithash se a konsideron ai se ka marrëveshje me Kosovën apo jo? Kjo është një pyetje kyçe, sepse ai ka marrë obligime në Bruksel, dhe nëse del nga një media në tjetrën dhe thotë se nuk do ta zbatojë, atëherë e vë në pikëpyetje të gjithë procesin”, tha ai.
Gjatë këtij takimi, Osmani tregoi se çka kërkoi nga Vuçiq.
“I kërkova që ta largonte ushtrinë e tij nga kufiri me Kosovën. Dhe së treti, i kam kërkuar që të heqë mbështetjen ndaj këtyre bandave kriminale që po u shkaktojnë dhimbje qytetarëve të thjeshtë, veçanërisht serbëve që jetojnë në veri duke i frikësuar dhe duke ushtruar dhunë ndaj tyre. Dhe në fund, ritheksova përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës për të zbatuar plotësisht çdo pikë të marrëveshjes, e cila u arrit në Bruksel dhe në Ohër. Vuçiq ishte i tërbuar, siç e dini, i pëlqen të ofendojë në gjuhën e tij, por ajo që ishte e rëndësishme është se ne morëm këshillat e aleatëve tanë për këtë takim, dhe natyrisht, qëndrimet që unë shpreh në emër të Republikës së Kosovës janë të njëjta kur Vuçiqi është në dhomë dhe të njëjta kur Vuçiqi nuk është në dhomë”, tha Osmani.
Osmani tregoi se si presidenti Macron dhe kancelari Schultz, i kërkuarn Kosovës që të organizojë zgjedhje të reja në veri, për të cilat ajo shtoi se ato mund të mbahen.
“Kishte disa kërkesa që presidenti Macron dhe kancelari Schultz kishin si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Nuk është se presidenti Vuçiq u përgjigj në asnjë nga ato pyetje që ata kishin për të. Ndërsa, ajo që ata kërkuan nga Kosova është që të gjejë një mënyrë për të mbajtur zgjedhje të reja në veri, që do t’u jepte mundësinë qytetarëve serbë të marrin pjesë dhe kryetarët e komunave të zgjedhin me një legjitimitet më të madh. Dhe unë i informova se korniza jonë ligjore e lejon këtë mundësi dhe ne jemi të gatshëm ta konsiderojmë atë në përputhje me ligjin e Kosovës për zgjedhjet. Kjo do të thotë se qytetarët serbë, rreth 20% e tyre që janë në listat zgjedhore, mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes kësaj, ata mund të inicojnë procesin e zgjedhjeve të reja dhe ne jemi të gatshëm të zbatojmë ligjin. Është shumë e lehtë, është një proces shumë demokratik, ne i lejojmë qytetarët tanë të përcaktojnë se kur duan zgjedhje të reja dhe besoj se pa problem mund të ecim përpara me këtë, por duhet pjesëmarrje nga ana e tyre. Ata mund të zgjedhin kryetarin e komunës me një legjitimitet më të lartë, por duhet të marrin pjesë. Vuçiqit iu kërkua që të mos ndërhyjë, të mos u bëjë presion qytetarëve që të mos marrin pjesë. Nga ana e tij nuk ka pasur përgjigje”, tha ajo.
Osmani foli edhe për marrëveshjet e arritura në Bruksel e Ohër, duke thënë se të kërkosh vetëm nga njëra palë për ta zbatuar nuk do të ndihmojë në besueshmërinë e procesit.
“Sigurisht që mund të ketë një de-përshkallëzim, por de-përshkallëzimi fillon në Beograd, duhet bërë këto banda kriminale të ndalojnë së shkaktuari dhunë në veri të Kosovës ndaj qytetarëve të pafajshëm, kjo është kyçe dhe se ajo që ne kemi kërkuar të ndodhë. Kur bëhet fjalë për asociacionin e komunave me shumicë serbe, ne jemi zotuar që ta respektojmë këtë obligim, natyrisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Gjë që ndihmon edhe Kosovën të mbajë funksionalitetin e saj brenda vendit, përndryshe mund të rrezikojmë një “Republika Serbska” tjetër në rajon, gjë që nuk mendoj se dikush do të donte ta përsëriste. Pra, sa i përket asociacionit të komunave me shumicë serbe, sigurisht që mund të ketë përparim, por duhet të ketë përparim edhe në pikat e tjera të marrëveshjeve, sepse ato nuk janë më pak të rëndësishme. Serbia duhet të ndalojë së kundërshtuari anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, duhet të respektojë integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës dhe të gjitha parimet e tjera që janë në propozimin gjermano-francez”, tha ajo.
Sipas saj, Kosova është në anën e duhur të historisë dhe po mbron demokracinë, sovranitetin, diçka që u arrit me shumë sakrifica.
Rajoni
Arrestohet në Zvicrë, ekstradohet në Kosovë i dyshuari për mashtrim
Published
9 hours agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Një person i kërkuar nga autoritetet e rendit në Kosovë është ekstraduar gjatë ditës së sotme nga Zvicra drejt Kosovës, pas një operacioni të suksesshëm të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me autoritetet zvicerane.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate zyrtare nga Policia e Kosovës, ku specifikohet se i ekstraduari është shtetasi me inicialet B.Z., i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes letërrreshtimit të lëshuar nga Interpoli.
I dyshuari ishte arrestuar kohë më parë nga autoritetet zvicerane, pasi institucionet e drejtësisë në Kosovë kishin lëshuar urdhërarrest ndaj tij nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”.
Sipas Policisë, B.Z. i ishte shmangur drejtësisë për një kohë të gjatë, por koordinimi i Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor me njësitet relevante dhe institucionet zvicerane bëri të mundur lokalizimin dhe sjelljen e tij para organeve të rendit në vendlindje.
Ekstradimi i realizuar këtë të mërkurë, më 1 prill 2026, u mbështet plotësisht në ligjet në fuqi dhe në marrëdhëniet e ngushta diplomatike e policore mes Republikës së Kosovës dhe Zvicrës.
Policia e Kosovës ka deklaruar se ky aksion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar krimin dhe për të parandaluar aktivitetet ilegale, duke theksuar se shkëmbimi i informacioneve me organizatat ndërkombëtare do të intensifikohet për të gjurmuar dhe kapur çdo person apo grup kriminal që tenton t’i shpëtojë përgjegjësisë penale, pavarësisht nëse veprojnë brenda apo jashtë kufijve të vendit.
Lajmet
ZRRE: Do të korrigjohet çdo gabim në faturat e rrymës
Published
9 hours agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), përmes një njoftimi për media, bën të ditur se është angazhuar maksimalisht në monitorimin e situatës lidhur me shqetësimet e konsumatorëve për devijimin e mundshëm të orëve tarifore.
ZRRE po grumbullon në vazhdimësi informata për të garantuar një matje të drejtë dhe të saktë, duke siguruar që faturimi të reflektojë vetëm konsumin real të energjisë elektrike.
Në këtë kuadër, ZRRE ka bërë të qartë se çdo rast i raportuar do të trajtohet me prioritet.
“ZRRE siguron konsumatorët se të gjitha rastet e raportuara për mos-përputhje të kohës tarifore do të analizohen dhe shqyrtohen me kujdes. Në rast se konstatohet se ekzistojnë gabime në funksionimin e njehsorit elektrik, do të ndërmerren masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin dhe rregullat në fuqi”, thuhet në njoftim.
Ky angazhim vjen si një garanci shtesë se asnjë gabim teknik nuk do të rëndojë mbi xhepat e qytetarëve, veçanërisht pasi kompanitë si KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara dhe nuk mund të përfitojnë nga këto parregullsi.
Për të mbyllur çdo hapësirë dyshimi, rregullatori rikonfirmon se mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe garantimin e një sistemi të drejtë dhe transparent dhe të besueshëm në sektorin e energjisë.
Vendi
27 vjet nga masakra në Lybeniq, Kurti: Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën
Published
10 hours agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Në 27-vjetorin e njërës prej krimeve më makabre të forcave serbe në Kosovë, Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe te varrezat e të vrarëve në fshatin Lybeniq të Pejës.
Ky përvjetor kujton mëngjesin e përgjakshëm të 1 prillit të vitit 1999, kur njësitë famëkeqe serbe “Çakejt” dhe “Mbrojtja Territoriale” rrethuan fshatin dhe shkatërruan jetët e dhjetëra familjeve.
Sipas dëshmive, forcat serbe kishin nxjerrë banorët me dhunë nga shtëpitë e tyre, duke i mbledhur në qendër të fshatit, pranë xhamisë. Pasi ndanë gratë, fëmijët dhe të moshuarit për t’i dëbuar me forcë drejt Shqipërisë, ata ekzekutuan me breshëri armësh automatike 59 burra të pafajshëm nga familjet e shumta të këtij fshati.
Kryeministri Kurti theksoi se, edhe pse kjo masakër u dokumentua që në vitin 1999 nga organizatat ndërkombëtare si Human Rights Watch, drejtësia po mungon.
Ai akuzoi drejtpërdrejt shtetin serb për zvarritje dhe mjegullim të proceseve gjyqësore, duke e quajtur Serbinë një “shtet gjenocidal” që refuzon të ballafaqohet me të kaluarën.
Në fund të mesazhit të tij, Kurti nënvizoi se Serbia vazhdon të mbetet një tokë e varrezave masive dhe një strehë e sigurt për kriminelët e luftës, duke kërkuar llogaridhënie për krimet që lanë plagë të hapura në Lybeniq dhe mbarë Kosovën.
Lajmet
MINT nis verifikimin e njehsorëve të rrymës pas dyshimeve për matje të gabuara
Published
11 hours agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Komisioni i posaçëm i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka nisur punën në terren për verifikimin e njehsorëve elektrikë, pas ankesave të shumta të konsumatorëve për çrregullime të kohës dhe matje të pasaktë të energjisë.
Drejtoresha e Agjencisë së Metrologjisë, Sebahate Bushrani, ka bërë të ditur se njehsorët e dyshimtë do të tërhiqen për verifikim dhe do të zëvendësohen me të tjerë deri në lëshimin e raportit zyrtar. Sipas saj, aktualisht janë rreth 70 ankesa, ndërsa raporti përfundimtar do t’u dërgohet Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe palëve të përfshira, raporton Koha.net.
Ky aksion vjen pas denoncimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila përmes një hulumtimi në Prishtinë dhe Ferizaj ka pretenduar se rreth 800 njehsorë llogarisin energjinë me tarifë të shtrenjtë për shkak të mosperputhjes së orës.
Ndonëse KEDS-i i ka mohuar këto pretendime, raportimet e mëhershme kanë treguar se qytetarët në Fushë-Kosovë janë përballur me probleme të ngjashme, ku orët në njehsorë figuronin jashtë kohës reale. Verifikimi mbetet një proces i ndjeshëm, veçanërisht pas kritikave të vitit 2023 se ky proces kryhej në laboratorët e KEDS-it, veprim ky që konsiderohej shkelje e Ligjit për Metrologji.
Saktësia e njehsorëve është jetike për xhepin e qytetarëve, pasi dallimi mes tarifave është i lartë. Gjatë dimrit, tarifa e lartë (9.05 centë deri në 15.43 centë për kW) aplikohet nga ora 07:00 deri në 22:00, ndërsa tarifa e ulët (3.88 centë deri në 7.28 centë për kW) vlen gjatë natës. Çdo mospërputhje e orës bën që konsumatorët të faturohen me çmime maksimale edhe kur ata tentojnë të kursejnë duke përdorur pajisjet shtëpiake gjatë orëve të vona. /Koha.net/
Arrestohet në Zvicrë, ekstradohet në Kosovë i dyshuari për mashtrim
ZRRE: Do të korrigjohet çdo gabim në faturat e rrymës
27 vjet nga masakra në Lybeniq, Kurti: Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën
MINT nis verifikimin e njehsorëve të rrymës pas dyshimeve për matje të gabuara
Gallapeni: Nuk ia dolëm, por kjo nuk na ndalë
Dua Lipa i bashkohet filmit “Peaked”, zgjeron karrierën në Hollywood
Starmer kërkon lidhje më të ngushta me BE-në pas përplasjeve me Trump për luftën në Iran
“The Athletic” vlerëson guximin e Kosovës: “Nuk u mposhtën nga shiu, as nga presioni”
17 vite nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO
Të kërkuara
-
Vendi1 month agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Aktualitet3 months agoStudentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin
-
Lajmet3 months agoNumërohen 31.58% e votave me kusht
-
Lajmet nga UBT3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
