Lajmet

​Osmani nuk komenton arrestimet e sotme

Sipas saj, duhet pritur epilogu i këtij rasti.

Published

on

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk është deklaruar sot lidhur me arrestimin e tre personave nën dyshimin për keqpërdorim detyrës zyrtare për rezervat shtetërore. Sipas saj, duhet pritur epilogu i këtij rasti. Kështu deklaroi ajo gjatë një konference për media me rastin e vizitës në komunën e Klinës.

“Komenti im është që për çdo proces të institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve ligjzbatuese, ne duhet ta presim epilogun e rasteve. Dhe, në këtë moment, nga informatat që kemi, është e pamundur të paragjykohet epilogu i këtij rasti. Institucionet e kanë punën e tyre”, tha Osmani.

Policia e Kosovës i ka arrestuar në mëngjesin e së premtes tre persona nën dyshimet për kryerje të veprave “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”. Këtë e ka konfirmuar edhe Prokuroria Speciale e Kosovës.

Po ashtu, PK ka kryer bastisje në MINT, në banesën e biznesmenit Ridvan Muharremi, për të cilin është raportuar në media se është “njeri i afërt i kryeministrit Albin Kurti”, si dhe lokalin e tij “Bukë e zemër”. 

Lajmet

Presidentja Osmani kujton përvjetorin e Masakrës së Likoshanit dhe Qirezit

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar 24 banorët që u vranë në masakrën e Likoshanit dhe Qirezit.

“Më 28 shkurt 1998, regjimi gjenocidal i Millosheviqit kreu një nga aktet më të rënda të terrorit shtetëror, duke vrarë mizorisht 24 banorë të Likoshanit dhe Qirezit, në vatrën e rezistencës, në Drenicë. Aty ku dhimbja dhe guximi u ndërthurën, vajzat dhe djemtë e UÇK-së, bënë sakrificën më të madhe për çlirimin e Kosovës, ndaj në këtë 27-vjetor nderojmë me respekt të thellë ata që ranë për liri’, ka shkruar Osmani.

Masakra në Likoshan dhe Qirez, ajo ka thënë se mbetet një dëshmi e brutalitetit të ushtruar mbi popullin tonë, por edhe një moment kur vendosmëria për liri u bë e pathyeshme.

“Kujtimi për martirët mbetet i gjallë, ndërsa amaneti i tyre na obligon të vazhdojmë kërkimin e drejtësisë!”, ka shkruar Osmani.

Continue Reading

Lajmet

​Si do të përfaqësohen minoritetet në Kuvendin e Kosovës?

Published

on

By

Përfaqësimi i komuniteteve në Kuvendin e Kosovës bëhet në kuadër të ulëseve të garantuara, 20 sosh. Komuniteti me më së shumti deputetë është ai serb me 10 mandate. Në organin më të lartë legjislativ, komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian ka të garantuara nga një ulëse dhe një (1) vend shtesë i jepet njërit nga këto tri komunitete që ka numrin më të madh të votave të përgjithshme. Ndërkaq, komuniteti boshnjak ka të garantuara tri ulëse, ai turk dy ulëse dhe komuniteti goran një ulëse.

Ndarja e ulëseve në Kuvendin e Kosovës parashihet sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, gjegjësisht sipas nenit 111.1.

Në rezultatet e deritanishme të Lista Serbe me mbi 38 mijë vota ka siguruar nëntë ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Pas saj radhiten partitë e komunitetit egjiptian, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës me mbi 4 mijë vota dhe Partia Liberale Egjiptiane me mbi 2400 vota, ku janë siguruar dy mandate.

Komuniteti Boshnjak ka siguruar tri ulëse, ku “Nova Demokratska Stranka” ka marrë 3599 vota, “Koalicija Vakat” 3255 vota dhe “Socijaldemokratska Unija” është votuar nga 2531 qytetarë.

Dy ulëse ka siguruar “Kosova Demokratik Türk Partisi” nga komuniteti turk, e cila ka grumbulluar 4699 vota.

Komuniteti rom do të përfaqësohet nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, e cila ka 1261 vota.

Partia e Ashkalinjëve për Integrim ka siguruar një mandat me 1821 vota, ndërkaq “Jedinstvena Goranska Partija” ka një mandat me 1673 vota.

Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) tregon procedurat e ndarjes së ulëseve për komunitetet në Kuvend.

“Kemi një specifikë në sistemin tonë ligjor dhe kushtetues faktin që ndarja e vendeve për partitë e komuniteteve jo shumicë është planifikuar dhe është standard tashmë edhe sipas kushtetutës që të jetë nëpërmjet përfaqësimit në kuadër të vendeve të garantuara. Dhe në këtë rast i bie që komuniteti serb të përfaqësohet me gjithsejtë 10 vende të garantuara në Parlamentin e Kosovës. Pra, partitë e komuniteteve jo-shumicë që garojnë në zgjedhje nuk kanë nevojë të kalojnë pragun zgjedhor që të përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës, përjashtimisht nga partitë e shumicës shqiptare”, deklaron Bugaqku.

Përfaqësimi i komuniteteve në parlament, siç shton Bugaqku, është e përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës.

“Mënyra e përfaqësimit është e sqaruar sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Komuniteti serb është i përfaqësuar me 10 vende të garantuara në Kuvendin e Kosovës. Komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian e kanë të garantuara secila prej tyre nga një ulëse në Kuvendin e Kosovës, përpos në ato raste siç thotë edhe vet Kushtetuta që nëse gjatë numërimit të votave rezulton që njëra nga këto komunitetet ka fituar ulëse më shumë se komuniteti tjetër, atëherë i takon edhe një ulëse shtesë, plus një ulëse karshi asaj që i ka të garantuara. Kurse komuniteti boshnjak i ka të garantuara tri vende në Parlamentin e Kosovës, komuniteti turk dy ulëse dhe komuniteti goran një ulëse”, u shpreh ai.

Kuvendi ka 120 deputetë, ku 20 prej tyre janë të garantuara për përfaqësim të komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë

Continue Reading

Lajmet

KQZ: Fillon numërimi i fletëvotimeve nga votimi përmes postës

Published

on

By

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka konfirmuar se ka filluar numërimi i fletëvotimeve nga votimi përmes postës.

“Mund t’iu konfirmoj se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i vendvotimeve të fundit nga votimi në përfaqësi diplomatike dhe tani kemi filluar edhe numërimin e fletëvotimeve nga votimi përmes postës”, ka thënë ai.

Continue Reading

Lajmet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk i ka përditësuar të dhënat në platformën elektronike

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk i ka përditësuar të dhënat në platformën elektronike, sa i përket votimeve në përfaqësi diplomatike.

Të dhënat e fundit janë ato të enjten më 27 shkurt, në orën 18:56, sipas së cilave, janë procesuar 67.44 për qind e vendvotimeve.

Sipas rezultateve që janë publikuar deri më tash, Lëvizja Vetëvendosje në koalicion me Guxo dhe Alternativa, ka marrë 81.97 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 7.5 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 6.14 për qind dhe koalicioni AAK-Nisma 1.5 për qind të votave.

Nga KQZ thanë të enjten se numërimi do të përfundojë më 27 shkurt dhe atë do ta pasojë numërimi i votave të mërgatës që kanë votuar përmes postës.

Numërimi ka filluar të mërkurën në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Prishtinë, për 30 përfaqësi diplomatike me gjithsej 43 vendvotime.

Ky proces i votimit u zhvillua më 8 shkurt 2025 dhe morën pjesë 15 mijë e 352 votues, apo 75.57 për qind e numrit që ishin regjistruar si votues.

Continue Reading

Të kërkuara