Lajmet

​Opozita nuk voton për ndryshimin e rendit të ditës, kërkon ekzekutimin e pagave për grevistë

Me votat kundër të opozitës nuk është miratuar plotësimi i rendit të ditës për seancën e sotme.

Published

on

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që në rend dite në seancën e sotme plenare të futen pesë pika që janë marrëveshje ndërkombëtare duke i konsideruar të rëndësishëm dhe urgjente. Kjo është kundërshtuar nga partitë opozitare në Kuvend të cilat kanë kërkuar që Qeveria e Kosovës të bëjë ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se deputetët nuk duhet të sillen normalisht derisa janë mbi 26 mijë familje të mësimdhënësve që sipas tij kanë mbetur pa të hyra.

“Po propozoni me marrë kredi sepse i duhen Kosovës, pajtohem që i duhen paratë Kosovës por të njëjtën kohë mbi 26 mijë ua keni ndalë të ardhurat bazë, ata nuk kanë bukë sot me ble, nuk kanë dru me ble, nuk mund të ngrohen sot, nuk mund të paguajnë kredi, ndërkohë i keni bë 800 milion euro pa shfrytëzu e hajde të marrim kredi, ju nuk mund t’i shfrytëzoni paratë e buxhetit qysh mund t’i shfrytëzoni kreditë, nuk dini me i shfrytëzu paratë e buxhetit të shtetit… 26 mijë familje nuk i kanë marrë pagat e tyre, kjo është urgjenca, duhet patjetër me i marrë pagat, nuk mund të aktrojmë këtu sikur gjithçka është normale, prandaj për ne propozimi është i papranueshëm”, ka thënë Gashi.

Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se do t’i kthehen normalitet kur të ekzekutohen pagat për mësimdhënësit.

“Po kërkoni bashkëpunimin tonë, por në anën tjetër përmes videomesazheve po iu tregoni qytetarëve se qysh opozita po e lufton këtë vend. Ne deri sot fatmirësisht, në secilën iniciativë të rëndësishmeve ju kemi përkrah dhe mbështet. Mos me qenë ne, ju asnjë marrëveshje ndërkombëtare nuk do të mund ta kalonit…Besoj se ju do të reflektoni se në ditët në vazhdim ju do të reflektoni që t’i ekzekutoni pagat për mësimdhënësit, pastaj edhe ne do t’i kthehemi normalitetit”, ka thënë ai.

E shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se nuk do të votojnë asnjë marrëveshje dhe projektligj derisa të ekzekutohen pagat për mësimdhënësit.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të votojë asnjë marrëveshje, as ndërkombëtare, as kurrfarë marrëveshje kurrfarë strategjie nëse nuk veproni shpejtë me pagat për grevistë dhe për ligjin e pagave, mos pritni për ne, prej neve nuk keni asnjë votë as për marrëveshje ndërkombëtare as për ligj tjetër derisa nuk përfundon saga rreth grevistëve”, ka thënë ai.

Arbëreshë Kryeziu nga Lëvizja Vetëvendosje e cila propozoi ndryshimi ne rendit të ditës, tha se marrëveshjet ndërkombëtare janë të rëndësisë urgjente.

“Këto nuk janë kredi, janë marrëveshje ndërkombëtare të cilat janë specifikisht të destinuara se ku dedikohen këto mjete në momentin kur fillon zbatimi i këtyre marrëveshjeve. Duke pasur parasysh rëndësinë që kemi të bëjmë me marrëveshje ndërkombëtarë të cilat janë urgjente për shkak se disa prej tyre e kanë afatin kohor të limituar kur duhet t’i votojmë këtu në kuvend, mendoj është e rëndësishme të përkrahen nga deputetët e të gjitha grupeve parlamentare”, ka thënë ajo.

Me votat kundër të opozitës nuk është miratuar plotësimi i rendit të ditës për seancën e sotme.

Lajmet

KQZ pritet që sot ta përmbyllë rinumërimin e votave

Published

on

By

Sot pritet të përmbyllet procesi i rinumërimit të gjithsej 2 mijë e 557 vendvotimeve nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Ai bëri me dije se deri më tani janë rinumëruar rreth 95% e tyre.

“Nga fillimi i këtij procesi (13 janar) dhe deri në përfundimin e ditës së enjte (29 janar) janë rinumëruar rreth 95% apo 2,414 nga 2,557 vendvotime. Pra, kanë mbetur për t’u rinumëruar edhe 143 vendvotime që i takojnë 4 komuave të fundit nga ky proces, si Prishtinë, Podujevë, Suharekë dhe Shtërpcë”, deklaroi ai.

Continue Reading

Lajmet

Gjenden mbetje eshtërore në Skenderaj, dyshohet se u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se njësiti për hetimin e personave të zhdukur gjatë luftës në bashkëpunim me IML-në ja në bërë gërmime në fshatin Marinë të Skenderajt, ku janë hasur mbetje eshtërore.

Sipas policisë këto mbetje dyshohet se i përkasin personave të zhdukur në vitin 1998/1999.

Nga njësiti për hetimin e personave të zhdukur gjatë luftës në bashkëpunim me IML-në janë bërë gërmime në fshatin Marinë, ku janë hasur mbetje të eshtrave që dyshohet se i përkasin njeriut. Mbetjet e eshtrave janë marrë nga njësia e IML-së për ekzaminim”, thuhet në raportin policor.

Continue Reading

Lajmet

Përmbyllet me sukses punëtoria ndërkombëtare “Journalism for Juniors”, me ndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit

Published

on

By

Punëtoria ndërkombëtare “Journalism for Juniors (J4J) – Mobile Journalism Workshop”, e organizuar nga UBT në bashkëpunim me TRT dhe Institutin Yunus Emre, u përmbyll me sukses, duke ofruar një përvojë të vlefshme profesionale për studentët e Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, si dhe për nxënësit e UBT International Smart Schools.

Kjo punëtori shërbeu si një platformë edukative dhe praktike për fuqizimin e të rinjve me aftësi bashkëkohore në gazetarinë mobile, tregimin kreativ të storieve dhe prodhimin e përmbajtjes digjitale me ndikim social.

Gjatë ditëve të punëtorisë, pjesëmarrësit u angazhuan në sesione intensive që përfshinë bazat e gazetarisë, etikën profesionale, storytelling digjital dhe përdorimin e mjeteve mobile për xhirim, editim dhe shpërndarje të përmbajtjes mediatike.

Përmes punës praktike në terren, studentët dhe nxënësit patën mundësinë të krijojnë video-storie autentike, të ndërtuara nga perspektiva të ndryshme dhe të përshtatura për platformat digjitale.

Një moment i veçantë i kësaj ngjarjeje ishte Digital Video Competition, ku u realizua shfaqja në grup e video-storieve të përgatitura nga pjesëmarrësit. Këto punime u vlerësuan nga një juri profesionale e përbërë nga gazetarë dhe ekspertë të TRT-së, të cilët ofruan feedback konstruktiv dhe këshilla profesionale, duke vlerësuar kreativitetin, qasjen vizuale dhe mesazhin shoqëror të videove të realizuara.

Punimet e të rinjve u vlerësuan si dëshmi e potencialit të madh krijues dhe e përgatitjes së tyre për t’u përballur me sfidat e gazetarisë moderne, duke treguar se gazetaria mobile është një mjet i fuqishëm për të rrëfyer histori reale dhe me ndikim.

Punëtoria u përmbyll me ndarjen e certifikatave si vlerësim për angazhimin dhe punën e tyre gjatë gjithë procesit trajnues. Në këtë ceremoni u theksua rëndësia e bashkëpunimeve ndërkombëtare në edukimin e brezit të ri të gazetarëve dhe roli i UBT-së si institucion që promovon arsimin praktik, inovacionin dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me industrinë e medias.

Continue Reading

Lajmet

UBT dhe Universiteti “Eqrem Çabej” bashkojnë vizionet për arsimin dhe inovacionin

Published

on

By

UBT dhe Universiteti “Eqrem Çabej” në Gjirokastër kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi akademik, me qëllim forcimin e lidhjeve institucionale dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit.

Marrëveshja u nënshkrua gjatë një vizite zyrtare të delegacionit të Universitetit “Eqrem Çabej”, të prirë nga Rektori i këtij universiteti, Prof. Dr. Jaho Cana, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Prishtinë. Delegacioni u mirëprit nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, së bashku me stafin akademik të UBT-së.

Gjatë takimit, rektorët e dy institucioneve theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndëruniversitar në hapësirën shqiptare, duke vënë theksin në shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve, zhvillimin e programeve të përbashkëta studimore, si dhe realizimin e projekteve kërkimore dhe shkencore me interes të ndërsjellë.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, prezantoi modelin unik të UBT-së, veçanërisht rolin e Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik si një urë lidhëse ndërmjet akademisë, industrisë dhe inovacionit, duke theksuar se UBT mbetet i përkushtuar në ndërtimin e partneriteteve strategjike rajonale dhe ndërkombëtare.

“Ne kemi menduar të krijojmë një ekosistem transdisiplinar, ku bashkëpunimi është në zemër të strategjisë sonë dhe ku universiteti ka ndikim të drejtpërdrejtë në shoqëri”, theksoi Hajrizi.

Nga ana e tij, Rektori i Universitetit “Eqrem Çabej”, Prof. Dr. Jaho Cana, vlerësoi lart filozofinë dhe misionin e UBT-së, duke e cilësuar këtë institucion si një universitet që ka lindur për t’i shërbyer shoqërisë dhe për të krijuar vlera konkrete për të.

“Ju keni lindur si një universitet për t’i ofruar të mira kësaj shoqërie. Jeni një universitet për t’i dhënë shoqërisë dhe sinqerisht ndihem i befasuar pozitivisht nga ajo që pashë këtu”, u shpreh Rektori Cana.

Ai shtoi se bashkëpunimi me një universitet si UBT-ja është prioritet për Universitetin “Eqrem Çabej”, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të urave të qëndrueshme akademike ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë në rajon.

“Bashkëpunimi me një universitet si ju është prioritet i yni dhe jemi të bindur se kjo marrëveshje do të prodhojë rezultate konkrete për të dy institucionet”, tha Cana.

Vizita përfshiu edhe një tur në ambientet e Parkut Shkencor të UBT-së, ku delegacioni u njoh nga afër me laboratorët, qendrat e inovacionit dhe infrastrukturën moderne që mbështet arsimin, kërkimin dhe zhvillimin teknologjik.

Continue Reading

Të kërkuara