Lajmet

​Murati: Projektligji për pagën minimale të miratohet me procedurë të përshpejtuar në Kuvend

Murati tha se niveli i pagës minimale do të ndryshohet vit pas viti në bazë të parametrave ekonomikë.

Published

on

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka kërkuar nga Kuvendi miratimin në mënyrë të përshpejtuar të Projektligjit që i hapin rrugë miratimit të pagës minimale në 264 euro bruto apo 250 euro neto.

Pas mbledhjes së qeverisë, Murati tha se niveli i pagës minimale do të ndryshohet vit pas viti në bazë të parametrave ekonomikë.

“Me anashkalim të procedurave dhe procedurë të përshpejtuar mund të miratohen projektligjet edhe brenda javës. Pra, mund të kalojnë procedurat brenda javës, ashtu që konsiderojmë ne se do të ishte e rëndësishme dhe simbolike që ky projektligj të hynte në fuqi për datën 1 maj, kur është edhe Dita e Punëtorëve”, tha ai.

Murati theksoi se përmes plotësim-ndryshimit të ligjeve që përcaktojnë shumën e benificionit në lartësi të pagës minimale dhe procedurat e caktimit të pagës minimale kanë dashur të krijojnë siguri juridike të çfarëdo ndërlidhje të skemave sociale dhe pensioneve me pagën minimale, përfshirë edhe të veteranëve të luftës së UÇK-së.

“Pagesa për veteranët e luftës ka qenë e shkëputur që në vitin 2017, është projektligji që ka ndryshuar dhe plotësuar ligjin bazik, i cili e fshin nenin 18 që parasheh ndërlidhjen e kompensimit të pensionit të veteranit me pagën minimale. Për të evituar çfarëdo pasigurie juridike qoftë për pagesat e veteranëve, qoftë për pagesa të tjera të kategorive sociale kemi dashur të krijojmë një bazë të qëndrueshme juridike që mos të kemi telashe në procese gjyqësore”, tha Murati.

Nga ana tjetër, ministri Murati sqaroi edhe kush mund të përfitojë shtesat prej 100 eurove.

“Kriter do të jetë që gjitha pagat që janë primare nën vlerën 1000 euro do të mund të përfitojnë, ata që janë mbi nuk përfitojnë nga kjo mbështetje. Këtu do të përjashtohen po thuajse të gjitha pozitat drejtuese në nivel të institucioneve qeverisje të vendit”, tha ai.

Murati iu përgjigj edhe kritikave të opozitës.

“Ne si qeveri po vazhdojmë të punojmë për qytetarët dhe drejt përmbushjes së programit tonë. E kemi parë opozitën, të gjithë kanë qenë në pushtet dhe qeveri, qytetarët e dinë si kanë punuar ata dhe si janë shpërndarë milionat në të kaluarën, si është shpërndarë rritja e ekonomike aq sa ka pasur në xhepat e kujt. Ndërsa tash po e shohin mundësinë të bëjnë krahasimin që kjo qeveri të gjitha të hyrat që i mbledh dhe taksat i kthen te qytetarët”, tha ai.

Ndërsa bëri të ditur se janë afër finalizimit të Projektligjit për paga.

Vendi

Haxhiu: Zgjedhja e presidentit është prioritet absolut, refuzojmë pazaret me Ligjin për Specialen

Published

on

By

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që zgjedhja e kreut të shtetit të jetë prioriteti kryesor i të gjitha subjekteve politike, duke dalë prerazi kundër kushtëzimeve të PDK-së me ndryshimet ligjore për Dhomat e Specializuara.

Haxhiu theksoi se refuzon çfarëdo “pazari” politik për këtë çështje dhe u bëri thirrje partive që të ulen në bisedime pa parakushte. Sipas saj, vetëm pas zgjedhjes së presidentit do të krijohej hapësira e nevojshme për të trajtuar iniciativat ligjore dhe për të ndërtuar një strategji të përbashkët shtetërore në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.

Ajo paralajmëroi se çuarja e vendit në zgjedhje të reja nuk do ta zgjidhte ngërçin, por vetëm do ta rikthente të njëjtin problem, duke dëmtuar stabilitetin e institucioneve të Kosovës. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Deputetët e PDK-së lëshojnë mbledhjen e Komisionit: Ligji për Specialen të jetë prioritet absolut

Published

on

By

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu dhe Fadil Demaku, kanë lëshuar mbledhjen e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.

Kjo lëvizje vjen si pjesë e bojkotit të PDK-së në komisionet parlamentare, e cila kërkon që Kuvendi të mos vazhdojë me punë rutinore pa u proceduar paraprakisht ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Deputetja Musliu theksoi se Kuvendi nuk guxon të jetë indiferent ndaj kërkesave të qytetarëve në të gjithë vendin dhe në mërgatë, duke nëvizuar se asnjë çështje tjetër nuk duhet të ketë përparësi para këtij ligji.

Këtë qëndrim e mbështeti edhe deputeti Demaku, i cili u shpreh se projektligji për Dhomat e Specializuara është prioriteti numër një dhe se të gjitha temat e tjera mund të presin. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Kurti takon Trump: SHBA-ja mbetet aleati ynë kryesor

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar për herë të parë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork.

Gjatë këtij takimi, Kurti e ka falënderuar kreun e Shtëpisë së Bardhë për rritjen e investimeve në mbrojtje brenda NATO-s, duke nëvizuar rëndësinë që ka anëtarësimi i Kosovës në këtë aleancë ushtarake.

Kryeministri theksoi se SHBA-ja vazhdon të mbetet aleati kryesor, partneri i pazëvendësueshëm dhe miku special i Republikës së Kosovës.

Kreu i qeverisë ndodhet në SHBA nga fundi i muajit shtator, ku ka zhvilluar një sërë takimesh dypalëshe me liderë botërorë gjatë sesionit të 80-të të Kombeve të Bashkuara. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Nis fushata “Tetori Rozë”: Thirrje për kontrolle falas dhe diagnostikim të hershëm të kancerit të gjirit

Published

on

By

Me moton “Kontrollohu, për veten, për jetën!”, Ministria e Shëndetësisë dhe Presidenca e Kosovës kanë hapur zyrtarisht fushatën ndërgjegjësuese për kancerin e gjirit, duke i bërë thirrje të gjitha grave që të mos i shtyjnë kontrollet mjekësore.

Në ngjarjen hapëse, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, theksoi se mbështetja familjare dhe shoqërore është e domosdoshme që gratë të gjejnë kohë për shëndetin e tyre.

Nga ana tjetër, Kryeministri Albin Kurti bëri me dije se mamografia ofrohet falas në shëndetësinë publike dhe se gjatë këtij viti do të shtohen tetë mamografë të rinj në komunat ku mungojnë. Ai veçoi se gjatë vitit 2025, mbi 53% e rasteve janë diagnostikuar në stadet e hershme, ndërsa rikonstruksioni i gjirit në QKUK vazhdon të kryhet falas.

Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, njoftoi se buxheti për barna onkologjike është rritur nga 8 në 22 milionë euro. Gjatë tërë muajit tetor, mamografi mobil do të jetë në shërbim të qytetareve në të gjithë territorin e Kosovës, nga Dragashi deri në Leposaviq. /E.A/ 

Continue Reading

Të kërkuara