Lajmet

​Murati: Nuk duhet bërë politikë me çështjen e veteranëve

Deputetët nga opozita ndër të tjera janë interesuar të pyesin ministrin edhe për çështjen e veteranëve.

Published

on

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka deklaruar se numri në skemën e asistencës sociale është në rënie, por sipas tij kjo nuk reflekton domosdoshmërisht situatën aktuale në teren. Ai ka raportuar në Komisionin për Shëndetësi, ku ka thënë se synojnë që përmes reformës pensionale të ketë zgjerim dhe mbështetje shtesë për këtë kategori.

“Kategoria e parë ka të bëjë me familjet që kanë fëmijë nën moshën 5 vjeç, pra familje të varfëra që është ai kriteri edhe këtu diskriminues dorën në zemër, që thuhet se duhet të kenë fëmijë nën moshën 5 vjeç që të përfitojnë pra numri i familjeve që kanë fëmijë nën moshën 5 vjeç po shkon duke u zvogëluar dhe në anën tjetër kategoria tjetër është familjet që ndoshta nuk e plotësojnë kriterin e parë por nuk kanë asnjë anëtar të aftë për punë. Tash edhe këtu në bazë të komisioneve mjekësore që kanë bërë ka pasur edhe raste që kanë identifikuar që jo domosdo disa prej familjeve që kanë qenë duke përfituar kanë pasur ose e kanë plotësuar këtë kriterin që nuk kanë asnjë anëtar të aftë për punë. Pra ka dalë që ose është bërë dikush i moshës madhore tashmë ka hyrë në moshë madhore pra është i aftë për punë pra nuk është i mitur ose është rikthyer aftësia ose ka qenë vlerësimi joadekuat në të kaluarën. Mirëpo numri si tërësi është në rënie, gjë që jo domosdo reflekton situatën sepse ideja është që përmes reformës pra të ketë zgjerim dhe mbështetje shtesë sepse siç e thash është ky kriteri diskriminues për moshën e fëmijëve, dhe momentin kur hiqet ky kriter normalisht që ka familje të tjera që kanë nevojë për mbështetje mirëpo kanë mbetur jashtë për shkak të këtyre kritereve që i parasheh ligji”, ka thënë Murati.

Murati gjithashtu ka thënë se sa i përket pilotimit për pensionistët që kanë filluar në komunën e Prishtinës, synojnë ta zgjerojnë në gjithë territorin e vendit ku personat mbi moshën 80-vjeçare apo rastet që kanë probleme shëndetësore nuk kanë nevojë shkojnë të paraqiten, por verifikimi i tyre bëhet përmes ekipeve mobile.

“Së fundmi kemi publikuar UNIREF-in, apo kodin UNIREF, kodin unik referues për pagesën e gjobave që parasheh ligji për personat me aftësi të kufizuar që thotë çdo institucion apo etnitet biznesor apo tjetër që ka së paku 50 të punësuar duhet të punojë një person me aftësi të kufizuara ose të paguajë shumën e pagës minimale të kontribuojë në fondin e veçantë i cili pastaj përdoret për të mbështetur këto kategori. Ligji e ka paraparë tash e një kohë këtë gjë qysh moti mirëpo deri më tani pengesa ka qenë sepse as zbatimi por edhe kur kanë dashur bizneset me bë këtë kontribut ka qenë e pamundur sepse nuk ka qenë ky kodi UNIREF që i dedikohet pagesave. Tash inspektorati i punës e ka të mundur që edhe të verifikojë e të monitorojë bizneset dhe etnitetet e tjera a i përmbahen kësaj rregulle dhe nëse jo të ketë edhe ndëshkimet përkatëse që i parasheh ligji”, ka thënë Murati.

Ndërsa deputetët nga opozita ndër të tjera janë interesuar të pyesin ministrin edhe për çështjen e veteranëve.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka thënë se duhet të diskutohet mundësia e lejimit të punësimit të tyre si dhe të marrin shtesat që u takojnë për shkak të kontributit të tyre.

“Domosdoshmërisht duhet ta kemi si shoqëri mënyrën se si e trajtojmë, sepse nëse tërë jetën mbesin me këtë pagë dhe nuk u lejohet mundësia me punu atëherë ne vet po i shndërrojmë në raste sociale. A keni ndonjë plan që këtyre njerëzve (veteranëve) t’u mundësohet të punojnë dhe të marrin edhe këtë kontributin për angazhimin e tyre për luftë, ose mënyra të trajtimit të kësaj kategorie, sepse nëse mebsin kështu po më duket që kanë me mbet barrë e rëndë edhe për buxhetin edhe për familjet e tyre edhe për shoqërinë në kuptimin se si trajtohen…Mendoj që ndoshta duhet ta kemi ide krijimin e mundësisë për të punuar edhe për të marrë atë shtesë sepse dihet që mundësia për të jetuar me atë pagë është tepër e vogël, mos të them është e pamundshme”, ka thënë Zemaj.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka përmendur edhe kërkesat e personat e verbër dhe paraplegjikë dhe tetraplegjikët.

“Sa i përket çështjes së ligjit për veteranët dhe pagës minimale, ku gjithashtu ju po thirreni të ligji i veteranëve të një nen por ligjin duhet me shiqu si tërësi sepse ajo është mëndu edhe me ligj është shkruar pas kategorizimit, duhet të bëhet kategorizimi pastaj të vlerë neni i cili po thuani. Mirëpo i kemi edhe dy kategori të tjera që janë të verbrit dhe paraplegjikët dhe tetraplegjikët të cilët gjithashtu i keni larguar nga paga minimale dhe gjithashtu kanë kërkesat e tyre, këtu kish me na ndihmi shumë reforma pensionale sepse janë disa skema sociale, disa skema pensionale dhe ligje të veçanta, duke mos pasur një kod pensionale të veçantë ose mos me pas vetëm një ligj pensional pastaj bazuar në paaftësinë që ka, me marrë edhe pensionin”, ka thënë Haxhiu.

Ministri Murati ka përsëritur se Zyra e Kryeministrit ka shprehur gatishmërinë për dizajnimin e një ligji të ri i cili trajton procesin e riverifikimit pastaj edhe trajtimi ne dinjitetshëm për veteranët.

“Ne si qeveri pra Zyra e Kryeministrit në diskutimet që ka pasur me shoqatat e dala nga lufta ka ofruar gatishmëri që ne si qeveri bashkërisht me ta të dizajnojmë një ligj të ri i cili që nga fillimi i trajton si duhet edhe procesin e riverifikimit e pastaj të ketë edhe një trajtim të dinjitetshëm, pra kjo ka qenë oferta jonë si qeveri, çka mund të bëjmë është të ofrojmë mundësinë dhe hapësirën që bashkërisht me një konsensus të gjerë edhe të spektrit politik do të thoja sepse shpesh herë po ka shfrytëzim të situatave të caktuara në mënyrë që të bëhet politikë me këtë çështje, që nuk do të duhej por do të duhej që bashkërisht të kemi një konsensus për trajtimin e dinjitetshëm të kësaj kategorie shoqërore që ka dhënë kaq shamë dhe jo të bëhet politikë. Pra këtu jemi, kjo është oferta që ka dhënë Zyra e Kryeministrit dhe nëse nuk gaboj asokohe kërkesa ka qenë imediate që të përfshihen edhe në ligjin që kurdo që rritet paga minimale të ndryshohet edhe vlera e pensionit mirë ajo tash është çështje tjetër meqenëse nuk ka lidhje te tillë sepse është bërë shkëputja qysh në vitin 2017”, ka thënë Murati.

E deputeti nga radhës e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj ka kërkuar që stafi akademik i Universitetit të Prishtinës të ushtrojë të drejtën e punës deri në moshën 68 vjeç. Kjo sipas tij duhet të bëhet për shkak se institucionet po ballafaqohen me mungesë të stafit profesionist.

Lidhur me këtë, Murati ka thënë se është për të mbështetur një nismë të tillë.

Rajoni

Ujërat e Kosovës: Sfida dhe zgjidhjet e qëndrueshme sipas Profesor Hazir Çadrakut

Published

on

Profesor i UBT-së, Hazir Çadraku, ishte mysafirë i radhës në podcastin tonë, ku foli për gjendjen aktuale të ujërave në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm dhe parandalimit të krizave të mundshme ujore në të ardhmen.

Sipas Profesor Çadrakut, sfidat që përballet Kosova janë të dyfishta: ndikimet klimatike dhe aktiviteti i pakontrolluar i njeriut.

Institucionet arsimore dhe kërkimi shkencor, sipas Profesor Çadrakut, luajnë një rol kyç në parandalimin e krizave ujore. Ai nënvizoi rëndësinë e punës intensive kërkimore në terren dhe publikimeve ndërkombëtare për të siguruar vendimmarrje të bazuar në të dhëna dhe fakte shkencore.

Për më shumë ndiqni podcastin: PODCAST

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Profesori bullgar Dimitar Keranov ligjëroi në UBT mbi të ardhmen evropiane të Kosovës dhe përvojën e Bullgarisë

Published

on

Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe ligjëratave tematike me ekspertë ndërkombëtarë, UBT ka mirëpritur Dr. Dimitar Keranov, politolog dhe ekspert i sigurisë ndërkombëtare, i cili mbajti ligjëratën me temën “Kosova’s European Future: What Bulgaria’s Experience Can Offer”, para studentëve të programit të Studimeve të Sigurisë.

Ligjërata u fokusua në rrugëtimin evropian të Kosovës, sfidat e integrimit, si dhe mësimet që mund të nxirren nga përvoja e Bullgarisë në proceset e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke vënë theks të veçantë në çështjet e sigurisë, qëndrueshmërisë demokratike dhe përballjes me kërcënimet hibride.

Në këtë aktivitet akademik ishin të pranishëm edhe dekania e Fakultetit, Hajdi Xhixha, si dhe prodekani Arian Kadriu, të cilët vlerësuan rëndësinë e përfshirjes së ekspertëve ndërkombëtarë në procesin mësimor dhe në zgjerimin e perspektivës akademike të studentëve të UBT-së.

Dr. Dimitar Keranov është anëtar i Bordit Drejtues të Bulgarian Institute for International Politics (BIIP) dhe njihet si një nga zërat e rëndësishëm në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe demokracisë në Evropën Juglindore. Fushat e tij të specializimit përfshijnë kërcënimet hibride, reziliencën demokratike dhe sigurinë ndërkombëtare, me fokus të veçantë në vendet që përballen me presione gjeopolitike.

Ai ka një përvojë të pasur profesionale në institucione prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë German Marshall Fund of the United States dhe Institut für Europäische Politik në Berlin, ku ka kontribuar në analiza politike dhe kërkime shkencore mbi zgjedhjet, ndikimin e huaj dhe qeverisjen demokratike.

Publikimet dhe analizat e Dr. Keranov janë cituar nga media ndërkombëtare me ndikim të madh, si The New York Times dhe Euronews, duke e bërë atë një referencë të rëndësishme në debatet bashkëkohore mbi sigurinë dhe demokracinë. Ai është gjithashtu anëtar i American Political Science Association dhe flet rrjedhshëm më shumë se dhjetë gjuhë, çka i mundëson një qasje krahasuese dhe ndërkombëtare ndaj sfidave globale të sigurisë.

Ligjërata u prit me interes të veçantë nga studentët, të cilët patën mundësi të diskutojnë drejtpërdrejt me ligjëruesin për rolin e Kosovës në arkitekturën evropiane të sigurisë, sfidat aktuale rajonale dhe rëndësinë e përgatitjes akademike për profesionistët e ardhshëm të kësaj fushe.

Përmes aktiviteteve të tilla, UBT vazhdon të forcojë profilin e tij ndërkombëtar dhe të ofrojë një arsim cilësor, të lidhur ngushtë me zhvillimet aktuale globale dhe me praktikat më të mira akademike dhe profesionale.

Continue Reading

Vendi

Zgjerimi urban i Prishtinës analizohet shkencërisht në një temë masteri nga studentja e UBT-së, Eglantina Buja

Published

on

Prishtina ka qenë në fokus të një analize të thelluar shkencore mbi zhvillimin dhe zgjerimin e saj urban, përmes temës së masterit të kandidates nga UBT, MSc. Eglantina Buja, e cila u mbrojt me sukses në kuadër të studimeve pasuniversitare.

Tema me titull “Analizë sasiore e shtrirjes dhe zgjerimit urban në Prishtinë për periudhën 1990–2024” u prezantua para komisionit profesional, i përbërë nga Prof. Dr. Egzon Bajraktari (kryetar), Prof. Dr. Edon Maliqi (mentor) dhe Dr. sc. Elvida Pallaska (anëtare).

Studimi trajton transformimet urbane të kryeqytetit gjatë një periudhe 34-vjeçare, duke përfshirë kohën e okupimit, periudhën e pasluftës dhe zhvillimet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Përmes përdorimit të të dhënave të hapura dhe metodave bashkëkohore shkencore, tema ofron një pasqyrë të qartë dhe të matshme të zgjerimit urban të Prishtinës.

Analiza është realizuar mbi bazën e imazheve satelitore Landsat 5 TM dhe Landsat 8 OLI, të përpunuara përmes klasifikimit të mbikëqyrur (Supervised Classification) në platformën Google Earth Engine, si dhe përmes analizave hapësinore me sisteme GIS. Si rezultat, janë gjeneruar harta tematike dhe produkte vizuale që dokumentojnë ndryshimet urbane ndër vite.

Të dhënat tregojnë një rritje të ndjeshme të sipërfaqes së ndërtuar në Prishtinë – nga 437.5 hektarë në vitin 1990 në mbi 1,410 hektarë në vitin 2024, që përfaqëson një zgjerim urban mbi 220%, një ritëm që tejkalon dukshëm rritjen e popullsisë. Ky zhvillim ka ndikuar në kalimin nga një strukturë urbane kompakte drejt një forme më të shpërndarë dhe të fragmentuar, duke sjellë sfida serioze për planifikimin hapësinor, infrastrukturën dhe përdorimin efikas të tokës.

Studimi identifikon gjithashtu zonat kryesore të zgjerimit urban dhe vë në pah ndikimin e ndërtimeve informale dhe mungesës së planifikimit të qëndrueshëm urban. Në përfundim, tema ofron rekomandime konkrete për vendimmarrësit, duke theksuar nevojën për zhvillim kompakt, forcim institucional dhe përdorim sistematik të teknologjive gjeohapësinore në monitorimin urban.

Me rastin e diplomimit, kandidatja u vlerësua për qasjen serioze akademike, rigorozitetin metodologjik dhe kontributin e vlefshëm në studimet e zhvillimit urban të Prishtinës.

UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor dhe formimit të kuadrove profesionale që kontribuojnë drejtpërdrejt në analizën dhe zgjidhjen e sfidave zhvillimore të vendit.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, bëhet zyrtarisht anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave

Published

on

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi bëhet anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave, në bazë të kontributit të tij të jashtëzakonshën në shkencë dhe teknologji, si dhe duke u bërë i vetmi dhe i pari shkencëtar nga Kosova që i bashkohet këtij institucioni prestigjioz. Diploma e anëtarësimit iu dorëzua gjatë një ceremonie solemne nga Kryetari dhe Nënkryetari i Akademisë, në Qendrën Evropiane për Shkencë (CERN) në Gjenevë, Zvicër.

Ky anëtarësim përfaqëson një njohje ndërkombëtare për kontributin e Rektorit Hajrizi në avancimin e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit në Kosovë, si dhe forcon lidhjet e vendit me komunitetin akademik evropian dhe botëror.

“Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, jo vetëm për mua personalisht, por edhe për Kosovën dhe komunitetin tonë shkencor. Anëtarësimi im në Akademinë Evropiane të Shkencës hap dyert e kësaj akademie prestigjioze për vendin tonë dhe për gjeneratat e reja të shkencëtarëve kosovarë,” ka thënë Rektori Hajrizi.

Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë dhe domethënien e këtij anëtarësimi, duke shprehur falënderimet e tij dhe duke ndarë vizionin për të ardhmen.

“Ky anëtarësim përfaqëson vlerësimin e punës sime mbi 30-vjeçare në fushën e shkencës dhe teknologjisë, dhe më jep një motiv shtesë për të vazhduar angazhimin në forcimin e arsimit cilësor, avancimin e kërkimit shkencor dhe lidhjen e institucioneve akademike të Kosovës me rrjetet evropiane të dijes dhe inovacionit. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që kontribuan në nominimin dhe vlerësimin tim. Një falënderim i veçantë shkon për familjen time dhe për kolegët e mi, për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin profesional gjatë gjithë këtyre viteve”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Akademia Evropiane e Shkencave është e njohur për promovimin e ekselencës shkencore, kërkimit ndërdisiplinar dhe inovacionit, duke përfshirë në radhët e saj studiues me reputacion të lartë ndërkombëtar, përfshirë edhe laureatë të Çmimit Nobel.

Nën udhëheqjen e Prof. Dr. Edmond Hajrizi, UBT është pozicionuar si një institucion lider në arsimin e lartë, kërkimin shkencor, inovacionin dhe sipërmarrjen në rajonin e Evropës Juglindore, duke krijuar mundësi të reja për studentët, akademikët dhe institucionet partnere.

Continue Reading

Të kërkuara