Kulturë

​“Manifesta 14 Prishtina” ka bashkuar në kryeqytet 103 pjesëmarrës nga 30 vende

Edhe në “Manifesta14 Prishtina” u ngrit çështja e mosliberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Published

on

Një ditë para hapjes zyrtare të “Manifesta14 Prishtina”, sot është mbajtur konferencë për media ku është shpalosur programi 100 ditor i këtij edicioni të 14-të të “Manifesta, Bienales Nomade Evropiane”, i cili është i pasur me ndërhyrje të shumta artistike, urbane, shfaqje, ngjarje e punëtori.

Edhe në “Manifesta14 Prishtina” u ngrit çështja e mosliberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Drejtoresha e “Manifesta14 Prishtina”, Hedwig Fijen u shpreh se për herë të parë Bienalja Nomade Evropiane po mbahet në Ballkanin Perëndimor. Ajo tha se në këtë edicion të 14-të po marrin pjesë 103 pjesëmarrës nga 30 vende të ndryshme.

“Jemi krenar të prezantojmë 103 pjesëmarrës nga 30 vende përfshirë 25 kolektive, 40 pjesëmarrës nga Kosova dhe 26 të tjerë nga Ballkani Perëndimor që nënkupton dhe kjo është unike 65% e pjesëmarrëse të përgjithshëm janë nga rajoni. Ky edicion i ‘Manifestas’ bazohet në katër shtyllat kryesore si rezultat i hulumtimeve 4-vjeçare dhe gjenerimit të informatave… Është ish-fabrika e tullave, Hoteli ikonik ‘Grand Hotel’ hapësira e komunitetit që quhet qendra për praktikë narrative në ish-bibliotekën ‘Hivzi Sylejmani’ dhe një pjesë të 24 hapësirave gjithandej qytetit. I kemi vendosur këto hapësira dhe lokacione si pjesë e rikthimit të qytetit pjesët origjinale të qytetit të Prishtinës”, tha ajo.

Fijen ngriti si shqetësime dhe mosliberalizimin e vizave për kosovarët, për çka tha se kjo ndikon që komuniteti kulturor e artistik kosovar të përballet me kufizime bazike për të zhvilluar kapacitet e tyre.

“Duhet të rrisim vetëdijësimin e ndërgjegjësimin për kufizimet e padrejta të kësaj pjese të Evropës. Kosova është duke iu dëshiruar mirëseardhje të gjithë juve vizitorëve, artistëve e krijuesve, profesionistëve nga e tërë Evropa, por fatkeqësisht Evropa së pari Qeveria ime nuk i mirëpret kosovarët për shkëmbimet e tyre të ngjashme kulturore, një prej parimeve bazike të ‘Manifestës’, liberalizimi i vizave është pritur në vitin 2018, por tani në vitin 2022 Kosova vazhdon të mbetet me regjim të kufizuar të vizave… Kjo mungesë e liberalizimit të vizave nënkupton se komuniteti kulturor dhe artistik i Kosovës përballet me kufizimet më bazike duke kufizuar kapacitet e tyre për të zhvilluar dhe vazhduar dialogun konstruktiv me pjesën tjetër të Evropës lëre më pjesën tjetër të botës”, tha ajo.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku tha se “Manifesta” është lobimi politik për të ecur pa u diskriminuar në rrugën integruese evropiane të Kosovës.

Çeku tha se Qeveria e Kosovës ka ndihmuar “Manifestën” me rreth 2 milionë euro.

“Banorët e Kosovës e cila organizon ‘Manifestën’ nuk mund të udhëtojnë pa viza nëpër Evropë, ‘Manifesta’ është edhe lobimi ynë politik për të ecur pa diskriminuar në rrugën tonë integruese evropiane. ‘Manifesta’ është edhe kërkesa jonë legjitime për trajtim të barabartë me popujt e tjerë në rajon dhe në Evropë, është dëshmia më e prekshme që Prishtina jonë me numrin 14 nuk është se dallon fortë nga Marsej juaj me numrin 13 e as nga Barcelona me numër 15. Prandaj, vizat e BE-së ndaj qytetarëve të Kosovës ka kohë që kanë humbur nëse ndonjë herë kanë pasur kuptim. ‘Manifesta’ është edhe ekonomi përmes turizmit kulturor është edhe rrjetëzim artistik ndërkombëtar dhe reputacion për shtetin. ‘Manifesta’ është platformë diskutimi për muzeun tonë të ardhshëm të artit bashkëkohor wshtw gjithashtu edhe dëshmi që vendi ynë mund të organizojë ngjarje edhe më të mëdha botërore të artit dhe rrit potencialin e zhvillimit të monumenteve të trashëgimisë kulturore”, theksoi Çeku.

Minsitri Çeku theksoi se përmes “Manifestës 14 Prishtina”, objekti i Hamamit të Madh, ish-Gërmia, ish-Tullorja e hapësira të tjera po marrin kuptim të ri përmes ndërhyrjeve artistike.

“Shumë nga këto ndërtesa do të rikuptimësohen përmes ndërhyrjeve artistike në këtë periudhë, për shumë nga këto ndërtesa do të zbulojmë ide e funksione të reja, një alternativ ndaj privatizimit, një model ripërdorimi adaptues një qasje ndaj hapësirës dhe ndaj publikes”, theksoi ai.

Kurse, kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama duke u shprehur i lumtur që Bienalja Nomade Evropiane kësaj radhe po mbahet në kryeqytetin e Kosovës, tha se trashëgimia e Manifestës do të jetoj edhe përtej 100 ditëve sa është kjo platformë në Kosovë.

Rama tha se “Manifesta” me ndryshimet e saj ka sjellë artin te qytetarët.

“Ideja e re ishte që ne së bashku të bashkojmë forcat për transformimet publike që të hap mundësi për qytetin që të shohim dhe shfrytëzojmë mundësitë që paraqet qyteti dhe të shfrytëzojmë ‘Manifestën’ si platformë për diskutim, debat, për të bërë bashkë komunitetet për të hapur mundësi të reja për të theksuar hapësirat publike brenda qytetit si vende që krijojnë këto mundësi që njerëzit të flasin lirshëm për nevojat e tyre, dëshirat dhe idetë e tyre për qytetin… Nuk jemi këtu duke i çuar njerëzit tek arti, jemi duke e sjell artin tek njerëzit përmes këtyre intervenimeve në hapësira të ndryshme publike dhe pastaj mundësi të tjera… Kemi disa intervenime guximtare që janë shumë të dukshme në qytet pra ato ofrojnë këtë optimizmin për njerëzit këtu për qytetarët e Prishtinës”, tha ai.

Në këtë konferencë për shtyp morën pjesë edhe ndërmjetësuesit kreativ, Carlo Ratti dhe Ctherine Nichols.

“Manifesta14 Prishtina” do të jetë e hapur nga 22 korriku deri më 30 tetor. Përgjatë kësaj kohe qytetarët e Kosovës por edhe të huaj do të mund të vizitojnë 25 hapësirat e “Manifestës” duke nisur nga Hamami i Madh e deri tek Pallati i Rinisë.

Ndërhyrjet kryesore urbane përfshijnë korridorin e gjelbër i cili lidh dy anët e kryeqytetit me një shteg të qëndrueshëm të lëvizshmërisë dhe hap qasje në laboratorin e të mësuarit eko-urban në ish-fabrikën e tullave.

Manifesta po ashtu ka krijuar edhe një institucion të përhershëm ndërdisiplinor kulturor Qendër për Praktikë Rrëfyese e cila është e vendosur në mjediset e ish-bibliotekës “Hivzi Sylejmani”.

Ndyrshe, Bienalja Nomade Evropiane “Manifesta” ndryshon vendndodhjen çdo dy vjet, dhe është e themeluar në fillim të viteve 1990.

Lajmet

Gjilani mirëpret edicionin e 9-të të Festivalit Ndërkombëtar “Rising Stars”

Published

on

Në Gjilan është mbajtur edicioni i nëntë i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Rising Stars”, një ngjarje që mblodhi artistë të rinj nga vende të ndryshme të botës dhe e ktheu qytetin në një qendër të rëndësishme të shkëmbimit kulturor e artistik.

Festivali bëri bashkë rreth 100 konkurrentë nga 15 shtete, si dhe mbi 200 mysafirë ndërkombëtarë, të cilët morën pjesë në aktivitetet artistike gjatë disa ditëve.

Nata finale u karakterizua nga performanca të nivelit të lartë, ndërsa u shpallën edhe fituesit kryesorë të këtij edicioni. Çmimet kryesore u ndanë për pjesëmarrës nga Rumania, Malta dhe Italia.

Organizatorët vlerësuan se festivali vazhdon të forcojë bashkëpunimin kulturor ndërkombëtar dhe të promovojë talentet e reja muzikore, duke e vendosur Kosovën në hartën e ngjarjeve të rëndësishme artistike.

Edicioni i sivjetmë i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Rising Stars” u mbështet nga Ministria e Kulturës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dy vjet pa Ismail Kadarenë, gjeniu i letërsisë shqipe dhe botërore

Published

on

Sot, më 1 korrik 2026, shënohen dy vjet nga ndarja nga jeta e shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare, një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore shqipe dhe botërore.

Kadare, i lindur më 28 janar 1936 në Gjirokastër, u konsiderua gjerësisht si prozatori më i shquar shqiptar, me një krijimtari të gjerë që përfshin romane, tregime, poezi, drama dhe ese. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës, duke e bërë atë një nga ambasadorët më të njohur të letërsisë shqipe në arenën ndërkombëtare.

Gjatë karrierës së tij letrare, Kadare trajtoi tema universale si totalitarizmi, liria, historia dhe identiteti kombëtar, shpesh përmes një gjuhe simbolike dhe alegorike. Ndër veprat e tij më të njohura përmenden “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur”, “Kështjella”, “Prilli i thyer” dhe “Pallati i ëndrrave”, të cilat kanë lënë gjurmë të thella në letërsinë evropiane.

I formuar në Universitetin e Tiranës dhe në Institutin “Maksim Gorki” në Moskë, Kadare u kthye në një zë të veçantë letrar që sfidoi kufizimet e kohës dhe solli një vizion kritik ndaj sistemeve totalitare. Pas viteve ’90, ai jetoi mes Francës dhe Shqipërisë, duke vijuar të botojë dhe të mbetet një nga autorët më të lexuar shqiptarë në botë.

Kadare u nderua me çmime të shumta prestigjioze ndërkombëtare, mes tyre “Man Booker International Prize” (2005), “Princesa de Asturias” për Artet (2009) dhe Çmimin “Jerusalem” (2015). Në vitin 1996 u bë anëtar i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë, një nga institucionet më të larta akademike evropiane.

Dy vjet pas ndarjes së tij nga jeta, vepra e Ismail Kadaresë vazhdon të lexohet, studiohet dhe të mbetet një nga trashëgimitë më të rëndësishme të kulturës shqiptare dhe evropiane të shekullit XX dhe XXI./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Saranda Bogujevci viziton provën gjenerale të Operës së Kosovës para premierës së veprave të Puccinit

Published

on

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bogujevci, ka vizituar sot provën gjenerale të Operës së Kosovës, në prag të premierës së diptikut të kompozitorit italian Giacomo Puccini, e cila do të shfaqet më 1 korrik.

Gjatë vizitës, ministrja përcolli nga afër fazën përfundimtare të përgatitjeve, duke ndjekur punën e orkestrës, solistëve dhe ekipit realizues, të cilët po finalizojnë detajet e këtij produksioni të rëndësishëm artistik.

Sipas Ministrisë së Kulturës, ky produksion do t’i sjellë publikut në Prishtinë dy vepra të rëndësishme të repertorit operistik botëror, duke pasuruar jetën kulturore dhe artistike të vendit.

Premiera e 1 korrikut konsiderohet një tjetër hap i rëndësishëm për zhvillimin e operës në Kosovë, duke dëshmuar përkushtimin e institucioneve dhe artistëve për avancimin e artit skenik dhe muzikor, si dhe për sjelljen e produksioneve cilësore para publikut kosovar./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve performon për herë të parë në Londër

Published

on

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve do të ngjitet për herë të parë në skenën e Mbretërisë së Bashkuar, duke sjellë trashëgiminë kulturore shqiptare në zemër të Londrës përmes një shfaqjeje artistike të veçantë.

Sipas njoftimit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, performanca do të mbahet më 6 korrik në Shaw Theatre në Londër, ku publiku do të ketë mundësinë të përjetojë një mbrëmje që ndërthur traditën shqiptare me frymëzimin që poeti britanik Lord Bajron gjeti në Shqipëri.

Në këtë mbrëmje artistike, ansambli do të prezantojë një program të pasur me këngë dhe valle tradicionale, kostume autentike dhe tinguj karakteristikë të folklorit shqiptar, duke përcjellë historinë, traditat dhe identitetin kulturor të shqiptarëve para publikut ndërkombëtar.

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit thekson se shfaqja “Zëri i Trashëgimisë” synon të promovojë kulturën shqiptare përmes gjuhës universale të artit, duke shërbyer si një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

“Zëri i Trashëgimisë është një ftesë për të zbuluar Shqipërinë përmes artit, një urë kulturore mes dy vendeve dhe një homazh për pasurinë e jashtëzakonshme të identitetit tonë kombëtar”, thuhet në njoftimin e TKOB-së.

Kjo paraqitje shënon një moment të rëndësishëm për promovimin e kulturës shqiptare në arenën ndërkombëtare, duke sjellë në një nga skenat e Londrës pasurinë e folklorit dhe traditave shqiptare./atsh//A.K/

Continue Reading

Të kërkuara