Lajmet

​Liderët e rajonit bashkohen në një takim joformal në Tiranë

Aty do të diskutohet për Procesin e Berlinit.

Published

on

Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, do të marrin pjesë në takimin joformal në Tiranë, të ftuar nga kryeministri, Edi Rama.

Liderët e rajonit së basku me komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, do të drekojnë në mesditën e të hënës, në takimin joformal, ku do të diskutohet për Procesin e Berlinit.

Pjesëmarrjen në takim e kanë konfirmuar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, si dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo, kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Ndërkohë, sipas burimeve të RTSH-së, Kosova do të përfaqësohet nga një zëvendëskryeministër.

Kryeministri Kurti, sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, nga dje po merr pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, që mbahet në Greqi e ku po marrin pjesë politikanë progresistë e akademikë të shquar.

Aty theksohet se kjo është hera e gjashtë që kryeministri Kurti është pjesëmarrës në këtë organizim.

Përndryshe, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama pak ditë më parë kishte një vizitë në të gjitha vendet e rajonit, qëllimi i këtij takimi është për të diskutuar për planin e ri dhe për të ndërtuar së bashku një qëndrim për procesin e Berlinit.

“Në tetor Shqipëria pret për herë të parë që kur në 2014-tën Angela Merkel hapi procesin, Samitin e Berlinit në Ballkan, në Tiranë dhe është një samit jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse ne jemi përgatitur për një hap të madh përpara, po punojmë me Bashkimin Europian për një plan të ri financimi dhe mbështetje ekonomike të gjithë vendeve të rajonit që duam shumë ta konkretizojmë në Samitin e Berlinit në tetor dhe është një plan real. Ursula Von der Leyen në Bratislavë e dha një mesazh të parë lidhur me planin për të rritur financimin, për të rritur aksesin e Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët europian. Ndërkohë që duhet të merremi me këtë, natyrisht që Procesi i Berlinit është aksi ynë kryesor. Ballkani i Hapur ishte një iniciativë që lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe e ka kryer atë mision për të cilin lindi. Ne duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit sepse e kemi këtë mundësi, e kemi Procesin e Berlinit në Tiranë. Kemi mundësi ta zotërojmë si proces me mbështetjen e madhe që kemi nga Gjermani, nga kancelari Scholz dhe nga gjithë të tjerët dhe në ndërkohë e kuptoni se çfarë do të thotë? Tetori erdhi, korriku hyri, si mundet ne ta mbajmë të bashkuar Bashkimin Europian? Se jo të gjithë aty janë të vëmendshëm, jo të gjithë aty e kanë interesin që kanë këta kryesorët për të na mbështetur ne, për të mbështetur Ballkanin Perëndimor, nëse ne merremi me Oso Kukën”, u shpreh Rama duke iu referuar kështu kryetarëve të komunave në Veri që po qëndrojnë prej tensioneve të krijuara atje me Serbinë..

Rama nuk është pritur vetëm nga kryeministri Kurti, për shkak të anulimit të mbledhjes së përbashkët të paraparë të mbahet në Gjakovë. Kurti ka thënë se me Ramën takohet vetëm në një mbledhje të dy qeverive shqiptare.

Por çfarë është Procesi i Berlinit?

Iniciativa synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor. Kjo është një nismë e vitit 2015 për të mbështetur integrimin në Bashkimin Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor: Bosnje Hercegovina, Mali i zi, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria.

E prezantuar me 28 gusht nga kancelarja Anglea Merkel, Procesi i Berlinit po zhvillohet me mbështetjen e Komisionit Evropian, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shteteve anëtare, bazuar në miratimin e akuis komunitar, apo tërësia e të drejtave dhe e detyrimeve të përbashkëta që i bashkon të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Vendi

UBT hap edicionin e 15-të të Konferencës Ndërkombëtare Shkencore në 25-vjetorin e themelimit

Published

on

By

UBT ka hapur sot zyrtarisht edicionin e 15-të të Konferencës Ndërkombëtare Shkencore, një ngjarje madhore akademike që zhvillohet në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së. Kjo platformë ndërdisiplinore beri bashkë mbi 1,000 studiues, shkencëtarë, profesionistë dhe ekspertë nga më shumë se 30 shtete të botës, me qëllim avancimin e kërkimit shkencor, shkëmbimin e njohurive dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar. Edicioni i sivjetshëm ka një rëndësi të veçantë festive, pasi përkon me shënimin e 25-vjetorit të themelimit të UBT-së.

Në hapjen e kësaj konference, Presidenti dhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, duke ju uruar mirëseardhje pjesëmarrësve ka nënvizuar rolin kryesor të kërkimit ndërdisiplinor për zgjidhjen e sfidave globale.

“Sfidat më të rëndësishme të kohës sonë nuk i përkasin një disipline të vetme shkencore. Ndryshimet klimatike nuk mund të adresohen vetëm nga shkenca e mjedisit. Transformimi që sjell inteligjenca artificiale nuk mund të kuptohet vetëm përmes shkencave kompjuterike. E ardhmja e kujdesit shëndetësor kërkon mjekësi, inxhinieri, bioteknologji, teknologji digjitale, etikë dhe inovacion të përqendruar te njeriu. Qytetet e qëndrueshme kërkojnë arkitekturë, planifikim urban, sisteme energjetike, lëvizshmëri, infrastrukturë digjitale dhe pjesëmarrje të komunitetit. Prandaj, konferenca jonë është më shumë se një përmbledhje prezantimesh shkencore: është një platformë ndërkombëtare që lidh dijen, disiplinat, njerëzit dhe institucionet në kërkim të zgjidhjeve më të mira për problemet e botës reale”, u shpreh Rektori Hajrizi para të pranishmëve.

Ndërsa ndaloi te rrugëtimi çerek-shekullor i institucionit, Rektori Hajrizi theksoi transformimin e UBT-së në një ekosistem modern arsimor e shkencor, si dhe synimin për të ngritur cilësinë e kërkimit shkencor në nivele të larta ndërkombëtare.

“Sot UBT është zhvilluar në një ekosistem të gjerë akademik, shkencor, teknologjik dhe sipërmarrës, i cili përfshin rreth 300 laboratorë, 150 fusha studimi dhe bashkëpunim me më shumë se 500 universitete e institucione partnere ndërkombëtarisht. Megjithatë, investimi më i madh i një universiteti nuk është në ndërtesa apo teknologji, por te njerëzit, sot UBT bashkon mbi 400 anëtarë stafi me kohë të plotë me tituj doktorature. Synimi ynë nuk është thjesht rritja e numrit të publikimeve, por fuqizimi i cilësisë shkencore, bashkëautorësia ndërkombëtare dhe zgjidhjet që i përgjigjen nevojave të shoqërisë. Nga dija shkencore te prototipet, nga prototipet tek inovacioni dhe nga inovacioni te ndikimi i matshëm shoqëror: kjo është rruga që kërkojmë të fuqizojmë”, u shpreh Rektori i UBT-së.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme programi i konferencës do të shtrihet në një varg të gjerë disiplinash përmes dhjetëra seancave paralele shkencore. Punimet do të përfshijnë fushat e mjekësisë, infermierisë, farmacisë, stomatologjisë dhe mjekësisë sportive, si dhe sektorin e teknologjisë e inxhinierisë me fokus në shkencat kompjuterike, inteligjencën artificiale, mekatronikën, robotikën dhe sigurinë e informacionit. Po ashtu, hapësirë e veçantë do t’i kushtohet arkitekturës, planifikimit hapësinor, artit e dizajnit, ndërsa në shkencat shoqërore e ekonomike do të trajtohen tema nga menaxhmenti, ekonomia, drejtësia, shkencat politike, media, psikologjia, arsimi, si dhe bujqësia e shkencat mjedisore.

Në fokus të veçantë të punimeve do të jetë edhe platforma UBT Smart City, e cila po shërben si një laborator i gjallë (living testbed) për eksperimentimin ndërdisiplinor dhe testues prototypesh të teknologjive të reja. Po ashtu, po prezantohet zhvillimi i Qendrave të Ekspertizës dhe Instituteve të specializuara, si Instituti i Mjekësisë Sportive dhe AI Business Hub. Lidhur me përdorimin e inteligjencës artificiale, Rektori Hajrizi veçoi se mjetet e AI duhet të shërbejnë për të mbështetur e jo për të zëvendësuar gjykimin shkencor e rigorozitetin metodologjik.

Kjo ngjarje vjen në një moment të rëndësishëm ku UBT rikonfirmon pozitën e tij udhëheqëse si institucioni i parë në Kosovë në përbërësin e kërkimit shkencor sipas renditjes ndërkombëtare SCImago Institutions Rankings 2026, duke synuar rritjen e mëtejshme të ndikimit shkencor dhe pjesëmarrjen në programe evropiane si Horizon Europe e COST Actions. Konferenca do të vazhdojë punimet përgjatë ditës me prezantimin e simpoziumeve shkencore, debateve konstruktive dhe krijimin e urave të reja të bashkëpunimit akademik midis studiuesve të rinj dhe shkencëtarëve ndërkombëtarë.

Continue Reading

Aktualitet

UBT organizon edicionin e 15-të të Konferencës Ndërkombëtare Shkencore

Published

on

By

UBT do të organizojë edicionin e 15-të të Konferencës Ndërkombëtare Shkencore, një platformë akademike që bashkon studiues, shkencëtarë, profesionistë dhe përfaqësues të institucioneve nga fusha të ndryshme, me qëllim avancimin e kërkimit shkencor, shkëmbimin e njohurive dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Konferenca do të mbahet në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, duke vazhduar traditën e kësaj platforme ndërdisiplinore, e cila u mundëson studiuesve dhe profesionistëve të prezantojnë punën e tyre shkencore, të diskutojnë zhvillimet e fundit në fushat përkatëse dhe të krijojnë mundësi të reja për bashkëpunim akademik.

Programi përfshin një gamë të gjerë fushash, ndër të cilat mjekësia dhe infermieria, shkencat farmaceutike dhe natyrore, stomatologjia, shkencat kompjuterike, inxhinieria, mekatronika, robotika, siguria e informacionit, arkitektura, planifikimi hapësinor, drejtësia, shkencat politike, gazetaria, media dhe komunikimi, menaxhmenti, ekonomia, psikologjia, arsimi, bujqësia, shkenca dhe teknologjia e ushqimit, arti, dizajni dhe muzika.

Përmes këtij programi të gjerë, konferenca synon të krijojë ura bashkëpunimi ndërmjet disiplinave të ndryshme, duke nxitur dialogun shkencor dhe duke promovuar qasje të reja për adresimin e sfidave bashkëkohore. Një rëndësi e veçantë i kushtohet gjithashtu mbështetjes së studiuesve në fillim të karrierës akademike dhe stafit të ri akademik, duke u ofruar mundësi për prezantimin e hulumtimeve dhe zhvillimin e aftësive për publikim sipas standardeve ndërkombëtare.

Gjatë edicioneve të deritanishme, konferenca ka krijuar një bazë të gjerë ndërkombëtare të pjesëmarrjes dhe prezantimeve shkencore, me pjesëmarrje të mbi 1 mijë folësve dhe prezantuesve, dhe përfaqësim nga mbi 30 shtete të botës.

Përmes edicionit të vitit 2026, UBT synon të vazhdojë forcimin e profilit të tij si institucion i arsimit të lartë me orientim drejt kërkimit shkencor, transferimit të dijes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke krijuar hapësirë për ide të reja, rezultate shkencore dhe partneritete që lidhin universitetet me profesionistët dhe sektorët e ndryshëm të shoqërisë.

 

Continue Reading

lajme

EOQ Congress 2026 në UBT: Liderët evropianë të cilësisë diskutojnë transformimin, inovacionin dhe udhëheqjen reziliente

Published

on

By

Në kuadër të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ Congress 2026), në UBT u mbajt sesioni plenar i Liderëve Evropianë të Cilësisë, ku ekspertë ndërkombëtarë diskutuan mbi rolin e udhëheqjes në transformimin organizativ, arritjen e ekselencës dhe ndërtimin e organizatave të qëndrueshme në një mjedis biznesi gjithnjë në ndryshim.

Sesioni, i moderuar nga Tiia Tammaru, mblodhi përfaqësues të komunitetit evropian të cilësisë, të cilët ndanë përvojat dhe perspektivat e tyre mbi mënyrat se si cilësia mund të shërbejë si nxitës i transformimit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe rritjes së ndikimit organizativ.

Gjatë sesionit, u trajtuan këto tema:

Pierre Girault, president i AFQM-së, Francë – Fjalë përshëndetëse, të cilit iu nda edhe Certifikata nga EOQ.

Dr. Ing. Florian Weymar – “Udhëtimi i udhëheqjes: Cilësia si nxitës i transformimit”.

Dr. Patricia Carvalho – “Nga ekselenca te ndikimi: Mësime nga udhëheqja në fushën e cilësisë”.

Diskutimet vunë në pah rëndësinë e udhëheqjes efektive në përballimin e ndryshimeve teknologjike dhe sfidave të reja të biznesit, duke theksuar se cilësia nuk kufizohet vetëm në përmbushjen e standardeve, por përbën një element thelbësor të transformimit dhe zhvillimit afatgjatë të organizatave.

Në vazhdim të programit të Kongresit, u zhvillua edhe dialogu ndërmjet përfaqësuesve kombëtarë të EOQ-së dhe partnerëve ndërkombëtarë, me fokus në shkëmbimin e perspektivave dhe forcimin e bashkëpunimit global në fushën e cilësisë. Përmes këtyre diskutimeve, EOQ Congress 2026 në UBT vazhdoi të krijojë hapësirë për shkëmbimin e përvojave ndërkombëtare dhe promovimin e qasjeve bashkëkohore ndaj cilësisë, udhëheqjes dhe inovacionit.

Continue Reading

Lajmet

Kosova mirëpriti Kongresin më të madh evropian të cilësisë – EOQ Congress 2026

Published

on

By

Përfundoi Kongresi i 67-të i Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ 2026), i cili për tri ditë mblodhi në Kosovë përfaqësues të institucioneve, ekspertë ndërkombëtarë, akademikë dhe profesionistë, për të diskutuar mbi rolin e cilësisë në epokën e inteligjencës artificiale, transformimit digjital dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Sesioni përmbyllës i kongresit shërbeu si një moment reflektimi mbi përfundimet dhe mesazhet kryesore të këtij edicioni, duke vënë në pah rëndësinë e cilësisë si themel për inovacionin, besimin, qëndrueshmërinë dhe konkurrueshmërinë në një botë që po ndryshon me shpejtësi.

Në këtë kuadër u prezantuan përfundimet e kongresit me temën “Congress Conclusions: What Prishtina 2026 Has Taught Us”, si dhe mesazhi “Prishtina Quality Message 2026: The Future through Quality”, i cili thekson rëndësinë e angazhimit të përbashkët për ndërtimin e një të ardhmeje më cilësore dhe të qëndrueshme.

Një moment i veçantë ishte ceremonia e dorëzimit të flamurit të EOQ-së dhe prezantimi i kongresit të ardhshëm, i cili do të mbahet në Belgjikë, duke simbolizuar vazhdimësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe angazhimin e komunitetit evropian për avancimin e cilësisë.

Në fjalën e tij përmbyllëse, Prof. Dr. Paulo Sampaio, President i Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ), përcolli mesazhin për një komunitet të bashkuar të cilësisë dhe përgjegjësi të përbashkët në avancimin e standardeve dhe praktikave cilësore.

Ndërkaq, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, president dhe rektor i UBT-së, president i Quality Kosova dhe nënkryetar i EOQ-së, përmbylli kongresin me mesazhin “From Prishtina to the Future through Quality”, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shndërrimit të ideve e diskutimeve në iniciativa konkrete për të ardhmen.

 

Organizimi i Kongresit të 67-të të EOQ-së në UBT përbën një mundësi të rëndësishme për promovimin e Kosovës si hapësirë e dialogut profesional, shkëmbimit të njohurive dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Përmes këtij organizimi, UBT dhe Quality Kosova kontribuuan në avancimin e diskutimeve mbi rolin e cilësisë në zhvillimin institucional, ekonomik dhe shoqëror. Me mesazhin “Nga Prishtina drejt së ardhmes përmes cilësisë”, Kongresi EOQ 2026 përmbylli punimet duke riafirmuar rëndësinë e vizionit të përbashkët, përgjegjësisë dhe bashkëpunimit për një të ardhme më cilësore dhe të qëndrueshme.

Continue Reading

Të kërkuara