Lajmet

​Kuvendi miraton Projekt-kodin e Procedurës Penale

Haxhiu: Qëllimi i këtij projekt-kodi është avancimi i drejtësisë penale për të vendosur sundimin e ligjit në vend.

Published

on

Kuvendi i Kosovës me 66 vota për ka miratuar në shqyrtim të parë Porjekt-kodin e Procedurës Penale, i cili parasheh gjykimin në mungesë për të gjitha veprat penale dhe jo vetëm për rastet e krimeve të luftës, ndërsa trajton edhe suspendimin e zyrtarëve publik në rastin e ngritjes së aktakuzës për veprat e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se qëllimi i këtij projekt-kodi është avancimi i drejtësisë penale për të vendosur sundimin e ligjit në vendin tonë.

“Disa nga ndryshimet që janë më të rëndësishme, më substanciale janë gjykimi në mungesë, është shtuar neni i ri me gjykimin me mungesë i cili përcakton se nëse i pandehuri i cili vullnetarisht dështon të paraqitet në seancë gjyqësore pasi të jetë informuar për datën nuk duhet të lejohet të vonojë procedurën. Në ato raste kur prokurori nuk mund të gjejë një të pandehur pas përpjekjeve të arsyeshme gjykimi duhet të jetë në gjendje të mbahet sipas rrethanave të përcaktuara në nenin e propozuar. Këtu bëhet një dallim ndërmjet gjykimit në mungesë për veprat tjera, përjashto ato të krimeve të luftës, për faktin se për rastet e krimeve të luftës jo domosdoshmërisht kërkohet që i pandehuri të jetë në seancën e parë apo në seancën fillestare”, tha ajo.

Deputetët me 80 vota e kanë miratuar në shqyrtim të parë edhe projektligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se ky projektligj do të rregullojë këtë fushë në mënyrën e duhur dhe me efikasitet të lartë.

“Konsiderohet se do të rregullojë këtë fushë në mënyrën e duhur dhe me efikasitet të lartë, si dhe në mënyrë që të lehtësohet ekzekutimi i kërkesave të parashtruara nga organet gjyqësore të huaja tek organet gjyqësore në Republikën e Kosovës, por edhe anasjelltas. Përveç plotësimit të zbrastësirave të kornizës ligjore ekzistuese për ndihmë juridike ndërkombëtare në çështje civile projektligji për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile do të plotësojë në masë të madhe mungesën e anëtarësisë së Republikës së Kosovës në konferencën e Hagës dhe në konventat e saj. Po ashtu pasqyron saktë praktikën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet civile dhe unifikon procedurat me BE-në”, tha ajo.

Ministrja e Drejtësisë tha se bashkë me Ministrinë e Punëve të Jashtme janë duke punuar për t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme për anëtarësimin e Kosovës në konferencën e Hagës.

Miratimin e Kuvendit të Kosovës e ka marrë edhe projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale, ku për kanë votuar 66 deputetë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se qëllimi i tij është realizimi i objektivave për të përmirësuar qasjen në drejtësi, fuqizimin e sundimit të ligjit, zbatimin më të lehtë dhe efikas të ligjit ndërkombëtar dhe atij të brendshëm në fushën penale, lehtësim të procedurave të ekstradimeve për të pasur ekstradime më të shpejta në përputhje me standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, si dhe avancimin e legjislacionit në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet penale.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shkuar në pauzë deri në orën 15:00.

Rajoni

Koncert Koral në kuadër të Ditëve të Artit dhe të Dizajnit dhe 25-vjetorit të UBT-së

Published

on

By

Në kuadër të Ditëve të Artit dhe të Dizajnit dhe shënimit të 25-vjetorit të themelimit të UBT-së, u mbajt një koncert koral i veçantë, i cili solli para publikut fuqinë e muzikës, artit dhe bashkëpunimit artistik.

Të pranishmit patën kënaqësinë të shijojnë performancën e Korit të Fakultetit të Muzikës Moderne, Prodhimit Digjital dhe Menaxhmentit në UBT, nën dirigjimin e profesoreshës dhe dirigjentes, Lindita Isufi. Me përkushtimin dhe profesionalizmin e saj, kori prezantoi një program të pasur artistik, rezultat i punës së vazhdueshme, disiplinës dhe dashurisë së studentëve për muzikën.

Pjesa e parë e koncertit iu kushtua krijimtarisë shqiptare, duke sjellë interpretime të veprave:

  • Dashnor tu bana – Shime Deshpali
  • Ishin dy kunata – Rafet Rudi
  • Po vijnë krushqit – Tish Daija
  • Unë biri yt Kosovë – Feim Ibrahimi

Përmes këtyre veprave u pasqyruan tradita, kultura dhe identiteti ynë muzikor, duke përcjellë emocione të veçanta te publiku.

Në pjesën e dytë, kori solli disa nga këngët më të njohura të repertorit ndërkombëtar:

  • Creep – nga Radiohead
  • Mamma Mia – nga ABBA
  • Siyahamba
  • Shkon djali termale – Çesk Zadeja

Koncerti dëshmoi edhe një herë rëndësinë e artit dhe muzikës si ura komunikimi ndërmjet kulturave, duke bashkuar zërat, emocionet dhe shpirtin krijues në një harmoni të vetme.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Politikat institucionale dhe praktikat artistike në fokus të diskutimit në Ditët e Artit dhe të Dizajnit në UBT

Published

on

By

Në kuadër të Ditëve të Artit dhe të Dizajnit, Fakulteti i Artit dhe Medias Digjitale në UBT organizoi panelin me temë “Politikat Institucionale dhe Praktika Artistike”, një aktivitet që mblodhi artistë, përfaqësues institucionesh kulturore, restauratorë dhe studentë për të diskutuar mbi sfidat dhe zhvillimet e artit bashkëkohor në Kosovë dhe më gjerë.

Aktiviteti u mbajt në Bibliotekën e Kampusit Inovativ të UBT-së në Lipjan, duke shërbyer si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe përvojave mbi funksionimin e institucioneve të artit, proceset e aplikimit, koleksionet publike, konservimin e veprave artistike dhe raportin ndërmjet artistit dhe institucioneve kulturore.

Dekania e Fakultetit të Artit dhe Medias Digjitale në UBT, Ariana Gjoni, në fjalën hapëse vlerësoi rëndësinë e organizimeve të tilla për studentët dhe komunitetin artistik, duke potencuar se UBT vazhdon të krijojë hapësira të nevojshme për debat profesional dhe zhvillim kreativ.

Të ftuara në panel ishin edhe Alisa Gojani-Berisha, drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Kosovës, si dhe Arlinda Hajrullahu, drejtoreshë e Muzeut të Artit Bashkëkohor, të cilat ndanë përvojat e tyre mbi menaxhimin institucional të artit dhe zhvillimin e politikave kulturore.

Pjesë e diskutimit ishte edhe restauratorja dhe konservatorja me përvojë ndërkombëtare, Elena Prieto Bello, e cila foli mbi rëndësinë e konservimit të trashëgimisë artistike dhe sfidat profesionale në këtë fushë.

Ky aktivitet u organizua nga profesori Burim Berisha, në kuadër të aktiviteteve të shumta që po zhvillohen gjatë Ditëve të Artit dhe të Dizajnit në UBT, me fokus promovimin e dialogut ndërdisiplinar, artit bashkëkohor dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.

Continue Reading

lajme

Dr. Xhida Lumi ndan përvojën klinike dhe shkencore me studentët e Fakultetit të Psikologjisë në UBT

Published

on

By

Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për të ofruar një edukim bashkëkohor dhe të ndërlidhur me praktikën profesionale, Fakulteti i Psikologjisë në UBT organizoi një ligjëratë të veçantë për studentët e programit Master, në kuadër të lëndës “Psikologji e Avancuar Zhvillimore”, të udhëhequr nga prof. Fatbardha Qehaja Osmani.

E ftuar ishte Dr. Xhida Lumi, psikiatre dhe psikoterapiste me veprimtari profesionale në Zvicër, e cila ndau me studentët përvojën e saj shumëvjeçare në fushën e shëndetit mendor, psikiatrisë së fëmijëve dhe adoleshentëve, si dhe në edukimin dhe trajnimin profesional të specialistëve të rinj.

Përmes ligjëratës me temën “Zhvillimi, Shëndeti dhe Rezilienca tek Fëmijët (Si t’i njohim, forcojmë dhe shoqërojmë fuqitë e brendshme)”, Dr. Lumi trajtoi aspekte të rëndësishme të zhvillimit psikologjik të fëmijëve, faktorët që ndikojnë në mirëqenien e tyre emocionale dhe mënyrat për të nxitur reziliencën dhe potencialin e tyre individual.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe fenomenit të migrimit dhe ndikimit që ai mund të ketë në zhvillimin emocional, social dhe psikologjik të fëmijëve, duke ofruar perspektiva profesionale dhe raste konkrete nga praktika klinike ndërkombëtare.

Studentët patën mundësinë të angazhohen në diskutime interaktive, të shtrojnë pyetje dhe të njihen nga afër me qasje moderne terapeutike dhe klinike, duke përfituar njohuri të vlefshme që ndërlidhin teorinë akademike me realitetin profesional.

Aktivitete të tilla dëshmojnë përkushtimin e Fakultetit të Psikologjisë në UBT për të krijuar një mjedis studimi dinamik, ku studentët kanë mundësi të mësojnë nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, të zhvillojnë kompetenca profesionale të avancuara dhe të përgatiten për sfidat e profesionit në një kontekst global.

Continue Reading

Lajmet

Pas zgjedhjeve, Kurti udhëton në Austri: Do të takojë kancelarin Stocker

Published

on

By

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka udhëtuar për një vizitë zyrtare në Austri, vetëm një ditë pas përfundimit të procesit zgjedhor në Kosovë.

Sipas njoftimit zyrtar nga Zyra e Kryeministrit, gjatë kësaj vizite dyditore, kreu i qeverisë në detyrë do të zhvillojë takime të rëndësishme të nivelit të lartë shtetëror dhe ekonomik. Ndër të tjera, ai do të pritet në takim nga Kancelari i Republikës Federale të Austrisë, Christian Stocker, si dhe do të marrë pjesë në punimet e Forumit Ekonomik të Vjenës (Vienna Economic Forum).

Ky udhëtim zyrtar i Kurtit zhvillohet pikërisht në kohën kur në Kosovë sapo është përmbyllur procesi i numërimit të votave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tashmë ka përfunduar 100% numërimin e kutive të votimit (2,498 nga 2,498 vendvotime), duke nxjerrë rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Sipas të dhënave përfundimtare të kësaj faze nga KQZ, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë forca e parë politike në vend duke siguruar 42,91% të votave (299,152 vota). Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21,12% (147,220 vota), e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17,58% (122,575 vota). Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka grumbulluar 7,16% të votave, ndërsa Lista Serbe ka marrë 6,18%. Në këto zgjedhje, pjesëmarrja e përgjithshme e qytetarëve me të drejtë vote arriti në 37,05%, teksa rezultatet pritet të certifikohen pasi të përmbyllen procedurat e numërimit të votave të diasporës dhe ato me postë.

 

Continue Reading

Të kërkuara