Lajmet
Kuvendi miratoi masat emergjente në furnizim me energji elektrike
Partitë opozitare nuk e kanë mbështetur atë.
Published
4 years agoon
By
UBT.NewsKuvendi i Kosovës ka miratuar vendimin e qeverisë për masat emergjente në furnizimin e energjisë elektrike, me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Partitë opozitare nuk e kanë mbështetur atë duke thënë se një vendim i tillë nuk ndihmon në furnizim të qëndrueshëm me energji.
Masat e emergjencës, ndër të tjera, përfshijnë: Masa mbështetëse për qytetarët me qëllim të sigurimit të ngrohjes gjatë dimrit; Ndalimin e përdorimit të energjisë elektrike për mihjen e kriptovalutave; Mbështetjen e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) për të ndërmarrë veprimet e nevojshme në funksion të ruajtjes së sigurisë së sistemit elektro-energjetik; dhe Masa në kursimin e konsumit të energjisë elektrike nga të gjitha institucionet.
Ministrja e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli ka thënë se ka rritje të jashtëzakonshme të çmimeve në tregun evropian e cila sipas saj do të ndikojë negativisht edhe në Kosovë gjatë muajve në vijim.
“Duke e marrë parasysh situatën energjetike në vend dhe me qëllim të tejkalimit të kësaj situate qeveria propozon të shpallë masat emergjente për kufizim të furnizimit me energji të vlefshme në furnizim me energji të vlefshme në një kohëzgjatje maksimale deri 60 ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Kjo për faktin se kemi një rritje të jashtëzakonshme të çmimeve në tregun evropian e cila do të ndikojë negativisht ngjatë muajve në vijim edhe në Kosovë në masën që ne detyrohemi të importojmë energji elektrike, për më tepër disa shtete evropiane kanë paralajmëruar ndalim të eksportit të vendeve fosile dhe gjatë muajve në vijim posaçërisht gjatë muajve të dimrit pastaj është e pritshme që disa shtete do të ndalojnë edhe eksporti ne energjisë elektrike”, ka thënë ajo.
Ajo ka propozuar që masat të nisin sa më herët që është e mundur.
“Me qëllim që të fillojmë masat sa më herët që është e mundshme në disa drejtime duke përfshirë këtu edhe nxitjen e kursimit të energjisë, edhe ndalimin e disa aktiviteteve që shpenzojnë shumë energji, dhe për të ndërmarrë masa të tjera potenciale për të ndihmuar KOST-im për të ndërmarr veprimet e nevojshëm në funksion të ruajtjes së sigurisë së sistemit energjetik, por edhe për masa të tjera potenciale sipas nevojës që do të paraqitet ne propozojmë shpalljen e masave emergjente miratimin e tyre nga Kuvendit”, ka shtuar ajo.
Ajo ka thënë se nëse vazhdon trendi i njëjtë në Evropë, do të ketë nevojë për të vazhduar masat me radhë edhe për nga 30 ditë.
Por nga Partia Demokratike e Kosovës kanë kritikuar qeverinë që nuk kanë treguar se cilat ishin rezultatet nga masat emergjente të ndërmarra më herët.
Deputeti Ferat Shala ka thënë se qeveria do të duhej të dorëzonte një raport për këtë çështje.
“Mund ta mbështesim sot këtë nismë që kemi vullnet për shkak të situatës globale, por nuk mund ta mbështesim këtë pa parë vendimin e qeverisë pse i ka ende 90 milionë dhe nuk kanë shkuar në sektor. A na ka mashtruar atëherë kryeministri dhe qeveria kur i ka zotuar mjetet apo po na mashtron sot, njëra është e sigurt nëse nuk janë të dyja mashtrime. Ne do të duhej ta kishim një raport pse sektori energjetik tash e 8 muaj nuk i merr mjetet e zotuara”, ka thënë ai.
Ndërsa Valentina Bunjaku nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se qeveria duhet të trajtojë furnizimin e sigurt me energji në të kundërtën sipas saj do të ketë sërish reduktime të ashpra.
“Ky vendim i qeverisë nuk i ndihmon asgjë në furnizim të sigurt e të qëndrueshëm në energji, nuk janë masa emergjente e as konkrete, janë krejtësisht aspekte informuese të përgjithshme të cilat janë të zakonshme në një shtet normal serioz për çdo sezon. Asnjë masë rekomandim në ketë vendim të qeverisë nuk flet për ndarjen e mjeteve financiare subvencione sigurim të importit, investime të energjisë alternative, por janë deklarata të thata pa asnjë impakt në teren… Ky vendim i qeverisë fatkeqësisht do të rrezikojë serish me dështim për furnizim të sigurt me energji prandaj duhet refuzuar“, ka thënë ajo.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka kritikuar qeverinë duke thënë se nuk po i qaset problemeve me ndonjë strategji dhe në kohën e duhur.
“Ajo që mund të them edhe pse e arsyeshme, por ne edhe vitin e kaluar ju kemi paralajmëruar që do të hyjmë në një krizë të thellë energjetike që në korrik të vitit të kaluar dhe ju vendimin e parë dhe seriozitetin e parë e keni treguar pas tre muaj, të vonuar dhe pasi kemi hyrë në krizë energjetike. Kjo qeveri është mësuar të zgjedhë problemet ad-hoc pa strategji dhe pa vendimmarrje në kohën e duhur”, ka thënë Lekaj.
Ndërsa shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se vendimi i qeverisë parasheh masa të domosdoshme dhe i njëjti duhet mbështetur.
“Jo vetëm që duhet të mbështeten pro janë të domosdoshëm për të krijuar mekanizmat për përballim me mungesat me të cilat po ballafaqohen vendet në mbarë Evropën dhe më gjerë… Bashkë me vendimin për masat e emergjencës për fuqizim me energji krijohen mekanizmat për mbrojtje të qytetarëve më raport me krizën e cila po an pret gjatë sezonës së dimrit”, ka thënë ajo.
Ministria e Ekonomisë thotë se janë duke monitoruar situatën elektroenergjetike në Kosovë dhe ndërhyrjet e Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës në përgatitjen e termocentraleve për sezonin e dimrit.
Po ashtu, është njoftuar se menaxhmenti i KEK-ut së bashku me ekipet e mirëmbajtjes janë duke e bërë maksimumin që blloqet e termocentraleve të gjenerojnë energji elektrike të mjaftueshme për të mbuluar kërkesën vendore. Termocentralet e KEK-ut janë në funksion mbi 80% të kohës gjatë një viti, që, sipas qeverisë, është mbi mesataren botërore të punës së termocentraleve me thëngjill.
Lajmet
Sveçla i përgjigjet ashpër Vulin-it: Deklaratat e tij janë kërcënim i hapur ndaj Kryeministrit Kurti
Published
30 minutes agoon
March 4, 2026By
UBTNews
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të ish-shefit të inteligjencës serbe (BIA), Aleksandar Vulin. Ky i fundit, duke marrë shkas nga zhvillimet në Lindjen e Mesme, kishte përdorur një analogji me shërbimin izraelit Mossad për të kërcënuar tërthorazi udhëheqësit e Kosovës.
Ndërsa, Sveçla e cilësoi këtë gjuhë si një thirrje të hapur për destabilizim dhe operacione të dhunshme në Ballkan.
Sipas ministrit Sveçla, pyetja e Vulin-it se “kur mundet Izraeli, pse nuk mundemi edhe ne”, është një mesazh i rrezikshëm që synon normalizimin e sulmeve sekrete.
“Të importosh analogji nga një konflikt me dinamikë lufte të hapur… dhe t’i aplikosh ato në raport me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, nënkupton normalizimin e logjikës së operacioneve sekrete si mjet kërcënimi dhe destabilizimi të drejtpërdrejtë”, shkruan Sveçla.
Gjithashtu, ministri rikujtoi se Vulin është një zyrtar i sanksionuar nga SHBA-të për lidhjet e tij me Rusinë dhe se deklaratat e tij reflektojnë mendësinë e vjetër të shërbimeve serbe, të cilat historikisht kanë kryer vrasje politike.
Lidhur me këtë, ai shtoi: “Kur Vulin deklaron se inteligjenca serbe ‘di ta bëjë këtë’, ai i referohet një precedenti të rrezikshëm… Mbetet i papranueshëm tolerimi i gjuhës kërcënuese dhe i aspiratave për veprime të dhunshme apo cenim të sovranitetit.”
Sveçla gjithashtu zbuloi se institucionet e sigurisë kanë ndaluar së fundmi dy bjellorusë dhe një rus, të cilët kishin hyrë ilegalisht nga Serbia. Sipas tij, këta persona kishin trajnime ushtarake për eksplozivë dhe pajisje që përkonin pikërisht me paralajmërimet e Vulin-it për veprime operative në terren.
Në mbyllje të reagimit të tij, ministri u shpreh i prerë se Kosova nuk do të frikësohet nga asnjë lloj shantazhi që vjen nga Beogradi.
“Institucionet e Republikës së Kosovës… janë të gatshme të përballen me çdo lloj kërcënimi në mënyrë profesionale. E as Vulin, as Vuçiq, as nuk mund të na frikësojnë e as të na ndalin”, ka njoftuar Mnistri Sveçla.
Lajmet
Vazhdon dëshmia e ekspertit të kriminalistikës në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve në Hagë
Published
53 minutes agoon
March 4, 2026By
UBTNews
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës po vijon edhe këtë të mërkurë dëshmia e ekspertit të kriminalistikës, Koen Herlaar.
Ai po jep dëshminë e tij në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët ballafaqohen me akuza për vepra penale që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.
Seanca nisi me pyetjet e avokatit Jonathan Elystan Rees, i cili përfaqëson mbrojtjen e Bashkim Smakajt, por me propozim të prokurorisë dhe miratim të gjyqtarit Christoph Gosnell, procedura kaloi shpejt në seancë të mbyllur për publikun.
Herlaar është dëshmitari i dytë i thirrur në këtë rast dhe e ka nisur deklaratën e tij që prej ditës së martë.
Pas përfundimit të dëshmisë së tij, gjykata pritet të dëgjojë dëshmitarin e tretë, i identifikuar me numrin ‘9’. Ky proces pason seancën fillestare të 27 shkurtit 2026, ku të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për pikat e aktakuzës. Po atë ditë nisi edhe dëshminë dëshmitari i parë nën masa mbrojtëse, duke shënuar kështu fillimin e fazës së provave në këtë rast.
Ndërkohë, ish-presidenti Hashim Thaçi mbetet në paraburgim në Hagë që prej fundit të vitit 2020. Përveç procesit kryesor për krime lufte, ai tashmë po gjykohet edhe për këtë aktakuzë të re të ngritur në vitin 2024, e cila fokusohet specifikisht në pretendimet për ndërhyrje në proceset gjyqësore.
Lajmet
Sot pritet të thirret seanca për presidentin, oraret e mundshme
Published
1 hour agoon
March 4, 2026By
UBTNews
Burime të “Indeksonline”, brenda Kuvendit, bëjnë të ditur se seanca mund të ftohet në ora 13:00 ose në orët e mbrëmjes, raporton Ekonomia online.
Emri i lakuar për kandidat është Glauk Konjufca, ndërsa opozita deri më tani nuk ka paraqitur ndonjë propozim zyrtar për këtë post.
Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar gjatë ditëve të fundit disa takime me krerët e partive opozitare, përfshirë Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun. Megjithatë, nga këto takime nuk është bërë e ditur nëse është arritur ndonjë dakordim konkret rreth kandidaturës për president.
Ndërkohë, emri i Vjosa Osmanit nuk po përmendet aktualisht si pjesë e diskutimeve të fundit politike, edhe pse ajo mban postin e presidentes.
Mbetet të shihet nëse gjatë seancës së sotme do të ketë propozime zyrtare dhe nëse do të arrihet konsensus mes partive parlamentare për zgjedhjen e presidentit. /Ekonomia online/
Lajmet
Rutte nga Shkupi: KFOR-i mbetet garantues i fuqishëm i sigurisë në Kosovë
Published
19 hours agoon
March 3, 2026By
UBTNews
Gjatë një vizite zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka rikonfirmuar se misioni i KFOR-it do të mbetet i fuqishëm dhe plotësisht i aftë për të përmbushur detyrat e tij në Kosovë.
Rutte vlerësoi lart partneritetin me Shkupin, duke theksuar se ky shtet ka qenë një mbështetës i kahershëm i forcave paqeruajtëse.
“Maqedonia e Veriut e ka mbështetur prej kohësh misionin tonë paqeruajtës të KFOR-it dhe për këtë ju falënderoj. KFOR-i vazhdon të luajë rol të rëndësishëm në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme, për të mirën e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të sigurohemi që KFOR-i të mbetet i fuqishëm dhe i aftë për qëllimin e tij”, deklaoroi Rutte.
Nga ana tjetër, vetë misioni i KFOR-it ka sqaruar se për momentin nuk ka ndryshime rrënjësore në strukturën apo numrin e forcave të saj, por aleanca rishikon dhe përshtat periodikisht praninë e saj në varësi të zhvillimeve në terren.
Për momentin, në Kosovë shërbejnë mbi 4,600 trupa të KFOR-it, ku Italia prin me mbi 900 ushtarë, ndërsa Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kenë një rol kyç me rreth 600 trupa të dislokuara.
Sveçla i përgjigjet ashpër Vulin-it: Deklaratat e tij janë kërcënim i hapur ndaj Kryeministrit Kurti
Kosova përballet me Portugalinë në UEFA Femra U17
OpenAI ndalon përdorimin e AI-së për mbikëqyrje ndaj amerikanëve pas reagimeve publike
Vazhdon dëshmia e ekspertit të kriminalistikës në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve në Hagë
IRGC: Irani ka ‘kontroll të plotë’ mbi Ngushticën e Hormuzit mes kërcënimeve të Trump-it
Sot pritet të thirret seanca për presidentin, oraret e mundshme
Kuptimi shkatërrues i pikturës“Takimi në Shkallët e Kullës”
Vushtrri: Arrestohet një person për armëmbajtje pa leje
Begaj takon akademikët nga Shqipëria e Kosova
Të kërkuara
-
Vendi3 months agoDizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
-
Lajmet3 months agoProfesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
-
Lajmet2 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor në revistën prestigjioze ndërkombëtare të indeksuar në Scopus (Q1)
-
Kulturë3 months agoIvanka Trump zbulon librat për historinë shqiptare: Çfarë e tërheq?
