Lajmet

​Kurti: Po të ishte Serbia një demokraci e mirëfilltë, s’do të përbënte kërcënim për paqen në rajon

“Po të ishte Rusia një demokraci e mirëfilltë, ajo me shumë gjasë nuk do të pushtonte kurrë Ukrainën” shtoi ai poashtu.

Published

on

Kryeministri Albin Kurti në ditën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë Ditën e Pavarësisë, ka shkruar se demokracia nuk e mbron vetveten, përkundrazi, popujt e botës demokratike duhet ta mbrojmë.

Në këtë përvjetor Kurti ka shkruar për demokracinë, ku nuk ka lënë pa përmendur edhe pushtimin rus të Ukrainës dhe rrezikun e rajonit nga Serbia.

“Po të ishte Rusia një demokraci e mirëfilltë, ajo me shumë gjasë nuk do të pushtonte kurrë Ukrainën. Dhe po ashtu, po të ishte Serbia një demokraci e mirëfilltë, ajo nuk do të përbënte një kërcënim kaq serioz për paqen në rajonin tonë. Në këtë kuptim, përpjekjet e rëndësishme të presidentit Biden për të promovuar vlerat demokratike në mbarë botën, mund të kuptohen njëkohësisht si përpjekje për të ruajtur paqen ndërmjet kombeve. Mirëpo, është pikërisht mospëlqimi ndaj konfliktit të armatosur nga ana e shteteve demokratike në përgjithësi, ajo e cila i shtyn autokratët si Putini, dhe Millosheviqi përpara tij, që të mendojnë se sulme ndaj kombeve demokratike më të vogla do të kalojnë pa ndëshkim”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

4 Korriku

Para njëqind e gjashtëdhjetë e një vjetëve, sytë e botës ishin të fiksuar mbi një komb duke luftuar në mbrojtje të demokracisë. Ai komb ishte Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ajo luftë ishte Lufta Civile Amerikane.

Në një mesazh të posaçëm drejtuar Kongresit më 4 korrik 1861, presidenti Abraham Lincoln, një shkrimtar i shkëlqyer me një intuitë të mprehtë për historinë, shpjegoi me fjalë të qarta implikimet e jashtëzakonshme të luftës për të ardhmen e qeverisjes demokratike. Çështja e luftës, shkruante Lincoln, “i parashtron të gjithë njerëzimit pyetjen nëse … një demokraci … mundet, apo nuk mundet, të ruajë integritetin e saj territorial kundër armiqve të saj të brendshëm. Ajo paraqet pyetjen nëse individë të pakënaqur, shumë të paktë në numër për të kontrolluar administratën… , munden gjithmonë … të prishin qeverinë e tyre, dhe kështu praktikisht t’i japin fund qeverisjes së lirë në tokë. Na detyron të pyesim: ‘A ekziston, në të gjitha republikat, kjo mangësi e natyrshme dhe vdekjeprurëse?’ ‘A duhet që një qeveri, medoemos, të jetë ose tepër e ashpër për liritë e popullit të vet, ose tepër e butë për të ruajtur ekzistencën e saj? ‘”

Lufta në Ukrainë, e cila sot po e tërheq vëmendjen e botës, nuk është, sigurisht, një luftë civile: Kërcënimi për qeverinë e lirë, në këtë rast, nuk vjen nga brenda vendit, por nga jashtë tij. Por, njëjtë sikurse përpjekja e pavend e Jugut Amerikan për shkëputje në 1861, pushtimi i pajustifikuar i Federatës Ruse në Ukrainë në 2022, gjithashtu mbart implikime të jashtëzakonshme për të ardhmen e qeverisjes demokratike. Për t’i kuptuar këto implikime, duhet t’i drejtohemi një dijetari të madh, veprën e të cilit Lincoln ka shumë gjasë ta ketë lexuar: filozofit gjerman Immanuel Kant. Është një mrekulli e vogël që Kanti, një njeri i cili nuk u largua kurrë nga afërsia e qytetit të tij të lindjes, Königsberg, i cili sot mban emrin Kaliningrad, Rusi, megjithatë kuptoi thellësisht marrëdhëniet ndërkombëtare. Në esenë e tij të rëndësishme të vitit 1795, Drejt Paqes së Përhershme, Kanti parashtronte tezën e tij të famshme, se demokracitë nuk shkojnë në luftë me njëra-tjetrën. Kjo tezë e ka dëshmuar veten jashtëzakonisht mirë gjatë 227 vjetëve të fundit. Siç ka theksuar filozofi i famshëm amerikan John Raëls, “mungesa e luftës midis demokracive kryesore të vendosura është po aq afër sa çdo gjë që dimë me një rregullsi të thjeshtë empirike në marrëdhëniet midis shoqërive”.

Historia na ka dëshmuar që sundimtarët autokratikë, të cilët nuk i përgjigjen askujt përveç vetvetes, e përdorin shpeshherë luftën si mjet për glorifikimin personal, zgjerimin territorial apo përfitmin financiar. Për dallim nga ata, llogaridhënia ndaj popullit bën që shtetet demokratike në përgjithësi të mos jenë të prirura për luftë. Po të ishte Rusia një demokraci e mirëfilltë, ajo me shumë gjasë nuk do të pushtonte kurrë Ukrainën. Dhe po ashtu, po të ishte Serbia një demokraci e mirëfilltë, ajo nuk do të përbënte një kërcënim kaq serioz për paqen në rajonin tonë. Në këtë kuptim, përpjekjet e rëndësishme të presidentit Biden për të promovuar vlerat demokratike në mbarë botën, mund të kuptohen njëkohësisht si përpjekje për të ruajtur paqen ndërmjet kombeve. Mirëpo, është pikërisht mospëlqimi ndaj konfliktit të armatosur nga ana e shteteve demokratike në përgjithësi, ajo e cila i shtyn autokratët si Putini, dhe Millosheviqi përpara tij, që të mendojnë se sulme ndaj kombeve demokratike më të vogla do të kalojnë pa ndëshkim. Dhe kjo na detyron për të pyetur: A duhet që një qeveri, medoemos, të jetë ose tepër autokratike për të ruajtur paqen me fqinjët e saj, ose tepër demokratike për të mbrojtur vetveten, dhe demokraci të tjera, prej agresionit nga jashtë?

Kjo është sfida e madhe të cilën lufta ilegale e Rusisë ia ka parashtruar botës demokratike. Ukraina, deri tani, ka kaluar bindshëm provën e saj. Me gjithë shpresën e Putinit për të nxitur një kapitullim të shpejtë nga ana e Ukrainës, blitzkrieg-u i Rusisë ka dështuar në mënyrë spektakolare. Megjithatë, sprova më të mëdha po vijnë, jo vetëm për Ukrainën, por edhe për Evropën. Putini është përgatitur për një luftë të gjatë shkatërruese ndaj Ukrainës dhe po llogarit në një dimër të ashpër për t’iu shkaktuar vuajtje maksimale shteteve evropiane të varura prej gazit rus. Për këto arsye, mes të tjerash, rezistenca efikase ndaj agresionit të Putinit do të kërkojë më shumë sakrificë se kurrë nga demokracitë e botës.

Këtë 4 korrik, pra, kur po e festojmë demokracinë, le të kujtojmë, bashkë me Lincoln, se demokracia nuk e mbron vetveten; përkundrazi, ne popujt e botës demokratike duhet ta mbrojmë. Le të zotohemi, pra, se do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi, me çdo kusht, për të siguruar që demokracia e Ukrainës do të dalë fitimtare ndaj autokracisë së Rusisë. Dhe, duke qëndruar prapa Ukrainës dhe qytetarëve të saj, le t’ia dëshmojmë të gjithë botës, demokratëve dhe autokratëve njëkohësisht, vendosmërinë tonë të palëkundur, që “qeverisja e popullit, nga populli dhe për popullin, nuk do të zhduket nga toka”.

Lajmet

Çka ndodhi në Reçak?

Published

on

By

Në fshatin Reçak, rreth 30 kilometra larg Prishtinës, forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë, më 15 janar të vitit 1999. Numri më i madh i viktimave u gjet në Kodrën e Bebushit, ndërsa të vrarë kishte edhe në pjesë të tjera të fshatit.

Harta më poshtë tregon gjendjen e fshatit sipas të dhënave të Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës. Vendet e krimeve janë të përcaktuara me numrat nga 1 deri në 6.

Kush janë viktimat?

Këta janë të vrarët dhe vendet ku u gjetën trupat e tyre.

Bajram Mehmeti – 26.08.1945

Hanumshahe Mehmeti – 10.10.1977

Rizah Beqiri – 10.05.1946

Halim Beqiri – 24.07.1985

Zenel Beqiri – 12.09.1978

Ahmet Jakupi – 28.02.1942

Xheladin Jakupi – 05.04.1982

Mehmet Jakupi – 17.08.1955

Eshref Jakupi – 11.03.1945

Haqif Hysenaj – 10.07.1949

Hasan Beqiri – 01.07.1983

Ahmet Mustafa – 01.01.1930

Skënder Halili – 17.12.1968

Banush Kameri – 09.04.1936

Hajriz Brahimi – 15.04.1937

Murtez Imeri – 20.05.1979

Muhamet Mustafa – 15.01.1978

Bajram Xheladini – 24.02.1964

Njazi Zymeri – 10.07.1954

Ajet Brahimi – 03.02.1959

Mustafë Asllani – I lindur në vitin 1968

Halit Shaqiri – I lindur në vitin 1940

Hakip Imeri – 26.08.1966

Nazmi Imeri – 13.06.1917

Bujar Hajrizi – 17.02.1979

Mufail Hajrizi – 01.02.1969

Mehmet Ismajli – 14.05.1955

Sheremet Syla – 05.11.1962

Shyqeri Syla – 01.01.1938

Arif Metushi – 25.09.1946

Sabri Syla – 16.06.1939

Haki Metushi – 10.10.1937

Sahide Metushi – Viti i lindjes 1938

Fatmir Ramadani – 27.05.1961

Salih Ramadani – 26.04.1974

Nexhat Ramadani – 02.10.1978

Jashar Salihu – 08.09.1974

Raif Salihu – 03.12.1978

Shukri Salihu – 02.06.1980

Sadik Osmani – 21.05.1954

Lutfi Bilalli – 15.07.1957

Bajrush Shabani – 01.11.1976

Ragip Bajrami – 08.11.1964

Avdyl Sejdiu – 01.01.1900

Në fshatin Reçak të Shtimes, në orët e para të mëngjesit të 15 janarit, 1999, u dëgjuan të shtënat e para me armë zjarri.

Fshati që ndodhet rreth 30 kilometra larg Prishtinës, kishte filluar të braktisej nga banorët, për shkak të afërsisë në të cilën ishin vendosur policia dhe ushtria serbe.

Gjatë një aksioni disaorësh, forcat policore dhe paramilitare serbe vranë atë ditë 45 civilë shqiptarë në Reçak.

Masakra që ndryshoi historinë e Kosovës

Më 15 janar 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes. Tani, kur bëhen 22 vjet nga masakra, banorët e fshatit, të cilëve iu vranë familjarët, thonë se janë të dëshpëruar me faktin se askush nuk u dënua për krimet e kryera.

Shumë prej tyre, sipas ekipeve vëzhguese ndërkombëtare, ishin gjymtuar.

Numri më i madh i viktimave kishte mbetur në Kodrën e Bebushit, derisa të vrarë të tjerë kishte në të gjithë fshatin.

Mëngjesin e 16 janarit, 1999, në Reçak shkoi William Walker, atëbotë shef i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë.

Walker ishte personi i parë që alarmoi botën për krimet në Reçak.

Nga ajo që pashë personalisht, nuk hezitoj që ta përshkruaj ngjarjen si masakër, duket qartë, padyshim një krim i rëndë kundër njerëzimit, tha Walker.

Trupat e të vrarëve u vendosën në xhaminë e fshatit nga familjarët. Policia serbe nuk e lejoi varrimin. Luftimet midis forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës rifilluan.

Pas gati dy ditësh luftime, forcat serbe i morën trupat e viktimave nga xhamia dhe i dërguan për obduksion në Prishtinë.

Sipas tyre, obduksioni tregoi se ngjarja nuk kishte të bënte me masakër.

Këtë e mohoi më vonë një raport i obduksionit, i bërë nga një ekip finlandez, nën udhëheqjen e ekspertes së forenzikës, Helena Renata.

Në deklaratat zyrtare të institucioneve serbe thuhej se ngjarja ishte inskenim dhe se viktimat ishin pjesëtarë të UÇK-së, që ishin vrarë në luftime.

Presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Bill Clinton, e dënoi vrasjen e civilëve shqiptarë.

Ishte një akt i qëllimshëm dhe joselektiv i vrasjeve, i bërë për të krijuar frikë në mesin e popullit të Kosovës, tha Clinton.

Pas gati një muaji, më 11 shkurt, 1999, në Reçak u organizua ceremonia e varrimit të 45 trupave të civilëve të vrarë.

Mohimi i vazhdueshëm që Serbia ia bën masakrës së Reçakut

Zyrtarët serbë vazhdojnë ta mohojnë këtë masakër edhe sot. Ata përsërisin se ngjarja në Reçak ishte një gënjeshtër e madhe dhe një falsifikim i tmerrshëm.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vullin, e përsëriti këtë edhe më 10 dhjetor, 2021.

Agresioni i NATO-s [v.j. kundër caqeve të ushtrisë serbe] filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë, ne nuk ishim as të aftë e as të zgjuar për t’i treguar të gjithë botës se çfarë gënjeshtre e tmerrshme ishte, tha Vullin.

Departamenti amerikan i Shtetit, në përgjigje të deklaratave të ministrit serb, tha se

mizoritë që kanë ndodhur në Reçak në janar të vitit 1999, përfshirë masakrën e civilëve, janë të dokumentuara mirë.

SHBA: Mizoritë në Reçak janë të dokumentuara mirë

Departamenti amerikan i Shtetit, në përgjigje të deklaratave të ministrit serb, Alleksandar Vullin, tha se “mizoritë që kanë ndodhur në Reçak në janar të vitit 1999, përfshirë masakrën e civilëve, janë të dokumentuara mirë”. “Mohimi i këtyre fakteve themelore dhe madhërimi i krimeve të luftës…

 

Mohimi i këtyre fakteve themelore dhe madhërimi i krimeve të luftës sjellin dhimbje për të mbijetuarit, çnderojnë viktimat dhe mbajnë gjallë ndarjet që vazhdojnë të pengojnë pajtimin e qëndrueshëm, paqen dhe prosperitetin për Ballkanin Perëndimor, tha Departamenti amerikan i Shtetit.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se krimet që kanë ndodhur në Reçak më 1999, nuk mund të mohohen.

Ajo që ndodhi në Reçak të Kosovës dhe mizoritë e kryera atje në janar të vitit 1999, janë të dokumentuara mirë, tha Stano.

BE: Nuk ka vend për ta mohuar apo nënvlerësuar Masakrën e Reçakut

Zëdhënësi i përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se Masakra e Reçakut nuk mund të mohohet, dhe as nuk duhet të modifikohet ajo që ndodhi në këtë fshat të Kosovës më 1999. Këto komente ai i bëri pasi ministri i Brendshëm i Serbisë,…

Duke komentuar deklaratat e ministrit serb, William Walker tha se masakra e Reçakut është një ngjarje që nuk mund ta mohojë e as modifikojë askush.

SHBA-ja dhe BE-ja dënojnë mohimin e masakrës së Reçakut

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dënuan deklaratat e bëra nga ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Alleksandar Vullin, i cili më 10 dhjetor mohoi Masakrën e Reçakut, ngjarjen në të cilën u vranë civilë shqiptarë të Kosovës. Por, Vullin tha se SHBA-ja dhe BE-ja po “zemërohen me…

Disa nga njerëzit që sot janë duke e propaganduar [masakrën e Reçakut] si ‘një gënjeshtër të madhe’, kanë qenë në fakt të përfshirë në fshehjen e saj që nga fillimi. Mendoj se presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, është shembull shumë i mirë. Ai ka qenë ministër i Informimit në kohën e Sllobodan Millosheviqit. Ai ka qenë pjesëmarrës në vendimmarrjen e asaj kohe, tha Walker.

Ish-drejtoresha e Fondit joqeveritar për të Drejtën Humanitare në Serbi, Natasha Kandiq, tha se ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vullin, sërish dha një pasqyrë të pasaktë të Reçakut dhe asaj që është vërtetuar për atë krim.

“Policia e dinte se në fshat kishte edhe civilë dhe aksioni u zbatua krejtësisht në mënyrë joselektive. Nuk është konstatim i saktë se civilët janë vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit, por është shtënë edhe në shtëpitë ku ata ishin strehuar”, tha Kandiq.

Masakrën e Reçakut e mohon vazhdimisht edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke e cilësuar si “trillim”.

Si mbetën pa u dënuar krimet në Reçak?

Kanë kaluar mbi dy dekada nga dita kur ka ndodhur masakra në fshatin Reçak të Shtimes, por për këtë rast nuk është dënuar drejtpërsëdrejti askush.

Vrasja e 45 civilëve shqiptarë më 15 janar, 1999, ishte pjesë e aktakuzës së Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë ndaj Sllobodan Millosheviqit, Millan Millutinoviqit, Nikolla Shainoviqit, Dragolub Ojdaniqit dhe Vllajko Stojilkoviqit.

Gjykata i akuzonte këta persona për vrasjen e qindra civilëve shqiptarë në Kosovë, ndërsa në mënyrë specifike përmendej vrasja e së paku 45 civilëve shqiptarë në fshatin Reçak.

Më 15 janar, 1999, ose rreth kësaj date, në orët e hershme të mëngjesit, fshati Reçak, Komuna e Shtimes, u sulmua nga forcat e Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) dhe të Serbisë. Pas granatimeve nga njësitë e Ushtrisë Jugosllave, policia serbe hyri në fshat në mëngjes dhe filloi të kryente kontrolle shtëpi më shtëpi. Fshatarët, të cilët tentuan t’i iknin policisë serbe, u qëlluan në të gjithë fshatin. Një grup prej rreth 25 burrash tentuan të fshiheshin në një ndërtesë, por u zbuluan nga policia serbe. Ata u rrahën dhe më pas u dërguan në një kodër aty pranë, ku policët i qëlluan dhe i vranë. Në total, forcat e RFJ-së dhe të Serbisë vranë afërsisht 45 shqiptarë të Kosovës në dhe rreth Reçakut,

thuhej në aktakuzë.

Ish-presidenti i Serbisë dhe Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, gjatë gjykimit në Hagë, ftoi dhjetëra dëshmitarë për të dëshmuar se masakra që ndodhi në Reçak “ishte e sajuar” dhe se “të vrarët, që të gjithë, ishin pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” dhe se ata

ishin vrarë në shkëmbim zjarri me forcat serbe.

Millosheviq vdiq pak kohë para se Gjykata e Hagës të merrte vendim për akuzat me të cilat ngarkohej.

Mes tjerash, ai akuzohej për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës.

Më 26 shkurt, 2009, u shpall aktgjykimi për ish-presidentin e Serbisë, Millan Millutinoviq. Ai u lirua nga të gjitha akuzat.

Gjykata nuk është e bindur përtej dyshimit të arsyeshëm se Millan Millutinoviq ka dhënë kontribut të rëndësishëm në ndërmarrjen e përbashkët kriminale,

deklaroi gjyqtari i Gjykatës në Hagë, Iain Bonom.

Ish-zëvendëskryeministri jugosllav, Nikolla Shainoviq, gjenerali i ish-Ushtrisë Jugosllave, Nebojsha Pavkoviq, dhe ish-shefi i policisë serbe, Sreten Llukiq, u dënuan secili me nga 22 vjet burgim për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës.

Gjenerali i ish-Ushtrisë Jugosllave, Vlladimir Llazareviq, dhe shefi i shtabit të përgjithshëm të kësaj ushtrie, Dragolub Ojdaniq, u shpallën fajtorë për pjesëmarrje në dëbimin dhe transferimin me forcë të shqiptarëve etnikë nga Kosova dhe u dënuan me nga 15 vjet burgim.

Megjithatë, nuk u dënuan për përgjegjësi të drejtpërdrejtë në vrasjen e 45 civilëve shqiptarë në fshatin Reçak.

Nevenka Tromp, ligjëruese e Studimeve për Evropën Lindore në Universitetin e Amsterdamit në Holandë, si dhe hulumtuese e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se Reçaku u hoq nga rasti ndaj Millutinoviqit dhe të tjerëve, për shkak se masakra atje kishte ndodhur para se të shpallej gjendja e luftës dhe para se të niste konflikti i armatosur ndërkombëtar.

Tromp: Kosova nuk ka bërë asgjë kundrejt gënjeshtrave të Serbisë

Është befasues reagimi joadekuat i të gjithë atyre, kundër të cilëve Serbia gënjen, përfshirë edhe Kosovën, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë Nevenka Tromp, ligjëruese e Studimeve për Evropën Lindore në Universitetin e Amsterdamit në Holandë, si dhe hulumtuese e Tribunalit të…

Ky konflikt nisi më 24 mars, 1999, në ditën kur NATO-ja filloi bombardimet mbi caqet e ushtrisë serbe, me qëllim ndaljen e dhunës në Kosovë.

Masakra që ndryshoi historinë e Kosovës

Njëzetenjë vjet më parë, më 15 janar të vitit 1999, pak banorë që nuk ishin larguar nga fshati Reçak i Komunë së Shtimes u zgjuan herët në mëngjes nga krismat e armëve që ishin bërë të zakonshme në atë periudhë të luftës.

Përgjegjësia në lidhje me masakrën e Reçakut përmendet në aktvendimin dënues të Gjykatës së Hagës për gjeneralin e policisë serbe, Vllastimir Gjorgjeviq, i cili u shpall fajtor për të gjitha pikat e aktakuzës: për dëbim të dhunshëm të shqiptarëve të Kosovës, zhvendosje të dhunshme, vrasje, tranportim të shqiptarëve të vrarë nga Kosova në Serbi, përndjekje racore të shqiptarëve të Kosovës dhe shkelje të ligjeve dhe traditave të luftës.

Në dokumentet e Gjykatës së Hagës thuhet se Gjorgjeviq luajti rol udhëheqës në përpjekjet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për të fshehur vrasjen e 45 civilëve në Reçak, në janar të vitit 1999.  /REL

Continue Reading

Lajmet

Ky është rezultati nga rinumërimi i 120 vendvotimeve

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka rinumëruar 120 vendvotime nga 914 gjithsej.

Bazuar në përditësimin e fundit, VV ka fituar 46.19% të votave.

PDK renditet e dyta me 21.42%, LDK e treta me 14.40% dhe AAK ka marrë plot 7.21% të votave, deri më tani gjatë procesit të rinumërimi.

Continue Reading

Lajmet

Hykmete Bajrami jep dorëheqje nga pozita e nënkryetares së LDK-së, kërkon edhe dorëheqjen e Abdixhikut

Published

on

By

Hykmete Bajrami ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së Lidhjes Demokratike (LDK), dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, kanë thënë dy burime të ndryshme brenda kryesisë së kësaj partie.

Sipas këtyre burimeve, Bajrami e ka prezantuar vendimin e saj në takimin joformal të strukturave drejtuese të LDK-së, që është mbajtur të martën pasdite.

“Znj. Bajrami ka dorëzuar dorëheqjen e parevokushme nga pozita e nënkryetares dhe ka kërkuar që njëjtë të veprojnë edhe kryetari Abdixhiku dhe kryesia e ngushtë. Ajo ka këmbëngulur se struktura drejtuese ka humbur legjitimitetin, pas rezultatit të LDK-së në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit si dhe ka kërkuar të veprohet konform standardit të krijuar në LDK”, ka thënë një nga pjesëmarrësit në takim.

Bajrami arsyet i ka listuar në një letër që e ka deponuar në parti.

Para takimit të së martës, ajo refuzoi të deklarohet për media dhe tha se qëndrimin do ta japë pas takimit. Por, deri tash nuk e ka bërë këtë.

Në zgjedhjet e fundit, LDK-ja ka siguruar vetëm 13.23 për qind të votave, 5 pikë të përqindjes më pak se në zgjedhjet e shkurtit të 2025-s.

Në legjislaturën e dhjetë, LDK-ja do të përfaqësohet me 15 deputetë, 5 më pak se në parapraken. Nga kandidatët e LDK-së, Bajrami u rëndit e dyta me 57 mijë vota.

Continue Reading

Lajmet

Workshop Online për validimin e profileve profesionale në sistemin e drejtësisë së të miturve

Published

on

By

Në kuadër të projektit CORE-ED ACADEMY, UBT, në bashkëpunim me universitete të tjera partnere, organizoi një workshop online për diskutimin dhe validimin e profileve profesionale në sistemin e drejtësisë së të miturve.

Workshopi u moderua nga Prodekanja Prof. Asoc. Egzone Osmanaj dhe pati pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga:

  • Shërbimi Korrektues i Kosovës
  • Shërbimi Sprovues i Kosovës
  • Profesorë nga Fakulteti Juridik në UBT, etj.

Ky aktivitet synon të përmirësojë praktikën profesionale në trajtimin e çështjeve të të miturve dhe të fuqizojë bashkëpunimin ndërinstitucional në këtë fushë.

Continue Reading

Të kërkuara