Lajmet

​Kurti në Paris për marrëveshjen me Serbinë: S’ka lëshime që e ndajnë vendin në vija etnike

Kreu qeveritar tha se paqja dhe siguria në Evropë nuk po sfidohet vetëm nga Rusia, por edhe nga Serbia.

Published

on

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova është gati t’ia shtrijë dorën Serbisë dhe të krijojë marrëdhënie të mira fqinjësore, nëse ata janë të gatshëm të çlirojnë grushtin. Megjithatë ka theksuar se Kosova nuk ofron lëshime të mëtejshme që ndajnë vendin në vija etnike dhe fetare.

Në Forumin për Paqe në Paris të Francës, kreu qeveritar tha se paqja dhe siguria në Evropë nuk po sfidohet vetëm në lindje nga Rusia, por edhe në juglindje nga Serbia.

“Kosova ka filluar normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në vitin 2011, 11 vjet më pas, sot në shumë aspekte marrëdhëniet nuk janë më të mira se një dekadë më parë, dhe ka një arsye për këtë, Serbia ka dështuar të demokratizohet dhe ajo ende kërkon konflikte në vend të bashkëpunimit, ajo ende lavdëron kriminelët e luftës në vend që t’i gjykojë dhe t’i dënojë. Kam frikë se Serbia sot nuk është as demokratike, as e pavarur, është një regjim që udhëhiqet nga kisha ortodokse dhe dominohet nga Rusia e Putinit. Kosova dëshiron marrëdhënie paqësore dhe të fqinjësisë së mirë me Serbinë dhe ne jemi të gatshëm t’i shtrijmë dorën një vendi që ka kryer gjenocid ndaj popullit tonë, nëse ai vend është i gatshëm të lirojë grushtin”, tha ai.

Para të pranishmëve, kryeministri Kurti nënvizoi sërish se marrëveshja finale me Serbinë duhet të ketë njohjen reciproke në qendër të saj. Ai i bëri thirrje edhe pesë vendeve të BE-së që nuk e njohin Kosovën ta bëjnë një gjë të tillë.

“Ajo që ne nuk ofrojmë janë lëshime të mëtejshme të krijuara për të ndarë shoqërinë dhe vendin tonë në vija etnike dhe fetare, por nëse Serbia nuk është e gatshme të na njohë, siç e përsërisin çdo ditë, pesë anëtarët e BE-së nuk duhet të presin, ata mund të ndihmojnë që Serbia të njeh Kosovën më shpejt nëse ato vende na njohin të parat. Unë jam i vetëdijshëm për frikën e tyre, por gjykata më e lartë në botë “Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë” deklaroi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Prandaj, debati ligjor për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë në thelb ka përfunduar. Të gjithë në Evropë kanë përgjegjësi për të kontribuar në forcimin e paqes dhe sigurisë në Evropë dhe dua të falënderoj BE-në për të gjithë ndihmën që na kanë dhënë, dhe që po na japë, dhe në veçanti Francën për kontributin e saj për paqen, demokracinë dhe zhvillimin në rajon në përgjithësi, dhe në Kosovë në veçanti”, shtoi ai.

Në anën tjetër, Kurti tha se ekziston rrezik përreth kufijve me Serbinë, por shtoi se Kosova mbështetet në NATO-n.

“Rreth kufirit të Kosovës, në Serbi, në të ashtuquajturën zonë e madhe e sigurisë, e cila është pesë kilometra e gjerë, që nga intervenimi i NATO-s në vitin 1999 që ka pasur për qëllim ndalimin e gjenocidit ndaj popullit shqiptar, janë 48 baza operacionale të Serbisë me 50-150 ushtarë. 28 prej tyre janë të gjandarmërisë dhe 20 prej tyre janë ushtarake. Pra, ky është një rrezik i madh për vendin tonë dhe ne jemi shumë vigjilentë, por asnjëherë të frikësuar. Kosova nuk është në NATO, por Kosova e ka NATO-n brenda, dhe historia e Kosovës dhe ajo e NATO-s janë të ndërthurura, por edhe e ardhmja jonë është e ndërthurur. Prandaj, ne duam t’i bashkohemi programit të partneritetit për paqe dhe sa më shpejt që të jetë e mundur duam të anëtarësohemi në NATO”, theksoi Kurti.

Lajmet

Presidentja Osmani pret në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Kosovë

Published

on

By

Vjosa Osmani ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet aktuale në vend dhe çështje të bashkëpunimit bilateral.

Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit u trajtuan zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe tema të tjera me interes të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fokus të bisedës ishte edhe rëndësia e ruajtjes së një mjedisi demokratik, ku respektohen mendimet e ndryshme dhe debati publik zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme.

Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Kosova për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në, duke ritheksuar se aleanca ndërmjet dy vendeve mbetet jetike dhe e pazëvendësueshme për Kosovën.

Continue Reading

Lajmet

Gjykata Evropiane: Ndalimi i ndryshimit të gjinisë në dokumente shkel ligjet e BE-së

Published

on

By

Gjykata më e lartë e Bashkimit Evropian mori vendim të enjten se ligjet kombëtare që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore në dokumentet e identifikimit janë në kundërshtim me ligjin e BE-së. Gjykata theksoi sfidat e mëdha me të cilat ballafaqohen personat kur identiteti i tyre gjinor nuk përputhet me dokumentet zyrtare.

Rasti në fjalë rrodhi nga një shtetase bullgare, e regjistruar si mashkull në lindje, e cila kishte filluar trajtimin hormonal dhe identifikohej si grua. Ajo ishte zhvendosur në Itali dhe u kishte kërkuar autoriteteve bullgare të ndryshonin gjininë ligjore, emrin dhe numrin personal në dokumente.

Gjykatat në Bullgari e kishin refuzuar kërkesën, duke u thirrur në rregullat kombëtare që e përkufizojnë seksin vetëm në aspektin biologjik dhe që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore.

Megjithatë, Gjykata Evropiane e Drejtësisë konstatoi se megjithëse shtetet anëtare janë përgjegjëse për lëshimin e dokumenteve, mosmarrëveshja mes identitetit gjinor dhe letërnjoftimit mund të shkaktojë dyshime gjatë kontrolleve rutinë, udhëtimeve apo ndërveprimeve profesionale. Sipas Gjykatës, këto “paparashikueshmëri të konsiderueshme” pengojnë të drejtën e personit për lëvizje të lirë brenda Bashkimit Evropian. /Reuters/

Continue Reading

Lajmet

KQZ pezullon AKR-në e Behgjet Pacollit

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për pezullimin e partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), pasi subjekti dështoi të organizojë zgjedhjet e brendshme deri në afatin e paraparë (25 shkurt 2026). Edhe pse partia ishte njoftuar paraprakisht, ajo nuk e ka përmbushur këtë obligim ligjor.

KQZ i ka dhënë AKR-së një afat shtesë prej 45 ditësh për ta mbajtur Kuvendin Zgjedhor. Nëse ky kusht nuk plotësohet as brenda kësaj periudhe, partia do të çregjistrohet përfundimisht nga regjistri zyrtar.

AKR, e cila ishte pjesë e Kuvendit që nga viti 2007, aktualisht udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës, Vesel Makolli, pas dorëheqjes së Behgjet Pacollit në tetor 2025. Në zgjedhjet e fundit, kjo parti mbeti jashtë Kuvendit pasi nuk arriti ta kalojë pragun zgjedhor.

Continue Reading

Lajmet

IKSHPK: Ndotja e ajrit shkakton mbi 1,150 vdekje në vit në Kosovë

Published

on

By

Raporti i fundit i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) për vitin 2025 ka alarmuar se ndotja e ajrit mbetet një rrezik madhor, duke shkaktuar rreth 12.1% të vdekshmërisë totale në vend.

“Rezultatet tregojnë se 1 150 raste të vdekjeve në vit (121/100 000 banorë) i atribuohen nivelit aktual të PM2.5 në Kosovë i cili paraqet 12.1% të vdekshmërisë totale, nga të gjitha shkaqet (natyrore)”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave, gjendja më kritike është regjistruar në Prishtinë (veçanërisht në Kodrën e Trimave), Obiliq, Gjilan, Fushë Kosovë (Palaj) dhe Mitrovicë, ku nivelet e grimcave helmuese PM2.5 gjatë dimrit kanë arritur deri në 272 µg/m3, shifër kjo shumë herë mbi limitet e lejuara.

Shkaktarët kryesorë mbeten djegia e thëngjillit për ngrohje, termocentralet dhe makinat e vjetra, të cilat po rëndojnë shëndetin e grupeve më të ndjeshme si të moshuarit, gratë shtatzëna dhe fëmijët.

IKSHPK thekson se kjo ndotje lidhet drejtpërdrejt me rritjen e rasteve të sulmeve në zemër, goditjeve në tru dhe problemeve të rënda respiratore, duke kërkuar masa urgjente për zgjerimin e ngrohjes qendrore dhe reduktimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile.

Continue Reading

Të kërkuara