Lajmet

​Kurti mirënjohës ndaj Finlandës dhe Irlandës për mbështetjen që po i japin Kosovës

Tuppurianen theksoi përkrahjen edhe për liberalizim të vizave dhe anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot është takuar me ministren e Finlandës për Çështje Evropiane, Tytti Tuppurainen dhe ministrin e Shtetit për Çështjet Evropiane të Irlandës, Thomas Byrne si dhe delegacionet e tyre.

Shefi i ekzekutivit kosovar shprehu mirënjohje ndaj shtetit të Finlandës dhe Irlandës për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës në rrugëtimin e saj.

“Më lejoni ta shpreh gjithë mirënjohjen dhe falënderimin tim për mbështetjen e Finlandës dhe Irlandës, por edhe të të gjitha vendeve të BE-së. Ne e kemi këtë lidhje të dyfishtë, dypalëshe dhe përmes Brukselit. Jemi shumë të lumtur që ju kemi në Kosovë, në këto kohë të vështira, por kohë nga të cilat do të dalim edhe më të fortë se sa jemi aktualisht. Besoj se BE-ja, Finlanda, Irlanda, Ballkani Perëndimor, Republika e Kosovës, kanë shumë për t’i dhënë secilit, përvoja, bashkëpunim në rritje, tregti ekonomike, kulturë e kështu me radhë, dhe ndihmë për një Evropë dhe BE më të mirë, në aspektin e përparimit dhe mbrojtjes”, tha Kurti.

Kurse, ministrja e Finlandës për Çështje Evropiane, Tytti Tuppurainen duke shprehur mbështetjen e shtetit finlandez për aspiratat e Kosovës për të qenë pjesë e BE-së, vlerësoi edhe veprimet e Kosovës karshi Rusisë.

Tuppurianen si mike e Kosovës theksoi përkrahjen edhe për liberalizim të vizave dhe anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Unë kam qenë anëtare themeluese e grupit të miqësisë Kosova dhe tani është koha për ta përjetuar këtë miqësi në jetën reale këtu në Prishtinë. Po jetojmë kohë të paprecedentë. Kemi luftë në Evropë. Rusia ka shkaktuar një luftë të pamëshirshme e të paligjshme në Ukrainë, dhe kjo ka qenë një alarm për ne të gjithë, për të luftuar për demokracinë. Ukrainasit po luftojnë për demokraci me jetën e tyre në fushën e betejës, dhe ne duhet të jemi të bashkuar në përgjigjen tonë ndaj Rusisë. I jemi mirënjohës Kosovës e cila ka ndërmarrë veprimet për t’u harmonizuar plotësisht me politikën e sanksioneve të BE-së kur është fjala për kundërvënien ndaj Rusisë. Kjo tregon në jetën reale, përkushtimin tuaj ndaj vlerave perëndimore, sundimit të ligjit, demokracisë, dhe të drejtave të njeriut, të cilat janë elementet thelbësore të integrimit evropian. Ne mbështesim plotësisht aspiratën tuaj për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe e Bashkëpunimit Evropian. Kjo kërkon shumë punë, ka shumë për të bërë dhe ne jemi këtu për të mësuar më shumë rreth pikëpamjeve tuaja dhe angazhimit tuaj ndaj kësaj kërkese. Ne mbështesim kërkesën tuaj për liberalizimin e vizave dhe gjithashtu ju mirëpresim që të jeni anëtar i Këshillit të Evropës”, theksoi ministrja Tuppurainen.

Ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane të Irlandës, Thomas Byrne tha se Irlanda mbështet perspektivën evropiane të Kosovës.

Sipas tij, marrëdhëniet ndërmjet Irlandës dhe Kosovës janë shumë të mira.

“Ne mbështesim fuqishëm perspektivën tuaj evropiane, po ashtu edhe perspektivën tuaj ndërkombëtare. Dhe unë e di se perspektiva ndërkombëtare dhe evropiane e Irlandës ka qenë absolutisht vendimtare për përparimin tonë ekonomik dhe social gjatë dekadave të fundit. Irlanda, siç e dini, ishte vërtet e përkushtuar për paqen dhe sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, duke përfshirë pjesëmarrjen e vazhdueshme të trupave irlandeze në KFOR. Ne jemi të gatshëm të mbështesim zhvillimin tuaj, përparimin tuaj. Mendoj se dy vendet tona janë shembuj me diaspora të mëdha. Irlanda ka udhëhequr në mënyrën se si ne angazhohemi me diasporën në mbarë botën, është shumë e rëndësishme. Ne nënshkruam një marrëveshje për taksimin e dyfishtë në vitin 2021, që përsëri është një punë normale e përditshme, mes shteteve për të siguruar që qytetarët të mos penalizohen dhe kjo ishte shumë, shumë e mirë, ishte një moment historik në marrëdhëniet tona dypalëshe. Pra, ne mezi presim të ndërtojmë mbi këtë dhe të punojmë me ju për të mbështetur aspiratat tuaja evropiane, aspiratat tuaja ndërkombëtare, ngase e di se është gjë e mirë për ju, por është gjithashtu gjë e mirë për të gjithë të tjerët dhe për stabilitetin në Evropë gjithashtu”, theksoi ministri irlandez.

Këto dy delegacione sot janë takuar edhe me zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

lajme

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara