Lajmet

​Kurti: Jemi të përkushtuar për avancimin e sistemit për menaxhimin e trafikut ajror

I pari i ekzekutivit theksoi rëndësinë që ka menaxhimi i trafikut ajror.

Published

on

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministrin e MMPHI, Hysen Durmishi, vizituan Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror. Kurti aty tha se do të bashkëpunojnë për të avancuar sistemin për menaxhimin e trafikut ajror.

I pari i ekzekutivit theksoi rëndësinë që ka menaxhimi i trafikut ajror, në mënyrë që Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror dhe kontrolli ajror, të arrijë në nivel të shteteve evropiane.

I pari i Qeverisë përmendi edhe të arriturat të cilat janë vlerësuar, si zgjatja e pistës por edhe niveli i sistmemit 3B, derisa theksoi se është njoftuar nga drejtori i agjencisë për përgatitjet teknike të cilat po bëhen, që në të ardhmen të merret kontrolli i hapësirës ajrore.

“Drejtori Samir Bllacaku më njoftoi për përgatitjet teknike që janë duke u bërë në mënyrë që në të ardhmen të merret kontrolli i hapësirës ajrore të asaj që është mbi 6 mijë e 260 metra, me këtë rast do të kishim edhe përfitime financiare si shtet që vlerësohet të jenë diku në mes 6 dhe 7 milionë euro në vit. Dy të arriturat që janë vlerësuar me këtë rast është zgjatja e pistës por gjithashtu edhe niveli 3B i sistemit të aterrimit, i cili është shumë i avancuar. E vizituam edhe departamentin meteorologjik dhe Kullën e vrojtimit dhe pamë se si shkon procesi i vëzhgimit dhe mbikëqyrjes po ashtu duhet përmendur se është bërë shkurtimi i udhëtimit me qenë se janë hapur dy korridore të reja në Republikën e Shqipërisë dhe në këtë mënyrë nga Vjena kur shkon ose vije në Prishtinë kemi një udhëtim 15 minuta më të shkurtër, meqenëse nuk kemi nevojë të kalojmë në hapësirën e Maqedonisë së Veriut. Në veçanti e falënderojmë NATO-n dhe KROR-in për të gjithë kontributin e tyre për ASHNA-n dhe jemi të bindur që bashkëpunimi i mëtutjeshëm do të na shpije në përmbushjen e standardeve më të larta të kritereve të Bashkimit Evropian”, tha Kurti.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se si ide në projektet e reja është lidhja edhe me sistemin detar.

“Dua ta ndërlidh vetëm që transporti ajror është mënyrë e arsyeshme e transportit në përgjithësi. Do të synojmë që arritjet e mëtejme të zhvillimit të shërbimeve të navigimit ajror që do të bëhen nga kjo agjenci të mundësojnë kapacitetet tona ajrore për shtetin, të rriten edhe në fushën e transportit të mallrave. Kjo lidhet me mënyra tjera të sistemit tokësor, atij hekurudhor dhe automobilistik, përtej projekteve të reja, ta lidhim edhe me atë detar, me detin Adriatik. Të gjitha këto, ndërlidhja e tyre do të krijojë mundësi në vendin tonë për shkak se zona në regjionin e Prishtinës do të jetë zonë e distribuimit të mallrave të cilat vijnë nga transportet detare dhe të jenë të gatshme për të gjithë regjionin. Kjo do të sjellë mundësi të zhvillimit ekonomik dhe për këtë arsye e kemi marrë seriozisht realizimin e këtyre projekteve dhe si ministri do ta bëjmë punën tonë, kemi mbështetjen e kryeministrit dhe të Qeverisë dhe kemi qëllimin e Agjencisë së Shërbimit të Navigimit Ajror për realizimin e këtyre projekteve”, tha Aliu.

E drejtori i Agjencisë së Shërbimeve të Navigimit Ajror, Samir Bllacaku tha se agjencia për herë të parë është vizituar nga një kryeministër. Madje shtoi se kanë përkrahjen e ekzekutivit për projektet.

Lajmet

Parashikimi i motit për sot

Published

on

By

Të martën në Kosovë pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe me vranësira të pakta.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10 dhe 13 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të arrijnë nga 26 deri në 30 gradë Celsius.

Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i perëndimit dhe veriperëndimit. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Të shtëna me armë zjarri në Pejë, dyshohet për një të plagosur

Published

on

By

Mbrëmë në Pejë ka pasur të shtëna me armë zjarri, si pasojë e të cilave dyshohet se është plagosur një person.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi. Ai bëri të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë dy prokurorë dhe njësitë përkatëse policore.

Deri më tani nuk janë dhënë detaje të tjera mbi rrethanat e ngjarjes apo gjendjen shëndetësore të personit të plagosur. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Profesorët e UBT-së botojnë studimin mjekësor në revistën prestigjoze ndërkombëtare MDPI

Published

on

By

Profesorët e UBT-së, Dr. Lirim Shefki Mustafa dhe Dr. Fitim Bexhet Alidema, kanë publikuar një studim mjekësor në revistën e njohur ndërkombëtare “Pharmacoepidemiology”, që është pjesë e platformës së fuqishme shkencore MDPI.

Ky punim, me titullin “Comparison of Two Triple Therapy Regimens for Helicobacter pylori Eradication in Patients with Dyspepsia: A Retrospective Study from Primary Care”, ka arritur të indeksohet në rrjetet më të rëndësishme të shkencës botërore si Web of Science dhe Scopus, duke u renditur në kategorinë e lartë Q2.

Ky hulumtim i stafit të UBT-së ka një rëndësi të madhe praktike pasi ka marrë në shqyrtim plot 1,800 pacientë të rritur që u trajtuan mes janarit të vitit 2023 dhe fillimit të vitit 2026.

Qëllimi ishte të gjendej një zgjidhje më e mirë kundër bakterit të rrezikshëm Helicobacter pylori, i cili shkakton probleme si gastriti apo ulçera, në një kohë kur trajtimet klasike po dështojnë rregullisht për shkak se bakteri është bërë rezistent ndaj antibiotikëve standardë.

Nga krahasimi që u bë, doli se terapia e re e bazuar në levofloxacin funksionon shumë më mirë, duke e zhdukur bakterin në 82.9% të rasteve, përballë trajtimit të vjetër me clarithromycin që pati sukses vetëm në 71.8% të pacientëve.

Përveç se më efektiv, ky kombinim i ri solli edhe më pak efekte anësore për organizmin. Profesorët zbuluan gjithashtu se stili i jetesës ndikon shumë në shërim, pasi duhani, alkooli, obeziteti dhe diabeti e bëjnë bakterin më të fortë dhe rrisin shanset që trajtimi të dështojë.

Ky botim, i dalë zyrtarisht sot më 13 korrik 2026, tregon edhe një herë nivelin e lartë të kërkimit shkencor në UBT dhe u vjen në ndihmë direkt mjekëve për të dhënë receta më të sakta e pa i keqpërdorur antibiotikët.

Continue Reading

Lajmet

KFOR-i me stërvitje speciale pranë Bondsteel-it për menaxhimin e rasteve urgjente

Published

on

By

Ushtarët e Komandës Rajonale në Lindje (RC-E) të misionit të KFOR-it kanë zhvilluar një stërvitje të specializuar për reagim ndaj rrëzimit të aviacionit pranë Kampit Bondsteel.

Ky trajnim kishte për qëllim forcimin e koordinimit mjekësor shumëkombësh dhe rritjen e kapaciteteve për reagim të shpejtë në zonat operative.

Stërvitja bëri bashkë ekuazhet ajrore dhe mjekët fluturues për të ushtruar triazhin e të lënduarve, trajtimin mjekësor dhe procedurat e evakuimit urgjent.

Përmes këtyre aktiviteteve, KFOR-i mban gatishmërinë operacionale dhe aftësitë e nevojshme për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë.

Misioni i udhëhequr nga NATO-ja vazhdon të zbatojë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara