Lajmet

​Kurti: E kam lutur faktorin ndërkombëtar që mos të përsëritet 23 prilli

Shefi i ekzekutivit shtoi se ndërkombëtarët nuk e kanë mbajtur premtimin ndaj tij.

Published

on

Kryeministri i Albin Kurti deklaroi sot se e ka lutur faktorin ndërkombëtar që të mos përsëritet 23 prilli. Ai shtoi se të njëjtit i kishin premtuar që nëse pranohet aneksi i zbatimit në Ohër dhe zgjatja e afatit të regjistrimit të partive, Lista Serbe do të marrë pjesë në zgjedhje. Shefi i ekzekutivit shtoi se ndërkombëtarët nuk e kanë mbajtur premtimin ndaj tij dhe se kjo parti është duke rrëshqitur në paligjshmëri. Kurti deklaroi se nuk ka faj Lulzim Hetemi që është kryetar në Leposaviq, por Beogradi.

Në takimin e djeshëm me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, kryeministri Albin Kurti tha se kanë diskutuar për de-eskalimin dhe për normalizimin. Ai tha se ky takim ishte pozitiv, për çka shtoi se edhe Lajçak ka dalë me të njëjtat përshtypje.

“Sa i përket deeskalimit, unë i kam siguruar jo vetëm zotëri Lajçak dje, por edhe të dielën pasdite zotëri Borrell se qeveria kurrsesi nuk kontribuon në eskalim asnjëherë. Ne duam polici për zbatim ligji dhe për siguri publike që s’e përjashton askënd. Ndërkaq, në anën tjetër gjithashtu i kam siguruar që policët e Republikës së Kosovës që janë nëpër ndërtesat të komunave në veri të vendit tonë, nuk janë duke zhvilluar operacione në rrethimin e atyre ndërtesave. Sepse komunikatën, të cilën e pati lëshuar zotëri Borrel nga Moldavia kur po mbahej atje samiti i Komunitetit Politik Evropian thoshte që në afërsi të ndërtesave të mos ketë operacione të Policisë së Kosovës. Unë edhe një herë ua konfirmova se nuk ka pasur dhe nuk ka operacione të tilla. Gjithashtu, sipas kërkesës së tyre kam shprehur gatishmërinë tonë për zgjedhje të parakohshme në veri, sepse këto zgjedhje të parakohshme në ato komuna janë e vetmja mënyrë se si të bëhet ndërrimi i pushtetit. Ndërrimi i pushtetit nuk mund të bëhet me dhunë, ndërrimi i pushtetit nuk mund të bëhet, duke plagosur ushtarët e NATO-s, policët e Kosovës apo gazetarët, por vetëm me zgjedhje të parakohshme”, deklaroi Kurti.

Për zgjedhjet e parakohshme, siç shtoi Kurti, Ligji për Vetëqeverisje Lokale përcakton se si duhet të fillohet me mbledhjen e 20 për qind të elektoratit si nënshkrime të një peticioni, që e nisin procesin për zgjedhje të parakohshme.

Kurti tha se nga emisari evropian Lajçak, kërkoi që marrëdhëniet normale me Serbinë të bëhen, duke mos i braktisur vlerat evropiane.

“Sa i përket normalizimit, unë po e vë gjithnjë theksin tek fakti se kemi nevojë për zbatim të marrëveshjes dhe le të mos harrojmë që kemi marrëveshje. Sepse shumëçka që trumbetohet sot në mediat vendore, ato në Serbi edhe ato ndërkombëtare e ka krijuar përshtypjen thua se nuk kemi zgjidhje se nuk kemi marrëveshje. Në fakt nuk kemi zgjidhje, sepse nuk kemi zbatim të marrëveshje dhe këtu Kosova nuk ka kurrfarë faji, për shkak se ne jemi treguar të gatshëm edhe ta nënshkruajmë marrëveshjen dhe më pastaj që ta zbatojmë me shpejtësi. Unë nga emisari evropian Lajçak kam kërkuar që marrëdhëniet normale me Serbinë, ato të fqinjësisë së mirë evropiane do të mund të bëhen duke mos i braktisur vlerat evropiane. Pra, nuk mund të kemi as marrëveshje, as zbatim të saj e marrëveshjen e kemi duke u bazuar në vlerat evropiane, e tillë duhet të jetë edhe zbatimi, me çfarë do ideje të kujtdo qoftë të gjetjes së mesit aritmetikor ndërmjet pozicioneve të dy palëve”, shtoi shefi i ekzekutivit.

Po ashtu, Kurti tha se në takimin që zgjati rreth tri orë me Miroslav Lajçak, i ka përmendur edhe masat ndëshkuese të BE-së.

“Takimin natyrisht e kam filluar me vërejtjen time, me theksimin tim që masat ndaj Kosovës janë të padrejta. Ndonëse, thuhet që janë të përkohshme, meqenëse Kosova nuk mban asnjë faj as për eskalim të gjendjes dhe as për mos normalizim të raporteve”, u shpreh ai.

Shefi i ekzekutivit deklaroi se kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi nuk mund të paguajë kosto për destruktivitetin e Beogradit.

“Për zgjedhje të parakohshme ne jemi dakord dhe zgjedhjet e parakohshme e rregullojnë edhe çështjen e kryetarit në Komunën e Leposaviqit. Sepse me zgjedhje largohet kryetari. Me zgjedhje ka ardhur kryetari, me zgjedhje largohet kryetari. Unë nuk mendoj që duhet të ketë mënyra të tjera, të drejta e ligjore për të larguar kryetarët e zgjedhur. Mund të themi që legjitimiteti është i vakët, sepse dolën pak njerëz në zgjedhje e që nuk është faji jonë. Ajo është bullizmi i Beogradit edhe i Listës Serbe, i cili nuk do të duhej të shpërblehet tash duke dhënë dorëheqje kryetari. Dorëheqja në fund të fundit është akt moral, nuk mund t’ja imponosh dikujt dorëheqjen. Ti mund ta bësh shkarkimin, por dorëheqja është akt moral. Nuk ka faj Lulzim Hetemi që është kryetar komune në Leposaviq. Ka faj Beogradi e Lista Serbe që së pari me 5 nëntor me dorëheqje kolektive u munduan që sistemi të implodojë, të krijohet një vakuum që e bën Kosovën jofunksionale. Dështuan. Pastaj, në vend se të marrin pjesë në zgjedhje i bojkotuan ato”, deklaroi Kurti.

Tutje, kryeministri Kurti u shpreh se faktorët evropianë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ka lutur për të punuar bashkë “që të mos shkojmë prej një dështimi, në një dështim tjetër sa i përket pjesëmarrjes qytetare”.

“I kam lutur faktorët ndërkombëtarë, llogarisni pa rezerva, pa kursim në krejt mundësitë e mia që 23 prilli të mos përsëritet në vjeshtë apo në dimër. Sepse, mua më kanë premtuar ndërkombëtarët që po e pranuam aneksin e zbatimit në Ohër me 18 mars dhe po e zgjatëm afatin e regjistrimit të partive për pesë ditë, deri më 22 mars, Lista Serbe merr pjesë. Nuk ka ndodhë. Unë dua pjesëmarrje të serbëve, mirëpo unë nuk mund ta detyroj Listën Serbe të marr pjesë. E në anën tjetër, Lista Serbe është duke rrëshqitur gjithnjë e më shumë në paligjshmëri me deklaratat e tyre dhe me veprimet e tyre….Ndërkombëtarët nuk kanë arritur që ta plotësojnë premtimin ndaj meje për pjesëmarrjen e Listës Serbe kur ajo ka qenë shumë më normale se që është sot, andaj pjesëmarrja e saj, konstruktiviteti i saj në vijim është edhe më i vështirë”, tha Kurti.

Kryeministri Albin Kurti konfirmoi se do të ketë takime me përfaqësues të NATO-s dhe komandantin e KFOR-it në lidhje me raportimet për armë të kontrabanduara nga Serbia në Kosovë.

“Për zgjedhjet e parakohshme dakord, por duhet përgatitje. Tjetra, për ta larguar kryetarin nga ndërtesa në Leposaviq, kjo bëhet me zgjedhje. Pra, pika e parë e kryen edhe të dytën. Ndërkaq, sa i përket pikës së tretë, policia jonë është në ndërtesë, sepse ju e dini se çfarë gjetëm në Zveçan, arsenal për luftë. Ose tash kemi këto informacionet se veturat e ambulancës, autoambulancat janë përdorur për të bartur armatim. Dhe unë sot do ta kem një takim edhe me përfaqësues të NATO-s për këtë gjë. Do ta takojë edhe komandantin e KFOR-it dhe pas gjithë atyre takimeve edhe me organet tona tona të sigurisë, do të mund ta japim fjalën përfundimtare. Tash jemi duke grumbulluar të dhëna, informacion”, tha ai.

Para gazetarëve, Kurti shtoi se për pjesëmarrjen e lirë në zgjedhje ndihmon shumë largimi nga shoqëria i ekstremistëve të dhunshëm.

Pas mbledhjes së qeverisë, ku u miratua projektligji i ri për pensione, Kurti theksoi se kjo arritje i shtohet listës që të tjerët nuk arritën ta zgjidhin për 20 vjet.

Pavarësisht gurëve që hedhin në rrugë, siç u shpreh Kurti, ai tha se do të përmbushin gjithçka që kanë premtuar deri në fund të mandatit.

Edhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati u shpreh se me këtë ndryshim të ligjit, dikush që ka pasur dhjetë vjet përvojë pune në 1990 dhe është larguar nga puna, atyre do u njihet periudha nëntë vjeçare prej kur janë larguar nga puna.

Ai po ashtu u pyet edhe për mungesën e punëtorëve në sektorin privat, me ç’rast tha se ka një mospërputhje mes aftësive që kërkohen nga tregu i punës, mosofrimi i kushteve të nevojshme nga bizneset.

Lajmet

Ndalohet një person në Prishtinë për keqpërdorim detyre, ryshfet dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se pas hetimeve disamujore në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndaluar për 48 orë personin me inicialet N.A., i dyshuar për disa vepra të rënda penale.

Arrestimi është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit. Sipas të dhënave fillestare të hetimit, i ndaluari dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka zbuluar informacione zyrtare për prona të caktuara te persona të paautorizuar në këmbim të ryshfetit, me qëllim tjetërsimin e tyre.

Nga organet e ndjekjes bëjnë të ditur se pronat e përfshira në këtë skemë dyshohet se kapin vlera mjaft të mëdha financiare.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, dhe do të vazhdojë ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit”, thuhet në komunikaten e Prokuroris Speciale

Continue Reading

Lajmet

Tensione dhe përplasje me policinë në protestën e studentëve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë

Published

on

By

Studentë, gjimnazistë dhe qytetarë të shumtë janë mbledhur këtë të martë para ambienteve të Ministrisë së Arsimit në Tiranë, në një protestë të njoftuar prej ditësh për të ngritur zërin kundër problematikave që prekin arsimin dhe të rinjtë.

Protesta e nisur rreth orës 14:00 ka përshkallëzuar me shpejtësi në tensione. Protestuesit kanë gjuajtur godinën e ministrisë me vezë, bojë të kuqe, gurë, sende të forta dhe kapsolla. Gjatë përplasjeve, disa prej tyre kanë shkulur kangjellat mbrojtëse të rrugës dhe kanë tentuar të hyjnë me forcë në ambientet e brendshme të institucionit.

Për të shpërndarë turmën, forcat e policisë kanë ndërhyrë me ujë dhe gaz lotësjellës, ndërsa gjatë përplasjeve fizike disa nga protestuesit janë shoqëruar në komisariat. Në terren janë angazhuar dhjetëra efektivë shtesë për të marrë nën kontroll situatën.

Tubimi i organizuar përmes rrjeteve sociale vjen me kërkesën për plotësimin e gjashtë pikave që lidhen me ngritjen e cilësisë në arsim dhe përmirësimin e kushteve për studentët. Përveç kërkesave arsimore, protestuesit kanë bërë thirrje politike duke kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, si dhe të kryeministrit Edi Rama.

Continue Reading

Lajmet

Prof. Dr. Bekim Marmullaku takohet me profesorin nga Universiteti i Norvegjisë Juglindore, Glenn Agung Hole, për mundësitë e bashkëpunimit akademik

Published

on

By

Udhëheqësi i Departamentit për Bashkëpunim në UBT, Prof. Dr. Bekim Marmullaku, priti në takim profesorin Glenn Agung Hole nga Universiteti i Norvegjisë Juglindore (University of South-Eastern Norway – USN), me të cilin diskutoi mundësitë e zhvillimit të bashkëpunimit akademik dhe kërkimor ndërmjet dy institucioneve.

Gjatë takimit u diskutua për potencialin e bashkëpunimit në fushat e sipërmarrësisë, ekonomisë institucionale, zhvillimit rajonal dhe sigurisë kombëtare, me theks të veçantë në rolin e universiteteve në zhvillimin ekonomik, inovacionin dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.

Continue Reading

Lajmet

Inspektorati i Tregut mbyll një biznes në Zubin Potok dhe shqipton gjobë 6,000 euro

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka ndërmarrë masa ndaj disa subjekteve ekonomike gjatë inspektimeve të fundit në Komunën e Zubin Potokut, me qëllim garantimin e zbatimit të ligjit dhe sigurisë në treg.

Gjatë këtij aksioni, inspektorët kanë mbyllur një biznes që ushtronte veprimtarinë pa u regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, si dhe kanë sekuestruar produkte që nuk kishin deklaracion të prejardhjes. Po ashtu, ndaj një subjekti tjetër ekonomik është shqiptuar gjobë prej 6,000 eurosh pasi u ka shërbyer pije alkoolike personave të mitur.

Nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut kanë bërë të ditur se këto masa janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe respektimin e legjislacionit në fuqi.

“IQMT u bën thirrje të gjitha subjekteve ekonomike që të sigurojnë regjistrimin e rregullt të veprimtarisë së tyre në ARBK, të tregtojnë vetëm produkte me dokumentacionin përkatës dhe të respektojnë të gjitha dispozitat ligjore që rregullojnë ushtrimin e veprimtarisë ekonomike. IQMT do të vazhdojë me inspektime dhe mbikëqyrje të rregullta në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, me qëllim të identifikimit dhe trajtimit të çdo shkeljeje që cenon të drejtat e konsumatorëve dhe sigurinë e tregut”, thuhet në njoftimin e ministrisë. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara