Lajmet

​Krasniqi e Gjakova premtojnë medalje të tjera për Kosovën në të ardhmen

Published

on

Me anë të një ceremonie solemne, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta vlerësoi sot me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” dy xhudistet kampione nga Kosova, fituese të “Medaljes së Artë” në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, D’Istria Krasniqi dhe Nora Gjakova, si dhe trajnerin e tyre, Driton (Toni) Kuka.

Ai vlerësoi lartë arritjet e këtij ekipi duke thënë se kjo është rezultat i një strategjie dhe një pune të jashtëzakonshme të bërë për vite me radhë.

“Kur Majlinda Kelmendi mori medalje e artë në Rio të gjithë u habitëm dhe sigurisht që ishte një ngjarje e jashtëzakonshme sepse ishte hera e parë që Kosova prezantohej në një event të tillë me shumë sukses duke tërhequr mjaftë vëmendje. Por tani kur kemi dy të arta nga Tokio sigurisht që nuk kemi të bëjmë thjeshtë me një ngjarje, nuk kemi të bëjmë thjeshtë me një talent të jashtëzakonshëm siç ishte edhe siç është Majlinda Kelmendi, por kemi të bëjmë me një projekt të jashtëzakonshëm. Kemi të bëjmë me një vazhdimësi, kemi të bëjmë me një strategji dhe kemi të bëjmë me një punë jashtëzakonisht profesionale, por edhe shkencore”, tha Meta.

Tutje, Meta tha se me sukseset e arrituar në “Tokio 2020”, Distrie Krasniqi dhe Nora Gjakova i kanë treguar botës fuqinë dhe ambiciet që i ka Kosova si shtet, madje ato kanë dërguar një mesazh të fuqishmë edhe tek shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

“Unë dua të shpreh falënderimin më të përzemërt për Distrie Krasniqin, për Nora Gjakovën dhe për Driton Kukën, ndaj unë dua të shpreh falënderimet më të përzemërta për gjithë këtë punë të jashtëzakonshme, për këtë arritje madhështore të sportit të xhudos, për këtë diplomaci të jashtëzakonshme sportive që ju keni bërë ashtu sikurse edhe aderimi dhe prezantimi me sukses i Kosovës edhe në UEFA dhe FIFA edhe këto triumfe, këto fitore, këto medalje të arta kanë dhënë një kontribut të shkëlqyer për imazhin e Kosovës, për të shtuar respektin ndaj saj në botë edhe ne ato vende që ende nuk kane njohur sepse kanë njohur fuqinë dhe ambicien e këtij vendim përmes këtyre shqiponjave si Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe gjithë ekipi i tyre i shkëlqyer”, theksoi Meta.

Medalistja e artë Distrie Krasniqi, pas pranimi të çmimi “Nderi i Kombit”, tha se për atëky çmim ka vlerë më shumë se të gjitha medaljet e fituara deri më tani dhe se me suksesin e arritur ajo e ka bërë krenar gjyshin e saj për të cilin thotë se ka bërë shumë sakrifica dhe kontribute për çështjen kombëtare.

“Sot ndihem shumë e vlerësuar që po dekorohem me këtë çmim si “Nderi i kombit Shqiptar”. Për mua kjo vlen më shumë se medalja olimpike dhe më shumë se të gjitha arritjet dhe medaljet që i kam pasur deri sot. Unë dhe familja ime ndihemi shumë të nderuar dhe jam shumë e sigurt që gjyshin im i ndjerë pas gjithë sakrificave dhe pas gjitha kontributeve për çështjen kombëtare dhe për flamurin tone kuqezi sot mbesa e tij dekorohet si nderi i kombit shqiptar. Falemnderit shumë për vlerësimin dhe do premtoj që do punoj shumë që gjithmonë ta përfaqësoj kombin tonë sa më denjësisht”, tha Krasniqi.

Medalistja tjetër e artë, Nora Gjakova me këtë rast tha se ajo është rritur me flamurin dhe himnin kombëtar dhe se dihet shumë kreane që e pranoi këtë çmim duke premtuar edhe medlaje të tjera në të ardhmen.

“Në këtë fjalim të shkurtër dua ta falënderoj presidentin Ilir Meta për respektin që tregoi sot për ne, ndihem shumë krenare që po e pranoj titullin nderi i kombit. Unë jam rritur me flamurin dhe himnin kombëtar dhe ndihem krenare që kam arritur ta përfaqësoj denjësisht popullin shqiptar në nivelim më të lartë që mund të arrihet në sport. Shpresoj që unë dhe ekipi ynë do të vazhdojmë t’iu sjellim medalje të reja”, tha Gjakova.

Në fund, trajneri Driton Kuka falënderoi presidentin Ilir Meta duke shtuar se suksese e arritura nga ekipi i tij janë për të gjithë popullin shqiptar kudo që ata ndodhen.

“I nderuar president i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta. Ku ka më mirë se në prapavinë tonë të gjendet flamuri kuqezi edhe në çdo prononcim timin gjithmonë edhe në të kaluarën kur Majlinda është bërë kampione olimpike edhe tash kur janë tri kampione Olimpike gjithmonë e kam potencuar që këto janë medalje për mbarë popullin shqiptar. Padrejtësitë historike besoj se me kohë do të zhduken por kjo është me te vërtetë ndjenje e jashtëzakonshme që po dekorohemi prej jush me titullin më të lartë të popullit shqiptar dhe kjo nuk ka fjalë që e përshkruan kënaqësinë edhe ndjenjat e mia kështu që jam shumë falënderues dhe iu premtoj që do të vazhdojmë tutje që me sukseset tona ta bëjmë krenar popullin shqiptar kudo që është”, tha Kuka.

Ndryshe, Kosova rrëmbeu dy medalje të arta në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” dhe u rendit si e 42-ta në renditjen totale bazuar në trofetë e fituata nga të gjitha shtete pjesëmarrëse.

Vendi

Një grua goditet për vdekje nga treni në Pejë

Published

on

By

Mëngjesin e sotëm në Pejë, një grua ka humbur jetën si pasojë e goditjes nga treni.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili bëri me dije se incidenti ka ndodhur rreth orës 05:35.

Mjeku kujdestar që doli në vendngjarje konstatoi vdekjen e viktimës./E.A/

Continue Reading

Lajmet

Mot me diell dhe temperatura deri në 36 gradë

Published

on

By

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, ato minimale do të lëvizin nga 11 deri në 16 gradë celsius, ndërsa maksimalet pritet të arrijnë nga 31 deri në 36 gradë celsius.

“Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga verilindja, me shpejtësi 1–5 m/s.

Rajoni ynë do të vazhdojë të jetë nën ndikimin e masave të ngrohta ajrore me origjinë nga Afrika Veriore, duke sjellë temperatura paksa më të larta, të cilat janë normale për këtë periudhë të verës”, ka njoftuar IHMK. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Pas gjetjes së varrezës masive në Kalludër, zbulohet një tjetër në Jabukë të Zubin-Potokut

Published

on

By

Pas zbulimit të një varreze masive në Kalludër të Zubin Potokut, është gjetur një tjetër vatër me mbetje mortore të viktimave të luftës së fundit në Kosovë, kësaj radhe në fshatin Jabukë të së njëjtës komunë. Lajmin e ka bërë të ditur Ministri në detyrë i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.

“Pas gjetjes së mbetjeve mortore në një varr masiv në Kalludër të Zubin-Potokut, ku ende po vazhdojnë kërkimet dhe gjurmimet, sot, vetëm 10 kilometra më tutje, në fshatin Jabukë të po kësaj komune, u gjet edhe një varr tjetër masiv me mbetje mortore të viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Falënderoj Policinë e Kosovës, njësitë përkatëse për hetimin e krimeve të luftës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorinë e Kosovës për punën e ndërmarrë në drejtim të hulumtimit, hetimit dhe identifikimit të këtyre lokacioneve”, ka shkruar Sveçla.

Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, Sveçla ka akuzuar Serbinë se po ruan të njëjtën linjë politike dhe qasje si gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Sipas tij, Beogradi zyrtar nuk po bashkëpunon për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë, ndërsa ushtron presion dhe masa ndëshkuese ndaj qytetarëve serbë që ndihmojnë në lokalizimin e varrezave masive.

“Serbia vazhdon të mbetet e njëjtë si në kohën e Millosheviqit, jo vetëm përmes figurave si Aleksandar Vuçiqi dhe Ivica Daçiqi. Vuçiq ishte numri dy i Sheshelit, Daçiq ishte numri dy i Millosheviqit e Vulin numri dy i Mira Markoviqit. Të tre këta janë ende në pushtet në Serbi dhe ky shtet nuk ka ndërruar asgjë. Serbia vazhdon të mbetet e njëjtë në formë dhe në përmbajtje. Ky shtet, në njërën anë, refuzon të japë informacione për personat e zhdukur, të marrë me dhunë, ndërsa, në anën tjetër, kërcënon dhe burgos qytetarët e saj që bashkëpunojnë për gjetjen e këtyre varreve. Po ashtu, ajo glorifikon përmes memorialeve brigada si ajo 37, pjesëtarët e së cilës janë përgjegjëse për shumë masakra në Kosovë”, ka shkruar Sveçla.

Në vijim të deklaratës së tij, ai kërkoi reagim institucional dhe masa nga faktori ndërkombëtar ndaj veprimeve të Beogradit.

“Ftoj partnerët ndërkombëtarë të dënojnë dhe ndëshkojnë ashpër këtë sjellje të Serbisë. Pa një gjë të tillë jo që do të jetë i pamundur çfarëdo hapi drejt të drejtësisë, por ky shtet do të cenojë çdo ditë paqen në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, pavarësisht kësaj, ne mbetemi të përkushtuar dhe të palëkundur për të gjurmuar çdo pëllëmbë, në mënyrë që të zbardhim fatin e secilit person të vrarë dhe zhdukur nga shteti serb gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe të sjellim para drejtësisë secilin kriminel përgjegjës për krimet e asaj kohe”, ka shkruar Sveçla.

Ndërkohë, në lokacionin paraprak në Kalludër të Vogël, ku u zbuluan mbetje mortore të martën, ekzistojnë dyshime se ndodhen trupat e 23 civilëve shqiptarë nga Mitrovica, të njohur si “grupi i intelektualëve”, të cilët u rrëmbyen më 19 prill 1999 dhe fati i të cilëve mbetet i pazbardhur prej 27 vitesh. Po ashtu, gjatë kësaj jave, autoritetet kanë arrestuar tre persona të dyshuar për krime lufte në zonën e Zubin-Potokut. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 2 gusht 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
 
 
Foto: Për çdo ditë njoftime për të vrarë në rajonin e Drenicës: Skënderaj
 
 
2 gusht 1993
 
Bastisje në Prishtinë dhe Obiliq
Sot, rreth orës 5 të mëngjesit, policia serbe bastisi shtëpinë e Hamit Avdiut, në rrugën “Xhemail Ibishi” në Prishtinë. Policët kërkonin Ramadan Avdiun, ish-i burgosur i ndërgjegjes, i cili nuk gjendej në shtëpi.
Gjatë bastisjes, policët serbë me vandalizëm thyen dhe demoluan orenditë e shtëpisë, ndërsa me vete morën Hamitin dhe vëllain e Ramadanit, Rexhepin, të cilët ende po mbahen në organet e policisë në Prishtinë.
Në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë, rreth orës 8.30 u bastis shtëpia e Hajdin Krasniqit. Policia serbe kërkoi Xhavit Hazirin, ish i burgosur politik, i cili banon te Hajdini. Gjatë bastisjes policia u soll brutalisht ndaj familjes Krasniqi. Xhavit Haziri u arrestua.
Po ashtu sot rreth orës 5 të mëngjesit, policia serbe bastisi familjen e Bajram Hazirit, të cilët kërkuan djalin e tij Hazirin, ish i burgosur i ndërgjegjes.
Sot, rreth orës 5 të mëngjesit, tetë policë serbë bastisën familjet e Idriz Sveçlës dhe të Ahmet Haxhiut, ish i burgosur i ndërgjegjes. Përveç Ahmetit, policët arrestuan edhe Ismail Haxhiun, të cilët siç merret vesh ende po mbahen në lokalet e policisë në Prishtinë.
 
2 gusht 1994
Dje vazhdoi seanca në procesin e montuar në Prishtinë
Dje në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë (të udhëhequr nga pushteti okupues serb) përfundoi marrja në pyetje e të shtatë shqiptarëve të akuzuar për gjoja ushtrime ushtarake në Fushën e Labinotit në Shqipëri.
Gjyqtarët e instaluar serbë dje morën në pytje Luan Hetën, Beqir Mulecin, Hysni Francën dhe Bajram Gallapenin. Këta të akuzuar rrëfyen për torturat që ua kishin bërë inspektorët gjatë hetuesisë.
– Nuk kemi bërë kurrfarë ushtrimesh ushtarake në Fushë të Labinotit. Ajo që shkruan në aktakuzë është rrenë. Inspektorët na rrahën e na shanë, na detyruan të nënshkruajmë deklaratat, duke na u kërcënuar edhe me likuidim, deklaruan dje para
gjykatës këta të akuzuar.
Fehmi Leshtrani madje është liruar si i paaftë për ushtri për rekrutim në Nish, meqenëse mbanë syzat minus 12. I paaftë për ushtri ishte edhe Luan Heta. Beqir Muleci nga ish-APJ e patën lëshuar si të paaftë pas gjashtë muajsh shërbimi. Beqiri është i sëmurë mentalisht.
Kryetari i trupit gjykues të të treve Zoran Saveliq kumtoi se seanca do të vazhdojë nesër, kur pritet të lexohen disa shkresa të lëndës. Shtatë mbrojtësit do të paraqesin edhe propozimet e tyre në fazën e procedurës së provave.
 
2 gusht 1995
Në burgun e Dubravës së Istogut – keqtrajtohen të burgosurit shqiptarë
Në burgun e Dubravës në Istog, në të cilin po vuajnë dënimet edhe një numër i madh të burgosurish politikë shqiptarë të Kosovës, më 23 korrik të këtij viti nga gardianët e burgut u keqtrajtuan rëndë, Hysen Gega nga Sallagrazhda e Suharekës, i cili është i dënuar për herë të dytë me 2,5 vjet burg, derisa dënimin e parë e vuajti me 10 vjet. Po për të njëjtën vepër në këtë burg gjendet edhe Gëzim Lushi, po ashtu i burgosur politik, njofton KI i Degës së LDK-së në Suharekë.
Njoftohet se ata nga gardianët e burgut janë keqtrajtuar rëndë, vetëm pse kanë përcjellë programin televiziv në gjuhën shqipe.
Bëhet e ditur se Gëzim Lushit të keqtrajtuar rëndë i është ofruar ndihmë mjekësore vetëm pas tre ditësh, ndërsa Hysen Gega pas një ndëshkimi është duke bërë grevë urie.
Ndërkaq, KI i Degës së LDK-së në Suharekë njofton se në Burgun e Qarkut në Prizren është keqtrajtuar rëndë fizikisht edhe Shaip Mustafa, i cili po mbahet nën hetime, kinse për formimin e SPB-së të Republikës së Kosovës.
Shaip Mustafa momentalisht për shkak të keqtrajtimeve të rënda fizike gjendet i shtrirë në spitalin e Prizrenit.
 
 
2 gusht 1997
Mitrovicë: Policia plaçkiti tre të rinj shqiptarë
Pardje, policia serbe plaçkiti disa tregtarë shqiptarë në lagjen Bair të Mitrovicës.
Policia ndaloi Lulzim M. Nulin (18), ia plaçkiti mallin që po e dërgonte në treg dhe pastaj e ktheu në shtëpinë e tij ku i plaçkiti mallin me vlerë prej 1500 DM.
Policia plaçkiti edhe Burhan Sahatçiun (20) duke i marrë mall me vlerë prej mbi 300 DM dhe Fadil Abitin (20) të cilit i mori mall me vlerë prej mbi 2000 DM.
Të tre tregtarët e plaçkitur u dërguan në lokalet e policisë në Mitrovicë ku u mbajtën rreth tri orë.
Lulëzim Nulit, më 28 korrik policia i pat plaçkitur mall me vlerë prej 700 DM, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.
 
2 gusht 1998
 
Njoftohet për 8 shqiptarë të vrarë në fshatrat e Drenicës
Gjatë sulmeve të sotme të forcave policore ushtarake serbe në disa fshatra të Drenicës, deri më tash dihet për 8 shqiptarë të vrarë.
Burimet e KMDLNJ njoftojnë se në fshatin Jashanicë të Klinës janë vrarë tre pjesëtarë të UÇK. Ndërkaq në fshatin Shtuticë të Skënderajt janë vrarë katër shqiptarë, për identitetin e të cilëve ende nuk dihet.
Në fshatin Polac dihet se është vrarë Fatmir Xhemajl Veliqi (20).
Njoftohet se sot janë sulmuar edhe fshatrat Polluzhë e Tërstenik.
 
Forcat serbe vranë katër e plagosën katër anëtarë të tjerë të familjes Zeqiri në fshatin Shtuticë të Gllogocit
Sot në fshatin Shtuticë të Gllogocit forcat serbe vranë katër dhe plagosën katër anëtarë të tjerë të familjes Zeqiri, njofton KI i degës së LDK.
Tragjedia mbi këtë familje ndodhi derisa forcat serbe po granatonin në drejtim të fshatrave Polac, Kryshec, Morinë e Shtuticë. Gjatë këtyre momenteve familja Zeqiri derisa po dilte nga shtëpia, për t’i ikur granatimeve të parreshtura të ushtrisë serbe, në oborrin e kësaj familjeje ra një granatë që ishte fatale. Me atë rast u vranë: Sofije Zeqiri (60), Vahide Zeqiri (20), Kada Zeqiri (17) dhe gruaja e Halimit, Emine Zeqiri. Ndërkaq u plagosën: Halim Zeqiri, (flitet se ka vdekur), Besim Zeqiri, Sherif Zeqiri dhe Rizah Zeqiri.
Gjithashtu sulmet serbe shkaktuan dëme të mëdha materiale, duke shkatërruar shtëpi, makina bujqësore, shtalla, e të tjera.

Continue Reading

Të kërkuara