Komisioni Qendror Zgjedhor ka miratuar vendimin për ndarjen e fondit për mbështetjen e subjekteve politike për vitin 2023, ku për 15 partitë politike që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës janë ndarë 4 milionë e 200 mijë euro.
Po në këtë mbledhje të KQZ-së, u diskutua edhe për përgatitjet për zgjedhjet në komunat veriore të Kosovës dhe rekrutimin e zyrtarëve komunalë të dorëhequr në këto komuna.
Bazuar në të dhënat, Lëvizja Vetëvendosje e cila ka numrin më të madh të deputetëve nga ky fond përfiton më shumë se 2 milionë euro. Pastaj PDK-ja me 665 mijë euro, LDK-ja me 525 mijë euro dhe AAK-ja me 280 mijë euro. E nga subjektet e komuniteteve joshumicë më së shumti përfitoi Lista Serbe, në vlerë prej 315 mijë euro.
Besnik Buzhala nga zyra për regjistrim dhe certifikim e kontroll financiar të subjekteve politike në KQZ, tha se shuma që do të ofrohet këtë vit për 15 subjektet politike që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës, është 4 milionë e 200 mijë euro.
“Rekomandimin për ndarjen e fondit mbështetës. Sipas kësaj tabele shuma që do të ofrohet për këtë vit për 15 subjektet politike që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës, është 4 milionë e 200 mijë euro”, tha ai.
Anëtari i KQZ-së nga PDK, Ilir Gashi tha se asnjë cent nuk mund t’i shkoj një subjekti politik apo kandidati, nëse ajo nuk është e përcaktuar me ligjet në fuqi apo me ndonjë vendim të gjykatave.
“Vendimmarrja juaj duhet të jetë e bazuar vetëm në ligj, asnjë udhëzues apo praktikë e mirë nuk mund të merret për t’i ndarë parat subjekteve politike por duhet ligji çka thotë, ligji dhe vendimet gjyqësore, qofshin vendime të gjykatave të rregullta apo qofshin vendime të Gjykatës Kushtetuese, vendime të gjykatave bëhen normë karshi një ligji të caktuar dhe duhet me u respektuar…Asnjë cent nuk mund t’i shkoj një subjekti politik apo kandidati poçëse ajo nuk është e përcaktuar me ligjet në fuqi apo me ndonjë vendim të gjykatave”, tha ai.
Sami Hamiti nga LDK tha se vendimi është i bazuar dhe si i tillë duhet të votohet.
“Vendimi tash është i bazuar pa marrë parasysh tek subjekti i radhës që ka hyrë edhe ajo është e përcaktuar me ligj që çdo subjekt politik që merr pjesë në Kuvend me i nda financat. Konsideroj se është në rregull”, tha ai.
E po në këtë mbledhje, Ibrahim Selmanaj, anëtari i KQZ-së nga radhët e AAK-së, pyeti se a kanë paraparë hapjen e një konkursi për zyrtarët komunal në katër komunat veriore, ku kanë dhënë dorëheqje këta zyrtarë.
“Plani i cili është i paraparë për zgjedhjet në veriun e Kosovës, a keni paraparë edhe një konkurs të shpejt sepse zyrtarët komunal i kemi të dorëhequr dhe mendoj se duhet me pas pak efikasitet në këtë drejtim se vetë fakti që duhet me u mbajt zgjedhjet, edhe duhet me pas persona që kanë me qenë përgjegjës për këtë fushë. A keni në plan, a mundemi me krye apo jo”, tha ai.
E kryeshefi ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj tha se janë në përgatitje të planit të rekrutimit, ku prioritet do t’u jepet zgjedhjes së katër zyrtarëve komunalë.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka shprehur shqetësimin për sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke i cilësuar ato si të padrejta dhe me pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët.
Deklarata e tij u bë pas përfundimit të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), ku Begaj konfirmoi se Serbia dhe Bosnja e Hercegovina refuzuan të nënshkruajnë deklaratën e përbashkët të Tiranës, ndërsa të gjitha vendet e tjera anëtare e miratuan atë.
“Bashkëpunimi rajonal për ne është i rëndësishëm, sepse çdo zgjidhje paqësore dhe përmes dialogut sjell zhvillim, stabilitet dhe paqe në rajon,” tha Begaj. Ai vlerësoi miratimin e “Deklaratës së Tiranës” si një hap domethënës, edhe pse Serbia dhe Bosnja e Hercegovina refuzuan ta mbështesin.
Në fjalën e tij, Presidenti shqiptar vuri theksin tek nevoja për të hequr sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, duke thënë se ato nuk i drejtohen politikanëve, por qytetarëve, të cilët po privohen nga shërbimet publike cilësore.
“Është një çështje që duhej zgjidhur shumë kohë më parë. Nesër është shumë vonë,” tha ai.
Begaj gjithashtu komentoi mbi pretendimet e Beogradit dhe Sarajevës për çështje sigurie, duke theksuar se koncepti i sigurisë duhet të kuptohet si universal.
“Siguria nuk është vetëm brenda shtëpisë sonë. Çdo zhvillim global, si agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, ka pasoja për të gjithë botën,” tha presidenti.
Në përmbyllje, Begaj ritheksoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal dhe vlerave evropiane si rruga e vetme drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme për rajonin.
Sot shënohet 82-vjetori i lindjes së intelektualit, filozofit dhe veprimtarit të shquar Ukshin Hoti. Me këtë rast, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka organizuar një sërë aktivitetesh përkujtimore, kulturore dhe akademike në Krushë të Madhe, për të nderuar figurën e tij dhe për të rikujtuar angazhimin e pandalshëm për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së tij.
Në orët e paradites, familjarë, përfaqësues institucionalë dhe qytetarë vizituan Shtëpinë Muze të Ukshin Hotit, duke sjellë homazhe dhe kujtime për jetën dhe veprën e tij. Më pas, në po të njëjtin vend, u mbajt një tribunë ku u diskutua mbi kontributin e tij filozofik, politik dhe kombëtar.
Në kuadër të aktivitetit përkujtimor, gjatë ditës u mbajt edhe një ceremoni për nder të ditëlindjes së tij, ku pjesëmarrësit ritheksuan domosdoshmërinë për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit, i cili u zhduk në mënyrë misterioze në vitin 1999, pas lirimit nga burgu i Dubravës.
Në orët e mbrëmjes, do të hapet një ekspozitë me fotografi të rralla që dokumentojnë jetën e tij dhe angazhimin për çështjen kombëtare. Aktivitetet përmbyllen me ceremoninë e ndarjes së dekoratës komunale “Ukshin Hoti”, një simbolikë nderimi për figurat që kanë lënë gjurmë në historinë dhe ndërgjegjen kolektive të vendit.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot nis një vizitë zyrtare në kryeqytetin hungarez, Budapest.
Në shenjë mirëseardhjeje për Presidenten Osmani, një nga urat kryesore të qytetit është zbukuruar me flamuj të Kosovës, duke i dhënë kësaj vizite një simbolikë të veçantë.
Kjo është vizita e dytë zyrtare e Osmanit në Hungari, pas asaj të realizuar në nëntor të vitit të kaluar.
Seanca e 33-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës mbahet sot nga ora 10:00.
Kjo seancë vjen pas dështimit të mbledhjes së kaluar, ku mungesa e votave pengoi formimin e komisionit të fshehtë.
Në seancën e 32-të, kryesuesi Avni Dehari ndërpreu punimet menjëherë pas konstatimit se nuk ishte arritur shumica e nevojshme për të ecur përpara me procedurat.
Rendi i ditës mbetet i njëjtë, ndërsa vëmendja është përqendruar në atë nëse deputetët do të arrijnë të gjejnë konsensus për të zhbllokuar këtë proces të stërzgjatur.