Lajmet

​Kosova s’i shpëton dot Omicronit, Krasniqi: I rëndësishëm vaksinimi dhe respektimi i masave

Krasniqi flet edhe për situatën pandemike, rëndësinë e vaksinimit dhe kërkesat e punëtorëve shëndetësorë për Ligjin e pagave.

Published

on

Kosova nuk pritet të shpëtojë nga varianti Omicron i COVID-19 që ka vënë në vështirësi shumë vende të botës. Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, thotë se mundësia e paraqitjes është evidente pasi edhe rrugët e përhapjes së këtij varianti janë të njëjta sikurse variantet e tjera. Në një intervistë për KosovaPress, Krasniqi flet edhe për situatën pandemike, rëndësinë e vaksinimit dhe kërkesat e punëtorëve shëndetësorë për Ligjin e pagave.

Mali i Zi është vendi i fundit në rajon që është prekur zyrtarisht nga varianti Omicron. Por, tashmë rrezikon edhe Kosova, sidomos kur në këtë periudhë shtohen lëvizjet e qytetarëve për festa por edhe grumbullimet në ambiente të mbyllura.

Pikërisht, për Krasniqin këto janë arsyeje se pse po vazhdohen që të mbahen në fuqi masat e njëjta anti-COVID.

“Është virusi i njëjtë dhe ato çka kemi parë është se çdo variant i paraqitur në shtetet e tjera është se herë ose vonë ka arritur në pothuajse të gjitha shtetet. Mundësia e paraqitjes së Omicronit në Kosovë normalisht që është evidente dhe është e vështirë të paramendohet se nuk do ketë raste edhe në Kosovë pasi po them që virusi është i njëjtë dhe rrugët e përhapjes janë të njëjta”, tha Krasniqi.

Krasniqi thotë se në Kosovë është një situatë e qetë pandemike, ku vetëm gjatë këtij muaji numri i të hospitalizuarve nuk ka kaluar shifrën 50 pacientë.

“Ka javë të tëra, madje dhe muaj, që është i vogël dhe po përjetojmë një situatë jashtëzakonisht të volitshme pandemike sa i përket pandemisë COVID-19. Si rezultat i kësaj edhe numri i pacientëve të shtrirë në Klinikat e QKUK dhe spitalet ka rënë ndjeshëm prej më shumë se dy muaj numri i pacientëve është nën 100, madje këtë muajin e fundit asnjëherë nuk kemi kaluar mbi 50 pacientë që kanë qenë të shtrirë në klinikat e QKUK dhe spitalet e përgjithshme. Por sigurisht që kjo situatë është rezultat i masave të ndërmarra nga ana e qeverisë dhe institucioneve shëndetësore dhe në veçanti dua të potencoj këtu respektimin dhe zbatimin e masave nga ana e qytetarëve”, u shpreh ai.

Tashmë në vendin tonë jepet edhe doza përforcuese dhe ajo e treta anti-COVID për personat mbi 18 vjeç, prandaj drejtori i SHSKUK-së e konsideron moment të duhur që qytetarët të imunizohen edhe me këto doza të vaksinave.

“Është koha më e mirë që ta shfrytëzojmë tashmë po futemi edhe në sezonin e dimrit edhe më shumë përforcohet nevoja për ta marrë dozën e tretë dhe dozën përforcuese, tashmë njerëzit fillojnë të mbyllen në ambiente të mbyllura, në grupe, qoftë familjare apo edhe më të mëdha, ku rreziku i ekspozimit është më i madh prandaj, po them ta shfrytëzojmë këtë situatë të qetë në mënyrë të vazhdojmë të ruajmë këtë imunitet kolektiv që është formuar qoftë me kalimin e COVID, qoftë edhe me krijimin e imunitetit si rezultat i vaksinimit”, u shpreh Krasniqi.

Krasniqi shpreson që sa më shpejt të miratohet edhe Ligji për paga, pasi siç u shpreh ai, ky ligj është shtylla kryesore për rregullimin e pagave të profesionistëve shëndetësorë dhe trajtimin e tyre në mënyrë të dinjitetshme. Ai u shpreh se mjekët e infermierët nuk duhet të trajtohen si heronj vetëm nëpër situata pandemike, por kanë nevojë për trajtim e pagë të dinjitetshme në çdo kohë.

“Ligji i pagave është jetik nëse mund ta them për funksionimin e sistemit shëndetësor në Kosovë, normalisht që nuk është i vetmi sepse ka edhe shumë punë të tjera për t’u bërë, por do të ishte një nga shtyllat kryesore ku do të rregullonte çështjen e pagave të profesionistëve shëndetësorë dhe me këtë ligj besoj se do gjendej edhe një qetësi shpirtërore e punëtorëve shëndetësorë sa i përket vlerësimit që iu bëhet. Ne nuk kemi nevojë që të vlerësohemi si heronj vetëm në situata të pandemisë ose në situata të caktuara, por kemi nevojë për pagë të dinjitetshme dhe unë po shpresoj shumë që Ligji i pagave do të ec me një ritëm më të shpejtë”, theksoi ai.

Ligji i Pagave ka qenë shkas edhe i dy grevave që profesionistët shëndetësorë kanë mbajtur në javët e kaluara. Ndonëse, edhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) kishte paralajmëruar grevë edhe më 21 dhjetor, gjatë ditës së djeshme ata kanë njoftuar se kanë pezulluar përkohësisht grevat për nevojat që kanë pacientët në këtë kohë kur vendi po përballet me gripin sezonal.

Vendi

AAK: Përmbajtja e marrëveshjes politike është kryesore, jo emrat e kandidatëve

Published

on

By

Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani dhe Time Kadrijaj, deklaruan se kjo parti nuk ka kontestime lidhur me emrat e kandidatëve për president, por kërkon qartësi në përmbajtjen e marrëveshjes potenciale politike. Këto qëndrime ata i bënë të ditura gjatë një deklarate për media, ku ritheksuan gjashtë kërkesat kryesore të partisë për mbështetjen e formimit të institucioneve të reja.

“Për ne është e rëndësishme se institucionet e ardhshme të Kosovës a do e fusin Kosovën në gazin amerikan; a do të krijojnë kapacitetet me qymyr për energjetikën e Kosovës, dhe në secilin variant të partive tjera, ne do të shohim se çka ka në ato marrëveshje dhe jo kush janë. Aleanca mbetet në qëndrimin e vet sepse ka qenë e para dhe e vetmja që flet për përmbajtje e jo për emra”, u shpreh Ramadani në konferencë.

Tutje, Ramadani nënvizoi se për Aleancën prioritet mbetet substance dhe jo aspekti formal apo emrat e përveçëm. Ai sqaroi se partia do të shqyrtojë me kujdes nëse marrëveshjet politike përfshijnë projekte strategjike, si integrimi në gazin amerikan apo zhvillimi i kapaciteteve energjetike me qymyr. Sipas Ramadanit, Aleanca mbetet e vetmja që vendos përmbajtjen politike para emrave të kandidatëve.

Gjatë deklaratës, deputetja Time Kadrijaj foli edhe për aksionin e saj simbolik në seancën e fundit konstituive ndaj kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Ajo sqaroi se veprimi me vezë terminatesh ishte tërësisht spontan dhe nuk do të ndodhte nëse Kuvendi do të konstituohej. Kadrijaj hodhi poshtë pretendimet për organizime paraprake, duke e cilësuar këtë si një manipulim të radhës dhe theksoi se qëllimi i veprimit ishte thirrja për respektimin e Kushtetutës së Kosovës.

“Aksioni im ka qenë krejt spontan. Nëse kish ndodhë konstituimi i Kuvendit nuk kish pasë gjuajtje me vezë. Nuk ka pasë skenar tjetër. S’ka pasë organizim tjetër. Ky është një manipulim i radhës i LVV-së. Unë kam marrë aksion simbolik që ky njeri [Albin Kurti] të respektojë Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, deklaroi Kadrijaj.

Ndërkohë, në ditët e fundit në opinionin publik janë ngritur debate rreth statusit institucional të u.d. presidentes Albulena Haxhiu pas betimit të saj si deputete. /E.A/

Continue Reading

Aktualitet

Mbyllet shqyrtimi gjyqësor për rastin e Gllogjanit, vendimi shpallet më 24 gusht

Published

on

By

Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur të mbyllur shqyrtimin gjyqësor në rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan.

Pas përfundimit të seancës, gjykata ka njoftuar se vendimi për këtë rast do të shpallet më 24 gusht, në ora 14:30.

Ky vendim vjen pas zhvillimit të rigjykimit, gjatë të cilit gjykata ka shqyrtuar provat e administruara në proces.

Në kuadër të seancës së sotme, Gjykata Themelore në Pejë kishte vendosur gjithashtu që si provë të administrohej video-incizimi ku shihet Kreshnik Mehmetaj duke gjuajtur me armë në një bjeshkë të Deçanit./Ekonomia online/

Continue Reading

Vendi

Haxhiu e Hargreaves diskutojnë për ngërçin politik në vend

Published

on

By

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit politike dhe situatën institucionale në vend.

Përmes një njoftimi për medie, bëhet e ditur se fokus kryesor i takimit ishte nevoja për dialog politik dhe gjetja e një rrugëdaljeje nga ngërçi aktual, me qëllim formimin e parakohshëm të institucioneve në përputhje me rendin kushtetues.

Gjatë këtij takimi, u.d. presidentja Haxhiu lartësoi mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën, duke e cilësuar Londrën si një ndër partnerët më të rëndësishëm strategjikë të vendit. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 19 gusht 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto: Disa shqiptarë të vrarë në përpjekje për të kaluar kufirin me Malin e Zi (Kallugjerski llaz, vendi ku u ekzekutuan civilët)

19 gusht 1993

Refugjatët shqiptarë janë refugjatë të dhunës

Në Ministrinë zvicerane të Punëve të Jashtme në Bernë, siç shkruan gazeta e sotme “Bujku”, u mbajt një takim pune me Velti Filin, i ngarkuar në Ministrinë zvicerane të Punëve të Jashtme për çështje të Evropës Lindore dhe përfaqësueses të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Edita Tahiri. Me këtë rast, zyrtari zviceran u njoh me situatën e rëndë dhe shpërthyese në Kosovë, veçmas pas përzënies së vëzhguesve të KSBE-së. Pastaj u kërkua nga qeveria zvicerane që të japë kontributin e saj për parandalimin e mundshëm të konfliktit, konflikt ky që do të godiste tërë rajonin e Ballkanit. Po ashtu u kërkua angazhimi i Zvicrës që në Kosovë të vendosen forcat e NATO-s ose të OKB-së si dhe vënia e Kosovës nën kontrollin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Gjatë këtij takimi u përmend fakti se 90 për qind e popullit shumicë, pra shqiptarët, është e rrezikuar nga pakica serbe, e cila është armatosur me armët më moderne dhe po ndihmohet nga regjimi serb i Beogradit, ndërsa njësitë e Arkanit dhe të Sheshelit po shëtisin për të provokuar shqiptarët. Prandaj, u kërkua nga pala zvicerane që të ketë mirëkuptim ndaj refugjatëve shqiptarë dhe ata t’i konsiderojë refugjatë të dhunës, pasi popullit shqiptar i është rrezikuar siguria kolektive. U kërkua gjithashtu që Kosova të ndihmohet në planin humanitar, si dhe të bëhen përpjekje për hapjen e një korridori ajror për dërgimin e këtyre ndihmave.

Gjatë kësaj bisede pala zvicerane theksoi se gjendja në Kosovë ndiqet për së afërmi dhe ajo insistoi për bashkëpunim të dyanshëm si dhe vazhdimin e opsionit paqësor.

 

19 gusht 1994

Në Suharekë edhe dy familje shqiptare u nxorën me dhunë nga banesa

Më 13 gusht, pushteti serb me vendim gjyqësor theu banesën e Hafir Gashit në Suharekë, në të cilën u vendos familja serbe Stanisavleviq, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Suharekë.

Hafir Gashi ka disa muaj që ka shkuar në Holandë për të siguruar bukën e gojës.

Ndërkaq, pardje, po ashtu me vendim gjyqësor, policia serbe urdhëroi edhe Sinan Hajdarin që ta lirojë banesën. Të nesërmen në banesën e tij u vendos po ashtu një familje serbe.

Sinan Hajdarit banesa i qe ndarë para 12 vitesh nga Kuvendi komunal i Suharekës, ku edhe punonte.

 

19 gusht 1995

Në Kosovë janë vendosur 2.350 refugjatë serbë

Në Kosovë deri më tash, sipas Kryqit të Kuq të kontrolluar nga serbët, kanë arritur 2.350 refugjatë nga Kroacia, njofton agjencia beogradase “Beta”.

Mirëpo, shtypi serb shkruan se në Kosovë gjenden 3.000 refugjatë. Shumica e këtyre refugjatëve është vendosur nëpër hallat sportive, konviktet e nxënësve e studentëve dhe një numër i vogël nëpër hotele e nëpër shtëpi private.

 

 

19 gusht 1997

Vriten 6 vetë afër Kuçovës

Gjashtë vetë anëtarë të një bande kanë vdekur dje nga përleshja me një bandë tjetër në qendër të komunës së Perondisë, 3 kilometra larg nga qyteti i Kuçovës.

Burime të komisariatit të policisë të Kuçovës, bëjnë të ditur për ATSH-në se 6 persona, shumë të kërkuar nga policia për krimet e tyre të njëpasnjëshme, kanë mbetur të vrarë dje nga një mori e madhe plumbash.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 5. 00 të mëngjesit, të 6 banditët kishin dalë nga Kuçova me automjetin e tyre dhe në Perondi u ndodhen nën zjarrin e papritur të automatikëve, mitrolozëve dhe granathedhësve.

Prita, thekson burimi, duhet të ketë qenë tepër e organizuar, e si pasojë, personat në autoveturë, nuk kanë arritur të reagojnë”.

Sipas të dhënave të deritanishme, rezulton se janë vrarë vëllezërit Ilir dhe Vladimir Spahiu, 33 dhe 35 vjeç, të dy të dënuar më parë për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me dhunë. Gjithashtu, është vrarë Ilir Tahiri, 29 vjeç, i dënuar më parë për vrasje me dashje dhe i larguar nga burgu, vëllai i tij, Edmond Tahiri, 26 vjeç i dënuar për vjedhje. Bashkë me ta janë gjetur të vrarë edhe Gentian Kosova, 27 vjeç dhe Klodian Rizaj, 21 vjeç.

Vrasja e tyre mendohet të jetë bërë për hakmarrje, ose larje hesapesh midis bandave rivale që veprojnë në këtë qytet. Me emrin e kësaj bande mendohet të jetë e lidhur edhe vrasja e para 3 ditëve e shtetasit Flamur Mielli dhe plagosja dje e shtestasti Edmond Lezo.

Policia ka nisur menjëherë hetimet. Në automjetin ku ishin viktimat u gjendën arëm automatikë dhe pistoleta, njofton “Bujku”.

 

19 gusht 1998

Deçan: Disa shqiptarë të vrarë në përpjekje për të kaluar kufirin me Malin e Zi

Forcat serbe vranë gjatë ditëve të fundit mbi dhjetë shqiptarë, që u përpoqën të ikin nga zonat e luftës dhe të shkojnë në drejtim të Malit të Zi, njofton KI i Degës së LDK-së në Deçan.

Njoftohet se në drejtim të Malit të Zi edhe sot është nisur një numër i madh i shqiptarëve.

Gjendja humanitare në komunën e Deçanit është shumë e rëndë dhe banorët rrezikohen seriozisht nga katastrofa humanitare. Bëhet e ditur se aktualisht në Bjeshkët e Strellcit po qëndrojnë mbi 10 mijë civilë shqiptarë pa ushqime, ilaçe e gjësende më elementare për jetë.

 

 

Continue Reading

Të kërkuara