Lajmet

​Konjufca për situatën në veri: Po keqkuptohemi, deklaratat e Blinken gjë e keqe

Ai tha se duhet të gjendet një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë.

Published

on

Kryekuvendari Glauk Konjufca deklaroi e ndërkombëtarët janë duke i keqkuptuar institucionet e Kosovës në lidhje me situatën në veri të vendit. Ai e vlerësoi negative faktin që Kosova është pezulluar nga stërvitjet ushtarake “Defender Europe ‘23”, ndërsa edhe deklaratat e sekretarit amerikan Antoni Blinken i cilësoi “të këqija” për Kosovën. Ai tha se duhet të gjendet një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë.

Në konferencën pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, tha se janë të brengosur me situatën në tri komunat veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan ku protestues serbë duan që kryetarët e zgjedhur më 23 prill të mos shkojnë në objekte komunale dhe të tërhiqet Policia e Kosovës.

Konjufca deklaroi se atje problemi po fillon edhe po përfundon me grupet e armatosura të rrezikshme të cilat po sfidojnë shtetin dhe sulmojnë zyrtarë policorë.

“Kryefjala e krejt procesit është aftësia jonë, kapaciteti ynë për të kryer detyrat tona shtetërore, edhe policia, edhe institucionet e sigurisë, ashtu që të garantojnë siguri dhe qetësi në atë pjesë të vendit, siç po shihet atje problemi po fillon edhe po përfundon me grupet e armatosura të rrezikshme, të paligjshme, të cilat e sfidojnë shtetin dhe sulmojnë zyrtarë policorë, zyrtarët tanë shtetërorë, nuk ua mundësojnë atyre kryerjen e punëve e cilët e kanë me kushtetutë, prandaj mendoj se është ai obligim ynë, fokusi ynë”, deklaroi Konjufca.

Në lidhje me deklaratat e sekretarit amerikan Antony Blinken se nëse nuk merren masa, raportet mes Kosovës dhe SHBA do të lëkunden, Konjufca tha se kjo është një gjë e keqe për Kosovën.

“Kjo nuk është e mirë për ne, ne e pranojmë që është një gjë e keqe për Republikën e Kosovës, gjithçka që duhet të bëjmë mendoj unë ta bëjmë një dialog të hapur e të shtruar me të gjithë miqtë dhe partnerët tanë që t’i argumentojmë më mirë pozicionet tona, ndoshta pozicionet tona nuk po kuptohen drejt prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Konjufca.

Kreu i Kuvendit u shpreh se janë të keqkuptuar nga kjo situatë pasi po respektojnë vetëm ligjet dhe kushtetutën e Kosovës, ndërsa shtoi se duhen më shumë takime me ndërkombëtarët për të sqaruar pozicionet.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka ndjekur këtë rrugë duke dëgjuar porositë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilët i kanë njohur zgjedhjet e 23 prillit.

“Ajo që konstatoj në këtë situatë është se jemi të keqkuptuar, jemi duke u keqkuptuar… Për t’u mirëkuptuar duhet natyrisht takime edhe më intensive, takime më të thella se Qeveria po shkon në atë rrugë për arsye se qashtu i ka lexuar porositë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës… kur nuk morën pjesë në zgjedhje Lista Serbe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i kam dëgjuar duke thënë se këto zgjedhje duhen anuluar, nuk e kam dëgjuar duke thënë, d.m.th. tash qysh e kupton politikan këtë çështje ose një zyrtar publik, kur thonë që SHBA nuk duhet të anulojnë zgjedhje i bie që kemi drejtë me marr pjesë, tash kur keni drejtë me marr pjesë ligjet e Kosovës nuk shohin prag sa duhet me marr pjesë”, tha Konjufca.

Konjufca deklaroi se tashmë ndërkombëtarët nuk kanë vija të kuqe për Serbinë dhe se e quajnë provokim atë që e quan Serbia.

“Kësaj radhe nuk po shoh kurrfarë dallimi të gjithë janë të një goje që Serbia e përcakton statusin e asaj çfarë është provokim dhe ndërkombëtarët pajtohen të gjithë me atë gjë, por Serbia e definon provokimin, pra të shkojnë kryetarët e komunave në punë është provokim dhe bashkësia ndërkombëtare thotë pajtohet dhe thotë nuk bën ky provokim… Këta nuk e kemi parë kurrë, e kemi pa që bashkësinë ndërkombëtare që ia tregon disa vija të kuqe Serbisë, unë s’po shoh që bashkësia ndërkombëtare ka vija të kuqe për Serbinë por ka qysh e definon Serbia provokimin, ajo është provokim, Serbia e çon ushtrinë, është rrezik, Kosova duhet të zmbrapset, kështu është situata”, tha kreu i Kuvendit.

Në fund, Konjufca tha se organet e rendit duhet të bëjnë gjithë çfarë kanë në dorë për të mbrojtur gazetarët të cilët po provokohen e sulmohen në komunat veriore nga protestues të dhunshëm.

“Policia duhet të bëjë të gjitha për të mbrojtur të gjithë gazetarët, e dënoj dhunën ndaj tyre që e kemi parë që është e paprecedentë këtyre viteve të fundit sidomos në këto ngjarje që ishin të fokusuara këto tri ditë që i pamë. Bëj thirrje Policisë së Kosovës që të mbroje jetën e gazetarëve dhe sigurinë që të bëjnë punën e tyre të lirë…. Organet e rendit dhe të sigurisë duhet që të bëjnë maksimumin që kurrkush të mos arrijë të cenoje jetën e gazetarit dhe të ndal me dhunë punën e tij që garantohet me kushtetutë”, tha Konjufca.

Sot (e mërkurë) numër më i madh i protestuesve sesa dje janë tubuar afër ndërtesës së Komunës në Zveçan.

Mediat janë duke u penguar vazhdimisht nga grupe të caktuara në protestë ndërsa edhe automjetet e disa mediave janë thyer dhe u janë shpuar gomat.

Ndryshe nga ditët e tjera, përfaqësues të Listës Serbe nuk vërehen deri më tani në mesin e protestuesve.

KosovaPress ka raportuar më herët se edhe në Zubin Potok sot (e mërkurë) ka numër më të madh të protestuesve që kanë dalë për të kundërshtuar, sipas tyre, kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.

Ndryshe, serbët në veri kanë filluar protestën të premten (26 maj). Protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.

Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

Vendi

Arrestohet një grua në Podujevë për keqtrajtim apo braktisje të fëmijëve

Published

on

By

Në raportin e policisë, në 24 orët e fundit është raportuar një rast i keqtrajtimit apo braktisjes së fëmijëve në Podujevë, që ka çuar në arrestimin e një personi.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së enjtes, ku njësitet policore kanë vënë në pranga të dyshuarën grua nën dyshimin për kryerjen e kësaj vepre penale.

Sipas raportit, “e dyshuara është dërguar për tretman mjekësor dhe e njëjta me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

Policia nuk ka dhënë detaje shtesë mbi gjendjen e fëmijës, mirëpo ka konfirmuar se rasti po trajtohet nga organet kompetente për procedura të mëtejshme hetimore.

Continue Reading

Lajmet

Ekstradohet nga Franca i kërkuari për vrasje në tentativë në rajonin e Pejës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka njoftuar se është realizuar ekstradimi i një shtetasi kosovar nga Franca për në Kosovë, i cili ishte i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar.

Operacioni u krye dje nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim të plotë me institucionet e drejtësisë dhe njësitet tjera relevante.

I dyshuari, i cili akuzohet për veprën penale “Vrasje në tentativë”, ishte arrestuar më parë nga autoritetet franceze pasi ishte shpallur në kërkim përmes INTERPOL-it për t’iu shmangur përballjes me drejtësinë kosovare.

Sipas njoftimit zyrtar, procesi u krye me sukses falë marrëdhënieve të mira ndërshtetërore, duke u theksuar se: “Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre franceze”.

Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse të policisë në rajonin e Pejës për procedim të mëtejshëm ligjor.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të mbetet aktive në luftën kundër krimit pa marrë parasysh kufijtë, duke deklaruar se: “Policia e Kosovës do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale”.

Continue Reading

Vendi

Studentët e Arkitekturës në UBT realizojnë vizitë studimore në terren në lagjen Kalabria

Published

on

By

Në kuadër të lëndës Studio e Planifikimit Urban, studentët e vitit të dytë nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT kanë zhvilluar një vizitë studimore në lagjen Kalabria në Prishtinë, së bashku me profesoreshën Elvida Sahatqiu Pallaska.

Vizita në terren kishte për qëllim mbledhjen e të dhënave dhe vëzhgimin e drejtpërdrejtë të hapësirës urbane, si hap fillestar drejt analizës së gjendjes ekzistuese. Kjo analizë do të shërbejë si bazë për zhvillimin e detyrave semestrale të studentëve në këtë lëndë.

Përmes kësaj përvoje praktike, studentët patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre duke lidhur aspektet teorike me realitetin urban, si dhe të zhvillojnë një qasje kritike ndaj organizimit dhe funksionimit të hapësirës në qytet.

Vizita u realizua në bashkëpunim me profesoreshën Elvida Sahatqiu Pallaska dhe asistentët Gazmend Uka dhe Agnesa Thaqi, të cilët udhëhoqën studentët gjatë procesit të vëzhgimit dhe analizës në terren.

Continue Reading

Lajmet

Konjufca pret ambasadorin Malaj: Koordinim i shtuar në politikën e jashtme dhe ftesë për Samitin e Diasporës

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ku fokus i diskutimit ishte fuqizimi i raporteve mes dy vendeve dhe interesi strategjik kombëtar.

Gjatë kësaj bashkëbisede, u vu theksi te nevoja për një bashkëpunim më të ngushtë ndërinstitucional dhe për harmonizimin e qëndrimeve në diplomacinë ndërkombëtare.

Palët u pajtuan se rritja e koordinimit në politikën e jashtme është në funksion të mbrojtjes dhe avancimit të interesave të përbashkëta në arenën globale.

Në kuadër të këtij takimi, ambasadori Malaj i përcolli ministrit Konjufca ftesën zyrtare për të marrë pjesë në Samitin e Diasporës, i cili organizohet çdo vit nga Republika e Shqipërisë.

Ky samit tashmë është kthyer në një platformë kyçe për forcimin e lidhjeve me mërgatën dhe bashkimin e forcave për qëllimet kombëtare.

Nga ana e tij, Konjufca ritheksoi se për Republikën e Kosovës mbetet prioritet i vazhdueshëm thellimi i marrëdhënieve me Shqipërinë, duke e cilësuar bashkëpunimin dypalësh si rrugën kryesore drejt avancimit të interesave strategjike të të dyja shteteve.

Continue Reading

Të kërkuara