Lajmet
Konjufca: Drejtësia të ndëshkojë ata që kryen krimet në Lybeniq të Pejës
Published
5 years agoon
By
Betim GashiUshtruesi i detyrës së presidentit, Glauk Konjufca bëri sot homazhe në 22-vjetorin e masakrës në Lybeniq të Pejës. Ai me këtë rast tha se në këtë fshat të Kosovës janë vrarë mizorisht prej forcave policore njerëz të pafajshëm e të paarmatosur.
Konjufca tha se asgjë nuk është bërë nga ana e drejtësisë për këtë masakër, që thotë se ka qenë një nga më mizoret.
“Lybeniqi është një fshat i Kosovës, i cili vetëm gjatë luftës së fundit ’98 dhe ’99 gjatë këtyre viteve nuk e ka përjetuar vetëm një masakër, po i ka përjetuar tri dhe këtu janë mbi 80 persona, të cilët kanë persona civilë të paarmatosur, të pafajshëm të Kosovës, të cilët janë vrarë mizorisht prej forcave policore e ushtarake të shtetit të Serbisë. Asgjë nuk është bërë nga ana e drejtësisë që familjarët të zhdëmtohen me anë të dënimit të këtyre kriminelëve serbë për të gjithë ata që e kanë humbur jetën e që janë më të dashurit e tyre. Këtu mos të harrojmë që ka pasur edhe foshnje të cilët janë vrarë 18-muajsh, e bile edhe gra shtatzëna që janë masakruar prej forcave policore ushtarake të Serbisë. Kjo tregon për mizorinë e gjenocidit që ka ndodhur mbi popullin shqiptar të Kosovës nga ana e Serbisë”, tha ai.
Konjufca u shpreh se plagët e familjarëve janë ende të hapura ku edhe pas 22 vjetësh vazhdon të mos dihet fati edhe i shumë personave të pagjetur. Ai tha se si institucione të Kosovës nuk duhet të ndalen derisa drejtësia të ndodhë për këtë masakër.
“Plagët janë ende të hapura do të thosha unë, për shkak se këtu ka ende edhe të pagjetur, ka plagë të hapura sepse Serbia ende i mbanë ata, nuk tregon se ku i ka fshehur. Ky është një krim i shumëfishtë nga ana e Serbisë, pra përveç që na ka masakruar popullin tonë, ka masakruar rreth 14 mijë civil të pafajshëm duke mos i kursyer fëmijët, gratë, i ka rrëmbyer trupat e tyre, disa prej tyre edhe i ka djegur, i ka fshehur nëpër lokacione të ndryshme e të cilët ne po i gjejmë edhe tash në këto ditë të fundit. E jona është të mos ndalemi kurrë si institucione të Kosovës që të kërkojmë drejtësi që gjenocidi serb të dënohet, që kriminelët e Serbisë të mos enden të lirë, siç janë duke u endur nëpër shumë qytete të Serbisë, po që më në fund dora e drejtësisë të ndëshkojë gjithkënd që ka qenë i përfshirë në këto krime”, tha ai.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci tha se është e nevojshme që drejtësia të vihet në vend.
“Kemi thuajse për çdo ditë kujtime anë e mbanë vendit, kjo e tregon për krimet që janë bërë ndaj popullit tonë dhe duhet të na shërbejë çdo ditë që të sigurohemi që drejtësia të vihet në vend. E dimë që nuk është proces i lehtë, por duhet të punojmë më shumë derisa të vihet drejtësia. Familjarët do të jenë këtu dhe të gjithë këta që janë vrarë do të përkujtohen për sa të ekzistojmë. Por, që kur vihet drejtësia në vend së paku të jetë një lehtësim për këto familje që edhe kur të vijnë në këto vende dhe t’i kujtojnë më të dashurit e tyre ta dinë që nuk kanë shkuar për asgjë, që gjaku i tyre ka qenë për liri, por edhe drejtësia është vu në vend”, tha ajo.
Sot homazhe në Lybeniq të Pejës kanë bërë edhe përfaqësues të partive politike dhe qytetarë të shumtë.
You may like
Lajmet
Përfundon afati, PZAP pranon 7 ankesa për rezultatet përfundimtare të 28 dhjetorit
Published
1 hour agoon
February 2, 2026
Në ora 11:00 ka përfunduar afati për ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Nga ky institucion kanë thënë për Gazetën Express se kanë pranuar 7 ankesa në lidhje me shpalljen e rezultateve përfundimtare nga KQZ.PZAP shton se për këto ankesa ka 96 orë kohë të vendosë.
“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar shtatë (7) ankesa lidhur me publikimin e rezultatit përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Për të gjitha ankesat e pranuara, PZAP do të vendosë brenda afatit ligjor prej nëntëdhjetë e gjashtë (96) orësh nga data e parashtrimit të secilës ankesë.”
Nga: Ekonomia Online
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka mohuar raportimet për lidhjen e saj me dosjen “Epstein”, duke thënë se ajo nuk ka pasur asnjëherë njohje apo takim të çfarëdo lloj kontaktit me Jeffery Epstein.
Ajo thotë se në email për të cilën raportohet kur përmendet presidentit i Kosovës, nuk është e qartë se cili dhe nuk përmendet kërkesa për takim në emër të tij apo të saj.
Reagimi i plotë:
Raportimet mediatike për “lidhjen time” me dosjen “Epstein” janë tërësisht të pabaza dhe të pavërteta. Si Presidente e Republikës së Kosovës nuk kam pasur asnjëherë njohje, takim apo çfarëdo lloj kontakti me personin në fjalë.
Përmendja e emrit tim nga mediat me rastin e dokumenteve të publikuara së fundmi lidhet vetëm me një korrespondencë elektronike të palëve të treta, e cila nuk përbën dhe nuk dëshmon asnjë takim, njohje apo lidhje personale me mua. Emri im askund nuk përmendet në asnjë lloj dokumenti të publikuar.
Në këtë email te palëve të treta përmendet Presidenti i Kosovës, por nuk është e qartë cili, dhe nuk përmendet kërkesa për takim në emër të tij apo të saj.
Çdo raportim ndryshe është insinuate dhe mashtrim i opinionit, siç mund të vërehet lehtë nga dokumentet. Kërkoj që ky sqarim të jepet në mediat të cilat e kanë lakuar emrin tim, sidomos meqenëse as nuk e kam njohur, as takuar dhe as nuk kam kërkuar takim me personin në fjalë në asnjë pozitë që kam mbajtur deri më tani.
Nga: Ekonomia Online
Lajmet
Muhamet Alidemaj dënohet me 13 vjet burgim për masakrën e Izbicës
Published
1 hour agoon
February 2, 2026
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor Muhamet Alidemajn për krime lufte kundër popullsisë civile dhe e ka dënuar me 13 vjet burg, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor më 2 shkurt 2026, raporton KosovaPress.
Vendimi është shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, i cili ka bërë të ditur se i akuzuari është dënuar për veprën penale të krimeve të luftës kundër civilëve, ndërsa është obliguar për shpenzimet e procedurës gjyqësore në shumën prej 200 euro dhe 100 euro të tjera për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.
Sipas aktakuzës, Muhamet Alidemaj kishte marrë pjesë bashkë me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe në vrasjen e civilëve shqiptarë në masakrën e Izbicës që kishte ndodhur në mars 1999, e ku ishin vrarë e masakruar 130 shqiptarë./Kosovapress/
Lajmet
UBT nikoqir i punëtorisë ndërkombëtare për sigurinë kibernetike në kuadër të projektit SHIELD
Published
2 hours agoon
February 2, 2026By
ubtnews
UBT ishte nikoqir i punëtorisë ndërkombëtare për zhvillimin e kurrikulës në fushën e sigurisë kibernetike, e cila u mbajt më 27 dhe 28 janar. Kjo punëtori u organizua në kuadër të projektit SHIELD – United for Cyber Safety: Up-Skilling High School Communities for Protecting Students, i mbështetur nga Erasmus+.

Projekti u koordinua nga Ss. Cyril and Methodius University në Shkup, ndërsa partnerë janë University “St. Kliment Ohridski”, në Sofia, UBT, si dhe Ekonomikas un Kultūras Augstskola, në Letoni. Qëllimi kryesor i projektit është fuqizimi i komuniteteve shkollore të arsimit të mesëm përmes zhvillimit të aftësive dhe njohurive në fushën e sigurisë kibernetike, me fokus në mbrojtjen e nxënësve dhe përdorimin e sigurt të teknologjisë.
Në hapjen e punëtorisë mori pjesë edhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i cili theksoi se UBT ka investuar vazhdimisht në zhvillimin e kapaciteteve akademike dhe ka krijuar departamente të veçanta për fushën e sigurisë kibernetike dhe teknologjive të avancuara, duke e konsideruar këtë fushë si jetike për të ardhmen e arsimit dhe shoqërisë digjitale.
Agjenda e punëtorisë përfshiu sesione të dedikuara për analizën e nevojave arsimore, përcaktimin e fushës së trajnimeve në siguri kibernetike, strukturimin e kurrikulës dhe rezultateve të të nxënit, si dhe qasjen gjithëpërfshirëse dhe të aksesueshme në dizajnimin e trajnimeve. Po ashtu, diskutimet u fokusuan edhe në format e ofrimit të trajnimeve, materialet mësimore, mjetet digjitale, si dhe planifikimin e testimit pilot dhe zbatimit të kurrikulës.
Kjo punëtori paraqet një hap të rëndësishëm drejt ndërlidhjes së arsimit profesional me sfidat aktuale të sigurisë digjitale, duke forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe rolin e UBT-së si një institucion lider në zhvillimin e programeve inovative dhe të orientuara drejt nevojave reale të shoqërisë.
Përfundon afati, PZAP pranon 7 ankesa për rezultatet përfundimtare të 28 dhjetorit
Jahjaga mohon të ketë lidhje me dosjen “Epstein”
Muhamet Alidemaj dënohet me 13 vjet burgim për masakrën e Izbicës
UBT nikoqir i punëtorisë ndërkombëtare për sigurinë kibernetike në kuadër të projektit SHIELD
BBC: James një përzgjedhje surprizë për ndeshjen All-Star të NBA-së
DW: Gjermani: Për çfarë po i shpenzon Bundeswehri mliardat?
DW: A është Trumpi më popullor nga sa sugjerojnë sondazhet?
Dallaveret me vota, Prokuroria nis hetimet edhe në Podujevë
19 vjet nga propozimi i Planit të Ahtisaarit
Të kërkuara
-
Lajmet3 months agoU mbajt Mbledhje Komemorative në nder të Prof. Dr. Faton Kabashit në UBT Prizren
-
Rajoni3 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor mbi cilësinë e ujërave nëntokësore në Komunën e Suharekës
-
Rajoni2 months agoMe shumicë votash, Vesa Shatri zgjidhet Kryetare e re e Këshillit Studentor të UBT-së
-
Rajoni3 months agoNjë kontribut shkencor për ruajtjen e trashëgimisë inxhinierike në Kosovë – Publikohet artikulli i profesorëve të UBT-së, Naser Morina dhe Hazir Çadraku
