Lajmet

​Kërkohet dorëheqja e kryeministrit malazez dhe Abazoviqit

Published

on

Pasi thirrjes së priftërinjve “kur ushtria kthehet në Kosovë” në Kishën Ortodokse Serbe në Mal të Zi kanë reaguar 107 intelektualë malazezë. Intelektualët malazezë i kanë dërguar letër të hapur kryeministrit të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviq dhe diplomatëve të BE dhe NATO.

Në letër thuhet se qeveria malazeze është shërbëtore e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Pas gjithë situatës së krijuar të dielën në Cetinje, ata po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Kivokapiq dhe zëvendëskryeministrit Abazoviq.

“Qeveria malazeze është shërbëtore e Aleksandër Vuçiqit dhe Kishës Serbe, urdhëratë e të cilëve i zbatoni pa diskutim. Sikur ndonjëri nga demonstruesit të rezistonte në mënyrë më aktive, është e qartë se forcat e juaja të rregullta dhe ato kriminale ishin të gatshme edhe për likuidime! Kësi lloj reprezalje nuk ka pasur në Mal Zi as viteve të errëta 90-ta në kohën e pushtetit të Millosheviqit. Kryeministri Krivokapiq dhe zëvendëskryeministër Abazoviq, ju ftojmë të jepni dorëheqje të parevokueshme dhe pranoni përgjegjësinë për krimet e kryera. Ashtu do të ndaloni eskalimin e mëtutjeshëm të konfliktit që e keni shkaktuar sipas urdhrit të huaj”, thuhet mes tjerash në letrën e intelektualëve.

Ndërsa diplomatëve dhe shteteve të BE-së dhe NATO-së në Mal të Zi iu është thënë që të mos i mbyllin sytë dhe të mos heshtin ndaj presionit të cilin po e ushtron pushteti ndaj qytetarëve të tij.

“I ftojmë diplomatët e shteteve të BE dhe NATO në Malin e Zi, që mos të mbyllin sytë dhe me deklarata pa përmbajtje, të heshtin ndaj represionit të cilin po e ushtron pushteti ndaj qytetarëve të tij. Pushteti shovinist dhe nacional homogjen, dëshiron që nga Mali i Zi i qytetarëve, të krijoj një krahinë shoviniste dhe nacional homogjene të Botës serbe në të cilën nuk do të ketë vend për jo-serb. Ne këtë nuk do e pranojmë dhe nuk guxojmë ta pranojmë! Skenari i njëjtë, nën petkun e projektit të Serbisë së madhe, e ka shkatërruar Jugosllavinë dhe u përcoll me gjenocid, spastrim etnik dhe krime më të rënda të luftës pas Luftës së Dytë Botërore. Vazhdimi i realizimit të projektit të Botës serbe do sjell gjakderdhje dhe luftë, i cili nuk do të ndalet në kufijtë e Malit të Zi. Prandaj, ftojmë qeveritë dhe diplomatët e shteteve anëtare të BE dhe NATO, sikurse edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, që në mënyrë të vendosur t’i kundërvihen ringjalljes së projektit fashist të Botës serbe. Bëjeni këtë sa nuk është bërë vonë, që nesër të mos jeni të detyruar të angazhoheni edhe më shumë në eliminimin e pasojave që vazhdimi i realizimit të Botës serbe bartë mbi paqen në regjion”, thuhet në letrën e hapur.

Më poshtë sjellim letrën e plotë:

Letër e hapur që 107 intelektualë malazez, në mesin e tyre akademikë, shkrimtarë, piktorë, disanjerë, filologë, profesorë, juristë, filozofë, gazetarë …, ia dërguan Kryeministrit të Malit të Zi Krivokapiq, zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviq dhe diplomatëve të BE dhe NATO:

Kryeministrit Krivokapiq dhe zëvendëskryeministrit Abazoviq

Me pezëm dhe mosbesim të thellë, në Cetinje kemi shikuar skena të papara të policëve të armatosur gjer në dhëmb, të cilët me urdhrin tuaj kanë shkrep shok bomba, plumbat e gomës dhe gaz lotsjellës, mbi qytetarë të cilët kanë ardhur për ta shprehur mospajtimin e tyre ndaj politikës së juaj tradhtare. Kemi shikuar xhirime dhe fotografi të qytetarëve të rrahur. Policia juaj ka gjuajtur gaz lotsjellës nëpër shtëpi dhe kopshte të cetinjasve. Gëzimin gjithëpopullor, të cilin Ju, kryeministër Krivokapiq, keni paralajmëruar në ditën e shugurimit të shërbëtorit të Vuçiqit në fronin e Shen Pietrit, është festuar me lot të qytetarëve të grumbulluar në Cetinje.

Po thonë se ju jeni prijës të një qeverie apostolike gjersa aktroni krishterët dhe demokratët. Ju jeni vetëm apostol i shefit të juaj Aleksandër Vuçiq dhe i Kishës së tij serbomadhe e cila kompetencat e veta i ushtron mbi hapësirën e imagjinuar sikur Serbi e Madhe. Ju, sipas urdhrit të tij, keni dërguar policinë që me reprezalje dhe tortura të ngulfat protestën e qytetarëve. Ju, në stilin e një sekte të dhunshme ekstremiste keni mundësuar përcjelljen e patriarkut serb Porfirie në shugurimin e mohuesit malazez Joanikije në manastirin e Cetinjës – nën mbrojtje të armëve të gjata të policisë, kriminelëve dhe terroristëve hyrjen e të cilëve në manastir kanë mundësuar shërbimet e juaja të sigurisë! A është krishtere të ngulfatën dhe rrahën qytetarët? A është demokratike që qytetarët e qetë të gjuhen me plumba të gomës? A ka vlejtur shugurimi i përfaqësuesit të politikës serbomadhe, për lotët dhe plagët e shkaktuara nga qytetarët të cilët i përfaqësoni?

Qeveria malazeze është shërbëtore e Aleksandër Vuçiqit dhe Kishës Serbe, urdhëratë e të cilëve i zbatoni pa diskutim. Sikur ndonjëri nga demonstruesit të rezistonte në mënyrë më aktive, është e qartë se forcat e juaja të rregullta dhe ato kriminale ishin të gatshme edhe për likuidime! Kësi lloj reprezalje nuk ka pasur në Mal Zi as viteve të errëta 90-ta në kohën e pushtetit të Millosheviqit.

Kryeministri Krivokapiq dhe zëvendëskryeministër Abazaviq, ju ftojmë të jepni dorëheqje të parevokueshme dhe pranoni përgjegjësinë për krimet e kryera. Ashtu do të ndaloni eskalimin e mëtutjeshëm të konfliktit që e keni shkaktuar sipas urdhrit të huaj.

I ftojmë diplomatët e shteteve të BE dhe NATO në Malin e Zi, që mos të mbyllin sytë dhe me deklarata pa përmbajtje, të heshtin ndaj represionit të cilin po e ushtron pushteti ndaj qytetarëve të tij. Pushteti shovinist dhe nacional homogjen, dëshiron që nga Mali i Zi i qytetarëve, të krijoj një krahinë shoviniste dhe nacional homogjene të Botës serbe në të cilën nuk do të ketë vend për jo-serb. Ne këtë nuk do e pranojmë dhe nuk guxojmë ta pranojmë! Skenari i njëjtë, nën petkun e projektit të Serbisë së madhe, e ka shkatërruar Jugosllavinë dhe u përcoll me gjenocid, spastrim etnik dhe krime më të rënda të luftës pas Luftës së Dytë Botërore. Vazhdimi i realizimit të projektit të Botës serbe do sjell gjakderdhje dhe luftë, i cili nuk do të ndalet në kufijtë e Malit të Zi. Prandaj, ftojmë qeveritë dhe diplomatët e shteteve anëtare të BE dhe NATO, sikurse edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, që në mënyrë të vendosur t’i kundërvihen ringjalljes së projektit fashist të Botës serbe. Bëjeni këtë sa nuk është bërë vonë, që nesër të mos jeni të detyruar të angazhoheni edhe më shumë në eliminimin e pasojave që vazhdimi i realizimit të Botës serbe bartë mbi paqen në regjion.

Ftojmë partitë opozitare që të pranojnë përgjegjësinë për gabimet e bëra sa ishin në pushtet, që me porosi të qarta dhe jo dykuptimshme të rreshtohen pranë qytetarëve, që në Kuvend të iniciojnë mosbesimin ndaj Qeverisë klero-nacionaliste dhe, që diplomatëve të huaj pa zbukurime t’i paraqesin thellësinë e humnerës në të cilën po shtyjnë Malin e Zi përfaqësuesit e Shtetit serb dhe Kishës serbe.

Continue Reading

Lajmet

KQZ pezullon AKR-në e Behgjet Pacollit

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për pezullimin e partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), pasi subjekti dështoi të organizojë zgjedhjet e brendshme deri në afatin e paraparë (25 shkurt 2026). Edhe pse partia ishte njoftuar paraprakisht, ajo nuk e ka përmbushur këtë obligim ligjor.

KQZ i ka dhënë AKR-së një afat shtesë prej 45 ditësh për ta mbajtur Kuvendin Zgjedhor. Nëse ky kusht nuk plotësohet as brenda kësaj periudhe, partia do të çregjistrohet përfundimisht nga regjistri zyrtar.

AKR, e cila ishte pjesë e Kuvendit që nga viti 2007, aktualisht udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës, Vesel Makolli, pas dorëheqjes së Behgjet Pacollit në tetor 2025. Në zgjedhjet e fundit, kjo parti mbeti jashtë Kuvendit pasi nuk arriti ta kalojë pragun zgjedhor.

Continue Reading

Lajmet

IKSHPK: Ndotja e ajrit shkakton mbi 1,150 vdekje në vit në Kosovë

Published

on

By

Raporti i fundit i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) për vitin 2025 ka alarmuar se ndotja e ajrit mbetet një rrezik madhor, duke shkaktuar rreth 12.1% të vdekshmërisë totale në vend.

“Rezultatet tregojnë se 1 150 raste të vdekjeve në vit (121/100 000 banorë) i atribuohen nivelit aktual të PM2.5 në Kosovë i cili paraqet 12.1% të vdekshmërisë totale, nga të gjitha shkaqet (natyrore)”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave, gjendja më kritike është regjistruar në Prishtinë (veçanërisht në Kodrën e Trimave), Obiliq, Gjilan, Fushë Kosovë (Palaj) dhe Mitrovicë, ku nivelet e grimcave helmuese PM2.5 gjatë dimrit kanë arritur deri në 272 µg/m3, shifër kjo shumë herë mbi limitet e lejuara.

Shkaktarët kryesorë mbeten djegia e thëngjillit për ngrohje, termocentralet dhe makinat e vjetra, të cilat po rëndojnë shëndetin e grupeve më të ndjeshme si të moshuarit, gratë shtatzëna dhe fëmijët.

IKSHPK thekson se kjo ndotje lidhet drejtpërdrejt me rritjen e rasteve të sulmeve në zemër, goditjeve në tru dhe problemeve të rënda respiratore, duke kërkuar masa urgjente për zgjerimin e ngrohjes qendrore dhe reduktimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile.

Continue Reading

Lajmet

Mesazhi i Ramës për Beogradin: Nëse preket Kosova, preket Shqipëria

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka dërguar mesazhe të qarta presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duke i cilësuar si të pabaza pretendimet e tij për një aleancë ushtarake Shqipëri–Kosovë–Kroaci. Rama i karakterizoi deklaratat e Vuçiqit si një frikë që buron nga paaftësia e Serbisë për të pranuar realitetin.

Në një intervistë për “Turkiye Today”, Rama u shpreh se Kosova mbetet “makthi” i Vuçiqit. Ai hodhi poshtë edhe pretendimet e presidentit serb se Turqia ka ambicie “neo-osmane” në rajon, duke marrë si shembull vonesat në projektet e restaurimit nga agjencia turke TIKA në Shqipëri. Sipas Ramës, nëse Turqia do të kishte ambicie të tilla, projektet do të përfundonin shumë më shpejt.

“Çfarë neo-osmanizmi? Jam i sigurt që presidenti i Serbisë mund ta shohë se Turqia ka investuar më shumë në Serbi sesa në Shqipëri dhe Kosovë së bashku”, deklaroi Rama. Kjo ishte një përgjigje ndaj akuzave të Vuçiqit të tetorit të kaluar, i cili pretendonte se Turqia po “ëndërron Perandorinë Osmane” pas shitjes së dronëve Skydagger Kosovës, duke e portretizuar këtë si kërcënim për integritetin territorial të Serbisë.

Rama ironizoi qasjen e Vuçiqit, duke vlerësuar njohuritë e tij, por duke theksuar se emocionet ndaj Kosovës po ia humbin arsyen. “Presidenti Vuçiq është dikush me njohuri të mëdha dhe intuitë të shkëlqyer, por ai ka makthin e tij: Kosovën. Kaq është. Pikë. Kur makthi i pushton emocionet, ai arrin të thotë gjëra që sinqerisht nuk kanë kuptim”, deklaroi kryeministri shqiptar.

Megjithatë, Rama nënvizoi se pavarësisht mosmarrëveshjeve për Kosovën, Vuçiqi mbetet një lider me të cilin mund të bisedohet dhe të ndërtohet bashkëpunim mbi objektiva të përbashkëta rajonale.

Në fund, kryeministri rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Tiranës zyrtare: “Kosova është e pavarur; është republikë dhe ky proces është i pakthyeshëm. Nëse Kosova preket, preket edhe Shqipëria. Nëse Kosova gjendet nën një kërcënim ekzistencial, edhe Shqipëria është nën një kërcënim ekzistencial”, raporton Ekonomia online.

/Ekonomia online/

 

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet në Prishtinë një shtetas kosovar i kërkuar nga INTERPOL-i

Published

on

By

Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmjen e datës 11 mars 2026, rreth orës 23:00, ka arrestuar shtetasin kosovar me inicialet M. Sh., i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar.

Operacioni u realizua nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në bashkëpunim me njësite të tjera relevante.

Sipas autoriteteve, personi në fjalë ishte shpallur në kërkim nga INTERPOL-i me kërkesë të autoriteteve të Maqedonisë, nën dyshimet për kryerjen e veprave penale “bashkim kriminal”, “evazion fiskal” dhe “mashtrim”.

Me vendim të prokurorit kujdestar, i arrestuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, për të vazhduar me procedurat e mëtejshme ligjore.

Continue Reading

Të kërkuara