Lajmet

​Kandiq nuk “mirëpritet” nga shoqatat e të pagjeturve në Kosovë

Përfaqësues të shoqatave nuk deshën të dëgjojnë fjalimin e saj.

Published

on

Përfaqësues të shoqatave të të pagjeturve nuk kanë dashur të dëgjojnë fjalimin e aktivistes serbe Natasha Kandiq. Ata janë larguar nga tryeza e diskutimit gjatë kohës sa ajo po fliste në diskutimin me temën “Afër dy dekada e gjysmë pas luftës, cili është fati i personave të pagjetur?”, të organizuar nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut. Përfaqësues e familjarë të personave të zhdukur kanë kritikuar edhe institucionet vendore se nuk kanë bërë mjaftueshëm për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Kandiq ka propozuar që të formohet një komision ekspertësh që merret me komisionin e Kosovës dhe atë serb.

Aktivistja dhe humanistja për të Drejtat e Njeriut, Natasha Kandiq deklaroi se komisionet e të dyja vendeve do të duhej të bënin më shumë për evidentimin e numrit të viktimave dhe të shënimit të tyre. Sipas saj, Fondi për të Drejtën Humanitare ka të dhëna të ndryshme për numrin e të pagjeturve.

“Të dhënat tregojnë që ende numri më i madh i atyre që janë të zhdukur janë nga viti 1998. Kjo shifër tregon që kemi ende kur flasim për vitin 1998 deri më 20 qershor 1999, kemi 1080 të zhdukur shqiptarë. Ky është rezultati që kanë qenë të zënë, pastaj nuk e dimë se çfarë ka ndodhur me fatin e tyre, pastaj kemi ata që janë të vrarë, por nuk kemi mbetje të tyre dhe kanë humbur çdo gjurmë. Përveç kësaj, ajo çfarë ka ndodhur pas 20 qershorit të vitit 1999 deri në fund të vitit 2000, kemi që kanë humbur, janë zhdukur 327 serbë, romë, boshnjakë, goranë dhe që janë zhdukur 38 shqiptarë. Krejt këto të dhëna tregojnë se sa në fakt prej viti 1998, se sa ky vit ka qenë i tmerrshëm, me shumë pak rezultate. Por, në anën tjetër e dhëna nga këto varreza masive për mbi 950 mbetje post mortore janë gjetur dhe janë të kthyera në Kosovë, dhe kjo tregon çfarë ka ndodhur edhe në vitin ’98 edhe në vitin ‘99”, ka deklaruar ajo.

Natasha Kandiq nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi tha se është e rëndësishme që të ketë komision të ekspertëve me qëllim të zbardhjes së personave të zhdukur. Mes tjerash, theksoi se gjykatat deri më tani nuk janë marrë me personat e zhdukur.

“Gjykatat deri më tani nuk janë marrë me personat e zhdukur. Dhe ky është një problem shumë i madh, sepse sipas njohurive të mia unë e di vetëm një rast dhe nuk ka të bëjë me Kosovën, kur personi i cili ka qenë i gjykuar ka treguar për lokacionin e një varreze masive. Përndryshe, gjatë gjykimit as që ka qenë e ditur, as që është marrë parasysh, as me ligjet në fuqi dhe as është insistuar nga ana e prokurorisë apo të gjykatave që të zbulohen të dhënat për lokacionet e të njëjtave. Ose ata që kanë qenë të gjykuar që të japin të dhëna për varreza masive”, ka shtuar Kandiq.

Ajo ka folur edhe për Dhomat e Specializuara në Hagë, ku theksoi se për herë të parë do të hetohen edhe rastet e të pagjeturve.

“Ajo se çfarë për herë të parë ka ndodhur edhe të gjithë ata të cilët kanë të bëjnë me Dhomat e Specializuara të Kosovës, shumica prej tyre, shumica prej gjykimeve ka të bëjnë me fatin e personave të zhdukur. Ndoshta, shumicën nuk do i pëlqej, por unë si hulumtuese dhe në mënyrë absolute nuk ka ndonjë afërsi me përkatësinë e dikujt etnike, por e shoh çështjen e pyetjes së personave të zhdukur për rëndësinë apo peshën që i takon dhe që të arrihet një shkallë e drejtësisë për këto viktima, duhet të dini që me këto gjykime ndaj këtyre trupave të Dhomave të Specializuara të Kosovës, të qartësohet edhe fati i 70-80 apo edhe më shumë shqiptarëve dhe romëve, numër më të vogël janë edhe serbët që janë persona të zhdukur”, ka vijuar Kandiq në këtë tryezë.

Pas përfundimit të fjalës së saj, përfaqësues të shoqatave u kthyen në tryezë, por me kritika të ashpra.

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje ka reaguar pas lëshimit të sallës nga ana e përfaqësuesve të shoqatave.

“A mendoni se ka ardhur koha që të qiten krejt në tavolinë? A mendoni se ne duhet me u ul edhe me bisedu me secilin person në Serbi, sepse nëse ne nuk e bëjmë këtë, veç mbesim në një vend. Unë mendoj se është gabim, unë mendoj se duhet me u ul. Unë mendoj se duhet të shkojmë në Beograd, jo të ikim prej tyre. Sepse ne jemi viktima”, ka deklaruar Balje.

Kumrije Prenku nga shoqata e të pagjeturve në Drenas u shpreh e pakënaqur me pjesëmarrjen e Kandiq në këtë tryezë.

“Nuk mundet me ardh dikush të më mbaj mua ligjërata, kur vet e kam parë se si i është heq koka njeriut para syve të njerëzve të mi. Fëmija jem është i thertë. Si e kishe ndjerë ti vetën me i dhanë përparësinë dikujt që e ke armik para vetës. Unë kurrë në jetë nuk e krahasoj një anëtar serb me anëtarin e familjes tem. Sepse unë kam qenë në shtëpinë time, unë kam qenë në trojet e mia. Nuk kam shkuar me vra, djeg, për të masakruar e dhunuar në Serbi”, u shpreh ajo.

Për të gjitha këto, Kandiq deklaroi se nuk po ndjehet e ofenduar.

“Ju sot nuk më ofenduat, unë, kam bërë atë që ndërgjegjja ime mua më ka urdhëruar të bëj si dikush që merret me drejtat e njeriut, por sot keni ofenduar institucion Parlamentin, dhe falënderoj zonjën Haziri që tha diçka që është plotësisht në vend dhe ka disa informacione por që nuk po punohet këtë, po e përsëris propozimin tim, dhe kjo është e është e rëndësishme të bëhet një komision ekspertësh që do të punojë me të dyja Komisionin e Kosovës dhe atë serb, në mënyrë që të gjitha informacionet renditen, dhe të kemi një pasqyrë të saktë për atë se çka është duke ndodhur me secilën viktimë”, ka përfunduar ajo.

Në diskutimin që zgjati më shumë se dy orë, kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti tha se këto krime janë bërë me urdhra shtetëror. Ai tha se janë bërë mbi 2 mijë e 700 gërmime në Kosovë, ndërkaq gjatë vitit të kaluar janë identifikuar mbetjet e 24 personave të zhdukur.

“Kemi kërkuar nga institucionet ndërkombëtare që ta rrisin presionin ndaj Serbisë dhe në veçanti duke detyruar të hap arkivat e saj shtetërore të luftës së fundit në Kosovë. Të gjitha ato që konsiderohen si sekrete dhe jo sekrete, sepse ne konsiderojmë në këto arkiva mund të hasim në informacione të besueshme që mund të na çojnë edhe në zbardhjen e fatit të të zhdukurve”, u shpreh ai.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci u shpreh se është në proces Ligji për personat e zhdukur.

“Si Kuvend, por sidomos edhe si komision për të pagjeturit duhet të luajmë një rol më aktiv në këtë çështje. Jo vetëm për të monitoruar Qeverinë apo mekanizmat tjerë rreth mënyrës se si është duke u proceduar për çështjen e personave të zhdukur, por çfarë mund të bëjmë specifikisht si Kuvend në këtë drejtim. E di që ende jemi në proces ku duhet trajtuar Ligji për Personat e Zhdukur, por mendoj që duhet edhe të shkojmë përtej. Për shkak që kemi mundësi si deputetë edhe si komision ta trajtojmë përtej”
, ka theksuar Bogujevci.

Ndërkaq, udhëheqësi i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Bajram Çerkini nuk doli nga salla me përfaqësuesit tjerë të shoqatës, por kërkoi nga institucionet e Kosovës që të marrin më seriozisht çështjen e të pagjeturve.

“Është vështirë të flasësh paushall, është vështirë me fol këtu pa dokumente. Është vështirë këtu me u paraqit patriot. Nuk kemi ardhur këtu me vajtu, kemi ardhur për një qëllim. Ku me gjet atë mekanizëm, që dy-tri herë përmendi Natasha, për largimin e politikës e të futurit në probleme kryesore që ne i kërkojmë… Avokati i Popullit na ka shumë borxh neve familjarëve, jo vetëm ky por edhe ata tjerët. Sepse nuk bëri padi penale që po na shkelën të drejtat çdo ditë. Pse nuk bëri padi penale. Keni bërë padi për pagat, keni bërë padi për se di çka, e për këta të ngratit nuk keni bërë padi”, ka deklaruar ai.

Përfaqësues të shoqatave të të pagjeturve kanë kritikuar edhe mungesën e krerëve të Kosovës, pasi që parashihej të jenë pjesë e tryezës edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Për këtë, Saranda Bogujevci tha se krerët e shtetit nuk ishin të njoftuar me kohë.

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 13 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998. 

13 nëntor 1992

“The Wall Street Journal” për rrezikun e luftës në Kosovë

Gazeta autoritative amerikane “The Wall Street Journal” në një kryeartikull të saj të botuar dje thekson se “diplomatë të shumtë ndërkombëtarë dhe organizata humanitare kanë paraparë se nëse lufta arrin në Kosovë do t’ia kalojë të gjitha tmerreve të mëparshme ballkanike”. Gazeta pohon se agresorët serbë janë duke zhvilluar një fushatë të spastrimit etnik ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës gjatë dy vjetëve të fundit. “Kjo është një spastrim etnik i heshtur”, i tha kësja gazete kryetari i Republikës së Kosovës, dr.Ibrahim Rugova duke bërë fjalë për nja 200 mijë shqiptarë që kanë qenë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Republikën e Kosovës për shkak të kërcënimeve serbe.

 

13 nëntor 1993

Policia plaçkit dyqanet e shqiptarëve në Han të Elezit

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Han të Elezit, njofton se policia financiare mbylli të vetmen furrë private në Han të Elezit, pronë e Ramadan Ymerit. Policia konfiskoi nga depoja e furrës 29 ton miell.

Të njëjtën ditë, policia financiare në dyqanin e Bedri Dacit konfiskoi ushqim për kafshë në një vlerë prej afro 12.000 markash gjermane.

 

13 nëntor 1995

Polici serb rrahu tri herë të miturin në Mitrovicë

Më 7 nëntor, rreth orës 10, në stacionin e autobusëve në Mitrovicë, një polic serb rrahu të miturin Daim H. Çubrelin (14) dhe ia plaçkiti atij 7 pako cigare, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Po ky polic, më 11 nëntor, rreth orës 18, po ashtu në stacionin e autobusëve në Mitrovicë, keqtrajtoi sërish Daimin, me pretekst se nuk deshi t’ia japë një pako cigare pa para.

Më 12 nëntor, rreth orës 12, në stacionin e autobusëve në Mitrovicë polici serb, i cili kishte rrahur dy herë Daim Çubrelin e rrahu sërish dhe ia plaçkiti 70 pako cigare.

 

13 nëntor 1996

Në Universitetet e Shqipërisë edhe maturantë shqiptarë nga Mali i Zi

Edhe maturantët shqiptarë të këtij viti nga Mali i Zi do të vazhdojnë studimet e tyre në universitetet e Shqipërisë pasi po tejkalohen disa vështirësi procedurale.

Fjala është për 24 kandidatë që përcaktoi komisioni përkatës i LD në MZ. Mirëpo, në ndërkohë Ministria e Arsimit e Shqipërisë miratoi vendimin për t’iu nënshtruar provimeve klasifikuese edhe studentët shqiptarë nga viset e ish-Jugosllavisë. Sipas komisionit të përmendur, kandidatët shqiptarë nga Mali i Zi nuk u paraqitën në këto provime për shkaqe parimore dhe kohore. Por, me kontaktet midis përfaqësuesve të LD në MZ dhe atyre të Qeverisë Shqiptare kjo çështje po merr zgjidhje pozitive. Kështu, kryetari i LD në MZ, Mehmet Bardhi në takimin e tij të paradokohshëm me kryeministrin e Shqipërisë, Aleksandër Meksin, mori garancinë se studentët shqitparë nga Mali i Zi do të pranohen edhe këtë vit në universitetet e Shqipërisë. Kryetari Bardhi për çështjen e studentëve zhvilloi bisedime edhe me dr.Gjergj File, drejtor i Arsimit të Lartë. Në të mirë të realizimit pozitiv të kësaj çështjeje flet edhe vendimi më i ri i Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, sipas të cilit “nga kuotat e përcaktuara për vitin mësimor 1996/97 mund të përfitojnë kandidatët shqiptarë me banim jashtë kufijve”.

 

13 nëntor 1997

Serbët e pranojnë disfatën me Kroacinë

Gazeta britanike “Indipendent” vendosjen e lidhjeve hekurudhore mes Serbisë e Kroacisë e vlerëson se serbët pranuan disfatën. Sipas kësaj gazete serbët tash sikur pranojnë se kufiri me Kroacinë është i përhershëm dhe i pandryshueshëm.

13 nëntor 1998

Uiliem Uoker: Ka shqetësime serioze për sigurinë në Kosovë

Në një intervistë dhënë sot radio BBC-së shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, Uiliem Uoker duke u përgjigjur në pyetjen se për çfarë është biseduar në takimin e tij në Prishtinë me ndërmjetësin amerikan në Kosovë, Kristofer Hill, u përgjigj:

– Në thelb ambasadori Hill ishte për vizitë për disa arsye, jo më pak për t’u takuar edhe me mua, dhe për të na njoftuar se cili është statusi aktual i procesit të tij të negociatave shqiptaro-serbe. Është e qartë se kjo ka të bëjë me atë që ne po fillojmë të bëjmë këtu si p.sh. kur mund të filllojmë periudhën nëntëmujore sa i përket mbikëqyrjes së zgjedhjeve në Kosovë. Kjo vjen pas zgjidhjes politike, prandaj ne u desht të dëgjonim nga ambasadori Hill se si po ecen procesi, tha z.Uoker.

I pyetur se çfarë përshtypje kishte ai për procesin e negociatave dhe nëse ishte më afër arritja e një marrëveshjeje politike për Kosovën, z.Uoker tha:

– Ambasadori Hill na njoftoi me të rejat më të fundit, por ju duhet ta dini se unë ndodhem në Kosovë vetëm këto 24 orët e fundit dhe kjo ishte hera e parë që bisedova me z.Hill. Pra një pjesë e madhe kishte të bënte me sfondin e ecurisë së procesit. Por, do të thosha se informimi që më dha ambasadori Hill më bëri optimist se është duke shënuar progres.

Duke u përgjigjur në pyetjen se cilat janë përshtypjet e tij për gjendjen në terren, z.Uoker u përgjigj:

– Është e qartë se ka arsye për shqetësim të konsiderueshëm ndonëse kemi shënuar progres javët e fundit, dhe siç thashë dje rruga ende është e gjatë për të bërë diçka për sa i përket respektimit të marrëveshjes dhe premtimeve të palëve të përfshira por ende ka shumë punë për t’u bërë. Ditëve të fundit çdo ditë kemi dëgjuar për incidente, prandaj edhe më tej kemi shqetësime serioze për sigurinë në Kosovë.

I pyetur lidhur me incidentet e fundti se kush është fajtor për vazhdimin e dhunës në Kosovë, ambasadori Uoker tha:

– Dy incidentet më të fundit për të cilat kam dëgjuar kanë të bëjnë me ato që këtu po quhen rrëmbime dhe duket sikur janë hakmarrje midis palëve. Njëra palë i filloi ato, ndërsa tjetra u hakmor, duke bërë pothuajse të njëjtën gjë. Nga informacionet që kam nuk jamë në gjendje tani të them se çfarë i kanë bërë palët njëra tjetrës. Por vetë fakti se këto incidente kanë ndodhur, përmbajnë shqetësim.

Në pyetjen tjetër se a do të jetë në gjendje Misioni Verifikues në Kosovë të ndikojë që incidentet e tilla të mos ndodhin në të ardhmen, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë tha:

– Mendoj se kryesuesi i radhës i OSBE-së, ministri i jashtëm polak, Bronislav Geremek, tashmë ka thënë publikisht se ai beson se vetëm njoftimi për krijimin e Misionit Verifikues ka zbutur deri diku tensionet e këtushme. Sigurisht jo të gjithë tensionin por deri diku edhe fakti se ne kemi filluar të mbërrijmë dhe të tregojmë praninë tonë, do të ndihmojnë në këtë situatë. Se a do të ndikojë që njerëzit të ndihen rehat të gjithë që të kthehen në shtëpitë e tyre apo t’i kthehen jetës normale, kjo ende duhet të shihet, – tha ambasadori Uiliem Uoker.

 

Continue Reading

Lajmet

AUV gjen ADN të pulës në suxhukun shtëpiak të prodhuesit BUQUKU, bllokohen 178 kilogramë produkte

Published

on

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka identifikuar praninë e ADN-së së pulës në produktin “Suxhuk shtëpiak” të prodhuesit BUQUKU SH.P.K. nga Peja, ndonëse në deklaracionin e produktit figurojnë vetëm mish dhe yndyrë lope.

Sipas AUV-së, mostra është marrë nga inspektorët dhe është analizuar në laboratorin ALIMENTI-OMNILAB në Bullgari. Rezultatet kanë konfirmuar praninë e ADN-së së gjedhit dhe të pulës, ndërsa ADN-ja e derrit nuk është detektuar.

Agjencia ka bërë të ditur se analiza konfirmon praninë e ADN-së së pulës, por nuk përcakton llojin, sasinë apo burimin e materialit të përdorur. Verifikimet e mëtejshme pritet të sqarojnë nëse është përdorur mish pule i ndarë mekanikisht apo përbërës të tjerë me origjinë nga pula.

Pas pranimit të rezultateve laboratorike, inspektorët kanë kryer kontroll zyrtar te operatori ekonomik, ku janë bllokuar gjithsej 178 kilogramë produkte: 120 kilogramë suxhuk “Kalorik” dhe 58 kilogramë suxhuk shtëpiak.

Njëkohësisht, AUV ka urdhëruar ndalimin e prodhimit të suxhukut dhe tërheqjen e produkteve nga pikat e shpërndarjes.

Agjencia ka paralajmëruar zgjerimin e kontrolleve për të verifikuar përbërjen e produkteve të tjera të mishit të këtij operatori, burimin dhe gjurmueshmërinë e lëndëve të para, procesin e prodhimit, kushtet e ruajtjes dhe përputhshmërinë me deklaracionet.

AUV ka sqaruar se gjetja laboratorike i referohet vetëm produktit “Suxhuk shtëpiak” të testuar dhe nuk nënkupton se e njëjta mospërputhje është konstatuar edhe në produktet e tjera të prodhuesit.

Sipas agjencisë, konsumatorët kanë të drejtë të informohen saktë për përbërjen e produkteve ushqimore, ndërsa deklarimi i saktë dhe respektimi i standardeve të sigurisë ushqimore janë detyrim ligjor i çdo operatori ekonomik.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

PDK propozon rezolutë për mungesën e barnave onkologjike, nuk votohet për mungesë kuorumi

Published

on

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sala Jashari, ka propozuar në Kuvendin e Kosovës një rezolutë që kërkon masa urgjente për sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm me barna esenciale për pacientët onkologjikë, raporton Ekonomia Online.

Përmes kësaj rezolute, kërkohet që Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) të ndërmarrin masa për të parandaluar ndërprerjen e terapive për shkak të mungesës së barnave.

Jashari ka kërkuar që Ministria e Shëndetësisë, brenda 15 ditëve nga miratimi i rezolutës, t’i dorëzojë Kuvendit një raport të detajuar për periudhën 1 janar – 22 tetor 2026. Raporti do të përfshinte listën e barnave onkologjike që kanë munguar, kohëzgjatjen e mungesave, numrin e pacientëve të prekur, shkaqet dhe statusin e procedurave të prokurimit.

Rezoluta parasheh gjithashtu krijimin e një mekanizmi të paralajmërimit të hershëm dhe përcaktimin e stokut minimal të sigurisë për barnat kritike onkologjike, në mënyrë që procedurat e furnizimit të nisin para se rezervat të arrijnë nivelin kritik.

Një tjetër kërkesë është që Ministria e Shëndetësisë, brenda 30 ditëve, të analizojë bazën ligjore dhe financiare për mundësinë e krijimit të një mekanizmi për rimbursimin e pacientëve që kanë blerë me shpenzimet e tyre barna nga lista esenciale, për shkak të mungesës së tyre në sistemin publik.

Në propozim kërkohet edhe evidentimi i përgjegjësive institucionale për dështimet ose vonesat në planifikimin, prokurimin dhe furnizimin me palbociklib, biomicinë dhe barna të tjera onkologjike që kanë munguar gjatë vitit 2026.

Po ashtu, SHSKUK-së i kërkohet të publikojë rregullisht të dhëna të përditësuara për gjendjen e stokut të barnave në Klinikën e Onkologjisë, përfshirë mungesat e pritshme dhe afatet e furnizimit.

Komisioni parlamentar përgjegjës për shëndetësinë do të duhej të monitoronte zbatimin e rezolutës dhe, brenda 60 ditëve, ta informonte Kuvendin për nivelin e zbatimit.

Megjithatë, rezoluta nuk u hodh në votim për shkak të mungesës së kuorumit. Si pasojë, kryetarja e Kuvendit vendosi që seanca të ndërpritet përkohësisht deri në orën 16:30./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dogana zbulon 150 mijë euro të padeklaruara në Vërmicë

Published

on

By

Zyrtarët e Sektorit të Antikontrabandës të Doganës së Kosovës kanë parandaluar një rast të mosdeklarimit të mjeteve monetare në Pikëkalimin Kufitar të Vërmicës, duke zbuluar 150,000 euro të fshehura në një veturë.

Rasti ka ndodhur mbrëmjen e 12 nëntorit, rreth orës 19:00, në hyrje të Republikës së Kosovës. Ndonëse drejtuesi i automjetit kishte deklaruar se nuk posedonte asgjë për të paraqitur te doganierët, gjatë kontrollit të detajuar të veturës u gjetën paratë e padeklaruara. Fillimisht, shoferi kishte thënë verbalisht se shuma ishte 120,000 euro, por pas numërimit zyrtar rezultoi se ishin 150,000 euro, të gjitha në kartëmonedha prej 50 eurosh.

Në përputhje me procedurat ligjore për mosdeklarimin e mjeteve monetare, Dogana e Kosovës ka ndërmarrë këto masa:

37,500 euro (25% e shumës) janë konfiskuar menjëherë për mosdeklarim.

112,500 euro (75% e shumës) janë ndalur për deponim dhe ruajtje deri në përfundimin e procedurave hetimore.

Në vendngjarje kanë dalë zyrtarët e Sektorit të Hetimeve të Doganës në koordinim me Prokurorinë kompetente në Prizren. Me udhëzim të prokurorit kujdestar, drejtuesi dhe automjeti janë liruar, ndërsa ai është obliguar të paraqesë dokumentacionin përkatës për të dëshmuar prejardhjen e parave.

Dogana e Kosovës u rikujton udhëtarëve se deklarimi i mjeteve monetare në vlerë prej 10,000 euro ose më shumë është detyrim ligjor gjatë hyrjes apo daljes nga vendi.

Continue Reading

Të kërkuara