Futbollisti i Përfaqësueses së Irlandës, Dara O’Shea, ka thënë se skuadra e tij është e fokusuar plotësisht te ndeshja ndaj Kosovës, ndërsa çështjen e përballjes me Izraelin do ta diskutojnë pas sfidës në Prishtinë.
O’Shea ka theksuar se Irlanda e pret një ndeshje e rëndësishme ndaj Kosovës dhe se lojtarët janë përpjekur të qëndrojnë të përqendruar, duke shmangur sa më shumë zhurmën jashtë fushës.
“Padyshim që ka pasur shumë zhurmë këtë javë. Gjëja e mirë që kemi si lojtarë është se jemi menjëherë në një flluskë. Jemi përpjekur të qëndrojmë larg rrjeteve sociale sa më shumë që të jetë e mundur dhe të qëndrojmë të bashkuar. Kemi një ndeshje të madhe nesër dhe ky ka qenë fokusi ynë. Kosova ka qenë një skuadër e shkëlqyer dhe jemi të përgatitur për këtë”, ka deklaruar O’Shea.
Sa i përket ndeshjes ndaj Izraelit, ai ka bërë të ditur se futbollistët irlandezë do ta diskutojnë atë si grup pas përfundimit të duelit me Kosovën.
“Ne folëm që në fillim të javës se do të mblidhemi të premten dhe do ta diskutojmë këtë si grup. Nesër kemi një ndeshje për të cilën duhet të përqendrohemi. Sapo të mbarojë ndeshja dhe të vijë e premtja, të gjithë do të mblidhemi si një i vetëm dhe do ta diskutojmë”, u shpreh mbrojtësi irlandez.
D.L