Policia e Kosovës ka zhvilluar disa aksione në Graçanicë, Ferizaj dhe rajonin e Mitrovicës, ku janë zbuluar raste të posedimit të substancave narkotike, armëmbajtjes pa leje dhe kontrabandimit me migrantë.
Në Graçanicë, në rrugën “Car Llazari”, zyrtarët policorë ndaluan një automjet gjatë patrullimit rutinë. Gjatë kontrollit ndaj drejtuesit të veturës, një mashkull kosovar, u gjetën dhe u sekuestruan rreth 10 deri në 15 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti vazhdon të hetohet.
Një tjetër aksion u zhvillua në Ferizaj, në rrugën “Hysen Tërpeza”, ku policia arrestoi një të dyshuar pas bastisjes së banesës së tij. Gjatë kontrollit u sekuestruan 249.1 gramë marihuanë, tri fara të bimës Cannabis sativa, një pistoletë me gaz, 200 euro dhe 250 lekë para të gatshme, si dhe një telefon mobil. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërkohë, në kuadër të hetimeve për veprat penale “Kontrabandim me migrantë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Posedim i substancave narkotike”, Sektori i Hetimeve i Departamentit të Policisë Kufitare ka realizuar kontrolle në tri lokacione të ndryshme në rajonin e Mitrovicës.
Operacioni u ndërmor pas analizimit të pajisjeve elektronike dhe provave të siguruara në një rast të hapur që nga shtatori i vitit 2025.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e një të burgosuri u gjet dhe u sekuestrua një pushkë me tetë fishekë. I burgosuri u soll nga Qendra Korrektuese për të qenë i pranishëm gjatë kontrollit dhe për t’u intervistuar, ndërsa pas përfundimit të procedurave u rikthye në vuajtje të dënimit.
Po ashtu, në kuadër të të njëjtit operacion, policia ndaloi edhe një person tjetër të dyshuar. Ai u intervistua në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të prokurorit, u dërgua në mbajtje.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet lidhur me këto raste janë në vazhdim dhe se veprimet operative do të vazhdojnë për zbardhjen e plotë të tyre.
D.L