Lajmet

​Hoti del me propozime për tejkalimin e krizës së çmimeve e pasojave sociale

Hoti ka thënë se duhen rritur të gjitha pensionet dhe ndihmat sociale.

Published

on

Ish-kryeministri i Kosovës nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti ka dalë me tri propozime për daljen nga kriza e energjisë elektrike, ngritja enorme e çmimeve dhe pasojave sociale. Ai tha se është e pashmangshme që pakot e mbështetjes për qytetarë gjatë këtij viti duhet të jenë të natyrës së pakove që janë zbatuar gjatë kohës së pandemisë, pasi vonesat në këtë drejtim vetëm sa do ta shtojnë barrën për familjet.

Hoti ka thënë se duhen rritur të gjitha pensionet dhe ndihmat sociale, subvencionet në bujqësi dhe rritja e menjëhershme e pagës minimale.

Postimi i plotë i Hotit në Facebook

1.

Javëve të fundit ka pasur raportime se për shkak të zhvillimeve në tregjet financiare të ndikuara nga lufta në Ukrainë, vlera e investimeve të Trustit Pensional ka shënuar humbje rreth 90 milionë euro. Sot kam propozuar që Komisioni për Buxhet i Kuvendit të Kosovës të ftojë të mërkurën e ardhshme në raportim Bordin e Trustit për tu informuar për veprimet që po i ndërmerr Trusti në përballje me këto zhvillime. Krahas Bordit të Trustit, Kryetari i Komisionit u dakorduar që të ftohet edhe Banka Qendrore si institucion mbikëqyrës i Trustit.

2.

Kriza energjetike e dimrit që po e lëmë pas, kriza e çmimeve që po thellohet çdo ditë dhe pasiguria e përgjithshme globale e shkaktuar nga lufta në Ukrainë e shtrojnë nevojën për një qasje shumë më gjithëpërfshirëse për tu dalë në ndihmë qytetarëve. Sipas të gjithë indikatorëve, pasojat ekonomike të krizës energjetike dhe rritjes së çmimeve të mallrave të konsumit kanë rënduar shumë koston e jetës së qytetarëve. Sipas vlerësimeve të përgjithshme, çdo familjeje i janë zvogëluar të ardhurat reale me rreth 150-200 euro në muaj. Kjo nënkupton se për të mbajtur konsumin e njëjtë, çdo familje ka nevojë për të ardhura shtesë prej 150-200 euro.

3.

Është e pashmangshme që pakot e mbështetjes për qytetarë gjatë këtij viti duhet të jenë të natyrës së pakove që janë zbatuar gjatë kohës së pandemisë. Vonesat në këtë drejtim vetëm sa do e shtojnë barrën për familjet.

(i) Masa e parë dhe e menjëhershme do të duhej të ishte indeksimi i të gjitha përfitimeve pensionale dhe ndihmave sociale për normën e inflacionit të çmimeve të produkteve ushqimore bazike, që nënkupton rritje e të gjitha pensioneve dhe ndihmave sociale për aq sa janë rritur çmimet e produkteve ushqimore bazike. Kjo masë i prek të gjithë qytetarët mbi moshën 65-vjeçare si dhe të tjerë që marrin çfarëdo asistence nga shteti.

(ii) Masa e dytë do të ishte rritja e subvencioneve në bujqësi për të mundësuar vazhdimësinë e aktivitetit bujqësor për shkak të rritjes tej mase të çmimit të farërave, plehrave dhe inputeve të tjera bazike për bujqësi. Kjo rritje e subvencioneve siguron që rreth 1/3 e familjeve kosovare të mbajnë nivelin e të ardhurave që marrin nga aktiviteti i tyre bujqësor.

(iii) Masa e tretë që duhet konsideruar është rritja e menjëhershme e pagës minimale sipas një indeksi që merr parasysh koston e jetesës, si dhe rritje e pagave në sektorin publik gjithashtu bazuar në një indeksim për koston e jetesës. Këtu nuk duhet hedhur poshtë edhe propozimi për tërheqje të një shume të kursimeve pensionale, por një shume dukshëm më të vogël sesa ajo që është propozuar me qëllim të ruajtjes së stabilitetit afatgjatë të kursimeve që janë në menaxhim të Trustit për qëllime të sigurisë së të ardhurave për pensionistët e ardhshëm. Kjo masë prek të gjithë të punësuarit në sektorin publik dhe privat.

Vendi

Profesorët e UBT-së botojnë studimin mjekësor në revistën prestigjoze ndërkombëtare MDPI

Published

on

By

Profesorët e UBT-së, Dr. Lirim Shefki Mustafa dhe Dr. Fitim Bexhet Alidema, kanë publikuar një studim mjekësor në revistën e njohur ndërkombëtare “Pharmacoepidemiology”, që është pjesë e platformës së fuqishme shkencore MDPI.

Ky punim, me titullin “Comparison of Two Triple Therapy Regimens for Helicobacter pylori Eradication in Patients with Dyspepsia: A Retrospective Study from Primary Care”, ka arritur të indeksohet në rrjetet më të rëndësishme të shkencës botërore si Web of Science dhe Scopus, duke u renditur në kategorinë e lartë Q2.

Ky hulumtim i stafit të UBT-së ka një rëndësi të madhe praktike pasi ka marrë në shqyrtim plot 1,800 pacientë të rritur që u trajtuan mes janarit të vitit 2023 dhe fillimit të vitit 2026.

Qëllimi ishte të gjendej një zgjidhje më e mirë kundër bakterit të rrezikshëm Helicobacter pylori, i cili shkakton probleme si gastriti apo ulçera, në një kohë kur trajtimet klasike po dështojnë rregullisht për shkak se bakteri është bërë rezistent ndaj antibiotikëve standardë.

Nga krahasimi që u bë, doli se terapia e re e bazuar në levofloxacin funksionon shumë më mirë, duke e zhdukur bakterin në 82.9% të rasteve, përballë trajtimit të vjetër me clarithromycin që pati sukses vetëm në 71.8% të pacientëve.

Përveç se më efektiv, ky kombinim i ri solli edhe më pak efekte anësore për organizmin. Profesorët zbuluan gjithashtu se stili i jetesës ndikon shumë në shërim, pasi duhani, alkooli, obeziteti dhe diabeti e bëjnë bakterin më të fortë dhe rrisin shanset që trajtimi të dështojë.

Ky botim, i dalë zyrtarisht sot më 13 korrik 2026, tregon edhe një herë nivelin e lartë të kërkimit shkencor në UBT dhe u vjen në ndihmë direkt mjekëve për të dhënë receta më të sakta e pa i keqpërdorur antibiotikët.

Continue Reading

Vendi

KFOR-i me stërvitje speciale pranë Bondsteel-it për menaxhimin e rasteve urgjente

Published

on

By

Ushtarët e Komandës Rajonale në Lindje (RC-E) të misionit të KFOR-it kanë zhvilluar një stërvitje të specializuar për reagim ndaj rrëzimit të aviacionit pranë Kampit Bondsteel.

Ky trajnim kishte për qëllim forcimin e koordinimit mjekësor shumëkombësh dhe rritjen e kapaciteteve për reagim të shpejtë në zonat operative.

Stërvitja bëri bashkë ekuazhet ajrore dhe mjekët fluturues për të ushtruar triazhin e të lënduarve, trajtimin mjekësor dhe procedurat e evakuimit urgjent.

Përmes këtyre aktiviteteve, KFOR-i mban gatishmërinë operacionale dhe aftësitë e nevojshme për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë.

Misioni i udhëhequr nga NATO-ja vazhdon të zbatojë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in. /E.A/

Continue Reading

Aktualitet

Burim Berisha sjell “RESIDUE”, një reflektim artistik mbi kujtesën dhe transformimin

Published

on

By

Profesori i Fakultetit të Artit dhe Medias Digjitale në UBT, Burim Berisha, do të prezantojë ekspozitën e tij personale “RESIDUE”, e cila do të hapet më 18 korrik në Institutin e Artit Bashkëkohor ARKIV në Pejë.

Ekspozita është pjesë e programit kuratorial të institucionit dhe paraqet një përmbledhje të praktikës artistike të Berishës, të zhvilluar përgjatë më shumë se 25 vjetësh krijimtari në fushën e artit bashkëkohor.

Përmes skulpturës dhe instalacioneve që ndërthurin elemente si tingulli, tymi, dheu dhe materiale të ndryshme, “RESIDUE” eksploron marrëdhënien ndërmjet kujtesës, transformimit dhe gjurmëve që mbeten pas një ngjarjeje, personi apo objekti. Veprat ftojnë publikun në një reflektim mbi praninë dhe mungesën, duke e trajtuar artin si një proces që ruan dhe rikrijon kujtesën përtej momentit të krijimit.

Në këtë ekspozitë, figura nuk paraqitet në mënyrë të drejtpërdrejtë, por ndërtohet përmes materialit, shenjave të pranisë dhe hapësirës, duke krijuar një dialog mes asaj që është e dukshme dhe asaj që mbetet e nënkuptuar.

Ekspozita “RESIDUE” dëshmon për angazhimin e vazhdueshëm artistik të Prof. Burim Berishës dhe kontributin e tij në zhvillimin e artit bashkëkohor, si në Kosovë ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Continue Reading

Lajmet

Ambasadori i Hungarisë në Kosovë ligjëron në UBT për politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian

Published

on

By

Fakulteti i Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë në UBT ka nisur aktivitetet e Akademisë Verore 2026, në kuadër të Global UBT Fest 2026, me një ligjëratë të veçantë nga Ambasadori i Hungarisë në Republikën e Kosovës, László Dux, i cili zhvilloi një dialog me studentët dhe stafin akademik mbi temën “EU Enlargement Policy”.

Aktiviteti inaugurues mblodhi studentë të Shkencave Politike, Studimeve të Sigurisë, Politikave Publike dhe Menaxhimit, të cilët patën mundësinë të diskutojnë mbi një nga temat më aktuale të agjendës evropiane – politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe rëndësinë e saj për vendet aspirante.

Gjatë ligjëratës, Ambasadori Dux trajtoi zhvillimet më të fundit në procesin e zgjerimit të BE-së, sfidat dhe mundësitë që e shoqërojnë këtë proces, si dhe perspektivën e Hungarisë lidhur me të ardhmen evropiane të rajonit. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe institucioneve evropiane, duke nënvizuar se zgjerimi mbetet një element kyç për forcimin e stabilitetit, sigurisë dhe zhvillimit në Evropë.

Diskutimi u zhvillua në një atmosferë interaktive, ku studentët adresuan pyetje mbi procesin e integrimit evropian, politikat e zgjerimit, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe sfidat gjeopolitike që ndikojnë në të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe rajonit.

Përmes organizimit të këtij aktiviteti, UBT vazhdon të sjellë pranë studentëve diplomatë, vendimmarrës dhe ekspertë ndërkombëtarë, duke krijuar mundësi për debat akademik dhe shkëmbim të drejtpërdrejtë të përvojave mbi çështjet më të rëndësishme të politikës globale.

Akademia Verore e Fakultetit të Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me ligjërata, panele diskutimi dhe aktivitete akademike të fokusuara në diplomaci, siguri, qeverisje dhe politika publike, me pjesëmarrjen e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Continue Reading

Të kërkuara